Monday, November 20, 2023

KONGRESI I ALFABETIT DHE KONGRESI I DREJTSHKRIMIT – DY FESTA QË FTOJNË PËR AKTE DINJITETI SHKENCOR

 


nga 

Aristotel Spiro 


Nëntori është muaji i ngjarjeve të mëdha historike dhe kulturore. 

Ndër to Kongresi i Manastirit dhe Kongresi i Drejtshkrimit zënë një vend të veçantë. Festimet dhe veprimtaritë përkujtimore janë një shenjë që shoqëria e sotme shqiptare tregon mirënjohjen për këto ngjarje të rëndësishme. 

Kongresi i Manastirit (14 - 22 nëntor 1908) vendosi njësimin e shkrimit shqip duke propozuar dy alfabete, prej të cilave mbizotëroi vetëm një, ai me të gjitha shkronjat latine.  

Kongresi i Drejtshkrimit (20 - 25 nëntor 1972) vendosi njësimin e gjuhës shqipe nëpërmjet rregullave të drejtshkrimit, që përbënin në thelb normën drejtshkrimore dhe gramatikore, bazën e gjuhës letrare kombëtare shqipe, të quajtur vijimisht shqipe standarde. 

Ka dy mënyra për të festuar dhe përkujtuar këto dy ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme në historinë e gjuhës shqipe: 

Mënyra e parë është ajo panegjirike, himnizuese dhe hyjnizuese. Kjo mënyrë glorifikon veprën e prodhuar nga këto dy kongrese. 

Mënyra e dytë është ajo vlerësuese, analizuese dhe kritike, e cila merr parasysh përgjegjësinë e brezave të sotëm për çuarjen përpara të veprës që krijuan këto dy ngjarje të mëdha. 

Ndërsa festat përkujtimore me lëvdatat dhe vlerësimet e larta janë të natyrshme, ato ngjajnë gjithsesi të mangëta pa kryer një analizë kritike të zgjidhjeve që sot duken të tejkaluara dhe, për pasojë, të kritikueshme. 

Në mjaft nga shkrimet, artikujt dhe studimet tona kemi theksuar se dy janë çështjet kryesore që duhet të vendosë shkenca dhe shoqëria shqiptare:

1) Alfabeti shqip të prezantohet vetëm me shkronjat e thjeshta, pa kombinime dy shkronjash. Dyshkronjëshat do të përdoren në shkrimin shqip me të njëjtën mënyrë që u vendos në Kongresin e Manastirit, por nuk do të llogariten si shkronja më vete, sepse nuk janë të tilla. Dyshkronjëshat janë të tepërt në alfabet. Ata nuk e pasurojnë shqipen duke qenë në alfabet dhe as e varfërojnë duke i hequr nga alfabeti. Por heqja e dyshkronjëshave nga alfabeti është një gjest shkencor shumë pozitiv, sepse rrënjos tek nxënësit dhe përdoruesit e gjuhës shqipe konceptin e shëndetshëm shkencor se sistemi fonologjik dhe sistemi grafematik, edhe pse janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin, gëzojnë një pavarësi relative dhe sistemi grafematik ka rregullat e veta të funksionimit, që ndryshojnë nga ato të sistemit fonologjik. Nga këndvështrimi kulturor alfabeti shqip pa dyshkronjësha tregon një pjekuri të kulturës shqiptare, që e vendos atë me dinjitet përkrah kulturave të popujve të tjerë të Evropës, alfabetet e të cilëve janë pa dyshkronjësha. 

2) Duhet përcaktuar qartë dhe pa ekuivoke se parimi themelor i drejtshkrimit të shqipes është parimi fonologjik. Të gjitha drejtshkrimet e gjuhëve të botës, edhe të atyre që nuk përdorin shkrimin alfabetik, bazohen mbi parimin fonologjik. Kjo tashmë pranohet si aksiomë në literaturën botërore. Kjo është një  arsye më shumë që parimi fonologjik të pranohet si parimi themelor edhe për drejtshkrimin e shqipes. Parimi fonetik, për të cilin bëjnë fjalë doracakët dhe tekstet e djeshme dhe të sotme mësimore, është një rast i veçantë i zbatimit të parimit fonologjik dhe vepron si reagim ndaj tij. 

Për sa i përket të ashtuquajturit «parim morfologjik», ai nuk ekziston aspak në gjuhën shqipe. Çka deri më sot është interpetuar si «parim morfologjik» është në të vërtetë zbatimi i parimit fonologjik. 

Po ashtu, parimi tradicional-historik dhe ai etimologjik kanë fushë veprimi shumë të kufizuar në shqipe. 

Një parim tjetër i rëndësishëm drejtshkrimor që duhet t'i njihet shqipes është edhe parimi ndërsemiotik, i cili vepron tek huazimet e reja librore. 

Njohja e parimit fonologjik si parimi bazë i drejtshkrimit të shqipes do ta forcojë bazën e tij teorike dhe do të shërbejë si një barrierë mbrojtëse ndaj çdo përpjekjeje të zellshme ose nisme të nxituar për ndryshime apo reforma arbitrare drejtshkrimore, nën petkun e motivimit sistemor apo gramatikor.   

Është në nderin e kulturës shqiptare dhe të institucioneve akademike të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut që këto çështje të zgjidhen sa më shpejt. 

Duke vepruar kështu, gjuhëtarët shqiptarë do të kryejnë një akt dinjiteti shkencor. Përkundrazi, duke mos vepruar, ligjërata e tyre mbi alfabetin, drejtshkrimin dhe mbi gjuhën në përgjithësi do të jetë gjithmonë e rrezikuar nga kontestimi. 



© Aristotel Spiro 

© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi vetëm me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”