Friday, March 6, 2015

DEFEKTI FATAL I REFORMËS SË ARSIMIT TË LARTË

Nga Aristotel Spiro 

Projektligji i ri për reformën në arsimin  e lartë ka shkaktuar shqetësim të madh në botën akademike. Është shumë e qartë se gjendja e arsimit në përgjithësi dhe e arsimit të lartë në veçanti është tejet dramatike. Niveli i ulët profesional, zhvlerësimi i standardeve, korrupsioni i shumëllojshëm, të kuptueshme brenda kontekstit problematik ekonomik e shoqëror, e bëjnë emergjente reformën. Por shpresa për të rregulluar gjendjen duket shumë e vakët nëse sheh projektligjin e ri. Dhe kjo jo aq prej të metave që paraqet teksti (me të cilat megjithatë nuk dua të merrem), por sepse e gjithë kjo përpjekje komprometohet nga politikat sabotuese të arsimit kombëtar që ndjek politika. Ky formulim, që ngjan si një pohim shumë i ashpër, është për fat të keq i vërtetë. Dhjetëra universitete private që kanë mbirë si kërpudha helmuese në Tiranë, por edhe në rrethe po e shkatërrojnë që nga themelet arsimin shqiptar. Tashmë është prodhuar një armatë e tërë gjysmanalfabetësh me certifikim formal akademik të njohur nga shteti, që kanë zënë vende pune në sektorin publik, të cilët nuk bëjnë asgjë, veçse marrin rrogat e taksapaguesve shqiptarë dhe luftojnë këdo që me dije e aftësi u kërcënon vendin e punës. Drejtuesit e këtyre universiteteve, të favorizuar nga legjislacioni i komprometuar i shtetit, po përfitojnë deri edhe subvencione në dëm të universiteteve publike, të cilat janë lënë në mëshirë të fatit. Qeveria / qeveritë mund të pretendojnë se nga konkurrenca ka vetëm të mira. Do të mbeten në këmbë ato universitete - private ose shtetërore - që ofrojnë produktin më të mirë edukativ. Por ky arsyetim i ngjan më shumë një dhelpërie logjike, meqenëse kësisoj arsimi i është dorëzuar për fat të keq ekonomisë së tregut në mënyrën më banale! Sepse dihet fort mirë se si funksionojnë shkollat e larta private. Disa skandale që kanë plasur me disa universitete private janë vetëm maja e ajsbergut. 
Me këtë nuk dua të them që të mos ekzistojnë universitetet private. Por statusi i tyre juridik i dëmton shumë politikat e zhvillimit të arsimit kombëtar. Për këdo që e njeh sadopak realitetin shqiptar e di fort mirë se qëllimi i këtyre universiteteve është të nxjerrin sa më shumë fitime. Sa për cilësinë e produktit edukativ, në Shqipëri kjo po kthehet tashmë në një anekdotë.
Në këto kushte qeveria duhet të marrë masa për të ndalur këtë katastrofë me përmasa gjigante. DUHET URGJENTISHT TË MIRATOHET NJË LIGJ QË NUK I NJEH UNIVERSITETET PRIVATE. KJO DO TË THOTË QË I DIPLOMUARI NË TO NUK MUND TË PUNËSOHET NË ADMINISTRATËN PUBLIKE. Të diplomuarit e universiteteve private mund dhe duhet të punësohen vetëm në sektorin privat. Kështu do t'i pritet rruga korrupsionit. Drejtuesit e këtyre universiteteve janë të lidhur me shumë fije me qeverinë e me pushtetin. Frekuentimi në to është kthyer në çështje "familjeje", ku studentët derdhin paratë tek njerëzit e lidhur me qeverinë, ndërsa diploma që do të marrin me lehtësi u hap rrugën për të zënë një punë në sektorin publik. Dhe nëse është pak e vështirë të futen në punë, prapë do të japin para, meqenëse e dinë se si funksionon sistemi.  Ndërsa po ta dinë se do të punësohen vetëm në sektorin privat, atëherë do të përzgjedhin vetëm ato universitete private që me gjithë mend funksionojnë rregullisht (dhe universitete të tilla ka), ndërsa vetë universitetet do të bëhen më konkurruese duke u kujdesur të ofrojnë një produkt edukativ sa më cilësor. 
Politikat arsimore kombëtare kërkojnë që shteti ta mbrojë dhe ta nxitë arsimin publik, duke rritur kontrollin mbi cilësinë, duke sanksionuar një sistem që nxit meritokracinë dhe jo zvetënimin akademik, intelektual e moral, siç ndodh sot për fat të keq. 
Vetëm atëherë do të jetë e mundur të flitet për sukses të reformës. 
Përndryshe edhe kjo reformë e reklamuar me të madhe do të jetë një riformatim i korrupsionit dhe paralajmërim i dështimit të sigurt. 
Aristotel Spiro