Thursday, October 24, 2019

XHA ...IDHI






XHA ...IDHI

nga 

Aristotel Spiro 

Njeriu dëgjon lloj-lloj bisedash kur ndodhet në një hapësirë publike, atje ku zot është askushi dhe ka vend për të gjithë. Biseda me tema nga më të larmishmet, që nga ndeshja e djeshme e futbollit, lëvizjet taktike më të fundit të opozitës, drejtimet e kulinarisë vegjetariane, dietat e dobësimit e deri tek marrëdhëniet me vjehrrën e kunatat.

I ndodhur në mjedise të tilla, përpiqem të zgjoj instiktivisht intuitën time gjuhësore për të kuptuar përvojat ligjërimore të folësve: prejardhjen krahinore, shkollimin, udhëtimet, njohuritë për gjuhët e huaja...

Një situatë të ngjashme po ndiqja në një aeroport të Evropës duke pritur tek salla e daljes fluturimin për në Tiranë. Dy zonja energjike me veshje të hijshme, me syze dielli zhvendosur mbi flokë, po bisedonin tërë pasion. E kuptova menjëherë që njëra jetonte në Itali dhe tjetra në Greqi, sepse, jo vetëm që po diskutonin për politikat integruese të këtyre dy vendeve, por edhe melodika e frazës së secilës ndryshonte. Në mes të breshërive intonative të emigrantes së Italisë dëgjova disa herë fjalën “xha”, ndërsa bashkëbiseduesja e saj emigrante në Greqi bënte ca lëvizje të lehta e të pashpresa koke, ngaqë dukej qartë se nuk arrinte të kuptonte disa fjalë.

Italia e ka aprovuar xha ligjin e shtetësisë, - tha ndër të tjera “zonja e Italisë”.

Por “xha”-ja kaloi rrëshqanthi nga receptorët kuptimorë të zonjës “greke”, duke rënë nëpër vrimat e zeza semantike.

Pastaj biseda mori tjetër drejtim për nga problemet më vetjake dhe në kohën që bëhesha gati të mbaja një largësi më diskrete, pikërisht në atë moment dëgjova zonjën “greke” të thoshte atë që mund të quhej gjuhësisht “hakmarrja” e saj ligjërimore:

- Ari im e ka një vajzë ...idhi.
- Kush??? – reagoi instiktivisht “italiania”.
- Djali im, Ari, - tha “grekja” që nuk arrinte të kuptonte bashkëbiseduesen.

Tjetra nuk e zgjati më.

Në fakt, historia e vogël ishte krijuar tashmë pa dijeninë e dy zonjave. E për këtë shërbenin ato dy fjalë të vogla, njëra italisht e tjetra greqisht: “xha”-ja dhe ...“idhi”.

Janë ato dy fjalë të vogla, por që ia vënë kapakun kohor një veprimi të së shkuarës, duke e vendosur në një largësi gati arkivuese veprimin.

L’ ho gi
à fatto = E kam bërë xha...

Το έχω δοκιμάσει ήδη = E kam provuar idhi...

Cili është ai shkak që “xha”-ja dhe “idhi” ngulen në mendjen e atyre folësve dhe nyjëtohet me aq siguri? Dhe si shpjegohet ndjenja e një lehtësie çliruese me të thënë këto fjalë? Mos është kënaqësia e një triumfi vetëklasifikues shoqëror nëpërmjet të folurit apo thjesht kënaqësia shpirtërore e të shpëtuarit nga makthi i moskuptimit?

Mund të jenë të gjitha këto ose asgjë. Por është e sigurt se jeta e tyre nëpër mjediset e huaja folëse u ka zhvilluar disa sjellje e mënyra të reja të menduari që gjuhësisht shprehen vetëm në gjuhët vendase e nuk ndryshojnë, sado që të lëvizin në shtete me gjuhë të tjera, qoftë edhe në dheun mëmë, në Shqipëri.

Janë këto fjalë që bëhen pjesë përshkruese e instikteve tona të kushtëzuara, por të nyjëtuara në mjediset folëse të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë Veriore, fitojnë pak nga pak edhe një vlerë klasifikuese të statusit të mëtuar shoqëror të përdoruesve. Ashtu si marka më e re e një celulari të zgjuar.

Kjo nuk është një dukuri e re. Të ndodhur mes gjuhësh të tjera, të mëdha e të vogla, shqiptarëve u është dashur të flasin vazhdimisht edhe një gjuhë tjetër veç gjuhës së tyre. E bashkë me gjuhët, kur ktheheshin në atdhe, sillnin me vete edhe ato fjalë më të shpeshta që dëgjonin e përdornin nëpër viset e mërgimit: fjalë italisht, greqisht, serbisht etj. Të kënaqur për epërsinë ekonomike dhe shoqërore siguruar nga përvoja mërguese, këto fjalë i përdornin edhe si një mjet imponimi të statusit të tyre të mëtuar. Nënteksti ishte i qartë: ne i përkasim kulturalisht një rangu më të lartë.

Përdorimi snob i fjalës “xha” (it. già) është i njohur që prej fillimeve të shekullit të kaluar. E fshikullon në një vjershë të vetën Luigj Gurakuqi:

Ma jena già mërzit; ktu as dreqi s’rri;
   hala jan’ rozzi ed empi;
nder vende tjera kem, la Dieu merci,
   shum qefe e passatempi.


Vjersha e L. Gurakuqit duket sikur është shkruar dje, kaq shumë i përshtatet realitetit të sotëm shqiptar. Ajo u referohet edhe nënteksteve shoqërore të përdorimit të qëllimshëm të fjalëve të huaja, por shpreh edhe qëndrimin mospajtues të autorit, i cili jep sugjerime dhe kritere për përdorimin e fjalëve të huaja. Ia vlen që të citojmë si përmbyllje 5-6 strofa të tjera të kësaj vjershe: 


S’po flasim per buon giorno e buna sera,
   kto fjalë i ndijmë pa da:
do m’u përshndetë thonë tash deri kali imera,
   guttmorgen herren disa.


Pra ju, shqiptar’t e ri pade m’diftoni
   ku e zut ket far’ njerziet
qi mbaheni si t’ardhun nga Londoni,
   prej Francës o prej Austriet?

Kjetë ndoshta der n’Triesht’ o n’Dobrovnik,
   der n’Vjenë o der n’Trebinë,
o shkuet n’Ismir, n’Paris o n’Venedik,
   o der n’t’ vorfnën Cetinë

e meiherë ndrruet, meiherë filluet me thanë
   që na s’kemi njerzi;
qi s’nderojmë gratë, që dorën s’dijnë me e dhanë,
   që s’dijmë me ndejë n’shoqni!

Une pra kam sa dit qi rri n’dhe t’huej
   e s’mundem me e zanë besë
qi t’jenë njerzi kto punë; qi i thrras, n’gjuhë tuej;
   afectée politesse.

T’kqyrim, gjithsa mendohna, për Atdhe,
   mos m’e marrue Shqipninë;
t’marrim prej tjerve çka t’jenë mirë për ne
   e t’lamë m’njen’ anë teprinë. 


L. Gurakuqi, pra, nuk është mohues ndaj kulturave të huaja. Përkundrazi, është pranues ndaj çdo elementi të domosdoshëm, por gjithmonë duke ruajtur dinjitetin.

Sot XHA-ja tenton të bëhet shënuese e një sjelljeje intelektualiste snobuese jo vetëm ndër emigrantët, por bash në qendër të Tiranës, si element i një lloj mode ligjërimore të kafeve të Bllokut. Nga kjo pikëpamje kjo fjalë italiane mund të ndihet më me fat se IDHI grek, që kufizohet vetëm ndër emigrantët që jetojnë në Greqi.

Pas epokës së palavdishme të purizmit gjuhësor, që u nxit nga laboratorët anakronikë institucionalë të Shqipërisë socialiste, kjo prirje e tanishme ndoshta vjen si një reagim ndaj saj.

Por shqipja e paska një fjalë që u përgjigjet si kuptimisht ashtu edhe funksionalisht xha-së italiane dhe idhi-t grek. Është e mirënjohura tashmë (ose tanimë) që mund të përdoren pa rrezikuar aspak pozitën sociale të çdokujt që flet shqip. Përkundrazi, mund të bëhej kjo një modë ligjërimore.

Pasojat dramatike të izolimit komunist lanë vrraga të thella në mendësinë e njerëzve deri në atë masë sa degramatikalizuan apo desemantizuan edhe disa nocione kohore, të lokalizueshme megjithatë andej-këtej nëpër dialekte e të folme (si, p.sh. tash, tash sa kohë etj.).

Për t’i shprehur këto nocione nuk ka nevojë të thërrasim për ndihmë fjalët e huaja, nëse përkatëset e tyre ekzistojnë tashmë në gjuhën shqipe. Mund të udhëtojmë të qetë drejt Tiranës, apo mund ta pimë kafen paqësisht në Bllok (dhe gjithkund) duke i lënë në vendin e tyre si xha-në ashtu edhe ... idhi-n.

© Aristotel Spiro 

© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi vetëm në shtypin elektronik me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”

Friday, September 27, 2019

UNIVERSITET PRIVAT APO UNIVERSITET JOPUBLIK?



UNIVERSITET PRIVAT APO UNIVERSITET JOPUBLIK?¹

nga 

Aristotel Spiro

Ligji për reformën e arsimit të lartë përbën tashmë një dështim spektakolar. Ai nuk arriti të zgjidhë një nga problemet më të mprehta, që ka marrë trajtat e një epidemie vdekjeprurëse, siç është plagjiarizmi. 
Por ky ligj nuk arriti të na zgjidhë as problemet terminologjike të emërtimit të institucioneve të larta të vendit. Një mori e paparë dhe e padëgjuar emërtimesh me bishta përcaktorësh që përshkruajnë shkolla të larta jopublike ose private ngulmojnë të zënë vendin e tyre në semiologjinë e përditshme të jetës sonë. Kërkojnë një kënd sigurie sado të vogël në ndërgjegjen e bombarduar të shoqërisë së sotme shqiptare.
Një shpurë e çrregullt zengjinësh të rinj të etur e të uritur, të dehur nga era e lirisë, iu futën secili me mënyrën e vet krijimit të një rrëfenje pasurimi të pandalshëm. Duke kapërcyer me të shpejtë dallime shoqërore e kulturore e duke ngushtuar hendeqe etike, me prakticitetin e tyre neutralizues, nuk patën kohë të mendojnë për çikërrima detajesh semiologjike.
Kështu hyri në jetën tonë të përditshme universiteti privat dhe shkolla jopublike. Kaq e thjeshtë. Në tapetin e trashë të arsimit privat po parakalojnë tashmë me të njëjtin shkëlqim dy tipa pronarësh të rinj: profesori i dikurshëm me tituj e grada dhe ish-trafikanti investitor.  
Janë këta që përcaktojnë estetikën e re të së ardhmes. Janë këta që sjellin risitë, sfidues të çdo trashëgimie të pranuar a të dyshuar, rrëzues vlerash e jovlerash, krijues standardesh kryeneçe, propozues sjelljesh të pastandardizueshme, "farkëtuar" në ideologjinë e mohimit të së vjetrës.
Janë këta një gjedhe e re shoqërore, përhapur e shtrirë në çdo ind e qelizë të vendit, në çdo zyrë e skutë administrate, në skaj e në qendër, në rrënjë e degë e në majë.
Janë këta fatosët e një drejtshkrimi të ri, të një standardi të ri, përshtatur shprehive të tyre lëruar kafeneve e pijetoreve, nën tymin e duhanit, shijes së drogës, avullit të rakisë e aromës së qofteve.
Ata kanë leksikun e tyre: Flasin me fjalë karakteristike: *ekipi jon, *shteti jon, *fakulteti jon, *universiteti jon, *Europa, *europian, *dixhital, detyrimisht me a të mbyllur (me *Tirona e *gjona) etj. etj.
E këtu hyn edhe terminologjia, tashmë e rrënjosur në ndërgjegjen e deformuar të këtij shteti e kësaj shoqërie: shkollë private, shkollë jopublike, që me mohimin e bartur fajësojnë a përulin prestigjin e shkollës publike (në mënyrë gati provokuese të një asociacioni negativ me shtëpitë publike).
Atëherë pse duhet ta përdorë detyrimisht një institucion arsimor përcaktorin “privat” apo më keq “jopublik”? Për ta vlerësuar apo denigruar? Apo për t’ia kundërvënë institucionit arsimor publik?
Ne jemi dëshmitarë që vetë shteti, drejtuesit e tij bëhen shkatërruesit e parë të çdo vlere shtetërore në arsim. Janë ata që e kanë ulur nivelin e profesoratit, për ta çuar në nivelin e shkollave dhe universiteteve private / jopublike, në mënyrë që këto të fundit ta kenë më të lehtë për ta konkurruar arsimin shtetëror. Sa më të ulëta standardet, aq më e lehtë është puna e tyre. Aq më e fortë është kërkesa e tyre që të marrin pjesë nga e mira shoqërore: vende pune në administratën shtetërore, pikërisht ata që kanë zgjedhur anën e kundërt të barrikadës arsimore. Dhe kështu nis pazari i madh. Shteti, në emër të një gjoja barazie shansesh (çfarë ironie!) subvencionon institucionet private duke skalitur rrasën e varrit të arsimit shtetëror.
Një shtet serioz, që mendon për qytetarët e vet, që ndjek një politikë në interes të shtetasve të vet, një politikë kombëtare, atëherë interesohet, mbështet e fuqizon institucionet arsimore shtetërore, ndërsa njëkohësisht vendos rregulla të forta funksionimi për universitetet private.
Tirana dhe Shqipëria kanë më shumë universitete private se kioska kinkalerie e pijesh freskuese!
Shteti duhet të mbrojë me vendosmëri arsimin shtetëror!
Shteti duhet të vendosë një kontroll të rreptë mbi institucionet e larta arsimore private. E kam thënë edhe herë tjetër (e për këtë jam shumë i bindur): Nëse duam të kemi një shtet serioz, nëse vërtet na intereson të shkojmë përpara, në sektorin shtetëror duhet njohur diploma vetëm e universiteteve shtetërore. Të diplomuarit nëpër universitetet private mund të punësohen vetëm në sektorin privat.
Tingëllon e vështirë për t’u pranuar? E megjithatë ky është çelësi që Shqipëria të gjejë dijinitetin e vet. Një arsim kombëtar i shëndetshëm e dinjitoz.
Ky duhet të jetë rregulli. Kjo quhet politikë kombëtare në arsim. Vend pune në shtet? Vetëm nëse ke diplomë shtetërore! Përndryshe, shteti kthehet në një instrument korrupsioni, një shkas për të rregulluar a sistemuar miqtë e farefisin e sidomos ata që ofrojnë topat e parave.
Por kështu merr fund edhe shteti edhe arsimi kombëtar!
Ka ardhur, në mos ka kaluar, koha për të bërë ndryshime të mëdha në arsim.
Është e domosdoshme një reformë e re, e vërtetë. Një reformë arsimore që të ndihmojë në zgjidhjen problemeve të shoqërisë sonë, të sotme e të ardhme, dhe jo skema të gatshme shkërbyese të sistemeve arsimore të huaja, që shërbejnë si justifikime të korrupsionit.
E kjo duhet filluar që në emërtimin e institucioneve arsimore:
Shkollë private apo jopublike? Universitet privat apo universitet jopublik?
As njëra as tjetra. Nuk mund të emërtohet një institucion veçanërisht nëpërmjet mohimit. Le të emërtohet thjesht “Universitet”.
Nëse bëhet fjalë për të marrë një përcaktor atëherë ai është Universiteti Shtetëror. Në kohën e lulëzimit të lloj-lloj universiteteve private, përdorimi i përcaktorit SHTETËROR do të funksionojë pozitivisht në disa drejtime: Do të njihet epërsia e tij ndaj universiteteve private, do të njihet angazhimi i shtetit në mbështetje të tij dhe ndarja e qartë e interesave të shtetit nga interesat e institucioneve arsimore private.
Kjo është praktika që ndiqet sot në botën e qytetëruar. Merrni shembullin e SHBA-ve apo të Federatës Ruse. Fjala “Shtetëtor” nuk mungon nga emërtimi zyrtar i universiteteve shtetërore. 
Por Shqipëria ka edhe një shembull shumë domethënës. Përcaktori “Shtetëror” u përfshi në emërtimin e universitetit të parë shqiptar më 1957 (Universiteti Shtetëror i Tiranës), në një kohë kur asnjë institucion arsimor privat nuk ekzistonte në vend dhe nuk ishte aspak nevoja e ndonjë dallimi nëpërmjet përdorimit të përcaktorit. Por emërtimi “Shtetëror” sugjeronte prestigjin e një institucioni kaq të rëndësishëm. Është pikërisht ky prestigj i munguar i universiteteve të sotme, të cilin duhet ta mëtojnë duke u nisur pikësëpari nga ky fakt semiologjik: përdorimi i domosdoshëm i fjalës “Shtetëror”! Universitetet shtetërore duhet ta përmbajnë domosdoshmërisht në emërtimin e tyre fjalën SHTETËROR.
Ndërsa universitetet e tjera le të emërtohet ashtu thjesht, "universitete" ose "shkolla të larta" a "kolegje universitare", pa përdorur përcaktorët “privat” ose “jopublik”, që shoqërimi i përfytyrimeve çon në paradigma tregtare e morale të dyshueshme.

© Gazeta "Dita"
© Aristotel Spiro 


Thursday, June 20, 2019

NOLI NË RREZIK



NOLI NË RREZIK


Aristotel Spiro

Shumëkush e kupton lehtë që ky titull nuk është veçse perifrazim i një artikulli që vetë F. S. Noli pati botuar në gazetën “Kombi” më 1906 (shih Noli, Vepra 2, Tiranë 1988:120-122) duke iu referuar vënies në dyshim të Shekspirit nga disa shkrimtarë e studiues evropianë.
Për koincidencë e në të njëjtën mënyrë, sot po vihet në dyshim mjaftueshmëria e shqipërimeve të F. S. Nolit. Disa zëra kritikë, veshur madje me petkun e profesionalizmit, promovojnë idenë e ripërkthimit të veprave shekspiriane. Si ide në vetvete, ajo nuk përmban asgjë të palogjikshme, madje është plotësisht  e miratueshme, deri e duatrokitshme. Është një praktikë e njohur botërore dhe shqiptare që i njëjti autor “udhëton” drejt një gjuhe tjetër përmes disa versionesh përkthimore. Ka ndodhur që e njëjta vepër të përkthehet disa herë pothuaj njëkohësisht ose në kohë të ndryshme (khs. versionet përkthimore në shqip të poezive të A. S. Pushkinit apo J. V. Gëtes). Në bazë të kësaj përvoje, mund të thuhet që askurrë në të kaluarën nuk ka pasur ndonjë pengesë për të përkthyer apo ripërkthyer Shekspirin apo autorë të huaj të “përkthyeshëm” (termi të “përkthyeshëm” u referohet kushteve receptive, letrare, estetike, ideologjike, që mundësojnë leximin e një vepre të huaj). Megjithë lëvdatat e lexuesve e të kritikës, pas përkthimit të F. S. Nolit, “Rubairat” e O. Khajamit njohën edhe përkthime të tjera, si p.sh. nga Hafiz Ali Korça apo Sejfulla Malëshova, ndërsa janë botuar edhe disa versione shqip të “Soneteve” të Shekspirit (nga Çezar Kurti, Napoleon Tasi, Kristaq Traja, Vedat Kokona etj.).
F. S. Noli zbatoi një filozofi përkthimore të përshtatshmërisë gjuhësore dhe kulturore dhe krijoi një model përkthimi receptiv të quajtur “shqipërim”. Drejtësinë e tyre e shfajësoi koha, por edhe praktika përkthyese që vijoi. Ekzistenca e modelit përkthimor provohet bindshëm me përkthimin shqip të romanit “Don Kishoti i Mançës”, vëllimin e parë të të cilit e përktheu F. S. Noli. Vëllimi i dytë u përkthye vite më vonë nga Petro Zheji, duke ndjekur të njëjtën strategji përkthimi, “shqipërimin”. Rrugën e F. S. Nolit e ndoqën edhe shumë përkthyes të tjerë shqiptarë, të cilët përshtatën në shqip gjuhësisht e kulturalisht vepra e kryevepra të letërsisë botërore (Skënder Luarasi, Vexhi Buharaja, Sotir Caci, Misto Treska, Vedat Kokona, Klio Evangjeli, Sotir Papahristo, Bujar Doko, Jorgo Bllaci, Shpëtim Çuçka etj. etj.). Pa këto përkthime nga gjuha e huaj në shqip dhe nga gjuha shqipe në gjuhë të huaja (ku duhen përmendur përkthyes si Holger Pedersen, Maximiliam Lambertz, me përkthimin e mjaft përrallave shqiptare, si dhe Jusuf Vrioni, Robert Elsie etj. me letërsi të kultivuar, por edhe folklorike, letërsia shqipe do të kishte mbetur e izoluar.
A mund të thuhet se F. S. Noli e teproi me shqipërimin e skajshëm? Nga pozicioni komod i distancës kohore që na ndan është mjaft e lehtë që t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje me skepticizëm. Por nëse kemi parasysh kohën në të cilën ai përktheu, nivelin kulturor të lexuesve, si dhe shkallën e zhvillimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në përgjithësi, atëherë përzgjedhjet e F. S. Nolit duken të shfajësueshme.
Gjuha në të cilën ai përktheu garantonte përcjelljen e kuptueshme të mesazheve artistike, por edhe arritjen e disa qëllimeve ideologjike të përkthyesit. Sot na ndan një largësi mjaft e madhe nga koha kur këto vepra kanë hyrë në gjuhën shqipe. Qysh atëherë e deri më sot ato shihen si pjesë e kulturës shqiptare dhe janë argument i përfshirjes së kësaj letërsie në polisistemin letrar e kulturor botëror. 
Në këtë kuptim, dramat apo vargjet shekspiriane dhe në përgjithësi tekstet letrare të përkthyera prej F. S. Nolit marrin një rëndësi historike për dy arsye: 
1) Janë dëshmi e bazës së një tradite të gjatë përkthimore. 
2) Karakteri arkaizues i gjuhës së vërejtur në to kthehet në një vlerë, nëse kihet parasysh që anglishtja e sotme nuk është më ajo e shekullit XVII dhe vetë lexuesi i sotëm anglez / britanik / anglishtfolës vendos një raport të ngjashëm gjuhësor me gjuhën e Shekspirit, ashtu si lexuesi shqiptar me gjuhën e F. S. Nolit. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për përkthimet e veprave të tjera.
Pyetjes nëse duhet ripërkthyer Shekspiri, i përgjigjemi me mirëseardhje dhe pa paragjykime. Por nëse shqetësimi i ripërkthimit sugjeron pamjaftueshmëri përkthimore të F. S. Nolit, e hedhim heshtazi poshtë si të papranueshëm, pa brerjen më të vogël të ndërgjegjes. Ka dy argumente në lidhje me këtë: 1) Mungon alibia e pengesave objektive për një përpjekje ripërkthimi. 2) Një pjesë e mirë e veprave shekspiriane kanë mbetur ende të papërkthyera në shqip.
Kjo e vendos problemin mbi një bazë të re. Përkthimet (apo shqipërimet) e F. S. Nolit shihen si një prani fatlume e një pjese të thesarit letrar botëror, e cila duhet pasuruar me vepra të tjera. Për këtë kërkohen, më shumë sesa propozime sensacionale, përkthyes të zotë, që të njohin mirë gjuhët e huaja, të njohin thellë gjuhën shqipe, të jenë punëtorë të palodhur e modestë, të kenë një kulturë të gjerë dhe dashuri për profesionin e përkthyesit. Disa zëra thonë se duhen vënë pará në dispozicion. Pa nënvleftësuar rëndësinë e anës financiare, e themi me vetëdije të plotë se, nëse nuk përmbushen parakushtet e sipërpërmendura, sado pará të vihen në dispozicion, ato nuk mund të gjenerojnë aq energji intelektuale, sa të përftohen përkthime të nivelit të lartë.  
Në këto kohë të vështira, ku inflacioni i vlerave është një gjë jo aq e rrallë, në mungesë të një kritike konstante, që konceptualizon jetën letrare dhe bën vlerësimin e produktit origjinal e përkthimor të vendit, ngritja e një problemi ripërkthyeshmërie me referenca ndaj F. S. Nolit vjen si një barkë shpëtimi. Në të vërtetë, nuk është Noli në rrezik, por vetë kritika e përkthimit, e cila, pa u ngjizur ende mirë, shkon në drejtim të gabuar.

Shënim:
Ky shkrim është botuar për herë të parë në gazetën "Shekulli", 18.06.2012, Viti XVI, Nr. 3706

© Aristotel Spiro 

© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”