nga Aristotel Spiro
Prej gjashtë dekadash në gjuhësinë shqiptare është krijuar një ngërç terminologjik, i shprehur dhe i shtypur mes faqeve të çdo gramatike shkollore dhe universitare. Ky ngërç e mban të mbërthyer analizën e foljes. Fjala është për një term, i cili përsëritet me një natyrshmëri shqetësuese nga çdo mësues, nga çdo tekst, në çdo provim shteti e në çdo auditor konferencash: «forma të pashtjelluara». Plaga e kategorizimit të këtyre formave është ende e hapur, por askush nuk ka pyetur, as a ka vënë në dyshim këtë term. Prej kësaj heshtjeje gjashtëdhjetëvjeçare, një gabim terminologjik lehtësisht irregullueshëm është kthyer në një ngërç kronik konceptual, që gjithnjë e më shumë po ia merr frymën mendimit gramatikor shqiptar.
Le ta themi hapur, ashtu si mjeku para se t’i qaset pacientit. Nëse emërton diçka gabim, e ke dëmtuar atë. Nëse për gjashtëdhjetë vjet me radhë është mbajtur gjallë një emërtim i keq, atëherë e objekti, dukuria e përfaqësuar janë paralizuar. Breza të tërë shqiptarësh janë mësuar që nga bankat e shkollës me këtë gabim, që nuk mund të quhet mëlapsus, por një metastazë e vërtetë didaktike.
Paskajorja, pjesorja, përcjellorja janë tri format e njohura foljore që nuk zgjedhohen sipas vetës. Tradita shqiptare i ka pagëzuar këto «forma të pashtjelluara». Duket një term si çdo term tjetër, i natyshëm, i konsoliduar dhe askujt nuk i shkon mendja për ta vënë në dyshim. Por le të ndalemi për një çast dhe të pyesim veten: Çfarë domethënë «e pashtjelluar»? A nuk do të thotë ‘e ngurosur’, ‘statike’, ‘e palakuar / e pazgjedhuar’, ‘e pandryshuar’? Ky term shënon që në lindje se këto forma janë të palakueshme dhe të pandryshueshme.
Ndërkohë studiuesit, po ata studiues që e përdorin këtë term, pranojnë hapur se format joskajore lakohen apo shtjellohen, se «me punue», «për të punuar» apo «duke punuar» pësojnë ndryshime gramatikore, se ka madje edhe kohë të përbëra ndër to «me pasë punue», «për të pasë punuar» apo «duke qenë punuar» , se «së punuari» është një formë rasore (rrjedhorja) e formës «të bërë». Pra, vetë termi, qysh në themel, mohon atë çka kuptimi i tij si fjalë dëshiron të pohojë. Është si të thuash: «këto forma të pashtjellueshme ...shtjellohen». A ka diçka më vetëkomprometuese për një shkencë që pretendon saktësi të rreptë që ta mbështetë tërë ngrehinën e vet terminologjike mbi një kontradiktë të tillë të hapur?
Ky ngërç nuk mund të kapërcehet lehtë me një pyetje retorike. Ky term i keqformuluar është kthyer tashmë në një rrezik shkencor. Në vend që të përshkruajë, ai gjykon dhe paragjykon paraprakisht duke mos e hapur fare diskutimin. Përkundrazi, ai e mbyll diskutimin para se ta fillojë. Nëse e quan një dukuri gramatikore «të pashtjelluar» e ke gjykuar atë si të ngrirë, je shprehur para se ta kesh studiuar.
Simptomat e kësaj sëmundjeje janë të shkruara në çdo faqe të historisë së gramatikave shqiptare, që nga fillimet e saj. Kristoforidhi, më 1882, forma si këto i quante emërore, sipas modelit grek të kohës. Sami Frashëri, arkitekti i parë i terminologjisë gramatikore shqipe, shkroi për «të paçquamen» dhe «përgjysmësin». Pastaj erdhën, njëri pas tjetrit, autorë gramatikash duke hedhur secili propozimin e vet: «mënyrë e pakufizuarë» (Peci, 1912), «mënyrë e paçquarë» (Dako, 1912), «mënyra të pacaktueme» (Mikeli, 1916), «mënyra të pakufishme» (Dilo Sheperi, 1927), «mënyra të meta» (Myderrizi, 1944). Secili term, një përpjekje e sinqertë, por gjithmonë i mohuar dhe i harruar nga emërtimi vijues.
Më në fund, në vitet 1960, Shaban Demiraj, duke ndjekur gjurmët e hapura nga A. Xhuvani e M. Domi, e vulosi termin që na ka mbetur deri sot si «forma të pashtjelluara». Dhe që atëherë asnjë kontestim serioz nuk është bërë. Ndërkaq bota gjuhësore rreth nesh, anglishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, italishtja, greqishtja, rusishtja, kanë kryer, secila në ritmin e vet, të njëjtin operacion konceptual: i kanë braktisur emërtimet e vjetra, të mbushura me metafora të errëta («format emërore», «format pavetore», «format e paçqueme»), dhe janë orientuar drejt një emërtimi asnjanës, të tejdukshëm, të krahasueshëm mes gjuhësh: non-finite forms, formes non finies du verbe, infinite Verbformen, forme verbali non finite, нефинитные формы, μη παρεμφατικοί τύποι. Të gjitha rrjedhin nga i njëjti parim themelor: format që nuk kanë «skaj», domethënë nuk shënojnë vetën. Asnjë prej tyre nuk gjykon paraprakisht nëse forma lakohet apo jo. Vetëm termi i shqipesmbeti si një ilaç i braktisur në raftin e fundit të farmacisë gjuhësore evropiane.
A do të thotë vallë kjo se gjuhëtarët tanë janë të paditur? Aspak. Do të thotë se tradita akademike shqiptare vuan nga një lloj konservatorizmi i sinqertë, prej të cilit rrjedh një refuzim i heshtur për t’u marrë me çështje «të vogla» terminologjike, kur ka gjoja «probleme më të mëdha» për të zgjidhur. Kjo është vetë sëmundja që flet me gojën e mjekut shërues: të thuash se një gabim terminologjik i shtrirë prej gjashtë dekadash është problem «i vogël», kur ai përcakton se si mendojnë për foljen shqipe breza të tërë nxënësish e studentësh, është saktësisht ajo formë vetëmashtrimi që lejon çdo ngërç të përjetësohet e të kthehet në paralizë të përhershme.
Por ka edhe diçka tjetër, më të pakuptueshme. Është ai lloj krenarie kulturore periferike, që i sheh me dyshim propozimet për t’u përafruar me terminologjinë ndërkombëtare. Gati gati përballohet çdo huazim konceptual sikur të ishte tradhti kombëtare apo përdhosje e figurave të «shenjta” të gjuhësisë shqiptare (!). Por a nuk është pikërisht kjo lloj mendësie, refuzimi për të dialoguar me botën, këmbëngulja për ta ruajtur «tonën» edhe kur «jona» është thjesht e gabuar, çka e mban shqipen të veçuar, në njëfarë karantine vetëvendosur, ndërkohë që rusishtja, greqishtja apo gjermanishtja, gjuhë me traditë të konsoliduar aspak më pak të fortë se shqipja, e kanë kryer prej kohësh këtë modernizim pa asnjë kompleks inferioriteti?
Pyetja është shtruar tashmë: deri kur do të vazhdojmë t’ua mësojmë fëmijëve tanë një term që bie ndesh me vetveten? Deri kur do të quajmë «pashtjelluar» atë çka vetë ne e shpjegojmë si të shtjellueshme? Deri kur konservatorizmi akademik do të vishet me maskën e «traditës» për të fshehur thjesht atë që mund të quhej «përtaci intelektuale»?
Zgjidhja nuk mund të jetë një propozim revolucionar. Kërkohet thjesht një zgjidhje e ndershme. Termi «forma joskajore», i propozuar tashmë prej disa vitesh (Spiro 2021), as gjykon, as paragjykon, as hyn në kontradiktë me veten. Struktura e tij është e tejdukshme për çdo folës të shqipes: <jo-> mohon, <skajor> lidhet me skajet gramatikore të vetës, numrit, kohës. Në vend që të na thotë çka këto forma NUK MUND të bëjnë (të «shtjellohen»), na tregon thjesht çka u mungon: skajin vetor. Njëkohësisht ruan lidhjen etimologjike të natyrshme me «paskajore», term që askush nuk e ka kontestuar kurrë. Dhe, çka nuk është pak, flet të njëjtën gjuhë me botën: «joskajor» përkon fjalë për fjalë me non-finite, infinite, μη παρεμφατικός.
Ndoshta rojtësit e recetave gramatikore të traditës mund ta paraqisnin këtë propozim si një tekë terminologjike, ose çështje kozmetike metalinguistike. Mirëpo, këtu fjala është për ndjekjen e parimeve shkencore. Nuk mund të jetë kurrë e pafajshme terminologjia që një studiues përdor. Ajo mbart brenda vetes, të fshehur, një qëndrim teorik. Kur ti e quan diçka «të pashtjelluar» para se ta kesh studiuar, e ke shpallur tashmë verdiktin. Dhe verdikti e helmon çdo diskutim që vjen pas tij. Shkenca e vërtetë nuk bëhet me verdikte, po me terma që lënë hapur pyetjen.
Braktisja e termit të vjetër («forma të pashtjelluara») dhe përdorimi i termit të ri («forma të joskajore») nuk mund të shihet thjesht si një çështje mode terminologjike. Përkundrazi, është ndryshim i konceptimit tonë për format joskajore. Është një ftesë dhe një shtysë për t’i parë këto forma në një dritë të re, të gjitha së bashku si një kategori me shfaqje të larmishme dhe jo të kufizuar në dy–tri forma. Në këtë kategori nuk do të ketë dallime midis paskajores toske, standarde dhe gege, por ka një kategori të vetme, paskajoren shqipe, me format e saj të larmishme ndërvendore dhe ndërkohore.
A do të vazhdojmë ta shohim gramatikën e shqipes si një kështjellë të rrethuar, ku çdo propozim modernizues trajtohet si sulm i jashtëm? Apo do të gjejmë guximin për ta hapur atë portë të vetme dhe ta lëmë terminologjinë tonë të flasë të njëjtën gjuhë shkencore me botën, pa humbur asnjë grimë të identitetit?
Ngërçi ku janë mbërthyer të ashtuquajturat «forma të pashtjelluara» nuk do të zgjidhet nëpërmjet injorimit. Sëmundjet e gjuhësisë, ndryshe nga ato të trupit, nuk vdesin bashkë me pacientin. Ato barten nga njëri brez tek tjetri, tek çdo nxënës i ri që i beson me sy mbyllur gramatikës që ka mësuar në shkollë. Ose e heqim tani, ose do të vazhdojmë t’ua trashëgojmë fëmijëve tanë një kontradiktë të veshur si të vërtetë të pandryshueshme. Zgjedhja, siç ndodh gjithmonë me sëmundjet e lëna pas dore, nuk e shmang çështjen se sa do të na kushtojë. Nuk kemi kohë për të humbur. Sa më gjatë ta shtyjmë, aq më shumë do të na kushtojë.
© Aristotel Spiro



