Këto radhë po i shkruaj duke marrë shtysë nga një koment i zonjës Suzana, që i bëri një poezie me titullin «Arkesilas» të poetit dhe piktorit surrealist grek (me disa rrënjë shqiptare) Nikos Engonopulos (1907-1985), përkthyer prej meje dhe publikuar në një faqe në facebook të titulluar «Antologji e përhershme e Letërsisë Greke».
Kur publikoj përkthime poezish ose tekstesh të tjera, përdor zakonisht foljen «përkthej». Kjo fjalë më duket mjaft e përshtashme për të përshkruar atë që kam kryer. Fjala «përkthim» është përgjithësuar si e përshtatshme semiologjikisht dhe dinjitoze shoqërisht për të shprehur veprimtarinë që shënon.
Por një pjesë përkthyesish parapëlqejnë fjalën «shqipërim»/«shqipëroj», me sa duket nga autoriteti i përkthimeve letrare të Fan S. Nolit.
Në fakt, F. S. Noli zbatoi një model përkthimi letrar në kushte të caktuara letrare, gjuhësore, shoqërore, politike, duke e orientuar tekstin origjinal nga konteksti gjuhësor kulturor vendas. Vetëm kështu do ta kuptonin lexuesit shqiptarë atë sistem shenjor të kulturave të huaja, të cilat ose nuk i njihnin, ose i lexonin në origjinal.
Duke pasur një ndjenjë gjuhësore të zhvilluar shqipe arriti të përshtaste përbukuri shumë huazime fjalësh, që dukej sikur përdoreshin prej kohësh nga lexuesit shqiptarë.
F. S. Noli gjatë përkthimit ndihej shumë i çlirët dhe «nuk përtonte» të largohej nga origjinali. Nuk e shihte si mëkat, aq më tepër që këtë çlirësi e kishte provuar edhe me përkthimin e teksteve fetare (për përkthimin e të cilave përdorte termin kthej, duke u shprehur se «ia morën shpirtin»).
Por lexuesi ka pretendimin e ligjshëm që të ndihet i sigurt se ku është kufiri i tekstit origjinal nga teksti i përkthyer, dhe madje këtë gjë duhet ta sigurojë duke lexuar tekstin e përkthyer.
Në këtë rast përgjigjja e përkthyesit nuk mund të jetë: «Mëso gjuhë të huaja dhe lexoji autorët në origjinal!»
Përkthyesi i mirë nuk mjaftohet vetëm tek respekti ndaj vetes dhe punës së tij. Mandej, nuk mund të tundohet duke e përdorur gjuhën pritëse si një mjet demonstrimi të personalitetit të vet letrar ose gjuhësor.
Përkthyesi duhet të jetë aq kurajoz sa t'i qaset edhe autorit më të vështirë, por duhet të jetë njëkohësisht aq modest, sa të lërë autorin të ecë përpara dhe ai ta ndjekë nga pas.
Për këtë arsye, më shumë se shqipërimin unë zgjedh përkthimin.
Prandaj shënoj gjithmonë: Përktheu Aristotel Spiro / A. Spiro / A.S.
Ka dy arsye që parapëlqej fjalën «përkthim».
1) sepse dua t'i jap termit prestigjin e merituar, duke e konsideruar si më përfaqësuesin për këtë veprimtari;
2) sepse nuk dua të shpërdoroj me fjalën «shqipërim», të cilën një pjesë kolegësh e përdorin me ose pa skrupull duke u vetëvlerësuar si ustallarë të përkthimit.
Siç përmenda më lart, përkthimin dhe shqipërimin i konsideroj si dy qasje të ndryshme të tejçimit të tekstit nga një gjuhë në tjetrën:
Përkthimi është respekt për tekstin origjinal, për autorin, ndërsa shqipërimi është respekt për tekstin mbërritës, që është shfajësues i gjithçkaje.