Sunday, October 8, 2023

TË LËÇITURIT

 



Një tekst për injorancën dhe hipokrizinë


nga 


Dinos Kristianopulos 


Të lëçiturit janë intelektualë që i japin më shumë rëndësi dijes dhe informacionit dhe më pak ndjenjës dhe përvojës. Ajo që kanë mësuar apo nuk kanë mësuar ka më shumë vlerë për ta sesa menduarit. Të lëçiturit i gjen në çdo kohë. Në Greqinë e lashtë, Aristofani i tallte shumë keq, sepse ata përdornin gjithmonë fjalë të reja dhe të çuditshme për të mashtruar gjindjen. Dhe sofistët ishin një lloj të lëçiturish në kohën e vet, sepse i kushtonin shumë rëndësi dijes dhe jo gjykimit të shëndoshë.

Por edhe më parë, kur thoshim «intelektualët» apo «njerëzit e letrave», ndienim diçka si siklet apo bezdi, sepse e kuptonim që këta njerëz i ishin larguar shumë realitetit emër të të ashtuquajturit art. Ata mendonin se, ngaqë ishin njerëz të letrave, duhej të flisnin me një fjalor të veçantë për ta kuptuar njëri-tjetrin, edhe nëse të tjerët nuk i kuptonin.

Në analizë të fundit, të lëçiturit kanë kulturë të rreme. Vetëm një njeri me kulturë të rreme mund të përdorë një fjalor hutues dhe befasues, ose përdor fjalë e fraza të bukura për të lënë përshtypje, ndërsa në thelb nuk e zotëron gjuhën dhe nuk e përdor siç duhet.

Çka quajmë sot gjuhë të lëçiturish është një përzierje fjalësh të reja, fjalësh të huaja të papërkthyera dhe fjalësh të marra nga shkenca të ndryshme, si për shembull «permutacioni i seminomenklaturës». Me një çorbë të tillë në fund nuk nxjerrin kuptim as ata, por as ne, sigurisht. Merrni për shembull fjalën «strukturë» që i referohet hapësirës, ​​ndërsa fjala «proces» i referohet kohës. Po sikur të lexoni papritur «proceset strukturore» ose «strukturat proceduriale»?

U pyetën ca për ta shpjeguar, por askush nuk ia doli. Sepse, siç e kuptoni, bëhet fjalë për broçkulla. Vërtet, çfarë duan të thonë këta dy togfjalësha, kur në secilin prej tyre mbiemri mohon emrin? Por ç’do të thoshit nëse ky togfjalësh do të bëhej një fjali e tërë? Lexoni, pra: «Kur proceset strukturore funksionojnë  në mënyrë inhibitore në hapësirën e postmodernizmit…». Si mund të komentohet kjo fjali? Para së gjithash, sa njerëz e njohin termin «postmodern»? Dhe pastaj, çfarë ndodh saktësisht brenda hapësirës së «postmodernes», nëse funksionojnë apo jo «proceset strukturore»?

Këto shprehje janë të pakuptueshme për atë që i shkruan dhe për atë që i lexon. Këto fjalë janë kodra pas bregut. Dhe pa mendoni që si ky togfjalësh ka me mijëra, që vërtetojnë tri veçoritë e të lëçiturve: Së pari, që nuk i njohin mirë fjalët dhe kuptimet e tyre (dikush, për shembull, ka shkruar fjalën «prevalon» dhe ka menduar «valon për shtatë palë qejfe»!), së dyti, duan t'i hutojnë të tjerët me fjalë të ndryshme të pakuptueshme dhe së treti, nuk e kanë tretur si duhet atë që thonë. Le që edhe sintaksën e bëjnë çorap dhe ngatërrohen.

Sigurisht, konfuzioni ekziston më parë në mendjen e tyre. Sidoqoftë, me këto dhe me të tjera gjëra arrijnë që t’i bëjnë me komplekse shumë njerëz, e ndonjëherë edhe të gjithë, duke dhënë ndërkohë kontributin e tyre që gjuha jonë të shkojë në djall.

Mund të pyeste dikush se, meqenëse e pranojmë shkrimin hermetik të disa poetëve, pse të mos e pranojmë edhe mënyrën e pakuptueshme të të shkruarit të të lëçiturve? Nga një pikëpamje, edhe poeti, pavarësisht nga teknikat artistike që ndjek, duhet të shkruajë në një mënyrë të kuptueshme, që lexuesi ta kuptojë. Vërtet, për çfarë na duhet një poezi, kur ura e komunikimit është ndërprerë? Çfarë t’i bëjmë poezitë hermetike, kur askush nuk i kupton? Dhe meqë nuk na thonë kurrgjë, si mund të na emocionojnë?

Sigurisht, poeti justifikohet me atë që shkruan për të shprehur vetveten, por prapëseprapë dikush mund të shqetësohej duke thënë se, nëse një poet shprehet në mungesë të lexuesit, ç’dreq poeti është? Dhe nëse surrealizmi në fazën e parë ia futi me top, çfarë mund të themi për surrealistët e sotëm të rumpallës, të cilët shkruajnë ç’t’u pjellë mendja? Gjithsesi, përsijatësi, meqenëse nuk ka as justifikimin e frymëzimit dhe meqenëse synimi i tij është të komunikojë me lexuesin, nuk duhet të jetë i papërgjegjshëm sikundër poetët modernë.

Disa pretendojnë se kështu gjuha jonë pasurohet, ndërsa thjeshtësia dhe qartësia e mbajnë gjuhën në stanjacion. Por nëse pasurimi i gjuhës bëhet shkak për triumfin e pakuptueshmërisë, mos vallë do të duhej të preferonim ca fise afrikane që komunikojnë vetëm me treqind fjalë?

Shkaku i kësaj dukurie nuk është vetëm dija e cunguar e shumicës së të lëçiturve, por edhe egoizmi i tyre. Këta njerëz nuk do të jenë kurrë në gjendje të dëgjojnë më shumë sesa flasin, të mendojnë më shumë sesa shkruajnë dhe të kalojnë çdo informacion në filtrin e arsyetimit.

Që të ndodhë kjo, ai duhet të jetë i përulur, të mos mendojë se ai di gjithçka dhe askush tjetër. Të mos thotë vazhdimisht «Unë mendoj», «Unë besoj», «Unë jam i mendimit» e kështu me radhë. Në këtë qark të shkurtër të njohjes së cunguar dhe egoizmit ka vend për të gjithë: për të majtë e të djathtë, për gazetat dhe televizionin, për ortodoksë dhe neoortodoksë.


Përktheu: Aristotel Spiro

 

Dinos Kristianopoulos (Selanik, 1931-2020) ka qenë poet, shkrimtar, eseist, përkthyes, studiues, folklorist, botues dhe kritik libri. Emri i tij i vërtetë është Konstantinos Dimitriadis. Poezitë e tij janë përkthyer në disa gjuhë. Në vitin 2011 nuk pranoi Çmimin Shtetëror për Letërsinë 2011. “Nuk i dua as çmimet dhe as paratë e tyre”. Përgjigjja e tij bëri më shumë bujë sesa vetë çmimi në një shoqëri që nuk i dëgjon më poetët e saj.

No comments: