Thursday, September 28, 2023

TUMORI MALINJ I NDËRGJEGJES SHOQËRORE

 



nga 

Aristotel Spiro 


Lexova artikullin «Vdekja e arsyes» të Fatos Tarifës, botuar në gazetën «Dita» më 28 shtator 2023. Është gjë e mirë që më në fund njerëz nga bota akademike po reagojnë kundër rrugaçëve të dijes, të cilët dalin në tregun e ideve si shitës përrallash nacionaliste. Shembujt hipotetikë që Fatos Tarifa sjell në artikullin e vet dëshmojnë se arsyeja e shëndoshë është ende një barrikadë e fortë ndaj mashtruesve e prestigjiatorëve shëtitës të etimologjisë vulgare. 

Ajo që prisja – dhe nuk e lexova në artikull – është se autori nuk arriti ta vinte gishtin në plagën e vërtetë. 

Problemi i vërtetë me përrallëtarët e alkimive etimologjike nuk është ekzistenca e tyre. Përrallëtarë të tillë, entuziastë e batakçinj, haluçinantë idesh të sëmura ka pasur, ka dhe do të ketë gjithmonë. Ajo që ka ndryshuar sot është se këta sharlatanë gjejnë tribunë në median televizive. (Në të vërtetë, F. Tarifa e shpreh edhe këtë shqetësim). Këtu duhet kërkuar fatkeqësia e vërtetë: në faktin që media është  shndërruar tashmë në një plehurishte, ku gjelat moderatorë në majë të tyre ftojnë në bisedë a në duele rrugësh lloj-lloj sharlatanësh të etimologjisë, mjafton që të nyjëtojnë çdo budallallëk, çdo banalitet, çdo lloj ekskrementi mendor në lidhje me origjinën e fjalëve e të gjuhës shqipe, mjafton që të tingëllojë ledhatues për psikozat e sëmura të vulgut. 

Është vërtet për të vajtuar të shohësh në një panel televiziv të një medie me emër si Euronews Albania, një profesor të mirënjohur si Rami Memushaj krah për krah me një «hero» të vulgut, të cilit moderatorja e papërgjegjshme dhe injorante i drejtohet me fjalën «Profesor». A ka një kod etik media shqiptare për këto raste? A ka ndonjë fije përgjegjësie organizmi i quajtur Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA)? A e kuptojnë këta njerëz se ç’dëm kolosal i bëjnë shoqërisë duke lejuar vulgarizimin e komunikimit dhe lejimin e banalitetit mendor e shkencor? 

Këta maskarenj, që moderatorët e papërgjegjshëm i thërrasin nëpër studio, nuk janë engjëj të dijes. Përkundrazi! Janë injorantë me patentë, matrapazë të dijes, që përdorin si kriter nacionalizmin banal. Duke qenë injorantë, kërkojnë të monopolizojnë patriotizmin dhe atdhedashurinë dhe fabrikojnë etiketa tradhtie ndaj çdo shkencëtari e dijetari të ndershëm dhe vjellin nga truri i tyre i sëmurë çdo lloj akuze monstruoze. Nuk është e rastit që përbindësha të tillë kanë vjellë fëlliqësitë e tyre mendore kundër figurave të ndritura të gjuhësisë shqiptare si Eqrem Çabej ose kundër Kolec Topallit. Nuk është e rastit që vjellin vrer ndaj Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, një institucioni që është pasuri e vendit dhe e shoqërisë shqiptare. Por ata nuk e bëjnë këtë gjë vetë. Këtë vrer ia mundëson një medie me një mendje të papërgjegjshme dhe një emisioni quajtur «Me Xhaxhiun». E, pra, ky moderator vendos lidhje direkte me «xhihadistët» antiakademikë dhe lejon që të përbaltet figura e të madhit Eqrem Çabej. 

Intelektualët e këtij vendi – në qoftë se vërtet ka ende të tillë – kanë një përgjegjësi të madhe në mbrojtjen e vlerave intelektuale e shpirtërore dhe dinjitetit të shoqërisë. Duhet ngritur zëri sa nuk është vonë për vendosjen e një kodi të qartë etik dhe moral të medias televizive e të shkruar, në mënyrë që atmosfera shoqërore të mos ndotet nga fëlliqësirat mendore të çdo sharlatani dhe batakçiu. 
Kjo gjë duhet bërë sa më parë. Duhet miratuar një ligj që t’i ndalojë televizionet të punësojnë moderatorë injorantë, në mënyrë që të mos ftojnë në panelet e tyre sharlatanë të dijes dhe individë të papërgjegjshëm. Një gjuhëtar me emër nuk duhet assesi të pranojë të dalë në të njhëjtin panel me karagjozët e etimologjisë. As me përrallëtarët e historisë. Nuk ka ç’i duhet një publicitet i përlyer. Dhe në rastin e një «fakti të kryer» prej moderatorëve të papërgjegjshëm e injorantë, duhet menjëherë të denoncojnë jo vetëm batakçinjtë e pranishëm por edhe vetë moderatorin. 
Ka ardhur koha për t’i shpallur një luftë të vendosur aventurizmit të dijes dhe aventurierëve të etimologjisë.  Përndryshe, truri i shoqërisë shqiptare do të toksifikohet nga helmi që derdhin këta individë, një helm i cili do të evoluojë në tumor malinj duke ia mbërthyer gjithë trupin dhe duke e çuar drejt fundit të sigurtë. 

No comments:

Post a Comment