Saturday, June 19, 2021

BOTIMI MË I HERSHËM I NJË PARTITURE ME MUZIKË SHQIPTARE

 

nga 

Majlinda Spiro

Ky shkrim synon të jetë një kontribut modest në historinë e muzikës shqiptare, dhe konkretisht në fillimet e semiologjisë sipas sistemit perëndimor.
    Historia fillon në vitin 1804, kur u botua në Londër përmbledhja ­“Lyric Airs” (“Motive lirike”), e cila përfshinte 35 specimene këngësh e melodish kombëtare greke, shqiptare, vllahe, turke, arabe, persiane, kineze dhe maúre (“Lyric Airs by Edward Jones, consisting of Specimens of Greek, Albanian, Walachian, Turkish, Arabian, Persian, Chinese, and Moorish National Songs and Melodies”). Siç përmendet edhe në kopertinën e librit, kjo ishte hera e parë që i jepej publikut britanik një përzgjedhje e kësaj natyre.
    Autori i saj ishte Edward Jones [Eduard Xhons], bard pranë Lartësisë së Tij, Princit të Uellsit. Jones-i nuk kishte bërë thjesht një punë antologjike dhe transkriptuese muzikore, por edhe kishte bërë edhe një aranzhim muzikor duke shtuar baset për harpë ose për piano. Meloditë e transkriptuara shoqëroheshin me shënime për figurat dhe lëvizjet e valleve, si dhe me një disertacion të shkurtër për prejardhjen e muzikës së lashtë greke. Nga kjo kuptohet se autori nuk ishte thjesht një mbledhës folklori, por edhe një studiues me formim të pjekur muzikor.
   Në faqen 14 dhe 15 të librit gjendet edhe melodia e një valleje të titulluar “Arnaute” sipas turqishtes  (“The Albanian Dance”). E. Jones sqaron se kjo valle kërcehet zakonisht nga shqiptarët të armatosur gjer në dhëmbë dhe mendohet të jetë vallja pirrike e lashtë. Ai shënon gjithashtu se trupat ushtarake në Moré, Maqedoni, Bosnje janë krijuar sipas stilit arnaut dhe ruajnë ende guximin dhe rreptësinë e të parëve të tyre dhe vlerësohen si luftëtarët më të mirë të Perandorisë Turke.

    Një e dhënë me shumë rëndësi për studiuesin është se në këtë botim ndeshim për herë të parë të transkriptuar me nota muzikore sipas sistemit perëndimor një melodi që cilësohet si shqiptare.
   Sipas njohjes sonë të deritanishme, kjo mund të quhet edhe partitura më e vjetër e muzikës shqiptare. Ky është prezantimi i parë semiologjik muzikor i kësaj valleje. Rëndësia e këtij botimi është e madhe, jo aq për të dhënat rreth origjinës së saj (të cilat gjenden në mjaft autorë të lashtë e më të rinj), sesa për paraqitjen e vijës së saj melodike. 

   Përfshirja e një melodie shqiptare në një botim të tillë antologjik dëshmon interesimin e studiuesve britanikë për kulturën e popujve të Lindjes, sidomos të atyre që jetonin në suazën e Perandorisë Turke. Këtë interesim e shohim edhe tek udhëtarët anglezë që vinin në krahinën perëndimore të Perandorisë (Bajron, John Cam Hobhouse, Henry Holland etj.) (Skëndo 1999), kryesisht për t’u njohur me lashtësinë greke. Por, kur vinin këtu, krahas grekëve, ata njihnin edhe shqiptarët, një popull të vogël me kulturë e tradita ekzotike konservatore.

 Përfshirja e saj në një antologji muzikore me melodi të popujve të rajonit është jo vetëm një përpjekje identifikuese, por gjithashtu edhe një përpjekje klasifikuese në grupin kulturor ballkanik e, më gjerë, lindor. Tërthorazi muzika shqiptare klasifikohet në rajonin kulturor të Ballkanit dhe Mesdheut lindor, meqenëse shumica e këngëve të përmbledhjes janë greke (14), turke (5), vllahe (3), maure (3), arabe, indiane, por edhe 2 melodi suedeze.

 Ky klasifikim i nënkuptuar pasqyron edhe perceptimin e muzikologëve dhe studiuesve të huaj për modelet muzikore të rajonit.

 Nuk është vështirë të kuptohet edhe një vështrim romantik i përzgjedhësit dhe studiuesit të melodive. Ky vështrim romantik konstatohet në radhë të parë për meloditë greke, ku E. Jones do të vendosë patjetër një lidhje me temat historike nga mitologjia dhe lashtësia (sidomos me mitin e Tezéut dhe Minotáurit). I gjithë disertacioni i përfshirë në libër tregon më qartë për konceptin e një vijimësie kulturore midis Greqisë së lashtë dhe asaj moderne.

Në kuadër të këtij shpjegimi mund të kuptohet se pse autori i referohet gjerë e gjatë lashtësisë greke. Zbulohet kështu qëndrimi i Jones-it, i cili flet në të mirë të asaj vazhdimësie. Tek grekët e rinj ai sheh stërnipërit e grekëve të vjetër.

Në këtë kontekst mund të kuptohen referencat antike të valles pirrike. Është i njëjti konceptim romantik i lidhjes me lashtësinë. Mundësia e origjinës së lashtë të valles arnaute dhe identifikimi i saj me vallen pirrike bazohet në veçoritë e saj themelore, si valle trimash, që kërcehet me uniformën e plotë dhe pajisjet luftarake.

Të dhënat për vallen e lashtë pirrike janë të ndryshme dhe jo gjithmonë të sigurta. 

Sot mbizotëron mendimi i përgjithshëm se “Pirrikja” është një valle e lashtë greke, e cila kërcehej vetëm nga burrat, që mbanin ushta e mburoja dhe pishtarë të ndezur, ndërsa dëgjohej muzika e fyellit dhe këngëve luftarake. Ajo paraqiste fazat e ndryshme të betejës.

Disa thonë se ajo e ka zanafillën që në shekujt e 7-të e të 6-të para e.s., kur emri “pirrike” iu dha një valleje luftarake, që i referohej në zanafillë një figure mitologjike me emrin Pirrikhos, identiteti i së cilës është i paqartë. Ka edhe disa supozime të tjera për identitetin e saj.

   Vallja i ka dhënë emrin edhe ritmit pirrik, që në metrikën e lashtë greke quhet këmba e formuar nga dy kohë të shkurtra (2/4), domethënë 2 X ¼. Kemi domethënë një ritëm në dy kohë: ◡ ◡  _  ♩♩ (Lacas).

   Ritmi pirrik shkakton një përshpejtim të frymëmarrjes. Ai është shprehja e përkryer e një vriku që shoqërohet me lëvizje të pamëshirshme, Ka shumë shembuj lëvizjesh të shpejta në masën 2/4, me një radhë katër tetëshesh në bas.

   Sipas të dhënave dhe të thënave të autorëve të lashtë, si Ksenofoni, Diodor Siqelioti, Straboni, Filostrati (Jones 1804: 21, Sako 1972: 96) vallja pirrike u shpik së pari në Kretë, nga Pirroja, i biri i Akilit, që e kishte përfshirë në programin e stërvitjes së të rinjve para veprimeve ushtarake. Valltarët vishnin një fustanellë luftarake, e cila i ngjante një xhakete të lirshme, të lehtë e të shkurtër, që zbriste gjer në gju, dhe shtrëngohej me një brez që rrotullohej dy herë rreth mesit; ata vishnin edhe kambale, ishin plotësisht të armatosur, dhe imitonin lëvizje të ndryshme ushtarake në tingujt e veglave muzikore.

   Në Athinë vallja pirrike ishte në programin e lojërave panathinase, ndërsa tek dórët ishte pjesë e gymnopédisë dhe e festave të Dioskurëve. 

   Lakedemonasit (spartanët) dhe kretasit, thotë Libaniusi, e praktikonin vallen me shumë pasion: ata e konsideronin atë si një ushtrim të nevojshëm që e kërkonte ligji; dhe konsiderohej gjest aq i turpshëm lënia pas dore e saj, njësoj si braktisja e postit në ditën e betejës. Lakedemonasit i stërvitnin të rinjtë e tyre më këtë lloj ushtrimi, që në moshën pesë vjeç, duke synuar rritjen e fuqisë dhe gatishmërisë së tyre trupore, si një nga mjetet më të mira për t’i bërë ata të pamposhtur në luftë. Ata e kërcenin këtë valle të veshur në pancir, dhe me armët hipur mbi kalë, siç njofton Solinusi (Jones 1804:21).

   Romakët, të cilët ishin trashëgimtarë të mirësjelljes greke, e njihnin edhe vallen pirrike. Përmendet se perandori Adrian jepte shpesh porosi që kjo lloj valleje (së bashku me lojëra të tjera) të kërcehej në një cirk të madh, për argëtimin e njerëzve; veçse në Romë e kërcenin jo vetëm meshkujt, por edhe gratë, të cilët ishin të armatosur me shpata prej druri, në vend të hekurit (Jones 1804: 14, 15).

Sipas një burimi tjetër, athinasit kishin një valle të caktuar, të quajtur pirrike (Πυῤῥίχεια), që vallëzohej nga djem të rinj veshur me uniformë të rëndë, duke imituar Athinanë, e cila tek po triumfon mbi bijtë e pushtuar të Titanit, duket sikur kërcen në atë mënyrë.

   Sipas informatave të fillimit të shek. XIX, vallja pirrike ishte ende në modë tek turqit dhe tek trakët: ata armatoseshin me ushta dhe shpata të shkurtra, dhe kërcenin lehtas nën tingujt e fyellit, duke iu afruar me hapa të shpejtë njëri-tjetrit, me zhdërvjelltësi e shkathtësi të habitshme (Jones 1804: 21).

   Si valle pirrike sot konsiderohet vallja që kërcehet nga grekët e Detit të Zi (pontët, Πόντιοι). Në Janicá të Greqisë Veriore organizohen rregullisht evente me emërtimin “Pirriket”, ku vendin qendror e zë kërcimi i “valles pirrike”. Në ndërgjegjen popullore të grekëve kjo valle perceptohet si një element i lashtë kulturor i trashëgimisë së tyre. Studiues grekë (Politis), por edhe të huaj, vendosin një lidhje midis disa versioneve të sotme vallesh (“Trata”, “Syrtós”, “Hasápiko” apo “Cámiko”) dhe valles së lashtë pirrike (Sako 1972: 96-97). 

   Përfshirja në këtë rreth edhe e një valleje me emrin “Cámiko” (“çame”) jep shkas për ta shtrirë hapësirën e vijimësisë përtej "mëtimeve greke".   

   Të drejtë trashëgimie mbi këtë valle kanë mëtuar edhe autorët shqiptarë. Në një artikull të Zihni Sakos (1972) vlerësohet seriozisht një nga versionet e prejardhjes së valles pirrike, e cila lidhet me Mollosinë dhe nxirret që këtej përfundimi se vallja “çame” është vazhdim i valles pirrike (Sako 1972: 97-98). Po ashtu vallja “Hasápiko” është sipas tij, shqiptare, meqenëse është mbiquajtur edhe “Arnaute”. Z. Sako nuk jep shpjegime të tjera për elementet koreografike të asaj valleje, përtej emërtimit turk “Arnaute”. Mos është ndoshta ajo valle me të njëjtin emër që ka transkriptuar muzikalisht E. Jones tek përmbledhja e tij me 1804? Ka shumë gjasa, pavarësisht se Z. Sako nuk bën fjalë në asnjë vend për botimin e Jones-it. Kjo mospërmendje dëshmon se ai nuk e njihte botimin anglez, dhe kësisoj as partiturën me melodinë e transkriptuar. Nëse do ta njihte, Z. Sako do të kishte një argument më tepër në tërësinë e argumenteve të tij.

   Por a mjafton argumentimi i Z. Sakos, i Agollit dhe i të tjerëve, qoftë edhe sikur të vinte në ndihmë edhe mbështetja e E. Jones-it, për të vërtetuar se “Vallja arnaute” është vallja e lashtë pirrike? Për mendimin tonë, argumentet janë të pamjaftueshme për të provuar një vijimësi të tillë. 

   Përtej qëndrimit romantik të E. Jones-it, nuk duket aq e çuditshme pse ai e cilëson vallen “Arnaute” si “Pirrike”, të cilën nuk ka dyshim se e koncepton si origjinarisht greke. Për të kuptuar këtë, duhet të mbajmë parasysh se në kohën e botimit të “Lyric Airs” (1804) ishte mjaft e përhapur teoria e prejardhjes së përbashkët të grekëve dhe shqiptarëve. Në pemën gjenealogjike indoevropiane greqishtja dhe shqipja gjenden zakonisht shumë afër dhe shpesh si një degë. Ky mendim i paargumentuar bindshëm pati përkrahësit e vet, më kryesori ndër të cilët ishte Dh. Kamarda (1864). Parë nga ky këndvështrim, nuk duket si paradoks që E. Jones zanafillën e një valleje shqiptare e gjen tek lashtësia greke.

   Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për përpjekjen e Z. Sakos për të vendosur një lidhje midis valles arnaute dhe asaj pirrike. Folkloristi shqiptar në mes versioneve të mundshme të prejardhjes së valles pirrike, përzgjedh atë që kënaq më shumë intuitën e tij kërkimore. Sa për vijimësinë, ai bie edhe një gabim metodik e shkencor, kur operon me terma jo fort të pranueshme e komprometues, si pellazgo-ilir. Çdo ngjashmëri e valles pirrike me ndonjë valle të sotme greke, apo shqiptare duhet parë për mendimin tim brenda një vijimësie kulturore dhe jo domosdoshmërisht gjuhësore apo etnike, sepse mungesa e provave mund të japë shkas për pështjellime.

   Ajo që ka rëndësi është ekzistenca e një partiture të një valleje shqiptare (“Arnaute”), e cila shënon, nga sa dimë, edhe fillimin e semiologjisë muzikore shqiptare.

Bibliografi:

Camarda, Demetrio. 1864. Saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese. Livorno: Egisto Vignozzi e Co.
Skëndo, Lumo. 1999. Udhëtarët e huaj në Shqipëri (gjer në fund të shek. XIX). Tiranë: Eurorilindja.
Lacas, Pierre-Paul. Pyrrhique. Encyclopædia Universalis [on line], vizituar më 8 dhjetor 2015. URL: http://www.universalis.fr/encyclopedie/pyrrhique/
Sako, Zihni. 1972. Rreth gjenezës së valles pyrrike. Studime filologjike. 4. 95-99.
Jones, Edward. 1804. Lyric Airs, consisting of Specimens of Greek, Albanian, Walachian, Turkish, Arabian, Persian, Chinese, and Moorish National Songs and Melodies. London. 

Referuar për herë të parë më 11 dhjetor 2015 në Konferencën IV Ndërkombëtare «Dialogu midis gjuhëve, kulturave dhe qytetërimeve ballkanike», organizuar nga Departamenti i Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës. 
Aktet e kësaj konference janë botuar më 2017. 


© Majlinda Spiro 

© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”


No comments:

Post a Comment