Thursday, May 5, 2022

«EVROPË» APO «EUROPË», KJO ËSHTË ÇËSHTJA



«EVROPË» APO «EUROPË», KJO ËSHTË ÇËSHTJA

nga 

Aristotel Spiro 


Më në fund u duk se u gjend një përputhje mendimesh në ligjëratën publike për gjuhën! Çka nuk u arrit në dekada të tëra për atë që mund të quhet dështim fatal i diskursit akademik gjuhësor shqiptar, domethënë nëse duhet pranuar trajta “Koçua” apo “Koçoja”, pavarësisht formulimit ultimativ të “Drejtshkrimit të gjuhës shqipe” në të mirë të së dytës, duket se u arrit për emrin e kontinentit të vjetër. Evropa plakë në mendjen e një pjese të shqiptarëve duket se po pëson një make-up fonetik duke ia zëvendësuar bashkëtingëlloren [v] me zanoren [u]. Ata që shkruajnë “Europë” janë shtuar më shumë se më parë. 

Dhe fishekzjarret e para të këtij “trendi” na erdhën nga biznesi privat arsimor. Një universitet privat u vetëpagëzua si “Europian” duke shkelur rregullat e «Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe», që përbëjnë ligj shtetëror. Pastaj pasoi edhe një pjesë, gjithsesi e vogël, nga bota e magjishme e sportit. Krahas «Kampionati Evropian», u detyruam të dëgjojmë jo rrallë edhe «Kampionati Europian». 

Këtyre u shtohet edhe ndonjë rilindës i vonuar, «intelektual» i lodhur nga pengesat e bashkëtingëllores [v] dhe i kënaqur nga era e lirë e zanores së prapme [u]. 

Drejtshkrimi është shprehur qartë posaçërisht për emrin e kontinentit të vjetër dhe mbiemrin përkatës. Megjithëse në § 36, pika d) thuhet se «Fjalët dhe emrat e përveçëm, kryesisht me burim grek, latin a iliro-trak me au, eu shkruhen edhe në shqipen me au, eu», bën një përjashtim për disa fjalë, të cilat «Në pajtim me shqiptimin e ngulitur prej kohësh, shkruhen me  Këto fjalë janë: Evropë, evropian, nevralgji, nevralgjik, nevrasteni, nevrastenik, nevrik.

Ne besojmë se Kongresi i Drejtshkrimit pati arsye të forta për të bërë këtë përjashtim në vitin 1972. Një shqiptim me u (Europë) pa dyshim që ka qenë i njohur qysh atëherë, por është konsideruar margjinal dhe ndoshta edhe krahinor. 

Ajo që bën më shumë përshtypje është se këtë trajtë jonormative (Europë) e kanë quajtur të drejtë edhe disa gjuhëtarë. Ata madje kanë përdorur edhe një argumentim në dukje «shkencor», duke nënvizuar një lloj asistematiciteti të trajtës «Evropë». 

Por ky lloj asistematiciteti ishte në fuqi edhe kur u shpallën rregullat e drejtshkrimit shqip dhe trajta «Evropë» ka qenë përdorur pa as më të voglin shqetësim (dhe përdoret edhe sot e gjithë ditën pa asnjë lloj problemi keqkuptimi apo sistematiciteti). 

Dhe kjo ndodh pavarësisht se mjaft forma të tjera të lidhura me temën e Evropës kanë qenë përdorur dhe po përdoren rishtas vitet e fundit. 

Kjo dukuri nuk është e re në shqipe. Nuk i përket periudhës pas viteve 90 të shekullit XX.  Shqiptarët kanë përdorur në të kaluarën pa asnjë problem krahas «Evropë» edhe «Eurovizion» apo edhe «Eurorilindja». Dhe në vitet e fundit kanë përdorur «euro», «eurobond», pa pasur ndonjë pasiguri sistematike. 

Është habi e madhe që ndonjë koleg gjuhëtar sjell argumentin e sistematicitetit për të përligjur një trajtë jonormative, kur pjesa më e madhe e përdoruesve ndjekin rregullat e «Drejtshkrimit». Janë disa gjëra në gjuhë që nuk mund t’i ndryshojë asnjë argumentim që përdor si armë sistematicitetin. Në drejtshkrim këto argumente nuk vlejnë, nëse bëhet fjalë për trajta të përhapura dhe sidomos për trajtat e përjashtimeve, për të cilat është shprehur qartë «Drejtshkrimi i gjuhës shqipe». Gjuha prandaj është e bukur, sepse ka këto «thyerje», që gjejnë shpjegimin e tyre në jetën e veçantë që kalon çdo fjalë. 

Tani, nëse ka një pjesë folësish që i shkelin këto rregulla, kjo nuk duhet të na çojë në tundimin për t’i ndryshuar rregullat, qoftë edhe sikur këta «trima të ligjërimit» të jenë biznesmenë me pare të madhe apo manjatë të shtypit të shkruar dhe elektronik. 

Unë kam përshtypjen se po përjetojmë avancimin e një lumpeni gjuhësor, që është në origjinë lumpen kulturor, i cili me kthetrat e tij ka kapur ndërgjegjen gjuhësore dhe kombëtare shqipe. 

Pjesë e këtij lumpeni bëhet edhe ndonjë shkrues, i cili preferencat e veta ligjërimore kërkon t'ia imponojë krejt bashkësisë folëse. Qarkullon në rrjet një motivim i këtij refuzimi, sikur  «Evropë» qenka një trajtë e vjetruar greko-sllave(!). Deri këtu paska arritur cektësia kulturore dhe banaliteti logjik, që ta reduktojnë argumentimin në kufijtë e ksenofobisë dhe të urrejtjes nacionale. Individë të tillë as nuk e kanë idenë se si funksionon gjuha dhe sistemi i saj shkrimor. 

Para këtij avancimi, që shkakton tronditje dhe tmerr, dridhen e thyhen edhe vetë gjuhëtarët, të cilët për të justifikuar ligjëratën e tyre dhe mbijetesën brenda egërsisë dhe banalitetit mediatik, lëshojnë pe duke u pajtuar me shprehitë ligjërimore të asaj pjese folësish që nuk kanë respekt për gjuhën shqipe. Është ironi që, për të mos u akuzuar si mbrojtës të një standardi gjuhësor objektivisht të ndryshueshëm, i cili përballet me sulme nga më absurdet, ata përdorin argumentin e sistematicitetit pikërisht për të miratuar përzgjedhjet e asaj pjese asistematike që nuk tregojnë aspak respekt për gjuhën duke sulmuar pa mëshirë sistemin e saj. 

Është e trishtueshme kur konstaton se në viset internetike të qeverisë shqiptare po përdoret rëndom trajta jozyrtare «Europë», ndërsa viset përkatëse internetike të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, madje edhe të vetë Bashkimit Evropian, përdorin trajtën e saktë «Evropë»

Me këto qëndrime ata lëndojnë ndjenjën gjuhësore të shumicës së folësve të shqipes, të cilët pa as mëdyshjen më të vogël i besojnë «Drejtshkrimit të gjuhës shqipe» dhe rregullave të tij. 

Ajo që në dukje tingëllon si përputhje mendimesh në ligjëratën për gjuhën, nuk është veçse një tërheqje e padenjë përballë ortekut të vandalizmit gjuhësor e ligjërimor që ka përfshirë jetën publike të vendit. Përballë këtij orteku gjuhëtarët kanë detyrimin të heqin dorë nga ngasja e oportunizmit për hir të një dritareje të hapur mediatike. 

 

© Aristotel Spiro 

© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi vetëm në shtypin elektronik me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”

No comments:

Post a Comment