Saturday, June 4, 2022

LE TË HYJMË NË EVROPË ME NJË ALFABET MODERN!



LE TË HYJMË NË EVROPË ME NJË ALFABET MODERN: LE T’I HEQIM DYSHKRONJËSHAT!

nga 

Aristotel Spiro 

Kongresi i Manastirit (14-22 nëntor 1908) përfaqëson ngjarjen më të madhe në historinë e shkrimit shqip. Sa më shumë largohen vitet, aq më e madhe duket rëndësia e tij në jetën kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve. 

Ai përbënte fundin e një epoke dhe fillimin e një tjetre. Po niste epoka e shkrimit të njësuar shqip. Deri në atë kohë shqiptarët shkruanin me alfabete të ndryshme: në veri ekzistonte një traditë e larmishme e përdorimit të shkronjave latine; në jug ekzistonte tradita e përdorimit të shkronjave greke; ndërsa ndër myslimanë përdoreshin edhe shkronjat arabe. Arbëreshët e Italisë ndiqnin kryesisht traditën shkrimore latine, por pati edhe raste të përdorimit të shkronjave greke. 

Kongresi i Manastirit i dha fund një herë e përgjithmonë kësaj laryshie, madje në kushtet kur shteti i pavarur shqiptar nuk ishte formuar ende. Ky Kongres pati rëndësinë e një ngjarjeje të madhe përtej një solemniteti të nënkuptuar, sepse nuk ishte aspak e lehtë që përfaqësuesit e rretheve të ndryshme patriotike të binin dakord për të lënë mënjanë parapëlqimet partikulariste dhe të bashkoheshin nën një alfabet të ri të përbashkët. 

Kjo vështirësi u duk jo vetëm gjatë punimeve të Kongresit, por edhe në vendimin e tij përfundimtar. Ndryshe nga ç’pritej, Kongresi mori vendim për miratimin e dy versioneve alfabetike: njëri dhe kryesori, ai i Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip (Shoqëria e Stambollit), ndërsa tjetri, ai i Shoqërisë «Bashkimi». 

Duke vendosur kështu, Kongresi i Manastirit i hapi rrugën digrafisë: përdorimit të dy alfabeteve, prej të cilëve alfabeti i Shoqërisë së Stambollit ishte në rolin e referentit, versionit themelor (vendimi i shkrua në këtë alfabet), ndërsa alfabeti i Shoqërisë «Bashkimi» ishte në rolin e versionit alternativ. 

 

Duke miratuar dy alfabete, Kongresi i Manastirit dha një zgjidhje digrafie, si në rastin e serbokroatishtes fqinje, e cila shkruhej dhe shkruhet me dy alfabete. 

 

Alfabeti i Shoqërisë së Stambollit u konsiderua kryesor për shkak të autoritetit të kësaj shoqërie, por edhe për arsye se plotësonte një kusht sine qua non: kënaqte parimin «një tingull – një shkronjë». Pavarësisht zbatimit të këtij parimi, ai kishte megjithatë dy të meta kryesore: nuk ishte homogjen dhe koherent, sepse, ndërsa shumica e shkronjave të tij ishin latine, një pjesë e vogël e shkronjave ishin me bazë greke, gjë që e bënte alfabetin eklektik. Shtypja e librave bëhej më e vështirë, sepse duheshin siguruar shkronja që u takonin dy tipeve të ndryshme. Nga ana tjetër, në atë alfabet ekzistonte edhe një dyshkronjësh, dridhësja e fortë <RR>, e cila shkelte parimin «një tingull – një shkronjë». 

 

Për arsye të një simetrie funksionale, atje ku Shoqëria e Stambollit përdorte shkronja të thjeshta me bazë greke, Shoqëria «Bashkimi» vendosi kombinime dy shkronjash.

Alfabeti i Shoqërisë «Bashkimi» nuk përgjithësonte zbatimin e parimit një shkronjë për çdo tingull të shqipes, sepse nuk përdorte shenjat diakritike (përveç <Ë>-së dhe <Ç>-së) Ai përbëhej vetëm nga shkronja latine. 

Pavarësisht se nuk kënaqte plotësisht parimin «një tingull – një shkronjë», ky alfabet ishte më homogjen dhe më kompakt. Ishte më ekonomik, sepse me pak shkronja shpreheshin më shumë fonema të shqipes. Ajo që në dukje interpretohej si e metë, ishte në fakt një përparësi. 

 rastin hipotetik të miratimit vetëm të alfabetit  Shoqërisë «Bashkimi», nuk do të lindte nevoja që të numëroheshin dyshkronjëshat në alfabet. Në një rast të tillë, ne besojmë se qysh në fillim dyshkronjëshat nuk do të përfaqësoheshin në alfabet. Por edhe nëse do të ishin përfshirë, për arsye praktike, prapë kjo gjuhësisht do të përbënte gabim.

Ndryshe nga rasti i serbokroatishtes, zgjidhja e digrafisë që dha Kongresi i Manastirit, nuk e pati jetën të gjatë, sepse nga ana gramatologjike të dy alfabetet nuk kishin ndonjë ndryshim të madh, nuk përfaqësonin «skripte» të ndryshme: ishin të dy të bazuar mbi alfabetin latin, me përjashtim të disa shkronjave të huaja që përdoreshin në versionin alfabetik të Shoqërisë së Stambollit. 

Ishte pikërisht ky karakter praktik, kompakt, sistematik e koherent që shumë shpejt shqiptarët e shmangën digrafinë (përdorimin paralel të dy alfabeteve) dhe zgjodhën përfundimisht alfabetin e Shoqërisë «Bashkimi», këtë alfabet që përdorim edhe sot e gjithë ditën. 

Kjo e bëri të panevojshëm zhvillimin e një kongresi tjetër, siç ishte vendosur në fakt në fund të punimeve të Kongresit të Manastirit.  

Për arsye praktike, kombinimet e shkronjave, dyshkronjëshat <GJ, NJ, LL, RR, TH, DH, SH, XH, ZH>, u interpretuan qysh në fillim si shkronja të veçanta të alfabetit. 

Qysh atëherë u kultivua një kulturë grafematike që i ka interpretuar këto kombinime si shkronja më vete. 

Ky perceptim u bë pjesë e edukatës së alfabetizmit të brezave të tërë të shqiptarëve pas Kongresit të Manastirit e deri më sot.  

Fëmijët e vegjël, me të hyrë në shkollë, mësojnë se dy shkronjat duhet t’i perceptojnë si një shkronjë. Është kjo një dije që mbështetet nga operacioni empirik i barazimit të tingullit me shkronjën: nëse kombinimi i dy shkronjave paraqet një tingull, atëherë nuk prish punë që dy shkronjat llogariten si një shkronjë. Është një aritmetikë pragmatiste, që thyen rregullat e logjikës. 

Mirëpo, shoqëria shqiptare tani ndodhet në një fazë tjetër të historisë së saj. Nga zgjimi kombëtar i shekullit XIX tek afirmimi kulturor i shekullit XXI shumë ujë ka rrjedhur dhe pozicioni i shqiptarëve në kulturën evropiane sot është shumë më i ndryshëm nga ai i para 114 viteve. 

Renditja e dyshkronjëshave në alfabetin shqip ka shkaqe historike, por jo gjuhësore gramatologjike. Asnjë alfabeti në botë nuk i kërkohet medoemos që çdo tingulli / foneme t’i korrespondojë një shkronjë e veçantë. Një ndër shkaqet kryesore që dyshkronjëshat vazhdojnë të qëndrojnë në alfabet lidhet pikërisht me këtë koncept  gabuar, i cili e barazon shkronjën me tingullin dhe tingullin me shkronjën. 

Alfabeti përbën një fakt themelor dhe provë materiale, që i inkuadron përdoruesit e tij në një zonë të caktuar kulturore. Rrjedhimisht, edhe alfabeti shqip është një fakt dhe një provë që i lidh shqiptarët në radhë të parë me popujt e Evropës Perëndimore, që e përdorën të parët këtë alfabet. Është alfabeti i romakëve të lashtë, alfabeti i Rilindjes Evropiane, alfabeti i Iluminizmit Evropian, është alfabeti më i përhapur i Evropës së Bashkuar. 

 

Në këtë kontekst, është e nevojshme që këtë shenjë të rëndësishme kulturore, alfabetin, ta krahasojmë me sivëllezërit e tij latinë të Evropës dhe të nxjerrim përfundimet e duhura. 

Nga ky krahasim shohim se: 

1) alfabetet e gjuhëve të Evropës nuk përmbajnë dyshkronjësha;

2) alfabetet e gjuhëve të Evropës nuk pasqyrojnë gjithë fonemat e atyre gjuhëve;

3) fonemat që nuk pasqyrohen në alfabet jepen nëpërmjet kombinimeve të dy ose më shumë shkronjave (dyshkronjësha, trishkronjësha, por edhe katërshkronjësha).

Në Evropë (por edhe jashtë saj) ka mjaft gjuhë që përdorin dyshkronjësha, por nuk i përfshijnë në listën e alfabeteve të tyre. Ja, për shembull: 

Anglishtja ka dyshkronjëshat <ai, au, aw, ay, ea, eu, cc, cn, ct, dd, dg, ee, ew, ey, ie, oa, oe, oi, oo, ou, ow, oy, ue, ye, bd, ch, ck, ff, gg, gh, gm, kn, ph, sh, th, wh, ng, ph, pn, ps, pt, rh, rr, sh, th, wh, wr>; frëngjishtja <ai, aî, aû, an, ay, eî, eu, eû, il, în, oê, oi, oî, ou, oû, ui, ym, yn, ch, dj, ph, qu, rh, sç, si>; gjermanishtja ka dyshkronjëshat (por ka edhe trishkronjësha dhe katërshkronjësha!!!) <ai, äu, ei, ee, au, eu, ie, oo, ui, ck, dt, pf, rh, sp, st, tz, >; greqishtja <αι, αυ, ει, ευ, ηυ, οι, ου, υι, γκ, γγ, μπ, ντ, τσ, τζ>; polonishtja <cz, dz, dź, dż, sz, rz, si>; portugalishtja <ãe, ãi, am, âm, an, ân, ão, em, ém, êm, en, én, ên, im, in, õe, om,on, ôn, ou, um, úm, un, ún, ch, nh, lh, qu, rr, sç, xs> ; norvegjishtja <aa, kj, øy, rn, sj, tj>; irlandishtja <ae, aí, ái, eá, éa, éi, eo, io,iu, iú, oí, ói, uí, úi, fh, mh>; islandishtja <au, hv>; finlandishtja <ii, yy>; italishtja <gl, gn, sc>; spanjishtja <cc, ch, ll, qu, rr>; hungarishtja <cs, cz, ly, ty>; madje edhe  vjetnamishtja kadyshkronjësha (dhe një trishkronjësh!) <ch, gh, gi, kh, ng, ngh, nh, ph, qu, th, tr> etj. etj. 

E merrni me mend se si do të ishin alfabetet e këtyre gjuhëve, nëse do të përfshinin në to gjithë dyshkronjëshat, trishkronjëshat apo edhe katërshkronjëshat! 

 

Kjo pamje duhet të na vërë në mendime për të rishikuar statusin e dyshkronjëshave në alfabetin shqip. A justifikohet sot prania e tyre në alfabet? Në 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit ne botuam një artikull në shtypin qendror ku argumentonim domosdoshmërinë e heqjes së dyshkronjëshave nga alfabeti shqip dhe theksonim se ka ardhur koha që ata të hiqen përfundimisht. Kanë kaluar 14 vjet qysh nga botimi i atij artikulli dhe ne vazhdojmë të besojmë edhe më shumë se më parë në domosdoshmërinë e këtij akti të domosdoshëm qytetërues. Sot, pas 114 vjetësh nga Kongresi i Manastirit, kur shoqëria shqiptare është më e kulturuar, më e emancipuar, jo vetëm ka ardhur, por nuk ka arsye të shëndoshë për të nguruar në marrjen e një vendimi të tillë historik. Duhet bërë në respekt të rilindësve, në respekt të vetë Kongresit të Manastirit, që vendosi për një alfabet evropian. Duhet bërë në respekt të atij brezi përdoruesish të paskongresit që nuk e lanë shoqërinë shqiptare në dualitetin e digrafisë, por zgjodhën pa mëdyshje versionin alfabetik të Shoqërisë «Bashkimi». Shoqëria e sotme, me institucione kulturore e arsimore të pakrahasueshme me ato të para 100 e ca viteve, ka për detyrë që ta përsosë këtë zgjedhje, që kryen njerëzit më të edukuar të kombit shqiptar. Shoqëria e sotme ka për detyrë të tregojë pjekuri për të vendosur në të mirë të prezantimit të vet kulturor përpara Evropës, përpara botës. Shoqëria e sotme nuk ka përse të vuajë as nga komplekset e regjionalizmit, as nga supersticionet e konservimit të një semiologjie tradicionale që kërkon dhe duhet të ndryshojë. 

Koha kur Shqipëria po përgatitet të hyjë në Bashkimin Evropian është më e përshtatshmja që ajo të mendojë të hyjë atje me një «mantel» të ri grafematik, të hyjë me një alfabet modern, me një alfabet pa dyshkronjësha. Sepse dyshkronjëshat nuk janë përfaqësimi dinjitoz i sistemit grafematik të vërtetë të shqipes. Shqipëria duhet të futet në Evropë me një alfabet evropian. Gjuhët e Evropës nuk i kanë përfshirë dyshkronjëshat në alfabetet e tyre. Edhe gjuha shqipe nuk duhet t’i ketë dyshkronjëshat në alfabetin e saj. 

Po ç’do të bëjmë pa dyshkronjëshat? Me ato ne jemi mësuar, do të thonë disa. Si do të bëjmë pa ta? 

Përgjigjja është: Pavarësisht se nuk do të jenë të përfaqësuar në alfabet, dyshkronjëshat do të mbeten në gjuhë, do të vazhdojnë të përdoren njësoj si më parë. Asnjë fije e sistemit shkrimor të shqipes nuk preket. Përjashtimi i dyshkronjëshave nga alfabeti nuk do ta ndiko aspak sistemin shkrimor. Shqipfolësit do të vazhdojnë të shkruajnë në të njëjtën mënyrë si para ashtu edhe pas heqjes së dyshkronjave nga alfabeti. Dhe këtu qëndron drejtësia e propozimit dhe e qëndrimit tonë: Nëse diçka do të ndryshonte në shprehitë e shkrimit të shqipes, atëherë po, do të bëhej fjalë për cenimin e një  mjeti komunikimi midis përdoruesve të gjuhës. Por nga kjo nuk ndikohet aspak mënyra e të shkruarit të gjuhës shqipe. Kështë një argument tjetër, që e përforcon idenë tonë se dyshkronjëshat janë të tepërt dhe nuk e kanë vendin në alfabet. 

 

Arsyet teorike dhe praktike mbështeten në faktin se alfabeti përmbledh tërësinë e grafemave (shkronjave) të një gjuhe. Një shkronjë përfaqësohet vetëm një herë në alfabet. Çdo dyshkronjësh, sikundër e tregon edhe emërtimi i tij, është kombinim i dy shkronjave. Dyshkronjëshat <GJ, NJ, LL, RR, TH, DH, SH, XH, ZH> janë të analizueshëm në shkronja / grafema më të vogla prej të cilave përbëhen: <G, N, L, R, T, D, S, X, Z, J, H>. Por këto shkronja janë tashmë në listën e alfabetit, prandaj rishfaqja e tyre bie ndesh me konceptin e sistemit, në të cilin elementet përbërëse përfaqësohen vetëm një herë. Nëse dyshkronjëshat do të përmbanin qoftë edhe një shkronjë të vetme që nuk do të ekzistonte në alfabet, atëherë diskutimi do të shtrohej ndryshe. 

 

Përveç kësaj, vërehet se edhe paraqitja grafike e dyshkronjëshave është e tillë, që duket qartë se ka dy elemente qartësisht të dallueshme e të pranëvendosura. Nuk ka asnjë shenjë grafike lidhëse, asnjë ligaturë, që t’i sjellë më afër njëra-tjetrës në një shkronjë të vetme. 

Edhe analiza e vetvetishme e përdoruesve i intepreton dyshkronjëshat si dy shkronja të veçanta e qartësisht të dallueshme. Nëse fjala e parë e fjalisë fillon me dyshkronjësh, atëherë vetëm shkronja e parë e dyshkronjëshit shkruhet e madhe. Nëse vërtet do të interpretohej si një shkronjë e vetme atëherë duhej të shkruheshin me shkronjë të madhe të dyjashkronjat e dyshkronjëshit. Domethënë shkruhet:

Shoku shkoi në shtëpi’ 

dhe jo 

*‘SHoku shkoi në shtëpi’. 

Një pjesë, madje, këtë mënyrë të shkruari e përdorin (duke propozuar një përdorim jonormativ) edhe nëpër shkurtesa, në kundërshtim me normën: *ShBA, *KLSh, *PSSh, *PDSh etj. 

Dyshkronjëshat nuk e kanë vendin në alfabet. Ky nuk është propozim, por konstatim. Duke pohuar këtë, ne nuk kemi bërë aspak një propozim, por kemi arritur në këtë përfundim pas një analize grafematike. Dyshkronjëshat objektivisht nuk e kanë vendin në alfabet  

 

Nga përjashtimi i dyshkronjëshave nuk ndryshojnë as dija jonë mbi shkrimin e leximin, as shprehitë tona të të shkruarit. Ne do të vazhdojmë të shkruajmë si më parë: <GJ, NJ, LL, RR, TH, DH, SH, XH, ZH>. Thjesht nuk do të themi se <GJ, NJ, LL, RR, TH, DH, SH, XH, ZH> janë shkronja të veçanta. Do të themi se tingulli /gj/ paraqitet në të shkruar nga kombinimi i shkronjave <G> dhe <J>, tingulli /nj/ paraqitet në të shkruar nga kombinimi i shkronjave <N> dhe <J>, tingulli /th/ nga kombinimi i shkronjave <T> dhe <H>, tingulli /dh/ nga kombinimi i shkronjave <D> dhe <H>, tingulli /sh/ nga kombinimi i shkronjave <S> dhe <H>, tingulli /xh/ nga kombinimi i shkronjave <X> dhe <H>, ndërsa tingulli /zh/ nga kombinimi i shkronjave <Z> dhe <H>; tingulli /ll/ paraqitet në të shkruar nga dyfishimi i shkronjës <L>, ndërsa tingulli /rr/ nga dyfishimi i shkronjës <R>. 

 

Duke bërë këtë, do të kuptohen edhe më mirë marrëdhëniet e vërteta brenda sistemit grafematik të shqipes. Do të kuptohet se grafemat e ndryshme ndikohen nga bashkëpërdorimi me njëra tjetrën. Kështu përveç funksionit të tyre kryesor, si shënuese e një tingulli / foneme, një grafemë si <J> ose <H> luan rolin e një shenje diakritike për të shënuar së bashku me një grafemë kryesore (së bashku me <G, N, T, D, S, X, Z>) një tingull / fonemë tjetër (<GJ, NJ, TH, DH, SH, XH, ZH>). Po ashtu, dyfishimi i një grafeme është një mënyrë tjetër për të shënuar një tingull / fonemë (<LL>, <RR>) fonetikisht të ngjashme me tingullin / fonemën e shënuar vetëm me një grafemë. 

 

Nga ana tjetër, do të kuptohen më mirë marrëdhëniet midis sistemit fonetik dhe atij grafematik, marrëdhëniet midis tingujve dhe shkronjave. Një traditë e konsoliduar shkrimore tejshekullore, siç po është përvijuar tashmë në shqipe, e thekson edhe më shumë pavarësinë relative të sistemit shkrimor. Marrëdhënia e tij me sistemin tingullor të shqipes nuk është e thjeshtëzuar në përkatësinë fonemë : grafemë. Kjo marrëdhënie është më komplekse dhe karakterizohet nga polivalenca grafematike dhe polivalenca fonematike, domethënë, një shkronjë mund të ketë disa funksione, mund të jetë shprehëse e më shumë se një tingulli, sikundër një fonemë mund të shprehet me disa grafema. Janë këto vetëm disa përfundime paraprake, në të cilat ndihmon të arrijmë konceptimi i ri dhe modern i alfabetit shqip, pa dyshkronjëshat. 

 

Në funksionin e numërimit me alfabetin latin, do të veprohet më natyrshëm, ashtu siç bëhet në praktikën botërore, duke përjashtuar dyshkronjëshat dhe duke përdorur vetëm shkronjat e alfabetit modern shqip.  

 

A do të ketë ndonjë vështirësi në praktikën e të shkruarit të shqipes pas heqjes së dyshkronjëshave nga alfabeti?

Asnjë vështirësi nuk do të ketë, sepse praktikisht asgjë nuk do të ndryshojë, përveç tabelës së alfabetit, e cila do të përfaqësohet vetëm me grafemat e thjeshta dhe jo me kombinimet e tyre. Shqiptarët do të vazhdojnë të shkruajnë njësoj si më parë, me të njëjtat rregulla drejtshkrimore në fuqi. Librat e botuar do të lexohen njësoj si më parë dhe nuk do të jetë nevoja e ribotimit të tyre. Nëse ribotohen, nuk do të ndryshojnë nga botimet e mëparshme. Dhe këtë tekst që po lexoni do ta shkruajmë, nëse do tashkruanim përsëri, do të përdornim të njëjtat shkronja, me pikë e me presje, sikundër këtu. 

 

Sigurisht, ka edhe diçka që do të ndryshojë pas kësaj. Do të jenë fjalorët e shqipes dhe fjalorët shqip-gjuhë e huaj, që do të kenë pamje moderne, sepse nuk do të kenë më zëra që të fillojnë me dyshkronjësha. Zërat e deritanishëm nën dyshkronjëshat do të inkuadrohen tek shkronja e parë e dyshkronjëshit. Kështu, për shembull, ata zëra që sot konsiderohet se fillojnë me <TH>, do të kalojnë tek shkronja <T>, ata që sot konsiderohet se fillojnë me <DH>, do të kalojnë tek shkronja <D> e kështu me radhë. Fjalorët e botuar deri tani do të jenë lehtësisht të përdorshëm, por do të kenë njëkohësisht një nëntekst ndërkohësie (diakroniciteti), përderisa do të kujtojnë një epokë të kaluar të shqipes kur dyshkronjëshat llogariteshin si shkronja të veçanta.  

 

Ne i mirëkuptojmë të gjithë ata që kundërshtojnë heqjen dyshkronjëshave nga alfabeti dhe e dimë se kanë një obsesion kundër argumenteve të një alfabeti me grafema të thjeshta. Por ky obsesion është i pamotivueshëm. Atyre u duket sikur u preket ndonjë simbol dhe i japin alfabetit një atribut shenjtërie e misticizmi, gjëra që nuk kanë asnjë kuptim. 

Alfabeti shqip nuk ka nevojë për asnjë shenjtëri; nuk ka nevojë për asnjë mistifikim. Ai është një përshtatje e alfabetit latin për shkrimin e shqipes. 

Alfabeti, po ashtu, nuk është shenjë identiteti kombëtar. Shenjë identitetit kombëtar është gjuha shqipe e shprehur nëpërmjet shkrimit, por jo alfabeti. 

Alfabeti është në të vërtetë shenjë e identitetit kulturor. Kur vendosën për përdorimin e shkronjave latine, shqiptarët morën jo vetëm një vendim kulturor, por edhe një vendim politik; një vendim, i cili konfirmonte orientimin perëndimor evropian të Shqipërisë në prag të pavarësisë së vet si shtet kombëtar. Një vendim që e afronte më shumë me Evropën. 

Edhe sot, nëse ka reagime negative kundër heqjes së dyshkronjëshave, ato përmbajnë në fakt një nënshtresë politike kulturore dhe jo gjuhësore. Disa mendojnë se preket vendimi historik i Kongresit të Manastirit. Mirëpo, këto janë paragjykime që nuk kanë asnjë bazë. E kundërta vlen: alfabeti si simbol nderohet dhe vlerësohet më shumë nëse paraqitet me fytyrën e vet të vërtetë grafematike. Heqja e dyshkronjëshave duhet kryer edhe si një detyrim moral ndaj Kongresit të Manastirit, një detyrim moral ndaj atyre që arritën të merreshin vesh për të hapur një faqe të re në histori.  

Nëse pranojmë se shoqëria shqiptare ka arritur një nivel kulturor që e vendos ndër kombet e përparuara të Evropës, «përjashtimi» i dyshkronjëshave jo vetëm që duhet pranuar, por duhet konsideruar si një domosdoshmëri e dobishme. Popujt e Evropës që përdorin shkrimin latin nuk kanë në alfabetet e tyre shkronja dyshe, nuk kanë dyshkronjësha. Një rast të veçantë përbëjnë vetëm serbët dhe kroatët, ndër të cilët ekziston dukuria e digrafisë (përdorimi i dy alfabeteve të ndryshme). 

Një shembull identik me atë të shqipes na jep historia e drejtshkrimit të spanjishtes. Spanjollët kanë pasur deri vonë në alfabetin e tyre tre dyshkronjësha: <RR>, <LL> dhe <CH>. Mirëpo, më 4 nëntor 2010 Akademia Mbretërore e Spanjës vendosi heqjen përfundimtare të dyshkronjëshave nga alfabeti spanjoll. Ky vendim u zbatua jo vetëm në Spanjë, por në të gjitha shtetet hispanofone të Amerikës Latine dhe kudo në botë. Duke vepruar kështu, Akademia Mbretërore e Spanjës rregulloi një «defekt» të alfabetit spanjoll duke lënë në të vetëm grafemat e thjeshta. 

Në fakt, dyshkronjësha mund të gjenden edhe në alfabetet e disa gjuhëve të tjera të botës jashtë Evropës. Në përgjithësi, prania e dyshkronjëshave nëpër alfabete është shenjë e një tradite munguese ose e një tradite të re grafematike. Përkundrazi, mosprania e dyshkronjëshave, përjashtimi i tyre nga alfabeti është shenjë e një tradite të konsoliduar dhe e një normaliteti grafematik. 

Ato shoqëri që kanë pranuar dyshkronjësha në alfabetin e gjuhëve të tyre e bëjnë për arsye praktike, sepse ekziston një paragjykim i pajustifikuar shkencërisht se, në qoftë se në alfabet përfaqësohen të gjithë tingujt e gjuhës, është më i lehtë për nxënësit mësimi i shkrimit dhe leximit. Mirëpo ky është thjesht një iluzion dhe pretendim i pambështetur. 

 

Por cilat janë ato gjuhë që në alfabetet e tyre përdorin dyshkronjësha? 

 

Këto gjuhë gjenden pak larg nga rrezja e përfshirjes kulturore të shqipes. Gjuha jingpo, për shembull, numëron në alfabetin e saj 46 grafema, prej të cilave 19 dyshkronjësha dhe trishkronjësha: <hp, ht, ts, zh, chy, ch, sh, hk, ng, br, pr, hpr, gr, kr, hkr, by, py, hpy, my, gy, ky, hky, ny>; kiswahili numëron në alfabetin e saj 8 dyshkronjësha: <ch, ng, sh, dh, gh, th, nj, ny>; sekti manichean përdor një alfabet prej 23 shkronjash, ndër të cilat njëra është dyshkronjësh (<wj>); disa gjuhë të Guinesë (Senegal, Gambia, Mauritani, Guinea-Bissau, Sierra Leone, Liberia, Mali, Burkina Faso, Niger, Çad, Republika e Afrikës Qendrore, Nigeri) kanë në përbërjen e alfabeteve të tyre dyshkronjësha si: <aa, ii, bv, cr, mb, nd, ee, oo, ng, nj, ny, uu>; në alfabetin e përgjithshëm të gjuhëve të Kamerunit janë përfshirë dyshkronjëshat <bv, cr,  dv, gv, hv, jr, lr, nr, sl, tf, vb, xf, zl, zr, ŋg, ŋk, ŋm>; në alfabetin popullor të latinizuar të gjuhës hmong përmbahen dyshkronjëshat <dl, hl, hm, hn, ml, nc, np, nq, nr, pl, qh, xy, >; alfabeti rom dhe alfabeti çeçen përmbajnë dyshkronjëshin <čh>; alfabeti seri përmban dyshkronjëshat <jöxö>; alfabeti uzbek dhe ai filipinez përmbajnë dyshkronjëshin <ng> etj. etj. 

 

Përfundimi? 

Tani, pyetja shtrohet: Gjuha shqipe do të klasifikohet grafematikisht dhe kulturalisht me gjuhët në dukje ekzotike të Azisë dhe Afrikës apo me gjuhët e Evropës? 

Do të vazhdojë të interpretojë dyshkronjëshat si një shkronjë të vetme, apo do t’i heqë nga alfabeti duke i ruajtur në sistemin shkrimor dhe duke i përdorur normalisht ashtu si deri më sot

Ja, këto kërkon autori i këtyre radhëve për alfabetin e gjuhës shqipe dhe është i sigurt se, po të veprohet kështu, prestigji i alfabetit dhe i kulturës shqiptare do të ngrihet në mënyrë të padiskutueshme. 

Le ta bëjmë alfabetin e shqipes evropian! Le të shkojmë në Evropë pa dyshkronjëshat! 

 

 

© Aristotel Spiro 

© Gazeta "Dita", 7 shtator 2022 

© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi vetëm në shtypin elektronik me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus" ose prej Gazetës "Dita" (https://gazetadita.al/si-te-hyjme-ne-evrope-me-nje-alfabet-modern/)

 

 

Friday, June 3, 2022

KULTURA SHQIPTARE KA PRESTIGJ MË TË LARTË ME NJË ALFABET PA DYSHKRONJËSHA


nga 

Aristotel Spiro 

 

Pas mjaft shkrimeve dhe artikujve kundër pranisë së dyshkronjëshave në alfabetin shqip u vërtetua pikërisht ajo që ne prisnim: një pjesë e vogël njerëzish, që nuk kanë shumë lidhje me ndonjë ideologji të kultivuar gjuhësore e kanë përkrahur këtë mendim si shumë të mbështetur. Një pjesë tjetër jo e pakonsiderueshme kanë qenë në përgjithësi kundër.  Kjo është e kuptueshme, aq më tepër kur ky reagim vjen pas disa diskutimeve publike të para disa viteve (me të cilat ne nuk kemi absolutisht asnjë lidhje), në të cilat kontestohej sistemi shkrimor i shqipes, domethënë propozoheshin  ndryshime nëpër shkronjat e shqipes në emër të një logjike më ekonomike apo në emër të zbatimit të parimit «një tingull - një shkronjë» etj. etj. Në këtë pjesë dyshimtarësh përfshihet edhe ndonjë mësues apo profesor i gjuhës shqipe. 

Një pjesë kolegësh ose mbajnë një heshtje miratuese, të drojtur për të nyjëtuar një ligjëratë publike, ose zgjedhin një heshtje mohuese, të pafuqishëm për t’iu futur një diskutimi mbi çështje gjuhësore që perceptohen si të mbyllura një herë e mirë. 

Nëse përkrahësit binden nga argumentet gramatologjike që japim, kundërshtarët nuk kanë asnjë argument, përveç argumenteve të llojit «Mirë jemi kështu», «E kanë vendosur këtë punë burrat e mençur të Kongresit të Manastirit», «Kemi një përvojë 114-vjeçare të botimit të librave shqip që nuk mund ta përmbysim». Madje një pjesë tjetër e vogël, që dalin nga llagëmet dhe gjirizet nacionaliste, mobilizojnë edhe mendimet e sëmura deri edhe shpifjet. 

Ne vërejmë me habi se një pjesë e madhe kundërshtarësh as që marrin mundimin të lexojnë argumentet tona, por konsiderojnë më të lehtë të kundërshtojnë a priori duke kujtuar se rrezikohet mjeti i komunikimit të tyre shkrimor. 

Ne, megjithatë, kemi sqaruar se përjashtimi i dyshkronjëshave nga alfabeti nuk e ndikon aspak sistemin shkrimor. Heqja e dyshkronjëshave nga alfabeti nuk nënkupton heqjen e tyre nga gjuha. Përkundrazi. Shqipfolësit do të vazhdojnë të shkruajnë në të njëjtën mënyrë si para ashtu edhe pas heqjes së dyshkronjave nga alfabeti. Dhe këtu qëndron drejtësia e propozimit dhe e qëndrimit tonë: Nëse diçka do të ndryshonte në shprehitë e shkrimit të shqipes, atëherë po, do të bëhej fjalë për cenimin e një  mjeti komunikimi midis përdoruesve të gjuhës. Por nga kjo nuk ndikohet aspak mënyra e të shkruarit të gjuhës shqipe. Është ky një argument tjetër që e përforcon idenë tonë se dyshkronjëshat janë të tepërt dhe nuk e kanë vendin në alfabet. Me një fjalë, dyshkronjëshat, edhe pse nuk janë pjesë e alfabetit, mbeten në përdorim. Nuk zhduken nga gjuha.

Arsyet teorike dhe praktike mbështeten në faktin se alfabeti përmbledh tërësinë e grafemave (shkronjave) të një gjuhe. Një shkronjë përfaqësohet vetëm një herë në alfabet. Çdo dyshkronjësh, sikundër e tregon edhe emërtimi i tij, është kombinim i dy shkronjave. Dyshkronjëshat <GJ, NJ, LL, RR, TH, DH, SH, XH, ZH> janë të analizueshëm në shkronja / grafema më të vogla prej të cilave përbëhen: <G, N, L, R, T, D, S, X, Z, J, H>. Por këto shkronja janë tashmë në listën e alfabetit, prandaj rishfaqja e tyre bie ndesh me konceptin e sistemit, në të cilin elementet përbërëse përfaqësohen vetëm një herë. Nëse dyshkronjëshat do të përmbanin qoftë edhe një shkronjë të vetme, që nuk do të ekzistonte në alfabet, atëherë diskutimi do të shtrohej ndryshe. 

Përveç kësaj, vërehet se paraqitja grafike e dyshkronjëshave është e tillë, që duket qartë se ka dy elemente qartësisht të dallueshme e të pranëvendosura. Nuk ka asnjë shenjë grafike lidhëse, asnjë ligaturë, që t’i sjellë më afër njëra-tjetrës në një shkronjë të vetme. 

Edhe analiza e vetvetishme e përdoruesve i intepreton dyshkronjëshat si dy shkronja të veçanta e qartësisht të dallueshme. Nëse fjala e parë e fjalisë fillon me dyshkronjësh, atëherë vetëm shkronja e parë e dyshkronjëshit shkruhet e madhe. Nëse vërtet do të interpretohej si një shkronjë e vetme atëherë duhej të shkruheshin me shkronjë të madhe të dy shkronjat e dyshkronjëshit. Domethënë shkruhet:

Shoku shkoi në shtëpi’ 

dhe jo 

*‘SHoku shkoi në shtëpi’. 

Një pjesë, madje, këtë mënyrë të shkruari e përdorin (duke propozuar një përdorim jonormativ) edhe nëpër shkurtesa, në kundërshtim me normën: *ShBA, *KLSh, *PSSh, *PDSh etj. 

Dyshkronjëshat nuk e kanë vendin në alfabet! Ky nuk është propozim, por konstatim. Duke pohuar këtë, ne nuk kemi bërë aspak një propozim, por kemi arritur në këtë përfundim pas një analize grafematike. Dyshkronjëshat objektivisht nuk e kanë vendin në alfabet!  

Renditja e tyre në alfabetin shqip ka shkaqe historike, por jo gjuhësore gramatologjike. Një ndër shkaqet kryesore lidhet me konceptin e gabuar që e barazon shkronjën me tingullin dhe tingullin me shkronjën. Në bazë të këtij koncepti u birësua parimi për krijimin e një alfabeti ku çdo tingulli t’i korrespondonte një shkronjë. Parimi «një tingull – një shkronjë» ishte kthyer në një kusht sine qua non për punëtorët e njësimit të alfabetit. Mirëpo, me pasurinë fonematike tingullore që ka, kjo nuk ishte e mundur për shqipen. Prandaj, Kongresi i Manastirit miratoi jo një, por dy alfabete, duke dhënë një zgjidhje digrafie, siç ishte rasti i serbokroatishtes fqinje, e cila është shkruar me dy alfabete. 

Megjitatë, ndryshe nga rasti i serbokroatishtes, zgjidhja e digrafisë që dha Kongresi i Manastirit, nuk e pati jetën të gjatë, sepse nga ana gramatologjike të dy alfabetet nuk kishin ndonjë ndryshim të madh, nuk përfaqësonin «skripte» të ndryshme: ishin të dy të bazuar mbi alfabetin latin, me përjashtim të disa shkronjave të huaja që përdoreshin në versionin alfabetik të Shoqërisë së Stambollit. 

Duke mos qenë shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri, prej dy versioneve do të mbijetonte vetëm njëri. Dhe mbijetoi ai që ishte më sistematik e më koherent: alfabeti me shkronjat thjesht latine. Alfabeti i propozuar nga Shoqëria e Stambollit nuk përmbante dyshkronjësha (përveç <RR>-së), por ishte alfabeti kryesor për të cilin vendosi Kongresi i Manastirit. Ishte, me një fjalë, në rolin e referentit. Alfabeti që solli Shoqëria «Bashkimi» nuk përgjithësonte zbatimin e parimit një shkronjë për çdo tingull të shqipes, sepse nuk përdorte shenjat diakritike (përveç <Ë>-së dhe <Ç>-së) për të krijuar shkronja të thjeshta kompakte. Kështu, për arsye të një simetrie funksionale, atje ku mungonte shkronja e veçantë vendosi kombinime dy shkronjash. Nëse do të ishte miratuar vetëm alfabeti i Shoqërisë «Bashkimi» nuk do të ishte nevoja që të numëroheshin dyshkronjësha në alfabet. Në një rast të tillë, ne besojmë se qysh në fillim dyshkronjëshat nuk do të përfaqësoheshin në alfabet. Por edhe nëse do të ishin përfshirë, për arsye praktike, prapë kjo gjuhësisht do të përbënte gabim. 

Ne e kuptojmë se mjaft kundërshtarë të heqjes së dyshkronjëshave nga alfabeti kanë një obsesion kundër argumenteve të një alfabeti me grafema të thjeshta. Por ky është një obsesion i pamotivueshëm. Atyre u duket sikur u preket ndonjë simbol dhe i japin alfabetit një atribut shenjtërie e misticizmi, të cilat nuk kanë asnjë kuptim. 

Alfabeti shqip nuk ka nevojë për asnjë shenjtërim dhe për asnjë mistifikim. Ai është një përshtatje e alfabetit latin për shkrimin e shqipes. 

Alfabeti, po ashtu, nuk është shenjë e identitetit kombëtar. Shenjë identiteti kombëtar është gjuha shqipe e shprehur nëpërmjet shkrimit, por jo alfabeti. 

Alfabeti është në të vërtetë shenjë e identitetit kulturor. Kur vendosën për përdorimin e shkronjave latine, shqiptarët morën jo vetëm një vendim kulturor, por edhe një vendim politik; një vendim, i cili konfirmonte orientimin perëndimor evropian të Shqipërisë në prag të pavarësisë së vet si shtet kombëtar. 

Shumë reagime negative kundër heqjes së dyshkronjëshave kanë në fakt një nënshtresë politike kulturore dhe jo gjuhësore. Njerëzit mendojnë se u preket një simbol. Mendojnë se preket vendimi historik i Kongresit të Manastirit. Mirëpo, këto janë paragjykime që nuk kanë asnjë bazë. 

Nëse pranojmë se shoqëria shqiptare ka arritur një nivel kulturor që e vendos në kombet e përparuara të Evropës, «përjashtimi» i dyshkronjëshave jo vetëm që duhet pranuar, por duhet konsideruar si një domosdoshmëri e dobishme. Popujt e Evropës që përdorin shkrimin latin nuk kanë në alfabetet e tyre shkronja dyshe, nuk kanë dyshkronjësha. Përjashtim bëjnë vetëm serbët dhe kroatët, ndër të cilët ekziston dukuria e digrafisë (përdorimi i dy alfabeteve të ndryshme). 

Një rast identik me atë të shqipes na jep historia e drejtshkrimit të spanjishtes. Spanjollët kanë pasur deri vonë në alfabetin e tyre tre dyshkronjësha: <RR>, <LL> dhe <CH>. Mirëpo, më 4 nëntor 2010 Akademia Mbretërore e Spanjës vendosi heqjen përfundimtare të dyshkronjëshave nga alfabeti spanjoll. Ky vendim u zbatua jo vetëm në Spanjë, por në të gjitha shtetet hispanofone të Amerikës Latine dhe kudo në botë. Duke vepruar kështu, Akademia Mbretërore e Spanjës rregulloi një «defekt» të alfabetit spanjoll duke lënë në të vetëm grafemat e thjeshta. 

Në fakt, dyshkronjësha mund të gjenden edhe në alfabetet e disa gjuhëve të tjera të botës jashtë Evropës. Në përgjithësi, prania e dyshkronjëshave nëpër alfabete është shenjë e një tradite munguese ose e një tradite të re grafematike. Përkundrazi, mosprania e dyshkronjëshave, përjashtimi i tyre nga alfabeti është shenjë e një tradite të konsoliduar dhe e një normaliteti grafematik. 

Ato shoqëri që kanë pranuar dyshkronjësha në alfabetin e gjuhëve të tyre e bëjnë për arsye praktike, sepse ekziston një paragjykim i pajustifikuar shkencërisht se, në qoftë se në alfabet përfaqësohen të gjithë tingujt e gjuhës, është më i lehtë për nxënësit mësimi i shkrimit dhe leximit. Mirëpo ky është thjesht një iluzion dhe pretendim i pambështetur. 

Në Evropë dhe jashtë saj ka mjaft gjuhë që përdorin dyshkronjësha, por nuk i përfshijnë në listën e alfabeteve të tyre janë. Për shembull: 

Anglishtja me dyshkronjëshat <ai, au, aw, ay, ea, eu, cc, cn, ct, dd, dg, ee, ew, ey, ie, oa, oe, oi, oo, ou, ow, oy, ue, ye, bd, ch, ck, ff, gg, gh, gm, kn, ph, sh, th, wh, ng, ph, pn, ps, pt, rh, rr, sh, th, wh, wr>; frëngjishtja me dyshkronjëshat <ai, aû, an, ay, eî, eu, eû, il, în, oê, oi, oî, ou, oû, ui, ym, yn, ch, dj, ph, qu, rh, sç, si>; gjermanishtja me dyshkronjëshat (por edhe trishkronjëshat dhe katërshkronjëshat!!!) <ai, äu, ei, ee, au, eu, ie, oo, ui, ck, dt, pf, rh, sp, st, tz, >; greqishtja me dyshkronjëshat <αιαυειευηυοιουυιγκγγμπνττστζ>; polonishtja me dyshkronjëshat <cz, dz, dź, dż, sz, rz, si>; portugalishtja me dyshkronjëshat <ãe, ãi, am, âm, an, ân, ão, em, ém, êm, en, én, ên, im, in, õe, om,on, ôn, ou, um, úm, un, ún, ch, nh, lh, qu, rr, sç, xs> ; norvegjishtja me dyshkronjëshat <aa, kj, øy, rn, sj, tj>; irlandishtja me dyshkronjëshat <ae, aí, ái, eá, éa, éi, eo, io,iu, iú, oí, ói, uí, úi, fh, mh>; islandishtja me dyshkronjëshat <au, hv>; finlandishtja me dyshkronjëshat <ii, yy>; italishtja me dyshkronjëshat <gl, gn, sc>; spanjishtja me dyshkronjëshat <cc, ch, ll, qu, rr>; hungarishtja me dyshkronjëshat <cs, cz, ly, ty>; madje edhe  vjetnamishtja me dyshkronjëshat (dhe një trishkronjësh!) <ch, gh, gi, kh, ng, ngh, nh, ph, qu, th, tr> etj. etj. 

 

Por ka edhe gjuhë që në alfabetet e tyre përdorin dyshkronjësha!!! 

 

Ç’është e vërteta, ka edhe gjuhë që nëpër alfabetet e tyre kanë përfshirë dyshkronjësha. Këto gjuhë gjenden pak larg nga rrezja e përfshirjes kulturore të shqipes. Për shembull: 

Gjuha jingpo numëron në alfabetin e saj 46 grafema, prej të cilave 19 dyshkronjësha dhe trishkronjësha: <hp, ht, ts, zh, chy, ch, sh, hk, ng, br, pr, hpr, gr, kr, hkr, by, py, hpy, my, gy, ky, hky, ny>; kiswahili numëron në alfabetin e saj 8 dyshkronjësha: <ch, ng, sh, dh, gh, th, nj, ny>; sekti manichean përdor një alfabet prej 23 shkronjash, ndër të cilat njëra është dyshkronjësh (<wj>); disa gjuhë të Guinesë (Senegal, Gambia, Mauritani, Guinea-Bissau, Sierra Leone, Liberia, Mali, Burkina Faso, Niger, Çad, Republika e Afrikës Qendrore, Nigeri) kanë në përbërjen e alfabeteve të tyre dyshkronjësha si: <aa, ii, bv, cr, mb, nd, ee, oo, ng, nj, ny, uu>; në alfabetin e përgjithshëm të gjuhëve të Kamerunit janë përfshirë dyshkronjëshat <bv, cr,  dv, gv, hv, jr, lr, nr, sl, tf, vb, xf, zl, zr, ŋg, ŋk, ŋm>; në alfabetin popullor të latinizuar të gjuhës hmong përmbahen dyshkronjëshat <dl, hl, hm, hn, ml, nc, np, nq, nr, pl, qh, xy, >; alfabeti rom dhe alfabeti çeçen përmbajnë dyshkronjëshin <čh>; alfabeti seri përmban dyshkronjëshat <jöxö>; alfabeti uzbek dhe ai filipinez përmbajnë dyshkronjëshin <ng> etj. etj. 

 

Përfundimi? 

Tani, pyetja shtrohet: Gjuha shqipe do të klasifikohet grafematikisht dhe kulturalisht me gjuhët në dukje ekzotike të Azisë dhe Afrikës, apo me gjuhët e Evropës? 

Do të vazhdojë të interpretojë dyshkronjëshat si një shkronjë të vetme, apo do t’i heqë nga alfabeti duke i ruajtur në sistemin shkrimor dhe duke i përdorur normalisht ashtu si deri më sot

Ja, këto kërkon autori i këtyre radhëve për alfabetin e gjuhës shqipe dhe është i sigurt se, po të veprohet kështu, prestigji i alfabetit dhe i kulturës shqiptare do të ngrihet në mënyrë të padiskutueshme. 

 

© Aristotel Spiro 

© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi vetëm në shtypin elektronik me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”  

Tuesday, May 31, 2022

A DO TË PËRFSHIHET ALFABETI NË DISKUTIMIN E NJË REFORME DREJTSHKRIMORE?

Alfabeti i Naum Veqilharxhit

 

A do të përfshihet alfabeti në diskutimin e një reforme drejtshkrimORE? 

 

nga 


Aristotel Spiro 

 

Historia e drejtshkrimit shqip ka ndjekur në përgjithësi një rrugë praktike, duke synuar zgjidhjen e çështjeve që kanë qenë hera-herës në rend të ditës. Kjo është një veçori që ka karakterizuar jo vetëm drejtshkrimin e shqipes, por edhe drejtshkrimet e gjuhëve të tjera. Nevojat praktike, implikimi i një mase të madhe të interesuarish, përtej teoricienëve e «teknokratëve» të gjuhësisë, kanë bërë që të jepen zgjidhje konkrete, pa pritur që të prononcohen më parë specialistët për këtë apo atë çështje. 

Por duke ndjekur këtë rrugë empirike drejtshkrimi në shumë gjuhë, lejoi që të kultivohen disa perceptime të gabuara për marrëdhëniet midis sistemit fonetik dhe atij grafematik. Kështu, shpeh herë është fshirë praktikisht dallimi midis «tingullit» dhe «shkronjës». Nëpërmjet «shkronjës» nënkuptohet «tingulli» dhe anasjelltas. Kjo është e kuptueshme, nëse kemi parasysh që i gjithë qytetërimi ynë shprehet në fund të fundit gjuhësisht, është qytetërimi i «shkronjave». Rrugëtimi i çdo kombi drejt qytetërimit zë fill nga «udha e shkronjave». Edhe perceptimi shkencor për fonemat nuk mund të shprehet pa paraqitjen e tyre grafike. 

Shkenca e shkrimit, gramatologjia, ka qenë thuajse e panjohur në Shqipëri. Madje ky emër (gramatologji) është shpërdorur për të emërtuar historinë e teksteve gramatikore. Është për këtë arsye që shumë koncepte mbi marrëdhëniet midis «tingullit» dhe «shkrimit» ngatërrohen dhe shkaktohet shumë pështjellim në ligjëratën publike. Nëse gramatologjia do të ishte futur si lëndë në shkollat e larta, e trupëzuar për shembull tek lënda e praktikumit ose e historisë së standardit gjuhësor, këto koncepte do të ishin sot më të qarta dhe do të harxhonim shumë më pak energji për të sqaruar gjëra të thjeshta. Për fat të keq, ne ende e vërtisim ligjëratën publike dhe argumentimin gjuhësor në një rreth vicioz, ku logjika shkencore përplaset me paragjykimet dhe tabutë jashtëgjuhësore. 

Një nga çështjet e mbetura pezull që nga Kongresi i Manastirit është edhe ajo e dyshkronjëshave, që kanë mbetur në alfabet si pasojë e asaj zgjidhjeje dualiste që u dha: një alfabet me dy versione. 

Koha ka ardhur që të kalohet nga një fazë parashkencore në fazën shkencore të gramatologjisë dhe kombinimet e dy ose më shumë shkronjave të mos llogariten më si një shkronjë. Ky është edhe mësimi më elementar i sistemit shkrimor: në alfabet përfaqësohen vetën shkronjat dhe jo kombinimet e tyre. Në bazë të këtij parimi gjuha shqipe ka 36 fonema, por 27 shkronja. Kombinimet e shkronjave, dyshkronjëshat, nuk janë shkronja më vete dhe nuk kanë vend në alfabet. 

Për këtë jemi shprehur disa herë më parë. 

Nuk ka kuptim të diskutohet për sistemin e shkrimit shqip pa u shprehur qartë për këtë çështje shumë të rëndësishme. Asnjë reformë drejtshkrimore nuk mund të jetë e saktë dhe e plotë nëse nuk zgjidh këtë parregullsi në shqipe. 

Disa nxitojnë të thonë jo, sepse kujtojnë se do të «zhduken» dyshkronjëshat. Ata i qetësojmë duke i siguruar se dyshkronjëshat mbeten, por nuk përfshihen në listën e alfabetit, ashtu siç bëhet në gjuhët e kombeve të qytetëruara. 

Është për të ardhur keq që këtë çështje kaq të thjeshtë teorike disa kolegë gjuhëtarë nuk kanë guximin ta kuptojnë dhe ta pranojnë.

E mira është që të përdoren argumente shkencore dhe jo patetikë patriotike. Duke lënë mënjanë çdo patetikë të padobishme, u bëhet nder edhe atyre burrave që vendosën për alfabetin. Zgjidhja e Kongresit të Manastirit për dy versione nuk i rezistoi kohës. Praktika shkrimore afirmoi njërin prej dy versioneve, ndërsa tjetri, ai i «Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip» nuk përdoret më. Por si rrjedhojë e atij dualizmi fillestar alfabetik është ekzistenca e dyshkronjëshave. Mund të thonë që DY shkronjat janë baras me NJË shkronjë. Unë këtë, me gjithë mirëkuptimin për logjikën që ata mobilizojnë, nuk mund ta pranoj. Dyshkronjëshat përbëjnë një anomali në alfabet. Asnjë gjuhë tjetër evropiane nuk i ka dyshkronjëshat në alfabet. I njëjti fenomen konstatohet me kroatishten, ku ka dyshkronjësha, për arsye të dualizmit grafematik që ekzistonte në serbokroatishte, ku krahas alfabetit latin përdoren edhe alfabeti cirilik, në të cilin nuk ka kombinime shkronjash, por grafema të thjeshta. 

Ndryshon puna me shkronjat Ë dhe Ç, të cilat kanë integritet gramatikor, kanë veçori dalluese nga gjithë shkronjat e tjera të alfabetit. Ë-ja, veç kësaj, ka edhe frekuencën më të lartë në shqipe. Prandaj ajo përbën shkronjë të veçantë, që nuk përsëritet në asnjë shkronjë tjetër, prandaj nuk mund të mungojë nga lista e alfabetit. Po ashtu edhe shkronja Ç.  

Vënia e shenjës së barazimit midis tingujve dhe shkronjave - për ta thënë thjesht - është një gabim që nuk i falet jo vetëm gjuhëtarit, por as mësuesit të gjuhës. Po ashtu, tjetër është alfabeti, tjetër është sistemi grafematik. Druaj se këto koncepte, edhe pse mund të mos jenë kaq të vështira, nuk merren parasysh sa duhet. 

Hyjnizimi dhe shenjtërimi i alfabetit është një mënyrë e papërshtatshme për shmangien e përgjegjësisë shkencore. Gjuhëtari i shikon faktet në sy dhe i përballon me logjikën argumentuese shkencore. Dhe në këtë argumentim përdoren konceptet e grafematikës. Duke qenë se alfabeti është inventar grafemash dhe jo fonemash, atëherë nuk llogariten si grafema të thjeshta kombinimet e dy grafemave. Kaq e thjeshtë është kjo!

Është një dashuri e pakuptueshme dhe e pashpjegueshme kjo me dyshkronjëshat. Nuk mund të përbëjnë aspak element identiteti kulturor dyshkronjëshat. As element identiteti të gjuhës, as element identiteti kombëtar. Ndoshta me njëfarë rezerve, mund të ishte e tillë shkronja Ë, e cila ka përdorim shumë të dendur. Por kjo shkronjë do të vazhdojë të jetë pjesë përbërëse e alfabetit dhe nuk mund të hiqet, për arsyet që përmendëm më sipër. 

Ka dy rrugë përpara: pranimi ose refuzimi i dyshkronjëshave. 

Një reformë drejtshkrimore shqipe nuk do të kishte kuptim pa diskutimin për alfabetin. Nuk do të kishte kuptim pa heqjen përfundimtare të dyshkronjëshave prej tij. 

Për sa kohë që kombinimet e dy shkronjave do të quhen një shkronjë, do të bëhet një kompromis me pavërtetën. Por një gjë është e sigurt: jo të gjithë mendojnë ashtu. 

Do të vijë një kohë që alfabeti shqip do të paraqitet me dinjitet shkencor, pa dyshkronjëshat. Por këtë do ta bëjnë ata që nuk kanë frikë nga e vërteta shkencore. Dhe nëse në kohët e sotme nuk ka burra për ta bërë, me siguri do të vijë koha që do të ketë. Dhe mund të mos jenë vetëm burra, por edhe gra.



© Aristotel Spiro 

© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi vetëm në shtypin elektronik me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”  

Wednesday, May 18, 2022

NJË DITË PAS «DEZERTIMIT» TË ISMAIL KADARESË

 


NJË DITË PAS «DEZERTIMIT» 

TË ISMAIL KADARESË 

 

nga 

Aristotel Spiro

 

Ishte një ditë vjeshte e vitit 1990. Viti akademik sapo kishte filluar. 

Dola nga Biblioteka Kombëtare me një libër të Ricosit nëpër duar. Ndihesha disi i ngazëllyer që më në fund kisha mundësi ta huaja librin dhe ta lexoja i qetë poetin grek në origjinal. Dy librat e përkthyer në shqip i kisha lexuar, por unë kërkoja të lexoja më shumë, të njihja një Ricos tjetër, përtej atij të prezantuarit si poeti i realizmit socialist. Tek po kaloja rrugën e Elbasanit, në një librari më bëri përshtypje libri më i ri i Ismail Kadaresë «Ftesë në studio». E bleva pa mendim të dytë dhe, me t’u kthyer në shtëpi, nisa ta shfletoja menjëherë. E kam zakon që në fillim e këqyr librin mbarë e prapë dhe jo rrallë, në rast se bëhet fjalë për tregime a poezi, ta nis nga fundi ose nga mesi. 

Ky libër i fundit i Ismailit nuk ishte si gjithë të tjerët. Ishte një mirëseardhje në mjedisin intim të krijuesit, një rrëfim pengjesh krijuese, evokim njerëzish realë, që ecejaknin midis memuaristikës dhe trillimit letrar. 

Një pjesë të librit e zinin 32 poezi. Megjithëse 54-vjeçar, Ismaili tingëllonte ende i freskët edhe në poezi. Dhe sidomos me një shprehje moderne, një sintaksë poetike që tingëllonte si sfidë përballë gjuhës së drunjtë të propagandës njëpartiake dhe letërsisë së realizmit socialist. Arrita në një faqe që kishte një poezi të «çuditshme»: 

Ajo ngjante me një mesazh të koduar, sidomos në dy vargjet e fundit:  

................................................

Si udhëtari me peshë të tepërt

Para avionit që niset pas pak

I ngarkuar rëndshëm ende

Do t’afrohem tek varri humbak.

 

Nga supet si ta heq këtë barrë?

Ku ta hedh këte peshë, si?

Me të s’mund të zbres atje poshtë

Por as lart dot s’e lë kurrsesi.

 

I menduar gjer në çast të fundit

Nga mosthënia, nga pengu tragjik,

Një shenjë ndoshta të pakuptueshme

Do t’ju bëj të gjithëve e do ik.

 

Ç’mund të ishte kjo ikje e poetit? Ç’metafora fshiheshin nën ato vargje? 

 

U desh të prisja nja dy javë të tjera që të hyja në kuptimin e dy vargjeve të fundit. Ajo ditë e 25 tetorit 1990 mund të ishte një ditë si gjithë të tjerat. Por nuk ishte e tillë. S’kishte se si. Ismail Kadareja kishte kërkuar strehim politik në Francë. Gazeta «Zëri i Popullit» me anë të një lajmi të shkurtër e kishte cilësuar «dezertor». Një lajm i dëshpëruar, por gjithsesi fyes, jo vetëm për I. Kadarenë, por edhe për ne, atë kohë krijues të rinj, që e shihnim si patriarkun e letërsisë shqipe dhe atin tonë letrar. 

I. Kadareja ishte për ne shpresa, ishte ai që na jepte kurajë për të jetuar dhe na mbushte me ndjenja krenarie. Ishte materializimi i së arritshmes. Ishte ai që arrinte të rrëzonte barrierat e kohës, që ia doli të thyente tabutë, shkrimtari dhe poeti i formuar në Lindje, me mendësi dhe prodhim letrar origjinal modern, të admirueshëm e të lakmueshëm në Perëndim, që e çoi më në fund edhe fizikisht drejt Perëndimit. 

Ai ishte në njëfarë mënyre prej kohësh i lirë, duke krijuar një univers letrar me personazhe që vepronin në kontekste që injoronin jo vetëm gjeografinë komuniste, por edhe ideologjinë e saj. Por si mund të ndihej ai i lirë, kur personazhet dhe lexuesit e tij, bashkatdhetarët e tij, shprehës i të cilëve ishte prej dekadash, jetonin të mpirë nën dimrin totalitarist? 

Dhe ja tani, ai, ylli ynë letrar kishte përshkuar një trajektore diverguese duke u larguar nga Shqipëria. Perënditë e Olimpit komunist shqiptar e kishin shpallur «dezertor». Por bashkë me të, kishin shpallur dezertorë edhe lexuesit dhe admiruesit e tij, që ishim me qindra mijëra. Askush nuk mund të merrte përsipër një fushatë dënimi publik të shkrimtarit të madh. Asnjë fjalë nuk u tha më shumë përtej atyre rreshtave dëshpërues të gazetës «Zëri i popullit» që e shpallte dezertor. 

Një gëzim më kishte pushtuar trupin, përzier me një shqetësim e pasiguri në mendje. Nuk mund të shtireshim sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Duhej të thoshim diçka, t’i hapeshim njëri-tjetrit. Por si mund të bëhej kjo publikisht? Regjimi totalitar ishte ende i fortë dhe pasojat e një kritike të hapur mund të ishin fatale. 

Megjithatë, vendosa të bëja diçka. Duhej të gjeja një mënyrë për të thënë: «Unë jam me Ismail Kadarenë!». Dhe e gjeta. Ku kishte mënyrë më të mirë sesa letërsia për të shprehur mbështetjen për I. Kadarenë! 

Ajo ditë më gjeti në auditor përpara studentëve të mi. Ishte ora e gramatikës historike. Ishte e qartë se mësimi nuk mund të fillonte si zakonisht. Salla ishte si e elektrizuar. Çka ndodhte jashtë pasqyrohej menjëherë brenda. Studentët nuk prisnin një orë të zakonshme dhe unë këtë e dija. Por ç’mund të thuhet në një orë të gramatikës historike për një ngjarje politike? Askush nuk mund ta plotësonte boshllëkun e krijuar. Do të hiqeshim sikur nuk dinim gjë, sikur s’kishim kuptuar asgjë, sikur ishim të përkushtuar në orën e mësimit duke mashtruar njëri-tjetrin. 

Në çantë kisha një poezi të J. Ricosit, të titulluar «Themistokliu». E kisha përkthyer kohë më parë dhe e mbaja të daktilografuar gjithmonë më vete. Megjithëse tema ishte e lashtë, dukej sikur ishte krijuar posaçërisht për atë ngjarje që sapo kishte ndodhur. Në një interpretim ideologjik e politik të luftës së ftohtë, mund të konstatoje paralelizma midis ikjes së Themistokliut në Persi dhe Kadaresë në Francë. 

– Përpara se të fillojmë mësimin, do t’ju lexoj një poezi, - u thashë studentëve. – Është një poezi e poetit grek Janis Ricos.  

Një fillim i tillë i orës së gramatikës historike mund të tingëllonte si një lajthitje e profesorit. Unë isha vërtet i emocionuar. Nuk mbaj mend se si e lexova poezinë. Por ndieja se më ndiqnin me shumë vëmendje. 

 

JANIS RICOS (1909-1990)

 

THEMISTOKLIU 

 

Thonë se eshtrat e tij i sollën në atdhe, 

sipas porosisë që ai kishte lënë 

për t’ia vendosur fshehtas athinasve në Atikë...

TUKIDIDI, CXXXVIII

 

Ai që vendit i dha dritë, sikundër rrallëkush, ai që e dinte aq mirë

se çdo çlirim do të thosh një tjetër robëri më e madhe, 

fort më e keqe se e para, ai mendjendrituri, prej nesh së gjithë më i zoti, tani 

i dyshimtë, i keqkuptuar, fillikat, i përndjekur, 

nga athinas e lakedemonë tok, - e të mos gjejë 

mbrojtje as në Korkyrë (ku e quanin bamirësin e vet). Kështu, 

duke mos pasur një rrugë më të mirë, shkoi tek armiqtë shpëtim të kërkojë 

(megjithëse e dinte, kaq donin të tjerët: «Ja shenjë e fajësisë së tij!»,

«S’u bindët me kaq?», «Ja, tradhtia e tij duket hapur!». Dhe ai

kruspull aty në vatër, me foshnjën e Admetit në duar, 

katandisur lypsar që ta mëshironte armiku. Dhe pastaj

në vise t’Artakserksit, - sa të hidhëta i dukeshin pritjet, edhe pse më pompoze, 

sa letra e premtime – dhurata e ndere barbarësh: 

krejt Magnezia si bukë, Lapsaku si verë, Myunta si meze, 

por ai – kundërshto, kërko prapë afate, jep shfajësime: 

të mësonte më parë persishten, të fliste vetë me mbretin, pa pasur të tretë, 

pa përkthime e përçudnime të pashmangshme – gjithçka do t’ia thoshte:

                                                                            Si? Çfarë? Kur? - 

asgjë s’do të fshihte – fortesat e fshehta, pikat e dobëta, 

                                                                           Gjersa më  në fund.

Në darkë të «takimit të madh», tek pa durim po priste Artakserksi

veshur me rrobat ceremoniale , ai veshi rrobat greke që kish sjellë prej atdheut, 

tani të zbëdhylura krejt, iu afrua qetësisht tryezës së stërgdhendur 

dhe miqve u dhkroi një porosi të vogël: «Eshtrat m’i çoni diku

në Atikë, fshehtas athinasve». Ah, po, në Atikë. Dhe gotën e shprazi në çast gjer në fund. 

Atje e gjetën po atë natë me rrobat mjerane,

më në fund të pajetë e të qetë. Dhe mbajtën persët për të zi të thellë. 

                                                                           Gjer më sot

në agoranë e Magnezisë lartohet ende përmendorja e ndritur. Sa për tjetrën,

për porosinë domethënë, as që e morëm vesh në i mbërritën në Atikë 

                                                                           ndonjëherë eshtrat.

16.IV.1968

 

Sapo mbarova recitimin, një studente nuk u përmbajt: 

– Po kjo sikur është shkruar për Kadarenë! A mund të ma jepni mua ta kopjoj? 

Auditori tani ishte elektrizuar më shumë. Studentët ishin të çliruar nga ankthi dhe pasiguria. Heshturazi i ishin kundërvënë qëndrimit të  udhëheqjes komuniste të Tiranës dhe makinës propagandistike të goditur rëndë. 

Ismail Kadareja mbetej përjetë shkrimtari ynë i dashur dhe shenja e tij e pakuptueshme kishte marrë tashmë një kuptim të qartë pas ikjes, «arratisjes» së tij në Francë.


© Aristotel Spiro 

© ExLibris, 2022

© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi vetëm në shtypin elektronik me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”