Sunday, February 20, 2022

«XHIHADISTËT» E ALBANOLOGJISË

 

nga 

Aristotel Spiro 

Studimet albanologjike kanë një trashëgimi të pasur e të çmuar në disa fusha: arkeologji, gjuhësi, etnologji, muzikologji etj. Nga fillimet e saj në shekullin XVIII e deri më sot shumë hapa janë hedhur. Qendra e studimeve albanologjike nga trualli gjermanofon u zhvendos në Tiranë e Prishtinë, dy bërthama që përcaktojnë ritmin e atij rrjeti botëror që quhet bashkësi studimore albanologjike. 

Por veç kësaj, studimet albanologjike kanë trashëguar edhe një traditë studimore akademike endocentrike, ku shpeshherë synimi fillestar ka qenë vërtetimi me anë të argumenteve shkencore i autoktonisë së popullit shqiptar si dhe i vijimësisë iliro-shqiptare. Synime të ngjashme kanë pasur në përgjithësi të gjitha akademitë e vendeve të Ballkanit, të cilat u shndërruan në kështjella ideologjike të nacionalizmave. 

Dihet se teza e prejardhjes ilire të shqiptarëve, e për rrjedhojë edhe e gjuhës shqipe, është teza më e fortë dhe më autoritare në albanologji. Së bashku me të paraqitet si më e pranuar edhe teza e vijimësisë iliro-shqiptare. Autori i këtyre radhëve i beson kësaj teze, gjë që e ka konfirmuar në shkrimet e veta akademike, por edhe në prononcime publike. Sidoqoftë, kjo tezë ka objektivisht edhe mjaft pika të dobëta, të cilat janë vërejtur nga studiuesit (mungesa e dokumenteve shkrimore, mungesa e një terminologjie ujore detare, mangësi toponimike etj.). Këto kanë dhënë shkas që, krahas saj, të ekzistojnë edhe teza të tjera, si ajo e prejardhjes trake, apo teza e «përzier» e prejardhjes iliro-trake. 

Objektivi i studiuesve nuk mund të bëhet domosdoshmërisht vërtetimi i një teze, por studimi serioz i çështjes dhe ndriçimi i anëve të errëta të teorive, cilatdo qofshin ato (e prejardhjes ilire, trake, dake, apo iliro-trake etj.). Kriteri duhet të jetë mbërritja drejt së vërtetës nëpërmjet fakteve dhe argumentimeve objektive dhe jo qëmtimi dhe përzgjedhja e fakteve që çojnë në vërtetimin e tezave tona të parapëlqyera.

Ky është një parim themelor, sepse përndryshe shkenca kthehet nga një faktor i njohjes së realitetit në një vegël të politikës, ndërsa ligjërata akademike shndërrohet nga një festë e lumtur e logjikës së shëndoshë në një muhabet kafenesh. 

Si shtojcë e politikës janë konsideruar sidomos shkencat humane gjatë periudhës së komunizmit. Motoja «politika në plan të parë» nuk kishte se si të mos përfshinte edhe studimet albanologjike. 

Tek zbatimi i këtij parimi e zhvillojnë argumentimin e vet negativ edhe kundërshtuesit e një arritjeje të pakundërshtueshme të shkencës gjuhësore albanologjike, siç ishte njësimi dhe kodifikimi i gjuhës letrare kombëtare shqipe. 

Por perceptimi i shkencës si një aksion në radhë të parë politik gjen shprehjen e vet të shëmtuar sot, me gjallimin e lloj-lloj «xhihadistëve» të albanologjisë, të cilët me flamurin e albanocentrizmit nuk mëtojnë as më shumë as më pak, veç një rol protagonist në ligjëratën akademike publike! Këta «xhihadistë» të albanologjisë kanë zënë tashmë një pozicion komod nëpër studio e prodhime gjoja shkencore televizive, në faqe gazetash e revistash shkencore, ndërsa një pjesë syresh kanë krijuar edhe shoqata dhe organe botuese. 

Por ata nuk u ndodhën aty rastësisht. Mjaft syresh janë certifikuar më parë nëpërmjet doktoratave të falura prej profesorëve e komisioneve të korruptuara të organeve atestuese të vendit; së këndejmi janë ngjitur nëpër foltoret e konferencave shkencore të organizuara prej institucioneve akademike të vendit ku kanë certifikuar ligjëratën e tyre të përbindshme. Pas gjithë këtij «certifikimi» akademik zënia e një vendi si bashkëbisedues nëpër studio televizive ishte një punë e lehtë. Nëpër kanalet e sotme televizive shfaqen lirshëm «fallxhorët» e etimologjisë dhe «xhihadistët» e autoktonisë. Prodhuesit e emisioneve televizive, nën pretekstin e shprehjes demokratike, i lejojnë këta përbindësha të nyjëtojnë gjithë fantazinë e tyre halucinante. I lejojnë, për shembull, të vjellin gjithë helmin e tyre anatemues ndaj një dinjitari të gjuhësisë shqiptare dhe etimologjisë shqipe, si Eqrem Çabej, por edhe gjuhëtarëve të tjerë me emër. 

E gjithë kjo gjendje shfajësohet me referimet ndaj rrënjëve pellazge. Kompozitat dy- ose tri- ose katërgjymtyrëshe përdoren sipas qejfit (pellazgo-iliro-arbëror, pellazgo-iliro-epiroto-shqiptar, iliro-epirot etj.). Janë rrënjët e autoktonisë, pas të cilave kapen fort, duke u kthyer në një sekt të shenjtë shkencor dhe duke dënuar këdo që nuk pajtohet me programin e tyre absolut. 

Një kategori tjetër janë kontrabandistët e shkencave humane. Këta që pasi vjedhin tekstet e studiuesve të vërtetë, i referojnë dhe i botojnë si të vetat, marrin doktorata false, punësohen nëpër departamente universitare apo ministrore, zënë vende drejtuese nëpër institucione duke penguar dhe luftuar studiuesit e vërtetë. 

Shpesh të dyja kategoritë e mësipërme bashkëpunojnë duke krijuar një aleancë të heshtur me njëra-tjetrën. 

Ndërsa kontrabandistët e shkencës punojnë e përfitojnë në qetësi e pa u vërejtur, derisa zbulohet vepra e tyre plagjiariste, «xhihadistët» e albanologjisë janë të papërmbajtur në veprimin e tyre. Ata duan të marrë fund një herë e mirë stepja e studiuesit, pasiguria e tij akademike për dukuritë e studiuara. Ata shpallin definitivisht shqipen si nënën e gjithë gjuhëve të tjera, dhe shpjegojnë të gjitha fjalët e botës nëpërmjet fjalëve të gjuhës amtare. Anglishtja, gjermanishtja, italishtja, latinishtja, greqishtja etj. etj. qenkan të gjitha bija të shqipes! 

Sharlatanët e shkencës nuk janë një produkt i kohës së sotme. Ajo që ka ndryshuar në gjithë këtë histori është vulgarizimi i medias. Televizionet e sotme nuk kanë ndonjë ndryshim të madh nga vatrat e dikurshme të kulturës, ndërsa portalet internetike nuk ndryshojnë aq shumë nga shtabet e qëmotshme të aksioneve të rinisë. Sidomos televizionet po kryejnë një vepër me përmasa kriminale duke u dhënë kohë dhe zë vulgariteteve me pretendime shkencore. Me pretendimin e një «atdhedashurie»  të sëmurë parakalojnë lloj-lloj përrallëtarësh të historisë dhe xherahësh të etimologjisë, që drogojnë mendjen e njerëzve të papërgatitur. Në krye të këtyre mediave qëndrojnë njerëz injorantë të shkencës, por edhe të misionit të publicistikës së vërtetë. Në krye të medias qëndrojnë manipulatorë dhe përfitues të paligjshëm të besimit të qytetarëve. 

Përveç medias, një përgjegjësi të rëndë mbajnë edhe institucionet e arsimit të lartë dhe atestimit akademik. Janë ato që përgjigjen për diplomimin e një armate analfabetësh, plagjiatorësh, amatorësh të rrezikshëm. Janë ato që përgjigjen për krijimin e një armate të madhe impotentësh intelektualë dhe analfabetësh akademikë, që kanë pushtuar me tentakulat e padijes së tyre organizmin shkencor dhe arsimor të vendit.  

Nuk është e rastit që nëpër tubime shkencore horrat e shkencës gjithnjë e më shumë kërkojnë kohë dhe vend në tribunë, ku nxjerrin nga këneta e mendjes së tyre argumente të përbaltura dhe qëllojnë dëgjuesit e tronditur. 

Nuk është e rastit që në emisione televizive shkencëtarë të afirmuar ulen «gju më gju»  me përrallëtarë e sharlatanë, nën drejtimin e moderatorëve injorantë. 

Këto janë dukuri të një katastrofe kombëtare me pasoja të pariparueshme dhe afatgjata. Ky është një krim mbi ndërgjegjen shoqërore që kryhet përditë e nga pak. Kjo është një gjendje e sëmurë me të cilën bën kompromis e pajtohet ndërgjegjja shoqërore. 

Sharlatanë të shkencës ka pasur, ka dhe do të ketë gjithmonë. Por faktorizimi i tyre në ligjërimin publik ka qenë diçka e panjohur më parë dhe është dukuri e këtyre tre dhjetëvjeçarëve të fundit. Në kontekstin e sotëm të infantilizuar shoqëror, disa individë të quajtur manjatë dhe disa grupe politike të dyshimta, të quajtura parti kanë krijuar një sistem antimeritokratik jovlerash, ku forca e pushtetit lejon çdo mendim e idé të sëmurë, përveç asaj që rrezikon sistemin politik. Mirëpo, i dëmtuari i madh nga të gjitha këto është vetë shoqëria, e cila lëngon nga problemet e vërteta shoqërore, prej të cilave nuk e shpëton asnjë halucinacion apo delir introvers etnocentrist. 


© Aristotel Spiro 

© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi vetëm në shtypin elektronik me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus” 

HEQJA E DYSHKRONJËSHAVE NGA ALFABETI – AKT I DOMOSDOSHËM QYTETËRIMI

 


Heqja e dyshkronjëshave nga alfabeti – akt i domosdoshëm qytetërimi 

Akademitë e Shkencave duhet ta bëjnë këtë  

nga 

Aristotel Spiro

Në këmbënguljen tonë për të përcaktuar saktë sistemin grafematik të shqipes, ndeshim jo vetëm skepticizmin e pamotivuar të një shumice gjuhëtarësh, por edhe të asaj pjese përdoruesish të gjuhës, që marrin guximin të jenë përfaqësues të ndjenjës mbarëpopullore të gjuhës shqipe. 

Çështja kryesore në këtë problematikë është njohja e 27 grafemave dhe përjashtimi përfundimtar i dyshkronjëshave nga alfabeti. Kështu, do të vihet në vend një parregullsi e mbetur nga kushtet e ndërlikuara historike të miratimit fillestar të alfabetit shqip. 

Do të ishte e udhës që kolegët gjuhëtarë të ngriheshin në nivelin e atyre pionierëve të njësimit shkrimor të Kongresit të Manastirit (1908), të cilët treguan jo vetëm ndjenjë të lartë fisnikërie e konsensusi, por edhe largpamësi për të zgjidhur praktikisht çështjen e njësimit. Dyshkronjëshat në dokumentin përfundimtar të atij kongresi i shërbejnë çështjes së njësimit të shkrimit dhe këtë kuptim ka prania e tyre atje. Nuk kanë të bëjnë aspak me inventarin e shkronjave të alfabetit. 

Identifikimi i grafemave nuk është vetëm një çështje shkencore me rëndësi të padiskutueshme, por ka edhe rëndësi praktike për gjuhësinë e zbatuar (tekstet shkollore, fjalorët, përdorimi i shqipes në kompjuter). Duke kuptuar se si funksionon sistemi grafematik i shqipes, ndryshon edhe mënyra e të perceptuarit të gjërave brenda një logjike të shëndetshme faktesh të pamanipuluara. 

Kjo metaforë, e prejardhur nga gjuhësia, vjen për ta ndihmuar dhe gjallëruar shoqërinë shqiptare në këtë fazë të zhvillimit të saj. Sa më shpejt që ta kuptojmë këtë, aq më mirë do të jetë për shoqërinë, shkollën, përdoruesit e gjuhës. 

Për sa i përket një pjese komentuesish që bredhin portaleve si grerëza të ndërkryera duke lënë helmin e tyre me një drejtshkrim shqip të masakruar, atyre u themi të qetësohen. Këshilla jonë për këta njerëz është që ta tregojnë me vepra respektin e tyre për shqipen. T’i lënë klithmat e një patriotizmi vulgar të panevojshëm dhe të përpiqen për gjënë më të thjeshtë: të mësojnë të shkruajnë shqip. Të shkruajnë ë-në dhe ç-në, të shkruajnë saktë format rasore dhe të përdorin saktë kohët e foljeve. Kësaj skote të paditurish që kërcejnë prej zgafellash pellazgologe pa ua pasur haberin këtyre gjërave u themi të jenë të qetë, sepse praktika e deritanishme e përdorimit dhe vlera fonetike e dyshkronjëshave mbeten të panegociueshme dhe të pandryshueshme në shkrimin shqip. Alfabeti shqip ka 27 shkronja, ndërsa fonemat /th/, /dh/, /sh/, /zh/, /xh/, /nj/, /gj/, /ll/, /rr/ do të vazhdojnë të shkruhen ashtu si më parë me kombinimet e grafemave/shkronjave TH, DH, SH, ZH, XH, NJ, GJ, LL, RR, pikërisht ashtu siç vendosën ata burra të mençur në Kongresin e Manastirit. Asgjë nuk e ndryshon këtë. 

Nuk do të jetë e largët dita kur alfabetit të gjuhës shqipe do t’i njihet numri i saktë i 27 grafemave, sikundër i ka në të vërtetë. 

Gjuhët e tjera të kombeve të qytetëruara e kanë zgjidhur prej kohësh këtë problem. Ndonjë gjuhë shumë e njohur e kontinentit të vjetër e ka zgjidhur vitet e fundit. 

Është detyrë e Akademisë së Shkencave  të Shqipërisë dhe e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës që të shprehen qartë për alfabetin duke i dhënë fund një provizoriteti të zgjatur dhe një parregullsie shkencore: të vendosin për të hequr përfundimisht dyshkronjëshat nga alfabeti duke miratuar alfabetin e shqipes me 27 shkronja – grafema. 

Është në nderin dhe dinjitetin e tyre shkencor që ta bëjnë këtë sa më parë. 

Brezat e ardhshëm do t’u jenë mirënjohës. 



© Aristotel Spiro 

© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi vetëm në shtypin elektronik me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”


Thursday, February 3, 2022

DIXHIDJALLI "DIXHITAL"

 nga 
Aristotel Spiro 


Disa vite më parë, tek po prisja një shok pas Pallatit të Madh të Kulturës, m’u afrua një zonjë e re dhe më pyeti:

- A dini se ku niset autobusi për në Çiti Park?

- Për në Siti Park? - e korrigjova instiktivisht. – Atje tek cepi i rrugës. 

Nuk jam nga ata normativistë maniakë, që mund t’u bjerë infarkti me të dëgjuar një shkelje të normës gjuhësore. Por shqiptimi i saj me  [ç] dhe jo me [s], siç e shqiptojnë thuajse të gjithë, më vuri në mendime. M’u duk si një përpjekje e saj për të vendosur një normë tjetër të modeluar mbi një matricë huazimi më familjare. 

Po cila mund të ishte kjo matricë? Ç’gjuhë? 

Cila përveç italishtes? 

Italishtja në kohën e komunizmit ka qenë për shqiptarët çelësi magjik për të hapur portën e izolimit dhe për të marrë një shije nga era e Perëndimit: muzika e lehtë e sidomos hitparejdi, festivali i Sanremos ishin vetëm disa nga elementët kulturorë që binin në kontakt. Po, edhe filmat. Shumë filma, filma italianë dhe filma amerikanë, por gjithsesi të dubluar në italisht. Italishtja ishte bërë si gjuha e parë e huaj që mësonin të rinjtë. Mësime më së shumti autodidakte, të nxitura edhe nga fjalët e shumta italiane që kanë hyrë në shqipe, por edhe nga fonetika e përafërt me shqipen, që nuk i ndalnin para vështirësive të zgjedhimit të ndërlikuar të foljeve të italishtes. 

Të mësuarit e italishtes krijoi një modë rinore dhe një modë intelektuale, kriteri ndarës i të cilave ishin pasuria e fjalorit dhe zotërimi i zgjedhimit të foljeve. 

Italishtja arriti të mundte jo vetëm rusishten, që pavarësisht prishjes me Bashkimin Sovjetik, vazhdonte të mësohej nëpër shkolla, por edhe frëngjishten dhe anglishten. 

E gjithë kjo situatë krijoi një lloj regjionalizmi kulturor, që e përthyente semiologjinë e kulturës botërore në spektrin gjuhësor të italishtes. 

Nuk kishte rëndësi origjina e një personi historik: modeli italian ishte gati për t’i shërbyer shqipes. Ja Moxárti! Në Shqipëri është i njohur me trajtën italiane të emrit të tij. E nëse i thua shqiptarit për një Mócart, me siguri do të të shohë me mosbesim. E megjithatë Mócart është trajta e saktë e emrit të kompozitorit gjenial austriak. 

Këto më kujtuan nja dy fjalë të tjera që shqiptarët janë mësuar t’i përdorin duke vënë në veprim matricën italiane: Europë dhe dixhital. Të dyja kanë lidhje me epokën paskomuniste. 

Megjithëse «Drejtshkrimi i gjuhës shqipe» përcakton qartë se emri i kontinentit të vjetër do të shkruhet me V dhe jo me U, kjo e fundit u përdor si një armë gjuhësore për të hyrë në Evropë(!). Por kjo armë u duk se ishte e paefektshme, sepse vite shumë kaluan, por gjendemi ende jashtë Evropës. Personalisht jam i bindur se, nëse do ta thërrisnim Evropën me emrin që i kanë thirrur të parët dhe siç urdhëron edhe «Drejtshkrimi i gjuhës shqipe», Shqipëria do të ishte bërë prej kohësh vend i Bashkimit Evropian.

Ndryshimi i emrit të Evropës në «Europë» ishte edhe një shprehje e karakterit revizionist të diskutimeve mbi standardin, në vend që diskutimi të përfshinte problemet e shumta që lindnin nga hyrja e fjalëve të reja pas viteve 90 të shekullit të kaluar. 

Kështu, në vend që të merremi me problemet e reja që kanë lindur nga tronditjet e mëdha shoqërore në Shqipëri, me impaktin e tyre kulturor e gjuhësor (impakt - ja një fjalë që na paska «ndryshuar» jetën!), mbetemi në udhëkryq nëse do të vazhdojmë të përdorin ë-në në këtë apo atë fjalë. 

Mirëpo kjo mënyrë revizioniste do të ndikonte për keq edhe qëndrimin ndaj fjalëve të reja. Një fjalë karakteristike që përdoret gjerësisht, por shpeshherë gabim, është fjala «digjital», e cila dëgjohet nga një masë e madhe njerëzish më shpesh si «dixhital».

Rregulli e do dhe respekti e dinjiteti i shqipes e kërkon që kjo fjalë të shqiptohet me gj (digjital)ashtu si të gjitha fjalët e tjera me rrënjë latine e greke të lashta që përmbajnë g-në para e-së dhe i-së (§36g): agjenci, agjent, angjinë, antropologji, biologji, borgjez, dermatologji, dramaturgji, elegji, energjetikë, energji, filologji, gjenealogji, gjeneral, gjenerator, gjenetik, gjenezë, gjeometri, gjimnaz, gjinekolog, hegjemoni, heterogjen, hidrogjen, higjienë, homogjen, ideologji, kirurgji, legjendë, legjion, legjislacion, letargji, liturgji, logjikë, meteorologji, metodologji, mitologji, oksigjen, orgji, patologji, pedagogji, psikologji, regjent, regjim, regjistër, sugjestion, trilogji  etj. 

«Drejtshkrimi i gjuhës shqipe» përmend edhe disa përjashtime nga ky rregull: inxhinier, inxhinieri, xhandar, xhandarmëri, xhenier, xhirim, xhiro, xhiroj, xhirues, xhaketë, xhelatinë, xhol, që sugjerojnë situata ligjërimore ku importuesit (administrata e shtetit të sapoformuar shqiptar dhe zanatçinjtë e thjeshtë) gjëja e fundit që kanë menduar ishte prejardhja latine e rrënjëve të këtyre fjalëve. Kanë parë përdorimin e «eksportuesve» të këtij qytetërimi, të shtetit italian dhe gjuhës italiane duke u bërë kështu shprehi shqiptimi me xh. 

A po ndodh edhe me fjalën digjital e njëjta gjë? Kushtet kulturore, ekonomike, politike nuk janë më ato të para njëqind vjetëve, kur shteti shqiptar nuk kishte nga t’ia niste. Sot kemi një Akademi të Shkencave dhe rregulla të koduara drejtshkrimi, të cilave u nënshtrohen edhe fjalët që nuk përmbahen në «Fjalorin drejtshkrimor». Por me ortekun e huaj leksikor që vërshoi në shqipe gjatë 20-30 viteve të fundit të pluralizmit politik dhe me kontestimin e çdo gjëje të arritur në vitet e komunizmit, përfshirë edhe gjuhën letrare kombëtare shqipe / standardin, u krijua rreziku i një varianti të ri të Revolucioni Kulturor Proletar, ku çdo profan mund të bëjë propozimet e veta dhe të «pasurojë» sistemin semiologjik të shqipes me fjalë e shprehje e shprehi të zgjedhjes së vet. 

Një element i këtij Revolucioni Kulturor «Proletar»  është edhe shqiptimi i fjalës si «dixhital». Në këtë shqiptim u bashkuan të gjithë, njohës e mosnjohës të zgjedhimit të foljeve të italishtes. Në ndonjë medie u mbështet ky shqiptim, gjoja me shqiptimin origjinal të fjalës dhe, meqenëse parimi i drejtshkrimit të shqipes qenka ai fonetik! – kjo është një çështje tjetër e kontestueshme për të cilën jemi shprehur e do të shprehemi përsëri – atëherë edhe fjala do të shkruhet e do të shqiptohet dixhital (!)Rëndësi ka që tani jemi të lirë dhe nga «kanoçja» kaluam tek modemi dhe nga mizat e ekranit bardhezi tek një pafundësi zgjedhjesh televizive. 

Vetë këtë fjalë unë dhe bashkëmoshatarët e mi e kemi dëgjuar dhe përdorur në vitin 1981, atëherë kur pas mbarimit të shkollës së mesme kryenim stazhin në një ekspeditë sizmogravimetrike. Këtu, disa djem të rinj inxhinierë, të shkolluar në Francë, drejtonin kërkimet për naftë në Shqipëri. Nëpërmjet një aparati, që ata e quanin digital, regjistronin lëkundjet e provokuara me telekomandë. Atë aparat modern elektronik kështu e quanim të gjithë, digital: edhe ata djem që ishin shkolluar në Francë dhe që patjetër e kishin dëgjuar atje si dizhital, edhe ne që mësonim zgjedhimin e foljeve italiane. 

Por dalldia e lirisë ligjërimore këtë na ka bërë: Që të rendim drejt Çity Parkut e të mbërthehemi e të ngatërrohemi nëpër kabllot e teknologjisë digjitale duke u bërë pjesë e një sallate të improvizuar dixhitale

Dixhidjalli dixhital!   


© Aristotel Spiro 

© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi vetëm në shtypin elektronik me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”