Friday, September 27, 2019

UNIVERSITET PRIVAT APO UNIVERSITET JOPUBLIK?



UNIVERSITET PRIVAT APO UNIVERSITET JOPUBLIK?¹

nga 

Aristotel Spiro

Ligji për reformën e arsimit të lartë përbën tashmë një dështim spektakolar. Ai nuk arriti të zgjidhë një nga problemet më të mprehta, që ka marrë trajtat e një epidemie vdekjeprurëse, siç është plagjiarizmi. 
Por ky ligj nuk arriti të na zgjidhë as problemet terminologjike të emërtimit të institucioneve të larta të vendit. Një mori e paparë dhe e padëgjuar emërtimesh me bishta përcaktorësh që përshkruajnë shkolla të larta jopublike ose private ngulmojnë të zënë vendin e tyre në semiologjinë e përditshme të jetës sonë. Kërkojnë një kënd sigurie sado të vogël në ndërgjegjen e bombarduar të shoqërisë së sotme shqiptare.
Një shpurë e çrregullt zengjinësh të rinj të etur e të uritur, të dehur nga era e lirisë, iu futën secili me mënyrën e vet krijimit të një rrëfenje pasurimi të pandalshëm. Duke kapërcyer me të shpejtë dallime shoqërore e kulturore e duke ngushtuar hendeqe etike, me prakticitetin e tyre neutralizues, nuk patën kohë të mendojnë për çikërrima detajesh semiologjike.
Kështu hyri në jetën tonë të përditshme universiteti privat dhe shkolla jopublike. Kaq e thjeshtë. Në tapetin e trashë të arsimit privat po parakalojnë tashmë me të njëjtin shkëlqim dy tipa pronarësh të rinj: profesori i dikurshëm me tituj e grada dhe ish-trafikanti investitor.  
Janë këta që përcaktojnë estetikën e re të së ardhmes. Janë këta që sjellin risitë, sfidues të çdo trashëgimie të pranuar a të dyshuar, rrëzues vlerash e jovlerash, krijues standardesh kryeneçe, propozues sjelljesh të pastandardizueshme, "farkëtuar" në ideologjinë e mohimit të së vjetrës.
Janë këta një gjedhe e re shoqërore, përhapur e shtrirë në çdo ind e qelizë të vendit, në çdo zyrë e skutë administrate, në skaj e në qendër, në rrënjë e degë e në majë.
Janë këta fatosët e një drejtshkrimi të ri, të një standardi të ri, përshtatur shprehive të tyre lëruar kafeneve e pijetoreve, nën tymin e duhanit, shijes së drogës, avullit të rakisë e aromës së qofteve.
Ata kanë leksikun e tyre: Flasin me fjalë karakteristike: *ekipi jon, *shteti jon, *fakulteti jon, *universiteti jon, *Europa, *europian, *dixhital, detyrimisht me a të mbyllur (me *Tirona e *gjona) etj. etj.
E këtu hyn edhe terminologjia, tashmë e rrënjosur në ndërgjegjen e deformuar të këtij shteti e kësaj shoqërie: shkollë private, shkollë jopublike, që me mohimin e bartur fajësojnë a përulin prestigjin e shkollës publike (në mënyrë gati provokuese të një asociacioni negativ me shtëpitë publike).
Atëherë pse duhet ta përdorë detyrimisht një institucion arsimor përcaktorin “privat” apo më keq “jopublik”? Për ta vlerësuar apo denigruar? Apo për t’ia kundërvënë institucionit arsimor publik?
Ne jemi dëshmitarë që vetë shteti, drejtuesit e tij bëhen shkatërruesit e parë të çdo vlere shtetërore në arsim. Janë ata që e kanë ulur nivelin e profesoratit, për ta çuar në nivelin e shkollave dhe universiteteve private / jopublike, në mënyrë që këto të fundit ta kenë më të lehtë për ta konkurruar arsimin shtetëror. Sa më të ulëta standardet, aq më e lehtë është puna e tyre. Aq më e fortë është kërkesa e tyre që të marrin pjesë nga e mira shoqërore: vende pune në administratën shtetërore, pikërisht ata që kanë zgjedhur anën e kundërt të barrikadës arsimore. Dhe kështu nis pazari i madh. Shteti, në emër të një gjoja barazie shansesh (çfarë ironie!) subvencionon institucionet private duke skalitur rrasën e varrit të arsimit shtetëror.
Një shtet serioz, që mendon për qytetarët e vet, që ndjek një politikë në interes të shtetasve të vet, një politikë kombëtare, atëherë interesohet, mbështet e fuqizon institucionet arsimore shtetërore, ndërsa njëkohësisht vendos rregulla të forta funksionimi për universitetet private.
Tirana dhe Shqipëria kanë më shumë universitete private se kioska kinkalerie e pijesh freskuese!
Shteti duhet të mbrojë me vendosmëri arsimin shtetëror!
Shteti duhet të vendosë një kontroll të rreptë mbi institucionet e larta arsimore private. E kam thënë edhe herë tjetër (e për këtë jam shumë i bindur): Nëse duam të kemi një shtet serioz, nëse vërtet na intereson të shkojmë përpara, në sektorin shtetëror duhet njohur diploma vetëm e universiteteve shtetërore. Të diplomuarit nëpër universitetet private mund të punësohen vetëm në sektorin privat.
Tingëllon e vështirë për t’u pranuar? E megjithatë ky është çelësi që Shqipëria të gjejë dijinitetin e vet. Një arsim kombëtar i shëndetshëm e dinjitoz.
Ky duhet të jetë rregulli. Kjo quhet politikë kombëtare në arsim. Vend pune në shtet? Vetëm nëse ke diplomë shtetërore! Përndryshe, shteti kthehet në një instrument korrupsioni, një shkas për të rregulluar a sistemuar miqtë e farefisin e sidomos ata që ofrojnë topat e parave.
Por kështu merr fund edhe shteti edhe arsimi kombëtar!
Ka ardhur, në mos ka kaluar, koha për të bërë ndryshime të mëdha në arsim.
Është e domosdoshme një reformë e re, e vërtetë. Një reformë arsimore që të ndihmojë në zgjidhjen problemeve të shoqërisë sonë, të sotme e të ardhme, dhe jo skema të gatshme shkërbyese të sistemeve arsimore të huaja, që shërbejnë si justifikime të korrupsionit.
E kjo duhet filluar që në emërtimin e institucioneve arsimore:
Shkollë private apo jopublike? Universitet privat apo universitet jopublik?
As njëra as tjetra. Nuk mund të emërtohet një institucion veçanërisht nëpërmjet mohimit. Le të emërtohet thjesht “Universitet”.
Nëse bëhet fjalë për të marrë një përcaktor atëherë ai është Universiteti Shtetëror. Në kohën e lulëzimit të lloj-lloj universiteteve private, përdorimi i përcaktorit SHTETËROR do të funksionojë pozitivisht në disa drejtime: Do të njihet epërsia e tij ndaj universiteteve private, do të njihet angazhimi i shtetit në mbështetje të tij dhe ndarja e qartë e interesave të shtetit nga interesat e institucioneve arsimore private.
Kjo është praktika që ndiqet sot në botën e qytetëruar. Merrni shembullin e SHBA-ve apo të Federatës Ruse. Fjala “Shtetëtor” nuk mungon nga emërtimi zyrtar i universiteteve shtetërore. 
Por Shqipëria ka edhe një shembull shumë domethënës. Përcaktori “Shtetëror” u përfshi në emërtimin e universitetit të parë shqiptar më 1957 (Universiteti Shtetëror i Tiranës), në një kohë kur asnjë institucion arsimor privat nuk ekzistonte në vend dhe nuk ishte aspak nevoja e ndonjë dallimi nëpërmjet përdorimit të përcaktorit. Por emërtimi “Shtetëror” sugjeronte prestigjin e një institucioni kaq të rëndësishëm. Është pikërisht ky prestigj i munguar i universiteteve të sotme, të cilin duhet ta mëtojnë duke u nisur pikësëpari nga ky fakt semiologjik: përdorimi i domosdoshëm i fjalës “Shtetëror”! Universitetet shtetërore duhet ta përmbajnë domosdoshmërisht në emërtimin e tyre fjalën SHTETËROR.
Ndërsa universitetet e tjera le të emërtohet ashtu thjesht, "universitete" ose "shkolla të larta" a "kolegje universitare", pa përdorur përcaktorët “privat” ose “jopublik”, që shoqërimi i përfytyrimeve çon në paradigma tregtare e morale të dyshueshme.

© Gazeta "Dita"
© Aristotel Spiro