Saturday, August 19, 2017

RISHIKIMI I DREJTSHKRIMIT NUK ËSHTË VETËM ÇËSHTJE DREJTSHKRIMORE


Nga 
Aristotel Spiro 

Në shtypin e përditshëm dhe nëpër tubime universitare / akademike është ngritur vazhdimisht zëri për rishikimin e drejtshkrimit. Një kërkesë e tillë është e arsyeshme, po të kihet parasysh periudha gjysmëshekullore që ka kaluar pas Kongresit të Drejtshkrimit (1972) dhe sidomos ndryshimet shoqërore që ndodhën pas rënies së komunizmit, hapjes së Shqipërisë ndaj botës dhe pavarësisë së Kosovës. Të tre këta faktorë, së bashku me demokratizimin e kanaleve të komunikimit (prej lëvizjes së lirë, internetit dhe rrjeteve sociale, telefonisë celulare dhe pajisjeve të zgjuara komunikuese) e kanë vendosur shqipen dhe folësit e saj përpara një larmie ligjërimore të jashtëzakonshme me përdorime fjalësh e frazash, të cilat Rregullat e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1973) as që mund t'i parashikonin.
Por edhe një pjesë zgjidhjesh që u dhanë, praktika drejtshkrimore e shumicës së përdoruesve të shqipes i përgënjeshtroi. Është e qartë se ta reduktosh rishikimin e drejtshkrimit në ndreqjen e disa rregullave, riformulimin e disa të tjerave, është thjeshtim i problemit. Nuk na shpëton as përgatitja dhe botimi i një Fjalori të Ri Drejtshkrimor, sado i mirë qoftë, në të cilin të propozohen zgjidhje drejtshkrimore për fjalë të diskutueshme. 
Edhe më i gabuar është shndërrimi i rishikimit të Rregullave të Drejtshkrimit në rishikim të standardit. Përballë domosdoshmërisë së afirmimit të një shqipeje dinamike në epokën e globalizimit, një pjesë gjuhëtarësh mbyllin sytë e ngujohen në odat krahinore dialektologjike duke e zhvendosur problemin prapa në kohë. Rishikimi i drejtshkrimit shqip duhet të synojë drejt një ligjërimi shqip të një bashkësie ligjërimore të emancipuar, që respekton çdo anëtar të saj, por që ka parasysh edhe detyrimin e çdo folësi apo nënbashkësie folëse të respektojë kodin e përbashkët të komunikimit. 
Rishikimi i Drejtshkrimit nuk do të jetë një ndëshkim i zgjidhjeve të dhëna në Kongresin e Drejtshkrimit (aq më keq i nënshkruesve të tij). Ai do të jetë zgjidhje e problemeve që ka nxjerrë praktika. Të tilla probleme ka plot: Në rade të parë është formulier i parimit themelor të drejtshkrimit si parimi "fonologjik" dhe jo i parimit "fonetik", ndreqja e gabimit themelor për gjoja ekzistencën e parimit të ashtuquajtur "morfologjik" në drejtshkrimin shqip dhe refuzimi i tij, drejtshkrimi i datave, i ditëve të javës, i muajve, i festave fetare; përdorimi i disa përemrave pronorë etj. 
Ç'do të bëhet me gjithë ato fjalë e ndërtime të reja që kanë hyrë në përdorim në rrethanat e veprimtarisë sipërmarrëse të kryer nga persona energjikë por që, për arsye të shfajësueshme, nuk kanë mjaftueshmërinë e duhur në përdorimin e shqipes. A do të jetë ky modeli i shqipes që duam të arrijmë? 
Cili do të jetë qëndrimi që do të mbahet ndaj gjithë asaj stuhie terminologjike që ka përfshirë ligjërimin shqip? Druaj se tani jemi në një gjendje përmbytjeje që duhet kaluar sa më shpejt. 
A do të përballohet orteku i termave të rinj me ksenofobi puriste apo me snobizëm ksenoman? Janë dy ekstreme që duhen shmangur duke zgjedhur një zgjidhje të artë. 
E gjithë përpjekja duhet mbështetur edhe nga kuadri ligjor: një kod komunikimi praktik, ku të përcaktohen regjistrat ligjërimorë dhe kategoria e fjalëve që duhen përdorur apo nuk duhen përdorur, në mënyrë që të shmanget dhuna e fjalës. Personalisht nuk më lëndon një fjalë dialektore e përdorur në Kuvend, sesa një sjellje rrugaçërore e një deputeti apo ministri që me ligjëratën e tij masakron indin e shoqërisë dhe përdhos vlerat e saj. 
Për këto arsye dhe për shumë të tjera them se rishikimi i drejtshkrimit nuk është vetëm çështje drejtshkrimore.


No comments:

Post a Comment