UNIVERSITET PRIVAT APO UNIVERSITET JOPUBLIK?¹
nga
Aristotel Spiro
Ligji për reformën e arsimit
të lartë përbën tashmë një dështim spektakolar. Ai nuk arriti të zgjidhë një nga problemet më të mprehta, që ka marrë trajtat e një epidemie vdekjeprurëse, siç është plagjiarizmi.
Por ky ligj nuk arriti të na zgjidhë as
problemet terminologjike të emërtimit të institucioneve të larta të vendit. Një
mori e paparë dhe e padëgjuar emërtimesh me bishta përcaktorësh që përshkruajnë shkolla të
larta jopublike ose private ngulmojnë të zënë vendin e tyre në semiologjinë e
përditshme të jetës sonë. Kërkojnë një kënd sigurie sado të vogël në ndërgjegjen
e bombarduar të shoqërisë së sotme shqiptare.
Një shpurë e çrregullt
zengjinësh të rinj të etur e të uritur, të dehur nga era e lirisë, iu futën
secili me mënyrën e vet krijimit të një rrëfenje pasurimi të pandalshëm. Duke kapërcyer
me të shpejtë dallime shoqërore e kulturore e duke ngushtuar hendeqe etike, me
prakticitetin e tyre neutralizues, nuk patën kohë të mendojnë për çikërrima detajesh
semiologjike.
Kështu hyri në jetën tonë të
përditshme universiteti privat dhe shkolla jopublike. Kaq e thjeshtë. Në
tapetin e trashë të arsimit privat po parakalojnë tashmë me të njëjtin shkëlqim
dy tipa pronarësh të rinj: profesori i dikurshëm me tituj e grada dhe ish-trafikanti
investitor.
Janë këta që përcaktojnë
estetikën e re të së ardhmes. Janë këta që sjellin risitë, sfidues të çdo
trashëgimie të pranuar a të dyshuar, rrëzues vlerash e jovlerash, krijues
standardesh kryeneçe, propozues sjelljesh të pastandardizueshme, "farkëtuar" në ideologjinë
e mohimit të së vjetrës.
Janë këta një gjedhe e re shoqërore,
përhapur e shtrirë në çdo ind e qelizë të vendit, në çdo zyrë e skutë administrate,
në skaj e në qendër, në rrënjë e degë e në majë.
Janë këta fatosët e një
drejtshkrimi të ri, të një standardi të ri, përshtatur shprehive të tyre lëruar
kafeneve e pijetoreve, nën tymin e duhanit, shijes së drogës, avullit të rakisë
e aromës së qofteve.
Ata kanë leksikun e tyre:
Flasin me fjalë karakteristike: *ekipi jon, *shteti jon, *fakulteti jon, *universiteti
jon, *Europa, *europian, *dixhital, detyrimisht me a të mbyllur (me *Tirona e *gjona)
etj. etj.
E këtu hyn edhe terminologjia,
tashmë e rrënjosur në ndërgjegjen e deformuar të këtij shteti e kësaj shoqërie:
shkollë private, shkollë jopublike, që me mohimin e bartur fajësojnë a përulin
prestigjin e shkollës publike (në mënyrë gati provokuese të një asociacioni
negativ me shtëpitë publike).
Atëherë pse duhet ta përdorë
detyrimisht një institucion arsimor përcaktorin “privat” apo më keq “jopublik”?
Për ta vlerësuar apo denigruar? Apo për t’ia kundërvënë institucionit arsimor
publik?
Ne jemi dëshmitarë që vetë
shteti, drejtuesit e tij bëhen shkatërruesit e parë të çdo vlere shtetërore në
arsim. Janë ata që e kanë ulur nivelin e profesoratit, për ta çuar në nivelin e
shkollave dhe universiteteve private / jopublike, në mënyrë që këto të fundit
ta kenë më të lehtë për ta konkurruar arsimin shtetëror. Sa më të ulëta
standardet, aq më e lehtë është puna e tyre. Aq më e fortë është kërkesa e tyre
që të marrin pjesë nga e mira shoqërore: vende pune në administratën shtetërore,
pikërisht ata që kanë zgjedhur anën e kundërt të barrikadës arsimore. Dhe
kështu nis pazari i madh. Shteti, në emër të një gjoja barazie shansesh (çfarë
ironie!) subvencionon institucionet private duke skalitur rrasën e varrit të
arsimit shtetëror.
Një shtet serioz, që mendon
për qytetarët e vet, që ndjek një politikë në interes të shtetasve të vet,
një politikë kombëtare, atëherë interesohet, mbështet e fuqizon institucionet
arsimore shtetërore, ndërsa njëkohësisht vendos rregulla të forta funksionimi
për universitetet private.
Tirana dhe Shqipëria kanë më
shumë universitete private se kioska kinkalerie e pijesh freskuese!
Shteti duhet të mbrojë me vendosmëri
arsimin shtetëror!
Shteti duhet të vendosë një
kontroll të rreptë mbi institucionet e larta arsimore private. E kam thënë edhe
herë tjetër (e për këtë jam shumë i bindur): Nëse duam të kemi një shtet serioz, nëse
vërtet na intereson të shkojmë përpara, në sektorin shtetëror duhet njohur
diploma vetëm e universiteteve shtetërore. Të diplomuarit nëpër universitetet
private mund të punësohen vetëm në sektorin privat.
Tingëllon e vështirë për t’u
pranuar? E megjithatë ky është çelësi që Shqipëria të gjejë dijinitetin e vet. Një
arsim kombëtar i shëndetshëm e dinjitoz.
Ky duhet të jetë rregulli. Kjo
quhet politikë kombëtare në arsim. Vend pune në shtet? Vetëm nëse ke diplomë
shtetërore! Përndryshe, shteti kthehet në një instrument korrupsioni, një shkas
për të rregulluar a sistemuar miqtë e farefisin e sidomos ata që ofrojnë topat
e parave.
Por kështu merr fund edhe
shteti edhe arsimi kombëtar!
Ka ardhur, në mos ka kaluar,
koha për të bërë ndryshime të mëdha në arsim.
Është e domosdoshme një
reformë e re, e vërtetë. Një reformë arsimore që të ndihmojë në zgjidhjen problemeve
të shoqërisë sonë, të sotme e të ardhme, dhe jo skema të gatshme shkërbyese të
sistemeve arsimore të huaja, që shërbejnë si justifikime të korrupsionit.
E kjo duhet filluar që në emërtimin
e institucioneve arsimore:
Shkollë private apo jopublike?
Universitet privat apo universitet jopublik?
As njëra as tjetra. Nuk mund
të emërtohet një institucion veçanërisht nëpërmjet mohimit. Le të emërtohet thjesht
“Universitet”.
Nëse bëhet fjalë për të marrë një
përcaktor atëherë ai është Universiteti Shtetëror. Në kohën e lulëzimit të lloj-lloj
universiteteve private, përdorimi i përcaktorit SHTETËROR do të funksionojë
pozitivisht në disa drejtime: Do të njihet epërsia e tij ndaj universiteteve
private, do të njihet angazhimi i shtetit në mbështetje të tij dhe ndarja e
qartë e interesave të shtetit nga interesat e institucioneve arsimore private.
Kjo është praktika që ndiqet
sot në botën e qytetëruar. Merrni shembullin e SHBA-ve apo të Federatës Ruse.
Fjala “Shtetëtor” nuk mungon nga emërtimi zyrtar i universiteteve shtetërore.
Por
Shqipëria ka edhe një shembull shumë domethënës. Përcaktori “Shtetëror” u
përfshi në emërtimin e universitetit të parë shqiptar më 1957 (Universiteti Shtetëror
i Tiranës), në një kohë kur asnjë institucion arsimor privat nuk ekzistonte në
vend dhe nuk ishte aspak nevoja e ndonjë dallimi nëpërmjet përdorimit të përcaktorit.
Por emërtimi “Shtetëror” sugjeronte prestigjin e një institucioni kaq të
rëndësishëm. Është pikërisht ky prestigj i munguar i universiteteve të sotme,
të cilin duhet ta mëtojnë duke u nisur pikësëpari nga ky fakt semiologjik:
përdorimi i domosdoshëm i fjalës “Shtetëror”! Universitetet shtetërore duhet ta
përmbajnë domosdoshmërisht në emërtimin e tyre fjalën SHTETËROR.
Ndërsa universitetet e tjera
le të emërtohet ashtu thjesht, "universitete" ose "shkolla të larta" a "kolegje
universitare", pa përdorur përcaktorët “privat” ose “jopublik”, që shoqërimi i
përfytyrimeve çon në paradigma tregtare e morale të dyshueshme.
© Gazeta "Dita"
© Aristotel Spiro
© Aristotel Spiro