Friday, March 6, 2015

DEFEKTI FATAL I REFORMËS SË ARSIMIT TË LARTË

Nga Aristotel Spiro 

Projektligji i ri për reformën në arsimin  e lartë ka shkaktuar shqetësim të madh në botën akademike. Është shumë e qartë se gjendja e arsimit në përgjithësi dhe e arsimit të lartë në veçanti është tejet dramatike. Niveli i ulët profesional, zhvlerësimi i standardeve, korrupsioni i shumëllojshëm, të kuptueshme brenda kontekstit problematik ekonomik e shoqëror, e bëjnë emergjente reformën. Por shpresa për të rregulluar gjendjen duket shumë e vakët nëse sheh projektligjin e ri. Dhe kjo jo aq prej të metave që paraqet teksti (me të cilat megjithatë nuk dua të merrem), por sepse e gjithë kjo përpjekje komprometohet nga politikat sabotuese të arsimit kombëtar që ndjek politika. Ky formulim, që ngjan si një pohim shumë i ashpër, është për fat të keq i vërtetë. Dhjetëra universitete private që kanë mbirë si kërpudha helmuese në Tiranë, por edhe në rrethe po e shkatërrojnë që nga themelet arsimin shqiptar. Tashmë është prodhuar një armatë e tërë gjysmanalfabetësh me certifikim formal akademik të njohur nga shteti, që kanë zënë vende pune në sektorin publik, të cilët nuk bëjnë asgjë, veçse marrin rrogat e taksapaguesve shqiptarë dhe luftojnë këdo që me dije e aftësi u kërcënon vendin e punës. Drejtuesit e këtyre universiteteve, të favorizuar nga legjislacioni i komprometuar i shtetit, po përfitojnë deri edhe subvencione në dëm të universiteteve publike, të cilat janë lënë në mëshirë të fatit. Qeveria / qeveritë mund të pretendojnë se nga konkurrenca ka vetëm të mira. Do të mbeten në këmbë ato universitete - private ose shtetërore - që ofrojnë produktin më të mirë edukativ. Por ky arsyetim i ngjan më shumë një dhelpërie logjike, meqenëse kësisoj arsimi i është dorëzuar për fat të keq ekonomisë së tregut në mënyrën më banale! Sepse dihet fort mirë se si funksionojnë shkollat e larta private. Disa skandale që kanë plasur me disa universitete private janë vetëm maja e ajsbergut. 
Me këtë nuk dua të them që të mos ekzistojnë universitetet private. Por statusi i tyre juridik i dëmton shumë politikat e zhvillimit të arsimit kombëtar. Për këdo që e njeh sadopak realitetin shqiptar e di fort mirë se qëllimi i këtyre universiteteve është të nxjerrin sa më shumë fitime. Sa për cilësinë e produktit edukativ, në Shqipëri kjo po kthehet tashmë në një anekdotë.
Në këto kushte qeveria duhet të marrë masa për të ndalur këtë katastrofë me përmasa gjigante. DUHET URGJENTISHT TË MIRATOHET NJË LIGJ QË NUK I NJEH UNIVERSITETET PRIVATE. KJO DO TË THOTË QË I DIPLOMUARI NË TO NUK MUND TË PUNËSOHET NË ADMINISTRATËN PUBLIKE. Të diplomuarit e universiteteve private mund dhe duhet të punësohen vetëm në sektorin privat. Kështu do t'i pritet rruga korrupsionit. Drejtuesit e këtyre universiteteve janë të lidhur me shumë fije me qeverinë e me pushtetin. Frekuentimi në to është kthyer në çështje "familjeje", ku studentët derdhin paratë tek njerëzit e lidhur me qeverinë, ndërsa diploma që do të marrin me lehtësi u hap rrugën për të zënë një punë në sektorin publik. Dhe nëse është pak e vështirë të futen në punë, prapë do të japin para, meqenëse e dinë se si funksionon sistemi.  Ndërsa po ta dinë se do të punësohen vetëm në sektorin privat, atëherë do të përzgjedhin vetëm ato universitete private që me gjithë mend funksionojnë rregullisht (dhe universitete të tilla ka), ndërsa vetë universitetet do të bëhen më konkurruese duke u kujdesur të ofrojnë një produkt edukativ sa më cilësor. 
Politikat arsimore kombëtare kërkojnë që shteti ta mbrojë dhe ta nxitë arsimin publik, duke rritur kontrollin mbi cilësinë, duke sanksionuar një sistem që nxit meritokracinë dhe jo zvetënimin akademik, intelektual e moral, siç ndodh sot për fat të keq. 
Vetëm atëherë do të jetë e mundur të flitet për sukses të reformës. 
Përndryshe edhe kjo reformë e reklamuar me të madhe do të jetë një riformatim i korrupsionit dhe paralajmërim i dështimit të sigurt. 
Aristotel Spiro 

Saturday, January 31, 2015

KRIZA GREKE: EKUACIONI EVROPIAN I SOLIDARITETIT ME TË PANJOHUR HUMANIZMIN

KRIZA GREKE: EKUACIONI EVROPIAN I SOLIDARITETIT ME TË PANJOHUR HUMANIZMIN
Nga Aristotel Spiro 

Zgjedhjet parlamentare të 25 janarit 2015 janë pa dyshim ngjarja më e rëndësishme politike e Greqisë pas vitit 1974. Por ato përbëjnë gjithashtu edhe ngjarjen më të rëndësishme politike për Evropën pas krijimit të eurozonës. Pasi fituan shumicën e votave, në pushtet erdhën komunistët. Kemi, pra, një qeveri komuniste, që ftohet të qeverisë një shtet kapitalist. Aleksis Cipras, protagonisti i këtij zhvillimi me rëndësi mbarevropiane, që karrierën e vet politike e nisi si një revolucionar, ai që në zyrën e vet mban portretet e Salvador Allendes dhe Ernesto Che Guevara-s, e dinte fort mirë se revolucioni me dhunë në Greqi ishte një mision i pamundur. E vërtetuan revoltat e dhjetorit 2008, të cilat vepruan megjithatë në mënyrë katalitike për të ristrukturuar konfiguracionin politik të Greqisë, me shpërbërjen e PASOK-ut, dobësimin e Demokracisë së Re, lindjen e partive të vogla dhe sidomos fuqizimin galopant të Syriza-s. A. Cipras e braktisi Partinë Komuniste para se të inkuadrohej mirë në të (u aktivizua vetëm me Rininë Komuniste Greke), sepse e kuptoi që obsesioni pas një dogme, gërshetuar me pamundësinë e ofrimit të një perspektive zgjidhjeje politike, do të çonte në marrjen e shumta të një 5,47 % në zgjedhjet parlamentare, shifra në të cilat është mbërthyer Partia Komuniste Greke.
Klasa politike greke u tregua e paaftë për të shmangur rrënimin. Populizmi i tepruar, korrupsioni i madh, nepotizmi, klientelizmi çuan në keqmenaxhimin e fondeve dhe pasurisë kombëtare, por shpesh edhe në përvetësimin e saj nga kuadro të lartë të Pasok-ut. Reagimi elektoral ishte braktisja graduale e partive të mëdha, kryesisht e Pasok-ut, i cili në mendjen e grekëve fajësohet për shkatërrimin e ekonomisë dhe vlerave të shoqërisë greke pas rrëzimit të diktaturës dhe monarkisë më 1974. Masat shtrënguese të pesëvjeçarit të fundit i shkatërruan familjet greke, të cilat filluan të besojnë se dy partitë kryesore ishin të pafuqishme për të mbrojtur interesat e tyre. Shumica e shoqërisë nisi të mbështeste shpresat e saj tek Syriza, partia e skajit të majtë në spektrin politik të Greqisë. Pjesa më e dëshpëruar dhe më e paemancipuar u bashkua rreth skajit të djathë, partisë “Agimi i Artë”.
Revolta e shoqërisë greke në kushtet e ngushtësisë së imponuar ekonomike në shumicën dërrmuese të vet nuk ishte një reagim ndaj Evropës së Bashkuar, por një revoltë ndaj atyre forcave politike, që, megjithëse ishin përgjegjëse për zhytjen e Greqisë në krizë të thellë, megjithëse ishin konsumuar tashmë politikisht, ngulmonin të merrnin përsipër rolin e shpëtimtarëve të kombit dhe t’u bindeshin udhëzimeve të teknokratëve të Brukselit dhe Berlinit. Roli i parlamentit u reduktua në atë masë, sa thjesht miratonte masat dëshpëruese që çonin drejt thellimit të borxhit, ndërsa qeveria greke vepronte sipas udhëzimeve që trojka i dërgonte me postën elektronike (!). Në sytë e shoqërisë greke kjo përkthehej me përulje kombëtare.  
Tre vitet e qëndrimit në opozitën zyrtare e poqën politikisht z. A. Cipras, i cili e dinte se, përveç kritikës ndaj sistemit politik, duhej të përgatitej për të qeverisur në kohën më të vështirë të historisë greke të pasluftës. Duhej një ndryshim në mënyrën e qeverisjes, por edhe pragmatizëm politik. Dhe këtë e tregoi me të fituar shumicën në zgjedhjet e 25 janarit 2015. Bashkëpunoi menjëherë me një parti të vogël të djathtë, “Grekët e Pavarur”, të cilët pozicionohen kundër memorandumit dhe trojkës.
Por a do të arrijë qeveria e z. Cipras të mbajë premtimet elektorale dhe të justifikojë shpresat e elektoratit të tij? Ai u duk i vendosur natën e fitores zgjedhore, ku deklaroi në mënyrë kategorike para ithtarëve të vet, që këndonin këngën partizane “O bella ciao!”, se “Trojka nuk ka për të ardhur më në Greqi”.
Ndryshimet në strukturën e këshillit ministror dhe masat e para (p.sh., ndalimi i privatizimeve të ndërmarrjeve shtetërore, rikthimi në punë i rreth 3000 punonjësve të pushuar) janë shenjat e para se z. A. Cipras e ka shumë seriozisht. Puna e vështirë është se si do të bindë znj. A. Merkel, znj. Ch. Lagarde dhe Eurogrupin se borxhi grek duhet rishikuar.
Kemi mjaft kohë përpara që të mësojmë se si do të shkojnë ngjarjet. A rrezikon Greqia të dalë nga Euro? Askush nuk e do një zhvillim të tillë: as Greqia me qeverinë e saj, as Brukseli dhe Berlini. Por një zhvillim të tillë nuk e do as Pekini, as Uashingtoni apo Moska. Vizita e shpejtë e ambasadorit kinez tek kabineti i z. A. Cipras pa u betuar ende qeveria është tregues se kriza greke është maja e një ajsbergu me të cilin askush nuk dëshiron të përplaset.
Bashkimi Evropian e filloi rrugëtimin si një traktat ekonomik dhe menaxhimi i mirë është shenja më e sigurt se gjërat shkojnë mbarë. Por a mund të quhet i suksesshëm një plan shpëtimi, i cili thellon më tepër borxhin e Greqisë? Nuk e di nëse z. Schäuble ka për këtë një përgjigje të qartë. Kjo qasje i ngjan rrotullimit brenda një rrethi vicioz në vend të arritjes në destinacionin e duhur.
Ndërkohë që pakkush mallëngjehet nga kalvari i shoqërisë greke prej masave shtrënguese, numërohen me mijëra biznese të mbyllura, taksa të posaçme që paguhen përvit, mijëra vetëvrasje. Por Greqia e sëmurë nuk është një rast i vetëm dhe i izoluar. Është edhe Spanja, Portugalia, Italia. Kuptimi i humanizmit dhe i solidaritetit bëhet i vështirë në këtë kontekst. Këto mund të ngjajnë fjalë emocionuese, por shënojnë në të vërtetë ato vlera që duhet të përfaqësojnë Evropën. Pa to çdo statistikë ekonomike pozitive do të shoqërohej me një minus të madh.
Qeveria e z. A. Cipras ka shpallur filozofinë e daljes nga kriza nëpërmjet zhvillimin e prodhimit, vënien në eficiencë të energjive krijuese të njerëzve dhe ridiskutimit të borxhit. Ky është një ekuacion shumë i vështirë me të panjohur humanizmin, të cilin Evropa dikur e formuloi dhe tani e ka harruar, por gjithsesi mund ta zgjidhë.
A. Cipras dhe qeveria e tij erdhi për t’i dhënë Greqisë një shpresë shpëtimi dhe për t’i kujtuar Evropës humanizimin dhe solidaritetin.
Prandaj, përveç mendjeshkurtërve dhe provincialëve, askush nuk ka frikë se A. Cipras ka ndërmend të instalojë komunizmin. As evropianët, as amerikanët. Madje as kinezët.