Thursday, December 1, 2022

TVSH – TELEVIZIONI QË UA SHPJEGON NXËNËSVE GABIM GJUHËN SHQIPE


 

nga 

Aristotel Spiro 


Me faturën e energjisë elektrike në duar hyra tek zyra e shefes së ndërmarrjes elektrike. 

- Këtu më keni vënë të paguaj 100 lekë në muaj më shumë sesa më takon, - i thashë.

- Jo, zotëri, - m’u përgjegj ajo. – Asnjë gabim nuk është bërë. Kjo është taksa mujore e televizionit. 

- E cilit televizion? 

- E televizionit shqiptar, që shikon në shtëpi. 

- Më falni zonjë, por unë nuk kam televizion në shtëpi. Jam kundër televizionit për arsye personale; nuk ka nevojë t’jua shpjegoj këtu. Pse duhet të paguaj taksë televizioni kur nuk kam televizion?

- Ky është ligji i qeverisë. Ke s’ke, do të paguash. 

- Domethënë unë, që kam 20 vjet pa televizion, i bie të kem paguar 24000 lekë taksë televizioni pa parë fare asnjë emision. Me kaq para e kisha blerë një televizor! Si i bëhet të mos e paguaj më këtë taksë? Kjo nuk është e drejtë! 

- Zotëri, më duket se jeni jashtë realitetit! Nuk ka gjasa që ju të mos e paguani këtë taksë.

- Dua drejtësi, - i thashë. – Dua që, kur paguaj diçka, të ketë kuptim. Më jepni një zgjidhje. 

- Jua jap unë zgjidhjen, - tha shefja. – Blini televizor. Kështu, me kaq emisione që do të ndiqni do të jeni më i informuar dhe më i ditur, dhe taksa që do të paguani nuk do t’ju shkojë kot.

- A e dini që paskeni të drejtë? – i thashë. – Kam disa lekë mënjanë dhe me to do të blej një televizor. Tani që është edhe periudha e uljeve, mund të gjej një pajisje të mirë. Ju faleminderit!

Kaq duhej dhe ditën tjetër u drejtova tek dyqani i elektroshtëpiakeve, ku bleva një televizor shumë të mirë. 

Gëzim i madh në shtëpi! Më në fund, u bëmë edhe ne familje si gjithë të tjerat. Shtëpi me televizor! 

Si një Zot i vërtetë i telekomandës, fillova të bëj zapping duke bredhur stacion më stacion. Ooo, ç’kënaqësi! Stacione pa fund! Oqean lajmesh, filmash, emisionesh argëtimi! “Heu, ku paskemi qenë!”, thashë me vete. “Nuk qenka aq i keq televizioni!”. 

Dhe Televizioni Shqiptar nuk ishte si dikur me një kanal. Paskej gjithë ato kanale me siglën TVSH. U ndala tek njëri prej tyre: TVSH Shkolla! 
Ja, më në fund, një stacion për së mbari, thashë me vete. Këtu kam ç’të mësoj. Do të filloj të ndjek të gjitha mësimet. Kështu merr kuptim edhe taksa që paguaj. Mësime me pak lekë. Le t’ia filloj me gjuhën shqipe! Le t’i freskoj pak njohuritë gjuhësore! 

Ja mësimi i klasës së katërt: «Numri i emrit». 

Mësuesja shpjegon format e emrit shqip duke i kthyer nga njëjësi në shumës dhe nga shumësi në njëjës. 

Qëllimi i mësueses është të na tregojë se disa emra nuk ndryshojnë nga njëjësi në shumës. 

Por ajo që pashë dhe dëgjova ishte më shumë se një katastrofë. Duhet shumë talent për t’i thënë gjërat gabim sikur janë të vërteta. 

Kështu, unë mësova nga TVSH Shkolla se shumësi “trena” ka përkatësin njëjës “treni”. Sigurisht, sigurisht, kjo është gabim, zyshë! Sikundër është gabim që shumësin “ujqër” ta  vësh në përkatësi me njëjësin “ujku”, e kështu me radhë “pyje” me “pylli”, “drerë” me “dreri”. Po ashtu njëjësin “mollë” me shumësin “mollët”, “mjek” me “mjekët”, “lundër” me “lundrat”! Sepse format e njëjësit dhe shumësit kanë kuptim kur krahasohen sipas trajtës, së shquar apo të pashquar. Nuk mund të krahasohet njëjësi i pashquar me shumësin e shquar dhe anasjelltas. 

Dhe… o ,sa keq!  Vërtet del njësoj njëjësi me shumësin tek emrat “dritare”, “rrugë” dhe “tablo”, por jo tek “arkë” dhe “festë”! Dhe… o, ç’tmerr! “Dyer” u pagëzua si formë e njëjësit! 

Jo, zyshë e dashur! “Dyer” është në numrin shumës. Numri njëjës bën “derë”. 

Ky  nuk është mësim i gjuhës shqipe. Ky është ofendim i atyre mësuesve të përgatitur e të zotë, që punojnë të heshtur duke u mësuar nxënësve njohuri të sakta. 

Unë nuk e di se ku dhe si e keni marrë diplomën e mësueses së gjuhës shqipe. Kush ju ka vënë notë kaluese në lëndën e morfologjisë shqipe, por edhe në lëndët e tjera. Cili komision ka nënshkruar që ju të merrni diplomën. 

Por e keqja nuk ndalon vetëm këtu. 

Sepse unë, si teleshikues, mund të mos e dija kurrë dhe të mos besoja se në shkollat shqiptare mund të ketë mësues të gjuhës shqipe që nuk dinë të bëjnë një analizë të thjeshtë morfologjike. 

O Zot! Kur ju keni guximin të merrni përsipër t’u shpjegoni gjithë nxënësve të Shqipërisë nëpërmjet emisioneve të TVSH Shkollës njohuri që nuk i dini, dikush jua ka dhënë këtë guxim. Dhe ai dikushi është atje, në Radiotelevizionin Shqiptar, dhe ka nënshkruar që ju të bëni ato videomësimet dhe ndoshta edhe të paguheni mire për këto njohuri të gabuara që përcillni nëpërmjet ekranit. 

Unë, si një teleshikues i thjeshtë, me të drejtë mund të mendoj: Kur kjo zysha është përzgjedhur si mësues model për të regjistruar një mësim model, dhe është kaq e dobët, si vallë do të jenë qindra mësues të tjerë të gjuhës shqipe në Tiranë dhe në Shqipëri? Mendja dhe zemra ma do që gjendja të mos jetë kaq alarmante dhe skandaloze. Por këtë gjë le të ma thotë dikush nga Radiotelevizioni Shqiptar apo nga ministria e arsimit e Shqipërisë apo ndoshta edhe nga ndonjë instancë më e lartë. 

Kam të drejtë të kem një përgjigje, përderisa jam qytetar i këtij vendi dhe përderisa paguaj çdo muaj 100 lekë të reja për taksën e televizionit. 

Përndryshe, në djall të vejë televizori dhe në djall vafshin edhe 100 lekët e reja të taksës së televizionit! 


© Aristotel Spiro 

© Pronë intelektuale. 

Lejohet kopjimi me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”

 

No comments:

Post a Comment