Thursday, June 20, 2019

NOLI NË RREZIK



NOLI NË RREZIK


Aristotel Spiro

Shumëkush e kupton lehtë që ky titull nuk është veçse perifrazim i një artikulli që vetë F. S. Noli pati botuar në gazetën “Kombi” më 1906 (shih Noli, Vepra 2, Tiranë 1988:120-122) duke iu referuar vënies në dyshim të Shekspirit nga disa shkrimtarë e studiues evropianë.
Për koincidencë e në të njëjtën mënyrë, sot po vihet në dyshim mjaftueshmëria e shqipërimeve të F. S. Nolit. Disa zëra kritikë, veshur madje me petkun e profesionalizmit, promovojnë idenë e ripërkthimit të veprave shekspiriane. Si ide në vetvete, ajo nuk përmban asgjë të palogjikshme, madje është plotësisht  e miratueshme, deri e duatrokitshme. Është një praktikë e njohur botërore dhe shqiptare që i njëjti autor “udhëton” drejt një gjuhe tjetër përmes disa versionesh përkthimore. Ka ndodhur që e njëjta vepër të përkthehet disa herë pothuaj njëkohësisht ose në kohë të ndryshme (khs. versionet përkthimore në shqip të poezive të A. S. Pushkinit apo J. V. Gëtes). Në bazë të kësaj përvoje, mund të thuhet që askurrë në të kaluarën nuk ka pasur ndonjë pengesë për të përkthyer apo ripërkthyer Shekspirin apo autorë të huaj të “përkthyeshëm” (termi të “përkthyeshëm” u referohet kushteve receptive, letrare, estetike, ideologjike, që mundësojnë leximin e një vepre të huaj). Megjithë lëvdatat e lexuesve e të kritikës, pas përkthimit të F. S. Nolit, “Rubairat” e O. Khajamit njohën edhe përkthime të tjera, si p.sh. nga Hafiz Ali Korça apo Sejfulla Malëshova, ndërsa janë botuar edhe disa versione shqip të “Soneteve” të Shekspirit (nga Çezar Kurti, Napoleon Tasi, Kristaq Traja, Vedat Kokona etj.).
F. S. Noli zbatoi një filozofi përkthimore të përshtatshmërisë gjuhësore dhe kulturore dhe krijoi një model përkthimi receptiv të quajtur “shqipërim”. Drejtësinë e tyre e shfajësoi koha, por edhe praktika përkthyese që vijoi. Ekzistenca e modelit përkthimor provohet bindshëm me përkthimin shqip të romanit “Don Kishoti i Mançës”, vëllimin e parë të të cilit e përktheu F. S. Noli. Vëllimi i dytë u përkthye vite më vonë nga Petro Zheji, duke ndjekur të njëjtën strategji përkthimi, “shqipërimin”. Rrugën e F. S. Nolit e ndoqën edhe shumë përkthyes të tjerë shqiptarë, të cilët përshtatën në shqip gjuhësisht e kulturalisht vepra e kryevepra të letërsisë botërore (Skënder Luarasi, Vexhi Buharaja, Sotir Caci, Misto Treska, Vedat Kokona, Klio Evangjeli, Sotir Papahristo, Bujar Doko, Jorgo Bllaci, Shpëtim Çuçka etj. etj.). Pa këto përkthime nga gjuha e huaj në shqip dhe nga gjuha shqipe në gjuhë të huaja (ku duhen përmendur përkthyes si Holger Pedersen, Maximiliam Lambertz, me përkthimin e mjaft përrallave shqiptare, si dhe Jusuf Vrioni, Robert Elsie etj. me letërsi të kultivuar, por edhe folklorike, letërsia shqipe do të kishte mbetur e izoluar.
A mund të thuhet se F. S. Noli e teproi me shqipërimin e skajshëm? Nga pozicioni komod i distancës kohore që na ndan është mjaft e lehtë që t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje me skepticizëm. Por nëse kemi parasysh kohën në të cilën ai përktheu, nivelin kulturor të lexuesve, si dhe shkallën e zhvillimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në përgjithësi, atëherë përzgjedhjet e F. S. Nolit duken të shfajësueshme.
Gjuha në të cilën ai përktheu garantonte përcjelljen e kuptueshme të mesazheve artistike, por edhe arritjen e disa qëllimeve ideologjike të përkthyesit. Sot na ndan një largësi mjaft e madhe nga koha kur këto vepra kanë hyrë në gjuhën shqipe. Qysh atëherë e deri më sot ato shihen si pjesë e kulturës shqiptare dhe janë argument i përfshirjes së kësaj letërsie në polisistemin letrar e kulturor botëror. 
Në këtë kuptim, dramat apo vargjet shekspiriane dhe në përgjithësi tekstet letrare të përkthyera prej F. S. Nolit marrin një rëndësi historike për dy arsye: 
1) Janë dëshmi e bazës së një tradite të gjatë përkthimore. 
2) Karakteri arkaizues i gjuhës së vërejtur në to kthehet në një vlerë, nëse kihet parasysh që anglishtja e sotme nuk është më ajo e shekullit XVII dhe vetë lexuesi i sotëm anglez / britanik / anglishtfolës vendos një raport të ngjashëm gjuhësor me gjuhën e Shekspirit, ashtu si lexuesi shqiptar me gjuhën e F. S. Nolit. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për përkthimet e veprave të tjera.
Pyetjes nëse duhet ripërkthyer Shekspiri, i përgjigjemi me mirëseardhje dhe pa paragjykime. Por nëse shqetësimi i ripërkthimit sugjeron pamjaftueshmëri përkthimore të F. S. Nolit, e hedhim heshtazi poshtë si të papranueshëm, pa brerjen më të vogël të ndërgjegjes. Ka dy argumente në lidhje me këtë: 1) Mungon alibia e pengesave objektive për një përpjekje ripërkthimi. 2) Një pjesë e mirë e veprave shekspiriane kanë mbetur ende të papërkthyera në shqip.
Kjo e vendos problemin mbi një bazë të re. Përkthimet (apo shqipërimet) e F. S. Nolit shihen si një prani fatlume e një pjese të thesarit letrar botëror, e cila duhet pasuruar me vepra të tjera. Për këtë kërkohen, më shumë sesa propozime sensacionale, përkthyes të zotë, që të njohin mirë gjuhët e huaja, të njohin thellë gjuhën shqipe, të jenë punëtorë të palodhur e modestë, të kenë një kulturë të gjerë dhe dashuri për profesionin e përkthyesit. Disa zëra thonë se duhen vënë pará në dispozicion. Pa nënvleftësuar rëndësinë e anës financiare, e themi me vetëdije të plotë se, nëse nuk përmbushen parakushtet e sipërpërmendura, sado pará të vihen në dispozicion, ato nuk mund të gjenerojnë aq energji intelektuale, sa të përftohen përkthime të nivelit të lartë.  
Në këto kohë të vështira, ku inflacioni i vlerave është një gjë jo aq e rrallë, në mungesë të një kritike konstante, që konceptualizon jetën letrare dhe bën vlerësimin e produktit origjinal e përkthimor të vendit, ngritja e një problemi ripërkthyeshmërie me referenca ndaj F. S. Nolit vjen si një barkë shpëtimi. Në të vërtetë, nuk është Noli në rrezik, por vetë kritika e përkthimit, e cila, pa u ngjizur ende mirë, shkon në drejtim të gabuar.

Shënim:
Ky shkrim është botuar për herë të parë në gazetën "Shekulli", 18.06.2012, Viti XVI, Nr. 3706

© Aristotel Spiro 

© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”