Tuesday, April 12, 2022

SA RASA KANË EMRAT NË SHQIPEN STANDARDE?

 




SA RASA KANË EMRAT 
NË SHQIPEN STANDARDE?
nga
Aristotel Spiro

Në shkollë na kanë mësuar shumë gjëra të sakta, por edhe disa gjëra të pasakta. Gjëja më e bukur që mbaj mend nga mësimet e gjuhësisë është se gjuhët ndryshojnë. Pyetjet që ti po bën, unë ia kam bërë vetes qindra herë.
Rasa e ashtuquajtur historikisht "rrjedhore" tani ka mbetur e shkërmoqur fare tek shumësi i pashquar. Shumësi i shquar ka qenë dikur me -sh edhe ai, por sot përdoret në vend të tij një formë identike si gjinorja (fushave).
Ndërkohë gjinorja shumës na dalka njësoj edhe në trajtën e pashquar edhe në të shquarën (!). Kështu që, ka diçka që nuk shkon këtu: ngjan sikur po bëjmë kompromis, meqë duhet të plotësojmë një tabelë lakimi që na e kanë vënë përpara.
Puna e rasës gjinore pa nyjë është edhe më e thjeshtë sesa puna e mbiemrit pa nyjë. Këtu duket qartë se nyja e përparme ndjek lakimin e emrit drejtues (gjymtyrës bosht) dhe jo të emrit në gjinore që i prin. Pra, s'ka të bëjë fare me gjinoren në pikëpamje morfologjike. Thjesht ndodhet aty për ta lidhur emrin në gjinore me emrin drejtues (gjymtyrën bosht).
Kështu, përderisa për gjinoren bindemi që mund të qëndrojë si rasë edhe pa nyjën, ajo që quajmë dhanore formalisht është njësoj me gjinoren. Mund t'i vësh edhe emër tjetër kësaj forme, por kjo është çështje tjetër dytësore.
Tani, meqë tek gjinorja shumës trajta e shquar dhe e pashquar dalin identike dhe gjuha nuk funksionon dot pa opozicione formash, vendin e gjinores së pashquar shumës e zë ajo që ne e quajmë sot rrjedhore e pashquar, formë që ka mbetur "jetime" në fund të tabelës së lakimit.
Në këtë mënyrë në shqip na dalin tri rasa: emërore, gjinore dhe kallëzore.
Kjo është një skemë shpjeguese e thjeshtë, e arsyeshme dhe e dobishme.
Skema që u mësojnë sot në shkollë nxënësve është e ndërlikuar, e pamotivuar dhe e paarsyeshme.
Njerëzit, sigurisht, do të vazhdojnë të flasin shqip pavarësisht se do ta shpjegojmë gjuhën me 5 X 4 = 20 forma rasore ose me 3 X 4 = 12 forma rasore.
Mund të njohësh edhe rasë thirrore ose edhe rasë vendore dhe njerëzit do të vazhdojnë të flasin po njësoj, pavarësisht nga interpretimet që u bëjmë fakteve gjuhësore.


Për më tepër rreth argumenteve të mia për rasat e shqipes shih:

https://www.researchgate.net/publication/342247297_Mbi_numrin_e_rasave_ne_gjuhen_shqipe


© Aristotel Spiro 

© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi vetëm në shtypin elektronik me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”


No comments:

Post a Comment