Friday, November 10, 2017

ÇMITIZIMI SI EMANCIPIM INTELEKTUAL: DALJA NGA EGOCENTRIZMI GRAFEMATIK.

Nga Aristotel Spiro

Rimarrja e temës së çmitizimit bart në vetvete rrezikun e keqkuptimit. Shpeshherë përmendja e temave që janë pranuar nga opinioni shoqëror e intelektual si aksioma kanë shkaktuar masivisht reagime negative. 
E drejta përkrahet zakonisht nga një numër i vogël individësh, zëri i të cilëve mbytet përballë këmbënguljes së pafajshme të mediokrëve dhe jomediokrëve për të mos përdorur arsyen.
Në të vërtetë, problemi nuk krijohet mes kontestuesit dhe mitit, por mes kontestuesit dhe mbrojtësve të mitit.
Para disa vitesh, kur me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit, kisha përgatitur një shkrim ku argumentoja se dyshkronjëshat nuk mund të llogariten si një shkronja të veçanta të alfabetit, një çupkë redaktore e një gazete kryesore të Tiranës picërroi sytë me një panik refuzues. 
Artikulli u botua gjithsesi në një gazetë tjetër kryesore, tek «Shekulli» dhe pati edhe një debat të shkurtër publik, ku një koleg i Universitetit të Tiranës u përgjigj me një shkrim të gjatë të botuar në dy numra, thelbi i të cilit ishte se «Kongresi i Manastirit dha një zgjidhje historike») (http://www.arkivalajmeve.com/mitizmi-i-diskutimit-per-alfabetin.170432).
Me këtë pohim, në të vërtetë, isha pozicionuar edhe vetë që në fillim të shkrimit tim, duke shtuar se dyshkronjëshat u përdorën për arsye praktike, për të vendosur një lidhje përkatësie me alfabetin  e propozuar kryesisht nga Shoqëria e Stambollit, i përbërë vetëm prej njëshkronjëshash.
Gjithsesi, është më e thjeshtë e më komode mbrojtja e miteve, sesa të trazimi i ujërave të ndërgjegjeve kolektive. 
Por e thëna mbetet aty, për t'u gjykuar nga drejtësia e kohës. 


Në atë shkrim argumentoja gjithashtu (për herë të parë në një diskutim publik) edhe domosdoshmërinë e futjes në alfabet të shkronjës W, për disa arsye (ngritja e nivelit kulturor të shqipfolësve; kontaktet më të ngushta me kulturën botërore; denduria e përdorimit të saj etj.). 
U ndjeva se kisha të drejtë kur këtë ide e gjeta të mishëruar në një «Fjalor drejtshkrimor» që u botua më vonë (2011) me autorë A. Dhrimo dhe R. Memushaj. Në këtë fjalor W-ja përfaqësohet veçmas me lema që nisin me këtë shkronjë.
U hodh një hap i rëndësishëm drejt daljes nga egocentrizmi grafematik.   

© Aristotel Spiro 

© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi vetëm në shtypin elektronik me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”


No comments: