Friday, May 8, 2026

Një studim me rëndësi për studimet albanologjike




 nga 

Aristotel Spiro

Që prej Eqrem Çabejt e deri më sot janë kryer studime të rëndësishme në historinë e gjuhës shqipe dhe veçanërisht në origjinën e gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar. Një varg autorësh shqiptarë e të huaj kanë dhënë kontribute me vlerë. Megjithëkëtë, tezat kryesore mbizotëruese kanë mbetur po ato: teza e prejardhjes ilire, teza e prejardhjes trake ose dake dhe, e treta, teza e prejardhjes iliro-trake. E para, teza e prejardhjes ilire, me argumente më të forta historike sesa gjuhësore, ka qenë teza kryesore e mbështetur nga një varg studiuesish të huaj dhe nga gjithë gjuhësia shqiptare. Glosat e pakta ilire që shpjegohen nëpërmjet shqipes i përkasin një hapësire argumentimi propozues. Në kushtet e mungesë së teksteve ilire dhe trake përpunimi i mëtejshëm i teorive së prejardhjes së shqipes i ngjan një misioni të vështirë.

Mirëpo, shkenca nuk ndalet para asnjë vështirësie. Zhvillimi i shkencave gjenetike dhe zbatimi i metodave të tyre për çështje të gjuhësisë duke bashkëvlerësuar arritjet e shkencave gjuhësore hap perspektiva të reja studimi.

Tre vitet e fundit shënojnë dy ngjarje të një rëndësie të veçantë me dy studime paradigmatike në studimin e historisë së shqipes. I pari është artikulli i botuar në revistën «Science» prej një grupi 33 autorësh (Heggarty et al. Language trees with sampled ancestors support a hybrid model for the origin of Indo-European languages. Science 381, eabg0818(2023). DOI: 10.1126/science.abg0818).

I dyti është artikulli i sapobotuar në revistën «Nature Human Behaviour» (Davranoglou, LR., Lauka, A., Aristodemou, A. et al. Ancient DNA evidence for the history of the Albanians. Nature Human Behaviour (2026). https://doi.org/10.1038/s41562-026-02462-z).

Edhe pse krejtësisht të ndryshme, të dy studimet janë të lidhur tematikisht me njëri-tjetrin. Ndërsa Heggarty (2023) paraqet një bazë të gjerë të dhënash të fjalorit bazë indoevropian, duke shmangur mospërputhjet e mëparshme në kodimin e kognantëve dhe duke zbatuar  analizën filogjenetike të mundësuar nga paraardhësia (angl. ancestry-enabled phylogenetic analysis) mbi këtë korpus, Davranoglou et al (2026), është një studim arkeogjenomik i fokusuar përjashtimisht mbi shqiptarët dhe paraardhësit e tyre biologjikë, duke përdorur ADN-në e lashtë dhe të sotme dhe pa marrë parasysh leksikun.

Duke e shtyrë shfaqjen e gjuhëve indoevropiane rreth 8000 vjet më parë, prej një atdheu zanafillës në jug të Kaukazit, të ndjekur nga një degëzim drejt veriut kah stepës, Heggarty et al (2023) e renditën gjithashtu shqipen dhe greqishten në një grup të përafërt (sister group) brenda familjes indoevropiane. Kjo e vendos atdheun e parë të shqiptarëve në truallin ballkanik, meqenëse edhe greqishtja është një gjuhë ballkanike e dëshmuar herët. Ky qëndrim është mbështetur më parë edhe nga Hyllested & Joseph (2022). Pikërisht Brian D. Joseph-i është edhe një ndër bashkautorët tek Davranoglou et al (2026).

Të dy studimet bartin vlera të larta dhe janë pika kulmore në studimin e historisë së shqipes. Por ndërsa Heggarty et al (2023) merren me shqipen në kuadrin e përgjithshëm të shpjegimit të modelit hibrid të prejardhjes së gjuhëve indoevropiane, Davranoglou et al (2026) merren posaçërisht me origjinën e shqiptarëve, duke operuar me matje të sakta. Për këtë qëllim ata kanë ndërtuar një korpus të dhënash me një vijëprerje (transekt) 4000-vjeçare përjashtimisht për truallin e Shqipërisë dhe popullsinë shqiptare, duke filluar me epokën e bronzit, duke vijuar me epokën e hekurit, periudhën romake, mesjetën e hershme, periudhën pas mesjetës, për të mbërritur deri tek shqiptarët e sotëm. Ata shqyrtojnë gjithashtu 22 gjedhe të lashta nga Shqipëria, 74 shqiptarë të sotëm të vijimësuar (sekuencuar) rishtazi nga të gjitha grupet dialektore (gegë e toskë) dhe gjedhe të lashta të datuara me saktësi. Për të mos e kufizuar krahasimin vetëm ndër shqiptarë, ata zbatojnë një metodë të sigurt duke përfshirë gjithë Ballkanin në periudha të ndryshme historike.

Nëpërmjet analizës së përbërësve parësorë (PCA - Principal Component Analysis) autorët kanë mundur t’i vizualizojnë popullsitë mbi një «hartë gjenetike», ku grupet me ngjashmëri biologjike më të madhe janë më afër njëri-tjetrit. Kështu, ata kanë konstatuar se gjedhet e Shqipërisë së epokës së bronzit/hekurit, gjedhet mesjetare shqiptare dhe shqiptarët e sotëm  grupohen shumë afër njëri-tjetrit, çka sugjeron vijimësi dhe jo zëvendësim popullsie.

Modelimi i përzierjes ose admiksimit (qpAdm) është ndoshta metoda më e rëndësishme që autorët përdorin. Nëpërmjet saj ata përpiqen të llogarisin prej cilave popullsi burimore rrjedh një popullsi tjetër dhe në çfarë përqindjesh. Kështu, ata i modeluan shqiptarët e sotëm si përzierje të popullsive paleoballkanike të Ballkanit Perëndimor, të përbërësve anatolianë, të përbërësve sllavë të Evropës Lindore. Përfundimi i tyre kryesor ishte se shqiptarët ruajnë një përbërës shumë të madh të lidhur me Ballkanin Perëndimor të epokës së bronzit/hekurit. Kjo lejon të flitet për një vijimësi me botën ilire.

Pjesa më e fortë e studimit dhe që ka rëndësi të veçantë për studimet albanologjike është pa dyshim analiza e identitetit sipas prejardhjes (IBD - Identity By Descent). Kjo analizë hulumton segmente të gjata ADN-je të trashëguara nga paraardhës të përbashkët relativisht të afërt. Për krahasimin e individëve të lashtë me ata të sotëm autorët kanë përdorur një version të optimizuar (ancIBD). Studimi tregoi se gjedhet shqiptare mesjetare (shek. VIII–X) ndajnë segmente të mëdha IBD me gegët dhe toskët e sotëm. Kjo çon me siguri  në përfundimin se shqiptarët e sotëm nuk janë një popullsi e ardhur vonë, por janë pasardhës të drejtpërdrejtë të popullsive që jetonin në Shqipëri gjatë mesjetës së hershme.

Megjithatë, autorët nuk janë mjaftuar me krahasimin e brendshëm. Ata e kanë shtrirë krahasimin e shqiptarëve me kroatët, serbët, malazezët, maqedonasit, bullgarët dhe grekët. Nga ky krahasim del se shumë popullsi të Ballkanit pësuan zhvendosje të fortë drejt përbërësit sllav, ndërsa Shqipëria ka ruajtur më shumë vijimësi me Ballkanin Perëndimor të epokës së hekurit. Për këtë arsye ata e kanë quajtur Shqipërinë «strehë» («refugium») të prejardhjes së Ballkanit Perëndimor.

Autorët janë shumë të kujdesshëm në vështrim të formulimeve me përmbajtje gjuhësore. Ata nuk marrin përsipër të provojnë drejtpërdrejt se gjuha shqipe është e barabartë me ilirishten. Nuk identifikojnë gjetiu ndonjë «gjen ilir» dhe nuk provojnë një homogjenitet etnik. Ata nuk përjashtojnë ndikime trake, dake apo ndikime të tjera paleoballkanike. Pranojnë, mandej, se shqiptarët mund të kenë lidhje edhe me zona të Ballkanit Qendror dhe se protoshqipja ka të ngjarë të jetë formuar në një hapësirë më të gjerë Shqipëri - Kosovë - Serbi jugore - Maqedoni e Veriut.

Studimi tregohet shumë i kujdesshëm në përdorimin e termit «ilir». Autorët theksojnë vazhdimisht se emërtime si «ilir», «trak» apo «dak» janë kategori historike dhe kulturore të paqarta dhe nuk duhen vështruar si entitete biologjike të pastra. Ata pohojnë se popullsia e Shqipërisë së epokës së hekurit është e lidhur arkeologjikisht me botën ilire dhe ka vijimësi të fortë me shqiptarët e sotëm. Ky pohim mbështet tezën e prejardhjes ilire të shqiptarëve. Sidoqoftë, autorët nuk bëjnë fjalë për ndonjë «ADN ilire», duke theksuar se ilirët nuk janë kategori biologjike e pastër. Vetë termi «ilir» është konstrukt historik dhe kulturor, ndërsa kufijtë gjuhësorë të ilirishtes nuk dihen saktësisht.

Ata nuk e pranojnë teorinë e një ardhjeje të vonë, meqenëse përfundimet i nxjerrin  shqiptarët e sotëm të lidhur ngushtë me gjedhet shqiptare mesjetare. Këto gjedhe mesjetare lidhen me popullsitë e Ballkanit Perëndimor dhe kjo vijimësi ekziston para dokumentimit historik të shqiptarëve. Për këtë arsye thuhet se nuk ka asnjë shenjë që ndonjë popullsi e madhe të jetë zëvendësuar pas shek. VII, as se ka lëvizur masivisht më vonë ndonjë popullsi nga lindja.

Argumentet gjuhësore historike përdoren si një kuadër shpjegues për përfundimet gjenetike. Autorët nisen nga fakti se shqipja është degë më vete e familjes indoevropiane, e cila ka mbijetuar, së bashku me greqishten, nga gjuhët e vjetra ballkanike. Kjo krijon një përputhje domethënëse. Nëse shqiptarët e sotëm kanë vijimësi biologjike me Ballkanin Perëndimor të epokës së hekurit dhe shqipja është gjuhë e Ballkanit të lashtë, atëherë del që bartësit e kësaj vijimësie biologjike të kenë qenë edhe bartësit e protoshqipes ose të një gjuhe pararendëse të saj.

Autorët përdorin gjithashtu teoritë gjuhësore ekzistuese, hipotezën ilire, hipotezën mesape dhe hipotezën dako-trake, por si modele që mund të testohen në mënyrë të tërthortë përmes gjenetikës. Nëse shqipja do të kishte ardhur në Shqipëri përmes një lëvizjeje të vonë popullsish nga lindja, atëherë do të pritej një zhvendosje shumë më e fortë gjenetike drejt Ballkanit Lindor. Por përfundimet dëshmojnë pikërisht të kundërtën: vijimësi të fortë me Ballkanin Perëndimor.

Një nga përdorimet më interesante të gjuhësisë në studim lidhet me ndarjen gegë dhe toskë. Autorët mbështeten në argumentet e dialektologjisë historike, sipas të cilave ndarja mes dy dialekteve kryesore të shqipes ka ndodhur para ose gjatë kontakteve të hershme shqiptaro-sllave. Kjo do të thotë se protoshqiptarët kanë qenë të pranishëm në Ballkanin Perëndimor para shek. VI - VIII. Analizat e identitetit sipas prejardhjes (IBD) tregojnë se gjedhet shqiptare mesjetare lidhen drejtpërdrejt me gegët dhe toskët e sotëm, gjë që i pajton faktet gjenetike me argumentet gjuhësore.

Davranoglou et al (2026) japin dëshmi të drejtpërdrejta të vijimësisë së shqiptarëve. Ata ofrojnë dëshmi të prekshme, si ajo e dy individëve mesjetarë nga Shtika dhe Këneta (shek. VIII - X), që ndajnë segmente shumë të mëdha IBD me shqiptarët e sotëm. Kjo është lidhje gjenealogjike e matshme. Siç thuhet në studim, ky fakt «ofron dëshmi bindëse se të gjithë shqiptarët e sotëm rrjedhin drejtpërdrejt nga popullsitë autoktone që jetonin si në veri ashtu edhe në jug të Shqipërisë mbi 1200 vjet më parë.»

Studiuesit marrin parasysh edhe përzierjet (admiksimin) e popullsisë vendase me popullsitë e tjera. Ata zbulojnë se kjo përzierje është mesatarisht 10 % - 20% autozomale, domethënë shumë më e vogël se ajo e popullsive fqinje (kroatët arrijnë në shifrat 75% - 86%, serbët 65%, maqedonasit 40%), ndërsa gjeografikisht është e strukturuar kështu: më e lartë për kah kufiri malazez dhe Kosova, dhe më e ulët në jug.

Një gjetje plotësisht origjinale, që nuk ka shoqe në asnjë studim tjetër që njohim, është se protoshqiptarët rrjedhin nga një popullsi prej rreth 8000-11000 vetash. Kjo është një shifër që shpjegon njëkohësisht izolimin gjuhësor relativ të shqipes (kontakt të kufizuar me gjuhët fqinje gjatë periudhave dramatike të asimilimit dhe zhdukjes) dhe qëndresën ndaj asimilimit gjenetik dhe zhdukjes së gjuhës shqipe. Vendi i këtij izolimi, që përbën njëkohësisht edhe atdheun e parë të shqiptarëve, sipas grupit të autorëve, është hapësira Mat, Martanesh, Dibër, Mirditë, Kosovë jugperëndimore, pjesa e Maqedonisë së Veriut. Ky përfundim, në të cilin autorët mbërrijnë në nëpërmjet rrugës krejtësisht të pavarur të arkeogjenomikës, vërteton në mënyrë panegjirike përfundimet në të cilat kishte mbërritur prej kohësh Georg Stadtmüller-i, i cili e vendoste atdheun e lashtë të shqiptarëve diku në kufirin midis latinishtes dhe greqishtes, afër krahinës së Matit.

E gjitha kjo nuk do të ishte e mundur pa një bashkëpunim të ngushtë ndërdisiplinor. Forca e këtij studimi qëndron pikërisht tek fakti se asnjë disiplinë nuk vepron e vetme. Gjenetika identifikon vijimësinë biologjike. Paleogjenetistët janë marrë me përpunimin e gjenomeve të lashta, me vijimësimin (sekuencimin) e ADN-së, analizat statistikore, analizat PCA, qpAdm, analizat e haplogrupeve Y-DNA dhe mtDNA, modelimin demografik. Arkeologët dhe historianët siguruan kronologjinë, kontekstin kulturor dhe interpretimin historik të gjedheve. Ata kanë bërë interpretimin historiko-arkeologjik të botës ilire, të tumave të Shkodrës, të migrimeve avare, të rrjeteve adriatike, gjë që nuk mund ta bënin gjenomatistët. Gjuhëtarët historikë dhe indoevropianistët ndihmuan në formulimin e skenarëve gjuhësorë, në kronologjinë relative të proceseve, në identifikimin e kontakteve gjuhësore dhe vijimësisë dhe në shmangien e identifikimeve naive midis ADN-së dhe gjuhës. Gërshetimi i gjithë këtyre disiplinave dhe bashkëpunimi i bashkautorëve çoi në krijimin e një modeli shpjegues koherent. Përfundimi kryesor i studimit është se shqiptarët e sotëm përfaqësojnë vijimësinë më të fortë të njohur deri tani të një popullsie paleoballkanike perëndimore që ka mbijetuar në Shqipëri duke filluar nga epoka e hekurit, pastaj në mesjetën e hershme dhe deri në ditët tona.

Në grupin e autorëve merr pjesë edhe indoevropianisti, helenisti dhe albanologu i shquar Brian D. Joseph, roli i të cilit vlerësohet veçanërisht i rëndësishëm në interpretimin e hipotezave gjuhësore dhe në vendosjen e kufijve metodologjikë të interpretimit. Po ashtu, studiues shqiptarë si Ardian Muhaj, Ilia Mikerezi, Alban Lauka dhe Gjergj Bojaxhi kanë kontribuuar me njohjen e historisë dhe kontekstit vendas.

Shkenca e gjenom(at)ikës ka lindur nga vitet 80 të shekullit të kaluar. Është me një fjalë, një shkencë relativisht e re. Është meritë e këtij grupi të mrekullueshëm studiuesish që bashkuan forcat e tyre intelektuale dhe hulumtuese duke i vënë në shërbim të një problemi që ka qenë gjithmonë i shtruar në tavolinën e albanologjisë. Teza e prejardhjes ilire të shqipes, një tezë që ka qenë përkrahur me argumente të forta nga studiuesit shqiptarë dhe studiues të huaj, ka tani një mbështetje të fuqishme me argumente të pakundërshtueshme, të provuara me saktësi laboratorike.

Ky studim ka një rëndësi të veçantë për studimet albanologjike, sepse për herë të parë mund të flitet me siguri për vijimësinë iliro-shqiptare. Prandaj do ta konsideroja si lajm të madh shkencor për albanologjinë. Ky lajm vjen nga një studim shkencor që nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me shkencat shoqërore, aq më pak me shkencat albanologjike. Madje, sipas dijenisë sonë, drejtuesi i grupit të autorëve është entomolog, që merret me gjenom(at)ikën e insekteve. Kjo ia shton besueshmërinë studimit, duke e bërë asnjanës ndaj ndjeshmërive kombëtare.

Disa çështje kryesore të albanologjisë dhe gjuhësisë historike, që ishin përfundim deduksionesh dhe argumentesh të tërthorta, si për shembull, origjina ilire e shqipes, djepi i formimit të kombit shqiptar, tani nuk përbëjnë më hipoteza, por janë teza dhe teori. Në këtë vështrim, shkencat albanologjike janë bamirësuar dyfish: së pari, kanë fituar një argument të padiskutueshëm teorik mbështetës nga një disiplinë e saktë shkencore si gjenom(at)ika dhe, së dyti, janë çliruar nga paragjykimet dhe vetëparagjykimet për mbështetjen e një teorie në thelb të drejtë, por praktikisht të pavërtetueshme plotësisht me mjetet gjuhësore në dispozicion. Një rrjedhim i drejtpërdrejtë i këtij studimi është edhe ndriçimi i opinionit të gjerë dhe sidomos i disa mediave të papërgjegjshme, të cilat janë mësuar të flirtojnë me përralla pellazgologjike që ushqejnë injorancën dhe vulgaritetin.

Sidoqoftë, edhe pas këtij studimi çështjet e historisë së gjuhës shqipe nuk mund të konsiderohet të zgjidhura. Objekti i saj i studimit ka të njëjtën agjendë shkencore dhe çështjet e pazgjidhura të gjuhës do të zgjidhen me mjete dhe argumente gjuhësore.

Ky studim gjenom(at)ik shërben si një dritë sigurie që ndriçon «gollet» e historisë, që brengosnin gjuhëtarin e shquar Eqrem Çabej. Ky studim tregon mandej, rëndësinë e projekteve ndërdisiplinare. Pjesëmarrja edhe e autorëve shqiptarë në të dëshmon se ekzistojnë të gjitha premisat dhe potenciali i mjaftueshëm akademik, të cilin organet shtetërore duhet ta inkurajojnë në projekte të kësaj natyre.

 

Referenca:

Davranoglou, LR., Lauka, A., Aristodemou, A. et al. Ancient DNA evidence for the history of the Albanians. Nature Human Behaviour (2026). https://doi.org/10.1038/s41562-026-02462-z

Heggarty et al. Language trees with sampled ancestors support a hybrid model for the origin of Indo-European languages. Science 381, eabg0818(2023). DOI: 10.1126/science.abg0818

Hyllested, Adam; Joseph, Brian D. 2022. Albanian. In: Olander, Thomas, ed. (2022). The Indo-European Language Family: A Phylogenetic Perspective. Cambridge University Press. 223-245. DOI:10.1017/9781108758666

Stadtmüller Georg. 1966. Forschungen zur albanischen Frühgeschichte (= Albanische Forschungen. Band 2). 2., erweiterte Auflage, Harrassowitz, Wiesbaden.

Vehbiu, Ardian, 2025. Gjenetika për etnogjenezën shqiptare. Disa pak komente të miat. Menditime. 05 shtator 2025. https://ardianvehbiu.substack.com/p/gjenetika-per-etnogjenezen-shqiptare 


 

   

Monday, April 13, 2026

Një stuhi e vogël në një gotë uji



nga 

Aristotel Spiro 

Deklaratat refuzuese ndaj gjuhës së përbashkët shqipe nga një deputete e Kuvendit të Shqipërisë mund të interpretoheshin si një shpërfaqje spontane mendimesh për ligjërimin e popullit. Mirëpo, nga mënyra se si u bënë, ato janë deklarata politike në kuptimin e plotë të fjalës. Po aq politik është edhe vendimi për të folur në dialekt si një përpjekje për ta sfiduar standardin. Nëse ti bën me vetëdije një zgjedhje gjuhësore për të krijuar efekt publik dhe për të shkaktuar reagim, atëherë ke kryer një akt politik. Në të vërtetë, ligjërata publike e çdo deputeti është nga natyra politike. 

Çështja është se ky pozicionim vjen me një vonesë që nuk duket aspak elegante. Është vonesa e një aktori që ka hyrë në skenë kur shfaqja ka mbaruar, dritat në sallë janë fikur dhe spektatorët janë shpërndarë. Përpjekja për të rihapur një çështje që prej kohësh konsiderohet e mbyllur prodhon një ligjëratë shterpë. 

Kjo ndodh sepse argumentet nuk burojnë nga një njohje e brendshme e ligjëratës publike mbi standardin, por nga një përthithje fragmentare e bisedave në kafet e lagjes dhe e perceptimeve të mjegullta mbi dialektet. Në këtë tablo mungon koncepti thelbësor i laryshisë gjuhësore: folësi i një gjuhe nuk është i dënuar të zgjedhë vetëm një formë të saj. Ai lëviz mes regjistrave, mes varianteve, mes kodeve dhe këtë e bën me një natyrshmëri, që nuk është nevoja që të shpallet ideologjikisht. 

Në këtë sfond, përpjekja për ta vënë gegërishten përballë standardit i ngjan më shumë një teatri. Kemi të bëjmë me një konflikt të sajuar, sepse në të vërtetë askush nuk ua ka mohuar vlerat dialekteve. As veriu, as jugu nuk kanë nevojë për një «mbrojtje» të tillë teatrale. Kemi gjoja një mbrojtje të dialektit gegë, por që përbën një sulm ndaj gjuhës së përbashkët. Ky agresivitet krijon probleme kur nyjëtohet prej dikujt që flet në emër të të tjerëve. 

Është edhe më interesante që ky lloj debati na rikthehet me flamurin e zbulimit, sikur po thuhet diçka që nuk është thënë më parë. Në të vërtetë, shumë nga këto çështje janë diskutuar gjatë dhe gjerë, sidomos në vitet ’90, kur ligjërimi publik hoqi vargonjtë e censurës. Sot, rikthimi i këtyre çështjeve ka diçka anakronike. Është si të ngresh një pyetje që ka marrë përgjigje dhe të presësh që ajo të tingëllojë sërish si enigmë. 

Në këtë kuptim, kemi të bëjmë më pak me një debat dhe më shumë me një përpjekje për të prodhuar vëmendje. Statusi i përfaqësuesit të popullit shndërrohet në një amplifikues, por në këtë rast për t'u fryrë çështjeve që nuk qëndrojnë më si probleme. Dhe ndërkohë që elektorati përballet me çështje konkrete, shpesh urgjente, përfaqësuesi i tij merret me polemika teorike pa përgatitjen e nevojshme. Është mënyra më e lehtë për ta zhvendosur vëmendjen.

Nëse kjo ngjan si diçka e njohur, nuk është rastësi. Ligjërimi publik ndër shqiptarë ka traditë në rigjallërimin e tezave të vjetra, sidomos kur ato shoqërohen me ngarkesa dhe emocione. Mjafton të kujtojmë historinë e «teorisë pellazgjike», e cila në shekullin XIX pati një funksion të qartë ideologjik dhe mobilizues. Figura si Johann Georg von Hahn, Nikollë Keta, Engjëll Mashi, Jeronim de Rada, Zef Krispi, Vinçens Dorsa, Naim dhe Sami Frashëri e të tjerë e përdorën atë në një kontekst ku ndërtimi i identitetit kombëtar kërkonte narrativa të fuqishme. Por çka ishte atëherë mjet ideologjik, sot është thjesht një relike. Shkenca e gjuhësisë ka ecur përpara. «Pellazgologjia» ka mbetur pas, kryesisht në shoqërinë e entuziastëve që e trajtojnë etimologjinë si sport improvizimi.

Ky paralelizëm nuk është i rastësishëm. Ligjëratat që ushqehen nga keqkuptimet, thjeshtimet dhe dëshira për efekt të menjëhershëm shpesh ecin në të njëjtin drejtim, edhe kur duket se janë të ndryshme. Ato krijojnë iluzionin e një vije të drejtë ideologjike, ndërkohë që në të vërtetë lëvizin në një trajektore të shtrembër, ku faktet dhe interpretimet ndërrojnë vendet sipas nevojave të rastit. 

Çka mbetet nga kjo stuhi e vogël në një gotë uji është një keqkuptim i dyfishtë. Njëri keqkuptim lidhet mbi natyrën e gjuhës, ndërsa tjetri me rolin e përfaqësimit publik. Gjuha e përbashkët nuk është as armik për t’u rrëzuar, as monument për t’u adhuruar. Nuk ka nevojë të jetë asgjë nga këto. Ajo është një mjet i çmuar që i bashkon folësit në një hapësirë të përbashkët komunikimi. Dialektet, nga ana e tyre, nuk qëndrojnë përballë saj, por janë pjesë e të njëjtit organizëm gjuhësor, ku bën pjesë edhe vetë standardi. Në vend të kundërvënieve të sajuara, çka kërkohet është njohja. Le ta studiojmë këtë trup për ta kuptuar në tërësinë e tij. Le ta njohim, ta flasim dhe ta shkruajmë më mirë standardin, por njëkohësisht të njohim edhe dialektet, e veçanërisht gegërishten, me gjithë pasurinë e saj dhe me traditën letrare që mbart.




Saturday, January 17, 2026

KAKOFONIA RRETH “FJALORIT TË MADH TË GJUHËS SHQIPE”

 

nga


Aristotel Spiro 


Publikimi online i “Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe” po shoqërohet, për fat të keq, me reagime të përziera nga një pjesë e publikut, reagime që shpesh dalin përtej kritikës së arsyeshme dhe shndërrohen në ligjërata emocionale, akuzuese, joprofesionale. Në vend që kjo ngjarje të përshëndetej si një arritje e rëndësishme e leksikografisë shqiptare dhe si një hap i madh drejt demokratizimit të dijes gjuhësore, në oqeanin e komunikimit elektronik dhe më tej shfaqen dallgë dyshimi, mohimi dhe polemikash të cekëta. 

Krahas këtyre reagimeve, një numër dashamirësish të “Fjalorit”, studiues, intelektualë dhe qytetarë të ndërgjegjshëm, po mbajnë një qëndrim mbrojtës, shpeshherë apologjetik, si në shtyp ashtu edhe në rrjetet sociale. Ky qëndrim, për mendimin tim, përveçse akt dashamirës në mbrojtje të një vepre konkrete, mund të interpretohet edhe si një shenjë e pozitës gjithnjë e më të pafavorshme që është e detyruar të zërë dija në kohën e revanshit të padijes dhe mediokritetit. Sot, çdo individ, pavarësisht kompetencës së tij profesionale, ndihet i sigurt që të ketë një opinion gjykues dhe të prononcohet për çështje që shkojnë dukshëm përtej fushës së njohurive të tij. 

Kjo dukuri, që mund të etiketohej si një lloj “kundërrevolucioni leksikografik” në mediat sociale, vjen në një moment krize të thellë të shoqërisë shqiptare, ku mendimi intelektual është vënë në syrin e ciklonit. Banaliteti dhe injoranca, që kanë pushtuar jo vetëm rrjetet sociale, por edhe një pjesë të konsiderueshme studiosh televizive, kërkojnë të shfaqen si protagonistë, duke iu kundërvënë dijes dhe argumentit me zhurmë dhe insinuata.

Është vërtet e trishtueshme që, në vend të një reagimi përshëndetës ndaj publikimit online të “Fjalorit”, shfaqen ligjërata konspirative dhe akuza të pabazuara në hapësirën e turbullt të komunikimit elektronik. Për mendimin tim, kjo dukuri nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me vetë Fjalorin, por pasqyron, nga njëra anë, rrënimin e ndërgjegjes shoqërore dhe krizën e vlerave të shoqërisë shqiptare dhe, nga ana tjetër, një mosbesim të thellë ndaj institucioneve akademike dhe autoritetit shkencor.

Ky mjerim i ndërgjegjes shoqërore ka vite që manifestohet në ligjëratën publike përmes kultivimit të miteve pseudoshkencore, si ai i origjinës pellazge, ku një ushtri gjysmëanalfabetësh, të organizuar në grupe virtuale, aktivizojnë fjalorin më banal për të “mbrojtur” lashtësinë e popullit shqiptar, duke akuzuar njëkohësisht studiuesit e gjuhës shqipe për tradhti apo fshehje të së vërtetës. Në këtë proces, disa moderatorë dhe drejtues emisionesh televizive, të paaftë ose indiferentë ndaj përgjegjësisë publike, i japin hapësirë injorancës dhe e shndërrojnë atë në zbavitje mediatike, në një mënyrë që të kujton argëtimin e dikurshëm me të sëmurët mendorë në fshatrat e prapambetur.

Kjo klimë krijon një precedent të rrezikshëm dyshimi ndaj klasës intelektuale dhe studiuesve, të cilët vihen sistematikisht në shënjestër të pseudoatdhetarëve me prirje proletkultiste. Situata përkeqësohet më tej nga kriza që po përjeton sistemi universitar dhe bashkësia shkencore në përgjithësi, si pjesë e krizës së gjatë shoqërore të tranzicionit, e shoqëruar me mbështetje të pamjaftueshme nga politika dhe qeveritë e deritanishme, si dhe me nxitjen e praktikave klienteliste përmes favorizimit të arsimit privat. 

Megjithatë, pikërisht në këto kushte të pafavorshme arrin të realizohet “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe”, një projekt madhor i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Vetë ekzistenca e këtij botimi thyen narrativën dyshuese ndaj bashkësisë akademike dhe dëshmon se, me mbështetjen e duhur, kapacitetet shkencore të vendit janë të afta të përfundojnë vepra themelore jo vetëm si ky Fjalor, por edhe projekte të tjera madhore si “Enciklopedia Shqiptare” dhe “Historia e Popullit Shqiptar”, që janë aktualisht duke u përgatitur.

Në këtë kuptim, kakofonia rreth “Fjalorit” del përtej kornizave të një debati leksikografik. Ajo është një pasqyrë e qartë e betejës më të gjerë mes dijes dhe kundërdijes, mes mendimit kritik dhe zhurmës populiste, betejë që shoqëria shqiptare duhet ta përballojë me seriozitet, nëse synon të ruajë dinjitetin e saj intelektual.