Thursday, December 23, 2021



PO U QAJNË HALLIN BIJVE SHTETVRASËS SE MBETËN JETIMË PASI VRANË SHTETIN

nga 
Aristotel Spiro


Tani që plasi skandali duhet gjetur një zgjidhje.
Si do t'ia mbushim mendjen publikut se na meriton? 
Se është normale të marrësh kaq shumë para duke thënë gënjeshtra. 
Problemi nuk është thjesht me sasinë marramendëse të këtyre pagave. 
Nuk është çështje xhelozie. Ka mjaft njerëz që bëhen xhelozë kur dëgjojnë shuma të tilla. Por ky mund të ishte reagimi i sëmurë ndaj një situate të sëmurë.
Nuk do të kishte asgjë të keqe, nëse këto shuma do t'u përgjigjeshin realisht standardeve të shërbimeve. 
Por këtu bëhet fjalë për të ashtuquajtur gazetarë e analistë, që presupozohet se informojnë ose u çelin sytë njerëzve, publikut. Dhe në këtë mënyrë ndikojnë ose formësojnë opinionin publik.  
Publicisti ose analisti pritet që të bëhet shprehësi më elokuent i shqetësimeve të shoqërisë, zëdhënësi i ndërgjegjes shoqërore. 
Por çfarë ndodh në të vërtetë? 
Ç'janë në të vërtetë këta të ashtuquajtur gazetarë e analistë?

Ata janë më së shumti njerëz ordinerë, që flasin me gjuhë ordinerësh, si të ishin në kafenenë e lagjes. Stili i tyre i të folurit është ofendues. Ata flasin duke përdorur emrat diminutivë e bashkëfolësve (Dash, Kaç, Lul, Tan, Tut, Kun, Han, Mun), duke dhënë mesazhe përjashtuese për gjithë shikuesit që i ndjekin. 
Si justifikohen këto paga të larta për këta njerëz krejt ordinerë në një vend të varfër? 
Nga është burimi i këtyre të ardhurave? 
Cilët janë paguesit e këtyre shumave?
Detyra e parë e politikës dhe e shtetit në këtë rast nuk është vetëm të sigurojë të dhënat personale të qytetarëve. Kjo do të ishte si të pikëllohej për prindvrasësin që ka mbetur jetim pasi ka vrarë prindërit e vet. Detyra e parë e politikës dhe e shtetit në këtë rast është të nxjerrë në shesh nga cilat veprimtari kriminale vijnë këto pará. 
A do të pranojmë të qeverisemi me metoda mafioze, apo do të ndërtojmë një shtet të së drejtës, ku të sundojë drejtësia dhe barazia e ligjit?

© Aristotel Spiro 

© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”


No comments:

Post a Comment