Sunday, August 30, 2026

Një ngërç terminologjik që e dëmton analizën gramatikore: pse duhet hequr termi «forma të pashtjelluara»

 



nga Aristotel Spiro

Prej gjashtë dekadash në gjuhësi shqiptare është krijuar një ngërç terminologjiki shprehur dhe i  shtypur mes faqeve të çdo gramatike shkollore dhe universitare. Ky ngërç e mban të mbërthyer analizën e foljesFjala është për një term, i cili përsëritet me një natyrshmëri shqetësuese nga çdo mësues, nga çdo tekst,  çdo provim shteti e në çdo auditor konferencash: «forma të pashtjelluara». Plaga e kategorizimit të këtyre formave është ende e hapur, por askush nuk ka pyeturas a ka vënë në dyshim këtë termPrej kësaj heshtjeje gjashtëdhjetëvjeçare, një gabim terminologjik lehtësisht irregullueshëm është kthyer në një ngërç kronik konceptual, që gjithnjë e më shumë po ia merr frymën mendimit gramatikor shqiptar.

Le ta themi hapur, ashtu si mjeku para se t’i qaset pacientit. Nëse emërton diçka gabim, e ke dëmtuar atë. Nëse për gjashtëdhjetë vjet me radhë është mbajtur gjallë një emërtim i keq, atëherë e objekti, dukuria e përfaqësuar janë paralizuarBreza të tërë shqiptarësh janë mësuar që nga bankat e shkollës me këtë gabim, që nuk mund të quhet mëlapsus, por një metastazë e vërtetë didaktike. 

Paskajorja, pjesorja, përcjellorja janë tri format e njohura foljore që nuk zgjedhohen sipas vetës. Tradita shqiptare i ka pagëzuar këto «forma të pashtjelluara». Duket një term si çdo term tjetër, i natyshëm, i konsoliduar dhe askujt nuk i shkon mendja për ta vënë në dyshim. Por le të ndalemi për një çast dhe të pyesim veten: Çfarë domethënë «e pashtjelluar»? A nuk do të thotë ‘e ngurosur’, ‘statike’, ‘e palakuar / e pazgjedhuar’, ‘e pandryshuar’? Ky term shënon që në lindje se këto forma janë të palakueshme dhe të pandryshueshme.

Ndërkohë studiuesit, po ata studiues që përdorin këtë term, pranojnë hapur se format joskajore lakohen apo shtjellohen, se «me punue», «për të punuar» apo «duke punuar» pësojnë ndryshime gramatikore, se ka madje edhe kohë të përbëra ndër to «me pasë punue», «për të pasë punuar» apo «duke qenë punuar» , se «së punuari» është një formë rasore (rrjedhorja) e formës «të bërë». Pra, vetë termi, qysh në themel, mohon atë çka kuptimi i tij si fjalë dëshiron të pohojë. Është si të thuash: «këto forma të pashtjellueshme ...shtjellohen». A ka diçka më vetëkomprometuese për një shkencë që pretendon saktësi të rreptë që ta mbështetë tërë ngrehinën e vet terminologjike mbi një kontradiktë të tillë të hapur?

Ky ngërç nuk mund të kapërcehet lehtë me një pyetje retorikeKy term i keqformuluar është kthyer tashmë në një rrezik shkencor. Në vend që të përshkruajë, ai gjykon dhe paragjykon paraprakisht duke mos e hapur fare diskutimin. Përkundrazi, ai e mbyll diskutimin para se ta fillojë. Nëse e quan një dukuri gramatikore « pashtjelluar» e ke gjykuar atë si të ngrirë, je shprehur para se ta kesh studiuar. 

Simptomat e kësaj sëmundjeje janë të shkruara në çdo faqe të historisë së gramatikave shqiptare, që nga fillimet e saj. Kristoforidhi, më 1882, forma si këto i quante emërore, sipas modelit grek të kohës. Sami Frashëri, arkitekti i parë i terminologjisë gramatikore shqipeshkroi për «të paçquamen» dhe «përgjysmësin». Pastaj erdhën, njëri pas tjetrit, autorë gramatikash duke hedhur secili propozimin e vet: «mënyrë e pakufizuarë» (Peci, 1912), «mënyrë e paçquarë» (Dako, 1912), «mënyra të pacaktueme» (Mikeli, 1916), «mënyra të pakufishme» (Dilo Sheperi, 1927), «mënyra të meta» (Myderrizi, 1944). Secili term, një përpjekje e sinqertë, por gjithmonë i mohuar dhe i harruar nga emërtimi vijues.

Më në fund, në vitet 1960, Shaban Demiraj, duke ndjekur gjurmët e hapura nga A. Xhuvani e M. Domi, e vulosi termin që na ka mbetur deri sot si «forma të pashtjelluara». Dhe që atëherë asnjë kontestim serioz nuk është bërë. Ndërkaq bota gjuhësore rreth nesh, anglishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, italishtja, greqishtja, rusishtja, kanë kryer, secila në ritmin e vet, të njëjtin operacion konceptual: i kanë braktisur emërtimet e vjetra, të mbushura me metafora të errëta («format emërore», «format pavetore», «format e paçqueme»), dhe janë orientuar drejt një emërtimi asnjanëstë tejdukshëm, të krahasueshëm mes gjuhësh: non-finite forms, formes non finies du verbe, infinite Verbformen, forme verbali non finite, нефинитные формы, μη παρεμφατικοί τύποι. Të gjitha rrjedhin nga i njëjti parim themelor: format që nuk kanë «skaj», domethënë nuk shënojnë vetën. Asnjë prej tyre nuk gjykon paraprakisht nëse forma lakohet apo jo. Vetëm termi i shqipesmbeti si një ilaç i braktisur në raftin e fundit të farmacisë gjuhësore evropiane. 

A do të thotë vallë kjo se gjuhëtarët tanë janë të paditur? Aspak. Do të thotë se tradita akademike shqiptare vuan nga një lloj konservatorizmi i sinqertë, prej të cilit rrjedh një refuzim i heshtur për t’u marrë me çështje «të vogla» terminologjike, kur ka gjoja «probleme më të mëdha» për të zgjidhur. Kjo është vetë sëmundja që flet me gojën e mjekut shërues: të thuash se një gabim terminologjik i shtrirë prej gjashtë dekadash është problem «i vogël», kur ai përcakton se si mendojnë për foljen shqipe breza të tërë nxënësish e studentësh, është saktësisht ajo formë vetëmashtrimi që lejon çdo ngërç të përjetësohet e të kthehet në paralizë të përhershme.

Por ka edhe diçka tjetër, më të pakuptueshme. Është ai lloj krenarie kulturore periferike, që i sheh me dyshim propozimet për t’u përafruar me terminologjinë ndërkombëtare. Gati gati përballohet çdo huazim konceptual sikur të ishte tradhti kombëtare apo përdhosje e figurave të «shenjta” të gjuhësisë shqiptare (!). Por a nuk është pikërisht kjo lloj mendësie, refuzimi për të dialoguar me botën, këmbëngulja për ta ruajtur «tonën» edhe kur «jona» është thjesht e gabuar, çka e mban shqipen të veçuar, në njëfarë karantine vetëvendosur, ndërkohë që rusishtja, greqishtja apo gjermanishtja, gjuhë me traditë të konsoliduar aspak më pak të fortë se shqipja, e kanë kryer prej kohësh këtë modernizim pa asnjë kompleks inferioriteti?

Pyetja është shtruar tashmë: deri kur do të vazhdojmë t’ua mësojmë fëmijëve tanë një term që bie ndesh me vetveten? Deri kur do të quajmë «pashtjelluar» atë çka vetë ne e shpjegojmë si të shtjellueshme? Deri kur konservatorizmi akademik do të vishet me maskën e «traditës» për të fshehur thjesht atë që mund të quhej «përtaci intelektuale»? 

Zgjidhja nuk mund të jetë një propozim revolucionar. Kërkohet thjesht një zgjidhje e ndershme. Termi «forma joskajore», i propozuar tashmë prej disa vitesh (Spiro 2021), as gjykon, as paragjykon, as hyn në kontradiktë me veten. Struktura e tij është e tejdukshme për çdo folës të shqipes: <jo-> mohon, <skajor> lidhet me skajet gramatikore të vetës, numrit, kohës. Në vend që të na thotë çka këto forma NUK MUND të bëjnë (të «shtjellohen»), na tregon thjesht çka u mungon: skajin vetor. Njëkohësisht ruan lidhjen etimologjike të natyrshme me «paskajore», term që askush nuk e ka kontestuar kurrë. Dhe, çka nuk është pak, flet të njëjtën gjuhë me botën: «joskajor» përkon fjalë për fjalë me non-finite, infinite, μη παρεμφατικός.

Ndoshta rojtësit e recetave gramatikore të traditës mund ta paraqisnin këtë propozim si një tekë terminologjike, ose çështje kozmetike metalinguistikeMirëpo, këtu fjala është për ndjekjen e parimeve shkencore. Nuk mund të jetë kurrë e pafajshme terminologjia që një studiues përdor. Ajo mbart brenda vetes, të fshehur, një qëndrim teorik. Kur ti e quan diçka « pashtjelluar» para se ta kesh studiuar, ke shpallur tashmë verdiktin. Dhe verdikti e helmon çdo diskutim që vjen pas tij. Shkenca e vërtetë nuk bëhet me verdikte, po me terma që lënë hapur pyetjen. 

Braktisja e termit të vjetër («forma të pashtjelluara») dhe përdorimi i termit të ri («forma të joskajore») nuk mund të shihet thjesht si një çështje mode terminologjike. Përkundrazi, është ndryshim i konceptimit tonë për format joskajore. Është një ftesë dhe një shtysë për t’i parë këto forma në një dritë të re, të gjitha së bashku si një kategori me shfaqje të larmishme dhe jo të kufizuar në dy–tri forma. Në këtë kategori nuk do të ketë dallime midis paskajores toske, standarde dhe gege, por ka një kategori të vetme, paskajoren shqipe, me format e saj të larmishme ndërvendore dhe ndërkohore. 

A do të vazhdojmë ta shohim gramatikën e shqipesi një kështjellë të rrethuar, ku çdo propozim modernizues trajtohet si sulm i jashtëm? Apo do të gjejmë guximin për ta hapur atë portë të vetme dhe ta lëmë terminologjinë tonë të flasë të njëjtën gjuhë shkencore me botën, pa humbur asnjë grimë të identitetit?

Ngërçi ku janë mbërthyer të ashtuquajturat «forma të pashtjelluara» nuk do të zgjidhet nëpërmjet injorimit. Sëmundjet e gjuhësisë, ndryshe nga ato të trupit, nuk vdesin bashkë me pacientin. Ato barten nga njëri brez tek tjetri, tek çdo nxënës i ri që i beson me sy mbyllur gramatikës që ka mësuar në shkollë. Ose e heqim tani, ose do të vazhdojmë t’ua trashëgojmë fëmijëve tanë një kontradiktë të veshur si  vërtetë  pandryshueshme. Zgjedhja, siç ndodh gjithmonë me sëmundjet e lëna pas dore, nuk e shmang çështjen se sa do të na kushtojë. Nuk kemi kohë për të humbur. Sa më gjatë ta shtyjmë, aq më shumë do të na kushtojë. 


© Aristotel Spiro 

© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi vetëm në shtypin elektronik me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus" 

Wednesday, August 26, 2026

Acquis, ose gjuha me të cilën hyjmë në Evropë

 


nga Aristotel Spiro 

Para pak kohësh më erdhi një e-mail zyrtar, ku më priste një fjali që aq me kujdes dukej e ndërtuar, sa mezi munda ta kuptoja: «Nga Përafrimi i Acquis-së te Përmbushja e Kushteve për Mbylljen e Përkohshme të Kapitullit.» E lexova një herë dhe prapë e lexova dhe më mbeti ajo ndjesi e turpshme se isha me faj, meqenëse nuk qenkam aq i shkolluar për të hyrë në Evropë (apo Europë!). Shkronja e madhe nistore e çdo fjale në mes të fjalisë i ngjante një marshimi të pandalshëm brenda receptorëve të mi semantikë. E megjithatë, më dukej sikur nuk isha unë ai që s’e kuptoja fjalinë, por ishte vetë fjalia që nuk donte të kuptohej. Në zemër të saj rrinte fjala-kyç e gjithë kësaj ftohtësie: acquis.

Çdo profesion i mbyllur ka fjalëkalimin e vet. Është ajo fjalë që, sapo e shqipton saktë, të hap derën për t’u bërë pjesë e kastës, por, nëse e ngatërron, të nxjerr zbuluar dhe rri si i huaj para portës. Acquis i ngjan pikërisht këtij fjalëkalimi. Duke e ndarë botën më dysh: 

më një anë «të lëçiturit», ata pak që «e dinë», që e flasin gjuhën e brendshme të procesit; më tjetër anë gjindja, e lënë të hamendësojë së jashtmi se çfarë po vendoset mbi shpinën e saj. 

A nuk qenka e çuditshme që rrugëtimin më të madh kolektiv të këtij brezi po ua përshkruajmë qytetarëve me një fjalë që ata vetë nuk e marrin vesh?

Le ta zbulojmë, pra, misterin, sepse mister nuk paska! Acquis nuk është ndonjë koncept ezoterik i zbritur nga Brukseli si tabelat e Moisiut. Është thjesht pjesorja e foljes frënge acquérir ‘fitoj’: fjalë për fjalë, ‘e fituara’, ‘çka është arritur’. Acquis communautaire domethënë ‘e fituara komunitare’, tërësia e ligjeve, parimeve, politikave dhe detyrimeve të Bashkimit Evropian që vendet kandidate duhet të përvetësojnë. Në terma praktikë janë në fakt 35 kapitujt e negociatave të acquis communautaire, dhe jo vetë “arritjet komunitare”, pra: 

lëvizja e lirë e mallrave, lëvizja e lirë e punëtorëve, e drejta e vendosjes dhe liria e ofrimit të shërbimeve, lëvizja e lirë e kapitalit, prokurimi publik, e drejta tregtare dhe e drejta e shoqërive tregtare, mbrojtja e pronësisë intelektuale, politika e konkurrencës, shërbimet financiare, shoqëria e informacionit dhe mediat, bujqësia dhe zhvillimi rural, siguria ushqimore, politika veterinare dhe fitosanitare, peshkimi, politika e transportit, energjia, tatimet, politika ekonomike dhe monetare, statistikat, politika sociale dhe punësimi, politika e ndërmarrjeve dhe industria, rrjetet transevropiane, politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore, gjyqësori dhe të drejtat themelore, drejtësia, liria dhe siguria, shkenca dhe kërkimi shkencor, arsimi dhe kultura, mjedisi, mbrojtja e konsumatorit dhe e shëndetit publik, bashkimi doganor, marrëdhëniet e jashtme, politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes, kontrolli financiar, dispozitat financiare dhe buxhetore, institucionet dhe çështje të tjera

Ja, pra, që mbreti semantik na paska dalë lakuriq! Fjala që na paraqitet si e paprekshme dhe teknike, qenka aq e rëndomtë në prejardhje! Terri i saj semantik nuk vjen nga përmbajtja, por nga fakti i thjeshtë se nuk i kemi hyrë mundimit për ta përkthyer. 

Mund të thoshte ndokush: «E po mirë, le të mbetet kështu e papërkthyer, ç’të keqe ka?». Por këtu çështja nuk është thjesht filologjike. Gjuha nuk është zbukurim i jashtëm i një procesi. Gjuha është vetë dera prej së cilës hyn ose mbetesh jashtë. Qytetari që nuk i ka të qarta fjalët me të cilat i përvijohet e ardhmja e vet si mund të ndihet pjesë e kësaj të ardhmeje? Në vend që ta përjetojë integrimin si diçka që e bën bashkë me shtetin, e përjeton si diçka që i bëhet, si një operacion në të cilin ai është i shtrirë në tavolinë dhe nuk kupton asgjë nga fjalët që shkëmbejnë mbi kokën e tij ata që mbajnë thikën. Por a mund të quhet kjo pjesëmarrje? A mund të quhet kjo gjë pëlqim i qytetarit? Apo nuk qenka asgjë përveçse një reformë që i serviret një populli të heshtur? 

Mënyra se si një institucion e përdor gjuhën zbulon mënyrën se si e ka konceptuar punën e vet. Dhe pikërisht këtu qëndron thelbi. Kur organet shtetërore e servirin acquis-në si fjalë të huaj të pandryshuar, dashur pa dashur tradhtojnë filozofinë e tyre të vërtetë ndaj integrimit: atë të stilit të «kopjo-ngjit»-it («copy-paste»-it) legjislativ, të një liste me kutiçka që duhen markuar një nga një. Kapitujt «hapen» e «mbyllen përkohësisht» si liturgjia e një feje ku besimtari nuk e kupton latinishten e priftit. Dhe ndoshta pikërisht kjo duket e leverdisshme, meqenëse besimtari që nuk kupton nuk ka pse të pyesë. Dhe nga besimtari që nuk pyet nuk pritet ta thotë fjalën e vet. Mediumi është mesazhi. Procesin që synohet të mbetet teknik, i mbyllur, në duart e të paktëve, e tradhton një term i patejdukshëm. Në të vërtetë, e kundërta duhet synuar. Integrimi duhet të jetë përvetësim i normave dhe i vlerave nga një popull i tërë, që të jetë i vetëdijshëm dhe të ndihet i përfshirë.

«Po saktësia?», do të kundërshtonte teknokrati, i fyer që dikush guxuaka t’ia prekë zhargonin. «Ky është term ndërkombëtar! Edhe anglishtja e përdor acquis-në të papërkthyer.» Po, i themi ne, vërtet e përdor! Por vëreni hollësinë që teknokrati ynë e harron: anglishtja vërtet e mban fjalën e huazuar nga frëngjishtja, por e shpjegon në po atë fjali si «tërësia e së drejtës së BE-së». Zgjidhja, pra, nuk ka qenë kurrë mes saktësisë dhe kuptueshmërisë. Kjo është një dilemë e rreme, ose ndryshe alibia e dembelit. Termi është mirë të tingëllojë shqip, të jetë i motivuar dhe i kapshëm, me origjinalin në kllapa kur e imponon saktësia. Shqipja ia ka arritur të shqipërojë me sukses shkenca të tëra, që nga fizika e deri te mjekësia, pa e humbur saktësinë. A do të dorëzohet vallë pikërisht atje ku bëhet fjalë për fjalët e së ardhmes së vet? Jo, jo, nuk është kjo saktësia. Në rastin më të mirë do të quhej përtaci. Në rastin më të keq, komoditet i largësisë që fjala e huaj vendos mes shtetit dhe qytetarit.

Dhe ka një zgjidhje aq të thjeshtë, sa na vjen keq që duhet ta mbrojmë. 

Thuaje, pra, shqip: «arritjet»! Fjala e ka brenda vetes origjinalin acquis ‘çka është arritur’, por bën edhe diçka më shumë, diçka që teknokrati nuk e sheh dot, ngaqë fjalori i tij nuk e ka. Fjala shqipe rikthen pronësinë. Acquis-ja e origjinalit është e fituara e tjetrit, arritja e tjetrit Bashkimi Evropian e ka fituar, kandidati le të adoptojë. Fjala ngërthen njëkahësí ose marrje pa dhënie apo dorëzim. Po ta quajmë shqip «arritje», e riklasifikojmë heshturazi si arritje ku edhe ne kemi hise, ku edhe ne marrim pjesë dhe jo vetëm e pranojmë në mënyrë pasive. Nga një përvetësim pasiv në një arritje të përbashkët. Kjo është e gjithë distanca midis një populli që i nënshtrohet Evropës dhe një populli që hyn në të me dinjitet, si të ishte vërtet zot shtëpie. 

Në fund të fundit, këtu qëndron e gjithë çështja. Një populli nuk i ka hije të hyjë në Evropë duke e lënë gjuhën si një valixhe të tepërt në doganë, por hyn me gjuhën e vet. Përndryshe hyn vetëm me trup, ndërsa me mendje mbetet jashtë. 

Prandaj le t’ua kthejmë shqiptarëve fjalët me të cilat po u ndërtohet e ardhmja. Le ta shqipërojë institucioni termin e huaj dhe të pakuptueshëm, le ta shqipërojë përkthyesi, le ta ketë kujdes Akademia jonë dhe sidomos hartuesit e Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe. 

Dua të sqaroj se këtu nuk nisem nga pozitat e purizmit, sepse nuk mund të identifikohem kurrsesi si purist, por nga pozitat e lirisë dhe demokracisë. Shqipërimi i acquis-së nuk është një tekë filologësh, por një akt i vogël demokracie. Është mënyra për t’i thënë qytetarit: «Kjo e ardhme për të cilën flitet është edhe e jotja dhe çka po «arrihet», është duke u arritur edhe prej teje.» Ndoshta për të parën herë Evropa mund t’i flasë në gjuhën e tij.


© Aristotel Spiro 

© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi vetëm në shtypin elektronik me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus"