Thursday, September 2, 2021

SI DO TË RRAFSHOHEN NDËRTIMET ILEGALE GJUHËSORE?

nga 

Aristotel Spiro 

Gjithkush e mban mend anëdetin e Vlorës, nga Skela deri tek Uji i Ftohtë, mbushur para disa vitesh plot me ndërtime pa leje ose të legalizuara padrejtësisht. Aq dramatike ishte situata, saqë deti kishte humbur pas atyre ndërtesave të përbindshme. Një gjendje e ngjashme ekziston sot përgjatë bregut të ranishtes së Golemit në Durrës. 

Por Vlora pati fat, sepse ndërhyrja e shtetit bëri që gjithë ato ndërtime të shembeshin dhe ranishtja iu kthye përsëri qytetit dhe qytetarëve. Ishte vetë kryeministri Edi Rama që paralajmëroi shndërrimin e këtij trualli në një zonë argëtimi e çlodhjeje (Shih https://sot.com.al/politike/edi-rama-zbut-tensionet-në-vlorë-për-“lungo-maren”-projekti-shpëton-vijën-bregdetare-të dhe https://dritare.net/edi-rama-ja-kur-do-te-mbaroje-lungomare). 

Mirëpo, menjëherë pas shembjes së ndërtimeve në anë të detit një tjetër "ndërtim pa lejë" u grit përgjatë bregut. Pikërisht nga goja e kryeministrit projekti i rijetësimit të segmentit Skelë - Uji i Ftohtë u quajt me një fjalë jo shqipe, siç mund të pritej, por me fjalën italiane "Lungomare". 

Se cila ishte arsyeja që kryeministri zgjodhi një fjalë tē huaj dhe jo një fjalë shqipe kjo mbetet një mister. 

Për të mos krijuar ndonjë keqkuptim, dua të them që në fillim se parimisht nuk jam kundër përdorimit të fjalëve të huaja dhe distancohem haptas nga puristët e gjuhës. 

Por kur është fjala për një koncept të ri, për një vepër të re që ngrihet në një qytet shqiptar me duart dhe të hollat e shqiptarëve, edhe shqipfolësi më i zakonshëm, pa le pastaj kreu i qeverisë, e ka për detyrë të tregojë respekt për veten e vet dhe shoqërinë ku jeton duke zgjedhur një fjalë që nuk cenon ndjenjën gjuhësore të folësve. Kjo fjalë mund të jetë shqipe, por në rastin e skajshëm mund të jetë edhe e huaj, mjafton që veshi i shqipfolësit të jetë mësuar me të dhe përdorimi i saj të jetë përgjithësuar. 

Nëse fjala e propozuar ka prejardhje të huaj, duhet medoemos të jetë ndërkombëtarizëm.  

Po a është "Lungomare" një ndërkombëtarizëm? Për fat të keq, jo. 

Kjo fjalë e ka prejardhjen nga gjuha e bukur italiane, por në shqip ajo tingëllon gjithsesi e huaj dhe jo e bukur. Siç shkruante në një artikull publicisti Ilir Mborja, ajo krijon asociacione fjalësh të ngarkuara me emocione negative (https://www.vala-news.com/gomarlleku-i-dyfishte-me-dy-lungomare-ne-vlore/). 

Mund të propozohej një fjalë shqipe, p.sh. anëdet apo shëtitore, ose qoftë edhe një fjalë e huaj ndërkombëtare si p.sh. promenadë. 

Vlora ka shumë turistë italianë dhe është pothuaj e sigurt se ata do të ndihen si në shtëpinë e vet kur të shëtisin apo notojnë pranë Lungomares. Por nuk e dimë se si ndihet një amerikan apo britanik kur do të thotë: Let's have a walk at the Lungomare (Le të bëjmë një shëtitje në Lungomare). Nuk e di se si do të ndihet një polak, një bullgar, një rumun, një francez, një kinez. 

Përdorimi i fjalëve nuk është edhe aq i pafajshëm. Duke përzgjedhur një fjalë nuk kemi zgjedhur thjesht një shenjë, një simbol gjuhësor, por kemi kryer njëkohësisht një akt të dyfishtë kulturor: tregojmë bazën e kulturës sonë vetjake, por mbajmë qëndrim edhe ndaj ngrehinës gjuhësore, që është ndërtuar me përpjekjet mijëvjeçare të qindra brezave, shprehja e drejtpërdrejtë dhe më domethënëse e pasurisë shpirtërore të bashkësisë folëse. 

Përdorimi i pakujdesshëm i gjuhës, përzgjedhja provizore e fjalëve që përdorim, regjonalizmi kulturor janë tregues të një respekti të pamjaftueshëm ndaj vetes dhe ndaj bashkësisë së gjerë folëse. 

Në të kaluarën, disa studies të huaj kanë vënë në dyshim autoktoninë e shqiptarëve duke u nisur nga mungesa e terminologjisë detare në shqipe. Eqrem Çabej me argumente e kundërshtoi këtë tezë. 

Në këtë kontekst, këmbëngulja e pafajshme e disave për të krijuar me fjalë jo shqipe një term tjetër që lidhet me detin ka një tingëllim të çuditshëm midis ironisë dhe sarkazmës. 

Prandaj normaliteti nuk arrihet vetëm duke rrafshuar ndërtimet e shëmtuara me ose pa leje. Gjëja më e vështirë është të rrafshohen ndërtimet ilegale gjuhësore që ngrihen në mendjen e burrave (dhe grave) të këtij dheu.   


© Aristotel Spiro 

© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”