Monday, November 20, 2017

PARIMI MORFOLOGJIK I DREJTSHKRIMIT SHQIP NUK EKZISTON


PARIMI MORFOLOGJIK I DREJTSHKRIMIT SHQIP NUK EKZISTON

nga
 
Aristotel Spiro

Në parathënien e «Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe» (1973) ka një formulim shumë problematik: 
«Krahas parimit fonetik, drejtshkrimi i njësuar i shqipes mbështetet gjerësisht edhe në parimin morfologjik, i cili kërkon që fjalët dhe pjesët e tyre përbërëse të sistemit trajtëformues e fjalëformues të shkruhen njësoj, pavarësisht nga ndryshimet tingullore të shkaktuara prej ligjeve fonetike që veprojnë sot në gjuhën tonë. Parimi morfologjik zbatohet kryesisht në ato raste, kur zbatimi i veçuar i parimit fonetik do të çonte në errësimin a në prishjen e strukturës morfologjike e fjalëformuese të fjalëve; ai ndihmon kështu për ta ruajtur sa më të qartë në shkrim këtë strukturë, si edhe njësinë e trajtave»
Nga ky formulim ndikohen edhe formulimet e tjera për karakterin fonetik dhe historik të drejtshkrimit të gjuhës shqipe.
Në lidhje me drejtshkrimin shqip, prej kohësh kam shprehur mendimin se formulimi i parimeve të zbatuara në të është i gabuar (Spiro 2008) dhe ka nevojë për t’u ndrequr.
Thuhet se parimi kryesor i drejtshkrimit shqip është «parimi fonetik». Duke u rezervuar përkohësisht për saktësinë e këtij formulimi, kam vërejtur se paqartësitë dhe keqkuptimet u mundësuan nga pranimi i një parimi, i cili pagëzohet si «morfologjik».
Por cilat janë arsyet që në një sistem shkrimor, ku pasqyrohen lidhjet e sistemit fonematik / fonologjik të thirret në ndihmë morfologjia? Asnjë arsye nuk mund të gjendet, përveç nëse drejtshkrimi kundrohet vetëm nga perspektiva gramatikore pa marrë parasysh  marrëdhëniet fonemë : grafemë. Nëse marrëdhënia fonemë : grafemë nuk ndihmon për të lexuar fjalën, atëherë mund të bëhej fjalë për parim «morfologjik».
Ka gjuhë si anglishtja, me një shkrim e drejtshkrim relativisht të hershëm, në të cilën homografet nuk u përgjigjen detyrimisht homofoneve (read dhe read, found dhe found) (Lyons 1995: 91), sikundër ka homophone, që nuk u përgjigjen homografeve. Në mjaft raste fjalëformimi këtu mbështetet drejtshkrimisht nga përsëritja e temës fjalëformuese, e cila megjithatë shqiptohet ndryshe në fjalën e prejardhur, p.sh. sign, signature. Për këto raste mund të thuhet se zbatohet kriteri morfologjik i drejtshkrimit. Mirëpo raste të tilla në shqip nuk konstatohen, prandaj nuk mund të flitet për ndonjë parim «morfologjik».
Kur diskutojmë për drejtshkrimin, marrim në shqyrtim mënyrën se si paraqitet simbolikisht e folura, pra, mënyrën se si fonemat regjistrohen me grafema. Nëse çka përshkruhet, interpretohet gjuhësisht edhe në pikëpamje morfologjike, kjo nuk përbën arsye për të kërkuar aty ndonjë parim «morfologjik».
Nëse pavarësisht nga ndryshimet morfologjike, domethënë nga realizimet allofonike të një foneme, përdoret e njëjta grafemë, kjo do thotë se zbatohet jo parimi fonetik, por parimi fonologjik.
Ky dallim themelor është ngatërruar që në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972) dhe pasqyrohet në referatin kryesor të Kongresit (Kostallari 1973: 67, 68), në disa kumtesa (Domi 1973: 91, Dodi 1973: 123) si dhe në «Rregullat» e tij. Ai përsëritet rëndom  nëpër libra e doracakë të mëvonshëm (shih, p.sh. FESH 1985: 206, Samara 2000: 165, Dodi 2004: 250, Memushaj 2005: 124, FESH 2008: 522). Për hir të së vërtetës, duhet thënë se disa gjuhëtarë, pjesëmarrës në Kongresin e Drejtshkrimit e vunë në dyshim këtë formulim. B. Beci (1973: 155) tërhiqte vëmendjen se «parimi themelor i drejtshkrimit të shqipes është parimi fonematik», ndërsa F. Agalliu kritikonte si të absolutizuar thënien se «drejtshkrimi i shqipes bazohet kryesisht në parimin fonetik» (1973: 7), për të formuluar gjithsesi përfundimin e gabuar se «drejtshkrimi i sotëm i shqipes ashtu siç paraqitet në “Rregullat”, bazohet më tepër në parimin morfologjik dhe tradicional» (Agalliu 1973: 8).   
Por ky ngatërrim ndikon për keq nëpër diskutime, sepse duke mos interpretuar saktë lidhjet midis morfemave dhe grafemave, bëhen propozime të «çuditshme» e të pambështetura.
Bëhen propozime që mbështeten në realizimet fonetike të fjalëve, gjë që është e diskutueshme, pavarësisht nga shkalla e përgjithësimit ose jo të këtyre shqiptimeve.
Ndërhyrjet publike të gjuhëtarëve janë të domosdoshme, por duhen kryer me ndjenjë përgjegjësie dhe respekti për bashkësinë folëse, përndryshe diskutuesit do të fokusohen si «ngatërrestarë», që nuk dinë ç’kërkojnë. Folësit nuk dëshirojnë propozime të reja drejtshkrimore, të cilat dalin nga studioja e x apo y gjuhëtari, sado të motivuara qofshin ato. Për ta thënë «ortografikisht», folësit nuk kërkojnë fonologjizimin e allofoneve, por disiplinimin e tyre, për të siguruar normalitetin dhe nivelin e komunikimit.
Le të marrim, p.sh., rastin e ë-së fundore të shumë fjalëve në shqipe. Nëse do të merrej parasysh i ashtuquajturi parim fonetik, këto fjalë do të ishin shkruar pa ë, p.sh.: gjuh dhe jo gjuhë, grafem dhe jo grafemë, pun dhe jo punë, dit dhe jo ditë, gjalp dhe jo gjalpë, djath dhe jo djathë, të shkoj/vij dhe jo të shkojë/vijë etj. Prania e ë-së këtu si imazh fonetik dhe si simbol grafik mund të interpretohet edhe gramatikisht, por realizohet si një fakt fonetik në një fjalë e cila ka përbërje të caktuar fonematike dhe grafikisht shkruhet me grafemat përkatëse.
Në morfologji ndryshimet fonetike që lidhen me trajtat e ndryshueshme të fjalëve quhen morfo(fo)nologjike. Por drejtshkrimi i këtyre fjalëformave zbatohen në bazë të parimit fonologjik. Kur morfologjia e «njeh» karakterin fonologjik të pranisë së këtyre «tingujve»-fonema, atëherë si është e mundur që vetë drejtshkrimi të mos e përkufizojë këtë proces në lidhje me fonologjinë, domethënë me fonemat që pasqyron simbolikisht?
Evidentimi i strukturës morfologjike të fjalëve nëpërmjet drejtshkrimit është thjesht një  pasojë e veprimit të parimit fonologjik dhe jo arsye që mund të karakterizojë parimin drejtshkrimor. Përdorimi i termit «parim morfologjik» e ngushton padrejtësisht rrethin e veprimit të tij duke u kufizuar tek rastet e lidhura me strukturën morfematike dhe duke lënë jashtë raste analoge, që nuk kanë të bëjnë me morfologjinë, siç është p.sh. rasti i drejtshkrimit të diftongjeve; tek studioj, sarandiot, mallakastriot, italian, shalian, infeksion, induksion, funksion  i-ja e prapashtesave  -io-, -iot, -ian, -ion shkruhet ashtu se interpretohet si fonemë /i/ dhe jo si fon [j]; grupet bashkëtingëllore mb, nd, ng, ngj shkruhen të paasimiluara (DGJSH 8), pavarësisht realizimit të tyre fonetik etj., por ky nuk mund të konsiderohet aspak si fakt morfologjik.  
Ngatërrimi i termave dhe moskuptimi i përmbajtjes së tyre ka mbajtur disa herë të mbërthyera diskutimet në mjediset «linguistike» shqiptare, si p.sh. me dilemën «legjendare»: Koçua apo Koçoja (ku parimi fonetik, i ngatërruar me parimin fonologjik, pengon të shohim se tek [u]-ja kemi realizimin fonetik të fonemës /o/).
Sqarimi teorik e praktik i koncepteve bëhet më i domosdoshëm sot, kur shihen përpjekje të shfajësueshme për rishikimin e drejtshkrimit.
Por pa sqaruar më parë se cilat janë parimet që e përshkojnë realisht drejtshkrimin e shqipes, çdo diskutim përkatës do të hiqet drejt një udhe pa krye dhe vendosmëria për të ofruar receta drejtshkrimore me ortograma fjalësh do t’i ngjante një aventure të pakëndshme.
Drejtshkrimi është një çështje sa teorike aq edhe praktike. Gjithsesi, në gjuhët me tradita të hershme shkrimore ai është vendosur si një zgjidhje praktike, duke analizuar faktet gjuhësore nëpërmjet përdorimit të arsyetimit logjik dhe ndjenjës gjuhësore.
Zgjidhjet praktike e kanë lënë në plan të dytë terminologjinë e përdorur, e cila, parë nga këndvështrimi i sotëm teorik, mund të duket e kritikueshme.
E njëjta gjë vlen edhe për drejtshkrimin e shqipes, i cili mund të konsiderohet shumë i ri në moshë. Parimi «një tingull – një shkronjë», i cili u zbatua në alfabetet e Kongresit të Manastirit (1908) ishte një zgjidhje praktike e domosdoshme.
Por sistemi shkrimor ka një pavarësi relative nga sistemi fonetik. Kështu që shprehja «një tingull – një shkronjë» nuk mund të interpretohet medoemos «një fonemë – një grafemë», por «një fon/allofon – një grafemë». Një grafemë mund të përkojë me një fonemë, por ky nuk është  rregull absolut. Jo gjithmonë ka përkatësi të dykahshme. Një grafemë mund të pasqyrojë më shumë se një fonemë.
Përfundimi është se, për t’u orientuar saktë, duhet të zgjedhim si pikënisje fonemën dhe jo fonet/allofonet. Përkatësisht, na duhet të pranojmë se parimi themelor i drejtshkrimit të shqipes është parimi fonologjik.
Parimi i dytë është ai fonetik, ku përmblidhen gjithë rastet ku kemi mospërkim të fonemës me grafemën. Ky parim zbatohet në raste të tilla si, fjala vjen, shkëlqim, shqep, shpëlaj, zhvendos, zhvidhos etj., ku në vend të grafemës <Ç>, e cila i përgjigjen fonemës /tš/, përdoren grafemat <S> dhe <Z>, të ndjekura nga grafema <H>. Në raste shkeljesh të normës drejtshkrimore mund të realizohen grafi të tilla si liq, zoq, brek, zok, ku grafema fundore <Q> ose <K>, shfaqet në vend të grafemës <G>, ndjekur ose jo përkatësisht nga grafema J (ligj, zogj, breg, zok). Parimi fonetik nuk mund të përdoret as në sensin praktik në vend të parimit fonologjik, sepse secili ka një rol të caktuar dhe të pandërkëmbyeshëm. Në një kuptim, parimi fonetik shfaqet si një kundërvënie ndaj parimit fonologjik. Kështu, përpjekja për të «rehabilituar» formulimin e gabuar të Kongresit të Drejtshkrimit (Memushaj 2014: 343) është për fat të keq e pasuksesshme.
Me pranimin nga bashkësia e gjerë gjuhësore të trajtave drejtshkrimore normative, ato nguliten dhe perceptohen në formë imazhesh grafike, në logograma, integriteti i të cilave lidhet drejtpërdrejt me integritetin e shenjës gjuhësore së cilës i «shërbejnë». Me kalimin e kohës, edhe pse mund të ndodhin ndryshime të vogla të karakterit fonetik ose fonologjik, ortograma mbetet e pandryshuar, dhe kështu drejtshkrimi i saj fiton një karakter historik. Këtë karakter historik e fitojnë të gjitha ortogramat, por ai shfaqet më shumë në ato raste ku përkatësia fonetike dhe grafematike nuk është dhe aq e motivueshme.
Kështu, edhe drejtshkrimit të shqipes duhet vazhduar t’i njihet, ashtu si deri më sot, zbatimi i parimit historik.
Parimet e drejtshkrimit veprojnë së bashku. Shpeshherë drejtshkrimi i një fjale u nënshtrohet dy a më shumë parimeve: Parimi fonologjik dhe parimi fonetik përputhen kur grafema përkon si me realizimin  fonetik ashtu edhe me fonemën, p.sh. demokraci, klasë, mik, letër, mësoj. Kur grafema përkon me realizimin fonetik por jo me fonemën, atëherë flasim për zbatim të parimit fonetik. Fonologjikisht nuk shfajësohet, por përdoruesit e gjuhës janë mësuar tashmë me këtë ideogramë të pranuar edhe si normë, prandaj nuk del nevoja e ndryshimit të saj. Drejtshkrimi i fjalës mund të interpretohet në këto raste si i bazuar edhe mbi parimin historik. P.sh., gjithmonë dhe jo gjithëmonë, shembëlltyrë dhe shembulltyrë, autoqefal dhe jo autocefal
Në këtë kategori mund të përfshiheshin edhe mjaft emra familjarë, të cilët u shmangen rregullave të drejtshkrimit të apelativeve dhe nuk inkuadrohen në paradigma lakimi të emrave të përgjithshëm, por shkruhen ashtu për arsye të një tradite të krijuar (khs. Çabej, Dedej, Dodmasej, Tafaj, Mustafaj etj.). 
Respektimi i parimeve drejtshkrimore të shqipes ka shumë rëndësi për të kuptuar se si funksionon sistemi i saj.  Ka mandej rëndësi për të ndërtuar një platformë të saktë didaktike për mësimin e gjuhës në shkollë.
Më në fund, të kuptuarit e saktë të parimeve të drejtshkrimit funksionon si një «legjislacion vetëmbrojtës» i drejtshkrimit. Kjo vlen sidomos për parimin historik, i cili përligj si të rregullta ato trajta që janë të ngulitura, por që motivimi gramatikor ose fonologjik mund t’i kontestojë. Ky parim do ta mbrojë drejtshkrimin nga ata gjuhëtarë të zellshëm që dëshirojnë ta «rregullojnë» duke përdorur argumente të ndryshme teorike, me pretekstin e njohur se drejtshkrimi i çdo gjuhe evoluon.  
Një parim i katërt, i cili rregullon drejtshkrimin e fjalëve me prejardhje të huaj është ai të cili  ne e kemi emërtuar  «parimi intersemiotik / ndërsemiotik». Ky parim vendos një lidhje përkatësie grafematike me drejtshkrimin e fjalëve në gjuhën origjinare. Ky parim, në të vërtetë, edhe pse nuk shprehet në mënyrë eksplicite, gjen zbatim në rregullat e «Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe» (1973), në fjalë me prejardhje të huaj: khs. p.sh. drejtshkrimin e fjalëve arrestim, irracional, karrierë, korrelacion, korridor, korrigjim, surrealizëm, ku prania e dy rr-ve të njëpasnjëshme nuk ka vlerën e /rr/-së së fortë dridhëse të shqipes. Me këtë parim mund të shpjegohet edhe një prirje në kristalizim e sipër e drejtshkrimit të stilit shkencor të shqipes për të shkruar emrat e përveçëm sipas grafisë së origjinalit.
Për sa i përket të ashtuquajturit «parim morfologjik», përdorimi i këtij termi nuk i përgjigjet së vërtetës dhe del i papërligjur, së paku për gjendjen e tanishme gramatologjike të gjuhës shqipe. Si i tillë, nuk e ka vendin në ligjëratën e drejtshkrimit shqip. Ai mund të shërbejë si shkas për të përshkruar një çast të palumtur terminologjik të historisë së gjuhësisë shqiptare. 
Parimi morfologjik i drejtshkrimit nuk ekziston në gjuhën shqipe. 

Referenca bibliografike:
Agalliu, Fatmir. 1973. Rreth disa çështjeve të zbatimit të parimit morfologjik në drejtshkrimin e shqipes. Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (20-25 nëntor 1972). II. Tiranë: Akademia e Shkencave e RP të Shqipërisë. Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë. 5-14.
Beci, Bahri. 1973. Rreth parimit tradicional historik në drejtshkrimin e shqipes. Studime filologjike. 1. 155-160.
DGJSH = Drejtshkrimi i gjuhës shqipe. 1973. Tiranë: Akademia e Shkencave e RP të Shqipërisë. Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë.
Dodi, Anastas. 1973. Drejtshkrimi dhe shqiptimi letrar. Studime filologjike. 1. 123-129.
Dodi, Anastas. 2005. Fonetika dhe fonologjia e gjuhës shqipe. Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Domi, Mahir. 1973. Parimi fonetik e zbatimi i tij në drejtshkrimin e shqipes. Studime filologjike. 1. 89-96.  
FESH 1985 = Fjalori Enciklopedik Shqiptar. 1985. Tiranë: Akademia e Shkencave e RPSSH.
FESH 2008 = Fjalori Enciklopedik Shqiptar. I. 2008. Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Kostallari, Androkli. 1973. Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj. Tiranë: Akademia e Shkencave e RP të Shqipërisë. Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë.
Lyons, John. Eisagogē stēn glossologia. Athina: Pataki (Në origjinal: Lyons, John. 1981. Language and Linguistics. Cambridge University Press).
Memushaj, Rami. 2005. Shqipja standarde – Si ta flasim dhe ta shkruajmë. Tiranë: Toena.
Memushaj, Rami. 2014. Sa është e mbështetur gjuhësisht reforma ndërakademike e drejtshkrimit? Albanologji. 5. I. Prishtinë: Instituti Albanologjik. 337-359.
Samara, Miço. 2000. Histori e gjuhës letrare shqipe. Tiranë: SHBLU.
Spiro, Aristotel. 2008. Mbi parimet e (drejt)shkrimit të shqipes standarde. Studime filologjike. 1-4. 207-215.

© Aristotel Spiro 

© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi vetëm në shtypin elektronik me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”

No comments:

Post a Comment