Friday, October 20, 2017

DEBATI PËR STANDARDIN DHE REVIZIONISTËT E SHQIPES MODERNE

DEBATI PËR STANDARDIN DHE REVIZIONISTËT E SHQIPES MODERNE


Nga 

Aristotel Spiro

Më 1992 u përkujtua nëpërmjet një konference shkencore Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Aty u shpreh nevoja e rishikimeve, por mendimet për nevojën e ndryshimit të Gjuhës Letrare Kombëtare Shqipe (GJLKSH) ose Standardit, siç ishte emërtuar tashmë, ishin shprehur me t’u rrëzuar komunizmi. Gjuhëtarët parimisht pajtohen për nevojën e ndryshimeve në standard, meqenëse gjuha me kalimin e kohës ndryshon dhe këto ndryshime ndikojnë pashmangërisht edhe në normën gjuhësore.
Mirëpo, nevoja e ndryshimeve në standard u shtrua prej disash si nevojë për ndryshimin e krejt standardit. Kjo nevojë u shtrua vijimisht si kërkesë imperative dhe u justifikua duke e paraqitur vënien e toskërishtes në bazë të standardit si një zgjidhje politike të imponuar nga udhëheqja komuniste e Shqipërisë. Kërkesa maksimale revizioniste ishte krijimi i standardit letrar verior për të vënë në vend një gabim historik që i ishte bërë gegërishtes.
Gjatë këtyre dy dekadave janë zhvilluar edhe veprimtari të tjera shkencore me temë ndryshimin e standardit. Në Tiranë, Prishtinë, Durrës etj. kanë kumtuar e referuar shumë studiues lidhur me këtë, por nuk është rënë dakord për ndonjë zgjidhje të pranueshme. Mbështetësit e rigjallërimit të standardit gegë nuk propozuan ndonjë gramatikë të kodifikuar të tij. Praktikisht një pjesë studiuesish edhe kanë shkruar në shtyp në gegërishten e Shkodrës, por kjo formë gjuhësore nuk mund të quhet standard.
Nga ana tjetër, reformatorët minimalistë përfunduan në diskutimin e disa rasteve që kanë të bëjnë me drejtshkrimin e zanores ë. Në cilat raste që shkruhet mund të mungojë, dhe në cilat raste që nuk shkruhet mund të përdoret?
I gjithë diskutimi u krye brenda një suaze administrative të paqartë, në një kontekst reformimesh e deformimesh institucionale, ku nismëtarë bëheshin drejtues organizmash akademikë e shkencorë. Reaksioni ka qenë i fortë, sidomos nga një pjesë gjuhëtarësh që kanë qenë të pranishëm në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972.

Por nga dhe si duhet të fillojë diskutimi? Çfarë nuk bind që çështja rimerret vazhdimisht pa gjetur një zgjidhje të kënaqshme? Objekt i gjykimit tashmë është jo vetëm standardi shqip, por edhe vetë diskutimi i deritanishëm për të. Meqenëse kanë kaluar mbi dy dekada, pyetja duhet bërë ndoshta në kohën e shkuar. Nga duhej filluar diskutimi për standardin? Nga mohimi apo rishikimi i tij?

Nëse duhej mohuar, atëherë do të krijohej një gjuhë standarde e re, apo krahas kësaj një standard “verior”, gegë? Dhe cila do të ishte forma e tij? Elbasanishtja, shkodranishtja apo “kosovarishtja”? Po rishikimi si do të bëhej? Do të ishte edhe ai një krijim i një standardi paralel, apo ndërshtënia e elementeve gramatikore të gegërishtes në standard (si p.sh. e ashtuquajtura “paskajore gege”) ose elementeve karakterizuese leksikore (p.sh. emërtimi intelektualist josistemor “gegnishte” në vend të gegërishte, siç po bëhet e modës nga disa kolegë).
Është jashtë çdo dyshimi që gjithë pjesëmarrësit në debat kanë zhvilluar një argumentim të nisur nga dëshira e mirë për të përmirësuar gjendjen. Mirëpo a është e qartë se cila është gjendja gjuhësore në gjithë hapësirën shqipfolëse? Cilat janë problemet e vërteta të ligjërimit shqip sot? Cilët duhet të jenë pjesëmarrësit në diskutim? Duhet të jenë njerëzit e thjeshtë, politikanët, apo t’ua lëmë gjuhëtarëve ta zgjidhin këtë punë? Po cilëve gjuhëtarë? A mjaftojnë vetëm argumentet filologjike gjuhësore për të mbështetur propozimet e zgjidhjeve apo duhen edhe argumente të tjera? Cilat skema teorike duhen zbatuar?
Ose më thjesht: Cila gjuhë shqipe nevojitet sot? A është e mjaftueshme gjuha e kodifikuar nga Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972, apo duhen kryer ndryshime?

Çfarë ishte Kongresi i Drejtshkrimit: një arritje historike apo një padrejtësi historike?

Që Kongresi i Drejtshkrimit përbën ngjarjen më kulmore në historinë e gjuhës shqipe, kjo nuk është e vështirë të kuptohet. Është hera e parë që shqiptarët kanë një kod komunikimi të përbashkët. Si në pikëpamje të komunikimit, ashtu edhe në atë të identitetit gjuha letrare kombëtare funksionon në mënyrë njësuese. Ky kod i njësuar shtrihet edhe tek shqiptarët e Jugosllavisë së dikurshme dhe bota komunikon me shqiptarët në një gjuhë.

Drejtshkrimi


Rregullat e «Drejtshkrimit të gjuhës shqipe» (1973), «Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe» (1976), Fjalorët e gjuhës shqipe (1980, 1984), Fonetika dhe gramatika e gjuhës së sotme shqipe (1976, 1992), «Rregullat e pikësimit në gjuhën shqipe» (2002) si dhe vepra të tjera normative përbëjnë dokumentimin themelor të GJLKSH, të përpunuara në të gjitha aspektet, pas një pune të gjithanshme kërkimore-shkencore e studimore. Këto vepra nuk bëhen brenda një nate, as mund të manipulohen politikisht, sikundër është shkruar shpeshherë nga disa kritikues. Duhet studiuar gjuha në përmasat e saj diakronike e diatopike. E në këtë pikë nuk mund të mohohen studimet sistematike të dialekteve të shqipes, të organizuara nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë para dhe pas Kongresit të Drejtshkrimit.
Me unifikimin e vet shqipja siguroi një prestigj të lartë si kod gjuhësor. Ajo u përhap me shpejtësi në të gjitha hapësirat shqipfolëse, falë sistemit arsimor dhe radiotelevizionit. Ekzistenca e këtij kodi të përbashkët mundëson sot ndërkuptueshmërinë midis shqipfolësve nga Prishtina, Shkodra, Tetova, Elbasani, Korça e Gjirokastra. Tirana, si kryeqytet i Shqipërisë, luan rolin e një metropoli gjuhësor, të një gjeneruesi modelesh shprehëse ligjërimore.
GJLKSH u quajt pas viteve 1990 Shqipe Standarde (SHS). Besoj se kjo nuk është thjesht një preferencë terminologjike, por një përzgjedhje rikonceptualizuese e ndryshimeve të ndodhura pas Kongresit të Drejtshkrimit. SHS zuri vend mbizotërues në ndërgjegjen gjuhësore të shqipfolësve si një pikë reference që rregullon ligjërimin dhe kultivon shprehi të reja komunikative.
Koha është gjykatësi më i rreptë dhe sot mund të shihet se si SHS është një realitet i pamohueshëm. Ajo flitet e shkruhet në të gjitha hapësirat shqipfolëse, në shkollë, në administratë e në media, në letërsi e në shkëmbimet tregtare, në gjithë mjediset publike, si në jug ashtu edhe në veri të Shqipërisë, por edhe në Kosovë, në Mal të Zi e në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë. SHS flitet në Shkodër, në Prizren e në Peshkopi, ku dialekti gegë mbizotëron. Por flitet edhe në Korçë, Vlorë, Gjirokastër, Përmet e Sarandë. Dikush mund të thotë që toskërishtja dhe SHS janë e njëjta gjë. Por ata që i njohin mirë të folmet toske e dinë mirë se ka ndryshime të dukshme (sidomos fonetike) midis toskërishtes dhe SHS. Kështu shpjegohet pse kastigimi gjuhësor drejtohet jo vetëm kundër bartësve të gegërishtes por edhe atyre të toskërishtes. Mund të përmendim, p.sh., fonolektin (sistemin fonetik dialektor) të Korçës, Pogradecit, Librazhdit, por edhe Gjirokastrës, Sarandës, Vlorës etj., që bëhen shpesh objekt humori. Ky lloj kastigimi gjuhësor mund të interpretohet tërthorazi edhe si dëshmi e prestigjit që gëzon sot SHS.

A mund të diskutohet për krijimin një standardi gegë të shqipes?

E them me bindje që çdo diskutim i tillë do të ishte pa ndonjë vlerë praktike ose teorike të veçantë si dhe kohë e humbur. Ka mjaft anarki sot në shoqërinë shqiptare. Nuk i duhet dhe anarkia gjuhësore. Ka mjaft korrupsion. Nuk i bën mirë as korrupsioni gjuhësor. Dhe me këtë nënkuptoj çdo manipulim institucional nëpërmjet komisionesh, konferencash, simpoziumesh, deklaratash individësh apo grupesh etj.

A ka dështim të Shqipes Standarde?

Aspak. Përkundrazi. Ka një dështim të politikave gjuhësore të paqarta dhe të paragjykuara. A ka vështirësi në përvetësimin dhe ngulitjen e Shqipes Standarde  Vështirësi ka, por këto nuk kanë lidhje me vetë standardin gjuhësor. Kanë lidhje me standardet ekonomike e kulturore, kanë lidhje me politikat arsimore që janë ndjekur. Kanë lidhje me nivelin kulturor të shoqërisë. Le të edukohemi më shumë, le të përpiqemi të komunikojmë si një bashkësi harmonike gjuhësore e shoqërore dhe do të reshtim së menduari e së foluri në mënyrë diverguese. Fajin nuk na e ka standardi si kod, por zëvendësimi i respektit nga logjika e forcës dhe egoizmit. Fajin nuk e kanë as dialektet e të folmet, të cilat janë elemente kulturore identitare dhe si të tilla duhen respektuar e kultivuar. Fakti që diskutimin mbi të ashtuquajturin problem (që nuk ekziston!) të Standardit e bëjmë në Standard tingëllon si paradoks në dëm të thelbit të këtij diskutimi.

Por a mund të flitet për ndryshime në Shqipen Standarde?

Është logjike që të priten ndryshime, meqenëse gjuha si sistem e si institucion shoqëror i një natyre të veçantë ndryshon me kalimin e kohës. Veçse këtu ndryshimet nuk bëhen me revolucion. Ky është një mësim që e di edhe studenti mediokër i degës së gjuhësisë. E ka shprehur gjer edhe Stalini, i cili nga pozitat e sundimit autarkik kishte mundësinë të ideonte shumë marrëzira politikash gjuhësore.

Ndryshimet në gjuhë nuk mund t’i vendosin as gjuhëtarët. Këtë fuqi e ka vetëm tërësia e folësve të shqipes. Gjuhëtarët megjithatë mund të vërejnë cilat janë ndryshimet e kryera. Nga duhet filluar?

Alternativa nuk është për një apo dy standarde. Nuk është mandej as alternativë për një standard të pandryshuar apo të deformuar ose hermafrodit. Nga njëra anë është respekti për Shqipen Standarde dhe nga ana tjetër mosrespekti dhe zelli naiv për të propozuar ndryshime. Ky është kufiri i seriozitetit nga ilariteti. Gjuhëtarët duhet ta studiojnë mirë gjuhën dhe të shikojnë përdorimin e saj në të gjitha nivelet ligjërimore dhe të shohin prirjet e zhvillimit. Duhet të bëjnë propozime në bazë të këtyre studimeve dhe propozimet t’u jepen për diskutim përdoruesve më të kualifikuar të gjuhës, që janë mësuesit e gjuhës e të letërsisë, mësuesit dhe pedagogët e tjerë në të gjitha nivelet e sistemit arsimor, por edhe gjithë njerëzit e shkolluar brenda e jashtë shtetit dhe që kanë një ndjenjë gjuhësore të zhvilluar e gjykim për gjuhën. Jam i sigurt se një pjesëmarrje e tyre në diskutim do të jetë shumë e vlefshme dhe do t’ua kthjellojë mendjen gjuhëtarëve. Pas këtij diskutimi të gjerë mund të kenë të drejtën për të rivlerësuar propozimet e tyre dhe për të miratuar ndryshime të kufizuara në pjesë të caktuara të sistemit të Shqipes Standarde.

Por sa studime janë bërë deri më sot për standardin? Sa punime diplomash e teza disertacionesh janë hartuar?
Druaj se studime të tilla të thelluara nuk ka. Duke e pranuar Shqipen Standarde si të vetmen alternativë normative për të ardhmen, duhet parë se çfarë ka ndryshuar nga viti 1972 deri më sot dhe që duhet përfshirë në inventarin e zgjedhjeve gjuhësore të shqipfolësve.

Mendoj se në këto 40 vitet e fundit kanë ndodhur dy ngjarje shumë të rëndësishme që kanë ndikuar në sistemin e Shqipes Standarde:

1) Hapja e Shqipërisë ndaj botës. Kjo nënkupton një integrim më të madh të kulturës shqiptare në kulturën e përgjithshme botërore, një ballafaqim më të shpeshtë me këtë kulturë, vendosje përkatësish semiologjikë midis kulturës vendase dhe kulturave të tjera. Kjo ka pasojat e veta gjuhësore: është rritur numri i folësve që zotërojnë një a më shumë gjuhë të huaja. Gjuha shqipe bëhet e krahasueshme me gjuhë ndikimi ndërkombëtar si anglishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, por edhe me gjuhë më të vogla, por që ka pasur tradicionalisht marrëdhënie si italishtja ose greqishtja. Mënyra të reja të menduari e jetese po zënë vend në jetën e shqiptarëve. Këto kanë shprehjen e vet semiologjike gjuhësore, nëpërmjet hyrjes së mijëra fjalëve të reja, shënjuese sendesh e nocionesh të panjohura më parë, por edhe nëpërmjet përdorimit të sintagmave e modeleve sintaksore të huaja, kryesisht angleze.
Ligjërimi publik është liberalizuar shumë. Media shqipfolëse nyjëton një pafundësi tekstesh të shkruara e të folura, shpesh të ndërtuara në bazë të informacionit që jepet në mediet simotra anglishtfolëse. Media vendase bëhet faktor i rëndësishëm për përhapjen e risive gjuhësore, por njëkohësisht edhe të shfaqjes së një lloj inflacioni gjuhësor për shkak të domosdoshmërisë së një performance të vazhdueshme gjatë gjithë kohës. Nuk është sigurisht punë e lehtë që orë e çast realiteti të projektohet gjuhësisht në trajtën e vet më të mirë. Këtu e kanë burimin edhe shumë pasaktësi, gabime, deformime që gjuhësisht shprehen me shkelje gjuhësore e normative.
Në këto kushte një rol të madh duhet të luajë shkolla shqiptare, në të cilën mësimi i gjuhës shqipe duhet të zërë vend të rëndësishëm. Veçse nuk mjafton përvetësimi i rregullave drejtshkrimore, drejtshqiptimore e gramatikore, por edhe i rregullave dhe etikës së komunikimit.
2) Krijimi i shtetit të Kosovës. Me krijimin e Republikës së Kosovës u zgjerua hapësira gjeografike e SHS. Kjo megjithatë nuk është thjesht një ndryshim i përmasës gjeografike, por ka pasoja në krejt sistemin e SHS. Një pjesë kosovarizmash kanë qenë përdorur edhe më parë suksesshëm në mbarë shqipen, por tani, me rritjen e kontakteve gjuhësore më shumë njësi leksikore e gramatikore kosovare kërkojnë vendin e tyre në sistemin gjuhësor mbarëshqiptar. Janë disa njësi që lidhen me situatat e veçanta ligjërimore ku nyjëtohet kosovarishtja, të cilat përvijohen nga birësimi i SHS, ndikimi i të folmeve të ndryshme kosovare, trashëgimi i ndikimeve të përdorimeve serbokroate dhe sidomos nga përdorimet që sugjeron konteksti pragmatologjik-kulturor i shtetit të pavarur. Këto fjalë karakteristike, që kanë hyrë në fondin e përbashkët të shqipes, duhen identifikuar dhe inventarizuar. Ndër to, një pjesë e vogël do të kenë prirjen të përdoren nga të gjithë shqipfolësit, ndërsa pjesa tjetër do të shërbejë si një mjet gjuhësor karakterizimi i bashkësisë shqipfolëse kosovare.

Lidhur me faktorët e mësipërm mund të kërkohet fjala e gjuhëtarëve për të vendosur se ç’qëndrim do të mbahet ndaj fjalëve dhe ndërtimeve të huaja që kanë hyrë së fundi në përdorimin e shqipfolësve. Si do të bëhet përshtatja e tyre brenda sistemit gjuhësor?

Si do t’i përballojë gjuha shqipe kulturat e tjera? Me frikë apo me dinjitet? Domethënë, a do të mbahet ai qëndrim i prerë, p.sh., tek drejtshkrimi i emrave të përveçëm të huaj, apo do të ndiqet një rregull më elastik duke pranuar në situata të caktuara ligjërimore edhe grafinë origjinale latine, ose transkriptimin e përgjithësuar latin emrave të përveçëm?


Në kuadrin e problematikës së përgjithshme, dëshiroj të vë në dukje edhe dy çështje që lidhen me interpretimin e alfabetit të shqipes: E para ka të bëjë me diskutimin nëse dyshkronjëshat do të interpretohen si një grafemë (dhe çështja merr fund me kaq), apo si dy grafema, sikundër sugjeron edhe emri i tyre (e në këtë rast ato, pavarësisht nga vlera fonetike e kombinimit të tyre që mbetet e pandryshuar, nuk mund të llogariten si një grafemë e veçantë dhe prandaj duhen hequr nga lista e alfabetit). E dyta ka të bëjë me pranimin në alfabetin shqip të grafemës W, e cila njeh sot praktikisht një denduri të madhe, sidomos ndër përdoruesit e rrjetit kompjuterik botëror (www). Është një çështje që e kam ngritur edhe më parë (gaz. “Shekulli”, 12.12.2008) dhe e shoh të përkrahur praktikisht nga Ali Dhrimo dhe Rami Memushaj, që përfshijnë në “Fjalorin Drejtshkrimor të Gjuhës Shqipe” (2011) shkronjën W, nën të cilën renditen disa fjalë të huaja që përdoren tashmë në shqipe. Këto janë pyetjet praktike që kërkojnë përgjigje nga gjuhëtarët dhe jo rikthimi në debatin para Kongresit të Drejtshkrimit për të shkruar apo për të mos shkruar ë-në apo j-në në pozicione të caktuara.

Gjuhëtarët ftohen të shprehen për çështje të tjera që shtron praktika ligjërimore e përdorimit të sotëm të SHS. Janë përgjithësuar disa përdorime të gabuara ose ekzistojnë dysorë të paparashikuar nga drejtshkrimi. Si do të veprohet në këto raste? P.sh., do të shkruhet pashka, krishtlindja (njëjës me shkronjë të vogël) Pashka, Krishtlindja (njëjës dhe me shkronjë të madhe), apo pashkët, krishtlindjet (shumës), Pashkët, Krishtlindjet (shumë me shkronjë të madhe)? Emrat e ditëve të javës dhe të muajve do të lejohet të shkruhen me shkronjë të madhe, sikundër e shkruajnë përditë pa vuajtur aspak kanale televizive kinse prestigjioze? 
Konstatohen edhe gabime të tjera në përdorimin e pronorëve, që janë përgjithësuar në përmasa që më duken alarmante, saqë sot mund të bëhet fjalë për ndarje të shqiptarëve në dy kategori: në shqiptarë që thonë çuni jot, shoku jot, ekipi jonë, djali jonë, vajza tënde, vajzës tënde, nënës tënde dhe në shqiptarë që thonë çuni yt, shoku yt, ekipi ynë, djali ynë, vajza jote, vajzës sate, nënës sate etj.
Ka raste të tjera gramatikore të një përshtatjeje të paparashikuar në rregullat e drejtshkrimit: Do të thuhet lekë të rinj apo lekë të reja (sikundër thuhet rëndom), meqenëse leku është në gjininë mashkullore dhe nuk e ndërron gjininë në shumës.
Në fushën e leksikut, mund të vërehen raste përdorimi të pajustifikuar fjalësh, si p.sh. “pozitë” si antonim të “opozitë”, që është një shpikje shqiptare; “personazh” për“personalitet” ose “person”; “feminist” për “gjahtar femrash”; “pederast” për “homoseksual”; “pikant” për “domethënës” ose “karakteristik” etj. etj.
Mund të ketë edhe mjaft raste të ngjashme praktike, të cilat kërkojnë standardizim. Ato duhen bërë objekt diskutimi, dhe jo “gjimnastikat” teorike apo akrobacitë gramatikore, të cilat nuk çojnë asgjëkund.
Midis administratës shtetërore dhe gjuhëtarëve duhet të ekzistojë një komunikim i institucionalizuar dhe transparent, ku të shprehet publikisht mendimi i argumentuar për performancën publike të ligjëratës shqipe.
Ajo që i duhet sot shoqërisë shqiptare është përmirësimi i komunikimit dhe jo ndërlikimi i saj. Nuk i duhen rregulla të reja, por funksionalitet i gjuhës. Kujdesi në përdorimin e gjuhës është respekt për vlera shpirtërore të krijuara gjatë shekujve, por edhe një tregues vetëvlerësimi kolektiv dhe individual.
Revizionistët e Shqipes Standarde janë të destinuar të tejkalohen nga koha dhe të «mbyten» në ujërat e thella të ligjërimit shqip.



Botuar së pari në gazetën Shekulli më 30. 06. 2014

No comments:

Post a Comment