NOLI NË RREZIK
Aristotel Spiro
Shumëkush e kupton lehtë që ky titull nuk është veçse perifrazim i një artikulli që vetë F. S. Noli pati botuar në gazetën “Kombi” më
1906 (shih Noli, Vepra 2, Tiranë 1988:120-122) duke iu referuar vënies në
dyshim të Shekspirit nga disa shkrimtarë e studiues evropianë.
Për koincidencë e në të njëjtën mënyrë, sot po vihet në
dyshim mjaftueshmëria e shqipërimeve të F. S. Nolit. Disa zëra kritikë, veshur
madje me petkun e profesionalizmit, promovojnë idenë e ripërkthimit të veprave
shekspiriane. Si ide në vetvete, ajo nuk përmban asgjë të palogjikshme, madje
është plotësisht e miratueshme, deri e
duatrokitshme. Është një praktikë e njohur botërore dhe shqiptare që i njëjti
autor “udhëton” drejt një gjuhe tjetër përmes disa versionesh përkthimore. Ka
ndodhur që e njëjta vepër të përkthehet disa herë pothuaj njëkohësisht ose në
kohë të ndryshme (khs. versionet përkthimore në shqip të poezive të A. S.
Pushkinit apo J. V. Gëtes). Në bazë të kësaj përvoje, mund të thuhet që askurrë
në të kaluarën nuk ka pasur ndonjë pengesë për të përkthyer apo ripërkthyer
Shekspirin apo autorë të huaj të “përkthyeshëm” (termi të “përkthyeshëm” u
referohet kushteve receptive, letrare, estetike, ideologjike, që mundësojnë
leximin e një vepre të huaj). Megjithë lëvdatat e lexuesve e të kritikës, pas
përkthimit të F. S. Nolit, “Rubairat” e O. Khajamit njohën edhe përkthime të tjera,
si p.sh. nga Hafiz Ali Korça apo Sejfulla Malëshova, ndërsa janë botuar edhe
disa versione shqip të “Soneteve” të Shekspirit (nga Çezar Kurti, Napoleon
Tasi, Kristaq Traja, Vedat Kokona etj.).
F. S. Noli zbatoi një filozofi përkthimore të
përshtatshmërisë gjuhësore dhe kulturore dhe krijoi një model përkthimi receptiv
të quajtur “shqipërim”. Drejtësinë e tyre e shfajësoi koha, por edhe praktika
përkthyese që vijoi. Ekzistenca e modelit përkthimor provohet bindshëm me
përkthimin shqip të romanit “Don Kishoti i Mançës”, vëllimin e parë të të cilit
e përktheu F. S. Noli. Vëllimi i dytë u përkthye vite më vonë nga Petro Zheji,
duke ndjekur të njëjtën strategji përkthimi, “shqipërimin”. Rrugën e F. S.
Nolit e ndoqën edhe shumë përkthyes të tjerë shqiptarë, të cilët përshtatën në
shqip gjuhësisht e kulturalisht vepra e kryevepra të letërsisë botërore
(Skënder Luarasi, Vexhi Buharaja, Sotir Caci, Misto Treska, Vedat Kokona, Klio
Evangjeli, Sotir Papahristo, Bujar Doko, Jorgo Bllaci, Shpëtim Çuçka etj. etj.).
Pa këto përkthime nga gjuha e huaj në shqip dhe nga gjuha shqipe në gjuhë të
huaja (ku duhen përmendur përkthyes si Holger Pedersen, Maximiliam Lambertz, me përkthimin e mjaft përrallave shqiptare, si dhe Jusuf Vrioni, Robert Elsie
etj. me letërsi të kultivuar, por edhe folklorike, letërsia shqipe do të kishte mbetur e izoluar.
A mund të thuhet se F. S. Noli e teproi me shqipërimin e
skajshëm? Nga pozicioni komod i distancës kohore që na ndan është mjaft e lehtë
që t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje me skepticizëm. Por nëse kemi parasysh kohën
në të cilën ai përktheu, nivelin kulturor të lexuesve, si dhe shkallën e
zhvillimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në përgjithësi, atëherë
përzgjedhjet e F. S. Nolit duken të shfajësueshme.
Gjuha në të cilën ai përktheu garantonte përcjelljen e
kuptueshme të mesazheve artistike, por edhe arritjen e disa qëllimeve
ideologjike të përkthyesit. Sot na ndan një largësi mjaft e madhe nga koha kur
këto vepra kanë hyrë në gjuhën shqipe. Qysh atëherë e deri më sot ato shihen si
pjesë e kulturës shqiptare dhe janë argument i përfshirjes së kësaj letërsie në
polisistemin letrar e kulturor botëror.
Në këtë kuptim, dramat apo vargjet
shekspiriane dhe në përgjithësi tekstet letrare të përkthyera prej F. S. Nolit
marrin një rëndësi historike për dy arsye:
1) Janë dëshmi e bazës së një
tradite të gjatë përkthimore.
2) Karakteri arkaizues i gjuhës së vërejtur në to
kthehet në një vlerë, nëse kihet parasysh që anglishtja e sotme nuk është më
ajo e shekullit XVII dhe vetë lexuesi i sotëm anglez / britanik / anglishtfolës
vendos një raport të ngjashëm gjuhësor me gjuhën e Shekspirit, ashtu si lexuesi
shqiptar me gjuhën e F. S. Nolit. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për
përkthimet e veprave të tjera.
Pyetjes nëse duhet ripërkthyer Shekspiri, i përgjigjemi me
mirëseardhje dhe pa paragjykime. Por nëse shqetësimi i ripërkthimit sugjeron
pamjaftueshmëri përkthimore të F. S. Nolit, e hedhim heshtazi poshtë si të
papranueshëm, pa brerjen më të vogël të ndërgjegjes. Ka dy argumente në lidhje
me këtë: 1) Mungon alibia e pengesave objektive për një përpjekje ripërkthimi.
2) Një pjesë e mirë e veprave shekspiriane kanë mbetur ende të papërkthyera në
shqip.
Kjo e vendos problemin mbi një bazë të re. Përkthimet
(apo shqipërimet) e F. S. Nolit shihen si një prani fatlume e një pjese të
thesarit letrar botëror, e cila duhet pasuruar me vepra të tjera. Për këtë
kërkohen, më shumë sesa propozime sensacionale, përkthyes të zotë, që të njohin
mirë gjuhët e huaja, të njohin thellë gjuhën shqipe, të jenë punëtorë të palodhur
e modestë, të kenë një kulturë të gjerë dhe dashuri për profesionin e
përkthyesit. Disa zëra thonë se duhen vënë pará në dispozicion. Pa nënvleftësuar
rëndësinë e anës financiare, e themi me vetëdije të plotë se, nëse nuk
përmbushen parakushtet e sipërpërmendura, sado pará të vihen në dispozicion, ato
nuk mund të gjenerojnë aq energji intelektuale, sa të përftohen përkthime të
nivelit të lartë.
Në këto kohë të vështira, ku inflacioni i vlerave
është një gjë jo aq e rrallë, në mungesë të një kritike konstante, që konceptualizon
jetën letrare dhe bën vlerësimin e produktit origjinal e përkthimor të vendit,
ngritja e një problemi ripërkthyeshmërie me referenca ndaj F. S. Nolit vjen si
një barkë shpëtimi. Në të vërtetë, nuk është Noli në rrezik, por vetë kritika e
përkthimit, e cila, pa u ngjizur ende mirë, shkon në drejtim të gabuar.
Shënim:
Ky shkrim është botuar për herë të parë në gazetën "Shekulli", 18.06.2012, Viti XVI, Nr. 3706
© Aristotel Spiro
© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”
No comments:
Post a Comment