Sunday, August 20, 2023

NJË SKENAR I RI PËR ORIGJINËN E GJUHËVE INDOEVROPIANE



Një studim i madh gjuhësor përpiqet të pajtojë dy teoritë mbizotëruese rreth gjuhës së hershme amë 


nga 
Vangjelis Pratikaqis


Nga greqishtja dhe latinishtja në anglishten dhe spanjishten, pothuajse gjysma e njerëzve të botës flasin gjuhët e të ashtuquajturës familje indoevropiane, e cila vlerësohet të jetë shfaqur diku në Euroazi gjatë epokës neolitike dhe gradualisht lindi variante që u përhapën përmes mërgimeve masive.
Kjo është të paktën tabloja e përgjithshme, pasi detajet e çështjes janë objekt debatesh këtu e shumë dekada.
Një studim i madh gjuhësor i botuar në revistën "Science" tani rreket të pajtojë dy teoritë mbizotëruese rreth origjinës së gjuhëve indoevropiane.
Njëra teori thotë se gjuha e lashtë amë u shfaq rreth 9000 vjet më parë në shoqëritë bujqësore të Gjysmëhënës Pjellore, përgjatë lumenjve Tigër dhe Eufrat, dhe u përhap përmes eksodeve mërguese.
Sipas teorisë rivale, gjuha amë u shfaq në veri të Kaukazit shumë më vonë, rreth 5000 vjet më parë, dhe u përhap nga endacakët që zotëronin kuaj dhe karroca.
Në studimin e ri, dhjetëra gjuhëtarë bashkëpunuan për të krijuar një listë të fjalëve me rrënjë të zakonshme indoevropiane, duke mbuluar 100 gjuhë moderne dhe 50 që nuk fliten më, si greqishtja e vjetër.
Baza e të dhënave i ka lejuar studiuesit të gjurmonin nëndegët evolutive të familjes së gjuhëve indoevropiane.
Pamja që rezulton është një model hibrid, i cili kombinon elemente të të dyja teorive: gjuha amë lindi në shoqëritë bujqësore në Gjysmëhënën Pjellore para 8300 vjetësh dhe u birësua nga endacakët që e përhapën atë në rajone të tjera.
Analiza u bazua në një grup të dhënash mbresëlënëse, por nuk e zgjidh përfundimisht polemikën, pjesërisht meqenëse disa nëndegë duket se nuk pajtohen me gjetjet e mëparshme arkeologjike dhe gjenetike.
Sidoqoftë, studimi konfirmon të paktën se të dyja teoritë mbizotëruese përputhen në disa të dhëna. 
Është edhe ky një hap përpara.

Burimi: 

Përktheu: Aristotel Spiro 

No comments: