PARIMI MORFOLOGJIK I DREJTSHKRIMIT SHQIP NUK EKZISTON
nga
Aristotel Spiro
Në parathënien e «Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe» (1973) ka një formulim shumë problematik:
«Krahas parimit
fonetik, drejtshkrimi i njësuar i shqipes mbështetet gjerësisht edhe në parimin
morfologjik, i cili kërkon
që fjalët dhe pjesët e tyre përbërëse të sistemit trajtëformues e fjalëformues
të shkruhen njësoj, pavarësisht nga ndryshimet tingullore të shkaktuara prej
ligjeve fonetike që veprojnë sot në gjuhën tonë. Parimi morfologjik zbatohet
kryesisht në ato raste, kur zbatimi i veçuar i parimit fonetik do të çonte në
errësimin a në prishjen e strukturës morfologjike e fjalëformuese të fjalëve; ai
ndihmon kështu për ta ruajtur sa më të qartë në shkrim këtë strukturë, si edhe
njësinë e trajtave».
Nga ky formulim ndikohen edhe
formulimet e tjera për karakterin fonetik dhe historik të drejtshkrimit të
gjuhës shqipe.
Në lidhje me drejtshkrimin shqip,
prej kohësh kam shprehur mendimin se formulimi i parimeve të zbatuara në të është i gabuar (Spiro 2008) dhe ka nevojë për t’u ndrequr.
Thuhet se parimi kryesor i
drejtshkrimit shqip është «parimi fonetik». Duke u rezervuar përkohësisht për
saktësinë e këtij formulimi, kam vërejtur se paqartësitë dhe keqkuptimet u
mundësuan nga pranimi i një parimi, i cili pagëzohet si «morfologjik».
Por cilat janë arsyet që në
një sistem shkrimor, ku pasqyrohen lidhjet e sistemit fonematik / fonologjik të
thirret në ndihmë morfologjia? Asnjë arsye nuk mund të gjendet, përveç nëse drejtshkrimi kundrohet vetëm nga perspektiva gramatikore pa marrë parasysh marrëdhëniet fonemë : grafemë. Nëse marrëdhënia fonemë : grafemë nuk ndihmon për të lexuar fjalën, atëherë mund të bëhej fjalë për parim «morfologjik».
Ka gjuhë si anglishtja, me një
shkrim e drejtshkrim relativisht të hershëm, në të cilën homografet nuk u përgjigjen
detyrimisht homofoneve (read dhe read, found dhe found) (Lyons
1995: 91), sikundër ka homophone, që nuk u përgjigjen homografeve. Në mjaft raste
fjalëformimi këtu mbështetet drejtshkrimisht nga përsëritja e temës
fjalëformuese, e cila megjithatë shqiptohet ndryshe në fjalën e prejardhur,
p.sh. sign, signature. Për këto raste mund të
thuhet se zbatohet kriteri morfologjik i drejtshkrimit. Mirëpo raste të tilla
në shqip nuk konstatohen, prandaj nuk mund të flitet për ndonjë parim «morfologjik».
Kur diskutojmë për drejtshkrimin,
marrim në shqyrtim mënyrën se si paraqitet simbolikisht e folura, pra, mënyrën
se si fonemat regjistrohen me grafema. Nëse çka përshkruhet, interpretohet
gjuhësisht edhe në pikëpamje morfologjike, kjo nuk përbën arsye për të kërkuar aty
ndonjë parim «morfologjik».
Nëse pavarësisht nga
ndryshimet morfologjike, domethënë nga realizimet allofonike të një foneme, përdoret
e njëjta grafemë, kjo do thotë se zbatohet jo parimi fonetik, por parimi fonologjik.
Ky dallim themelor është
ngatërruar që në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972) dhe pasqyrohet
në referatin kryesor të Kongresit (Kostallari 1973: 67, 68), në disa kumtesa (Domi
1973: 91, Dodi 1973: 123) si dhe në «Rregullat» e tij. Ai përsëritet rëndom nëpër libra e doracakë të mëvonshëm (shih,
p.sh. FESH 1985: 206, Samara 2000: 165, Dodi 2004: 250, Memushaj 2005: 124,
FESH 2008: 522). Për hir të së vërtetës, duhet thënë se disa gjuhëtarë,
pjesëmarrës në Kongresin e Drejtshkrimit e vunë në dyshim këtë formulim. B.
Beci (1973: 155) tërhiqte vëmendjen se «parimi themelor i drejtshkrimit të
shqipes është parimi fonematik», ndërsa F. Agalliu kritikonte si të
absolutizuar thënien se «drejtshkrimi i shqipes bazohet kryesisht në parimin
fonetik» (1973: 7), për të formuluar gjithsesi përfundimin e gabuar se
«drejtshkrimi i sotëm i shqipes ashtu siç paraqitet në “Rregullat”, bazohet më
tepër në parimin morfologjik dhe tradicional» (Agalliu 1973: 8).
Por ky ngatërrim ndikon për
keq nëpër diskutime, sepse duke mos interpretuar saktë lidhjet midis morfemave
dhe grafemave, bëhen propozime të «çuditshme» e të pambështetura.
Bëhen propozime që mbështeten
në realizimet fonetike të fjalëve, gjë që është e diskutueshme, pavarësisht nga
shkalla e përgjithësimit ose jo të këtyre shqiptimeve.
Ndërhyrjet publike të
gjuhëtarëve janë të domosdoshme, por duhen kryer me ndjenjë përgjegjësie dhe
respekti për bashkësinë folëse, përndryshe diskutuesit do të fokusohen si
«ngatërrestarë», që nuk dinë ç’kërkojnë. Folësit nuk dëshirojnë propozime të
reja drejtshkrimore, të cilat dalin nga studioja e x apo y gjuhëtari, sado
të motivuara qofshin ato. Për ta thënë «ortografikisht», folësit nuk kërkojnë
fonologjizimin e allofoneve, por disiplinimin e tyre, për të siguruar normalitetin
dhe nivelin e komunikimit.
Le të marrim, p.sh., rastin e ë-së fundore të shumë fjalëve në shqipe.
Nëse do të merrej parasysh i ashtuquajturi parim fonetik, këto fjalë do të
ishin shkruar pa ë, p.sh.: gjuh dhe jo gjuhë, grafem dhe jo grafemë,
pun dhe jo punë, dit dhe jo ditë, gjalp dhe jo gjalpë, djath dhe jo djathë, të shkoj/vij dhe jo të shkojë/vijë etj. Prania e ë-së këtu si imazh fonetik dhe si simbol
grafik mund të interpretohet edhe gramatikisht, por realizohet si një fakt fonetik
në një fjalë e cila ka përbërje të caktuar fonematike dhe grafikisht shkruhet
me grafemat përkatëse.
Në morfologji ndryshimet
fonetike që lidhen me trajtat e ndryshueshme të fjalëve quhen morfo(fo)nologjike.
Por drejtshkrimi i këtyre fjalëformave zbatohen në bazë të parimit fonologjik. Kur
morfologjia e «njeh» karakterin fonologjik të pranisë së këtyre
«tingujve»-fonema, atëherë si është e mundur që vetë drejtshkrimi të mos e
përkufizojë këtë proces në lidhje me fonologjinë, domethënë me fonemat që
pasqyron simbolikisht?
Evidentimi i strukturës
morfologjike të fjalëve nëpërmjet drejtshkrimit është thjesht një pasojë e veprimit të parimit fonologjik dhe jo
arsye që mund të karakterizojë parimin drejtshkrimor. Përdorimi i termit «parim
morfologjik» e ngushton padrejtësisht rrethin e veprimit të tij duke u kufizuar
tek rastet e lidhura me strukturën morfematike dhe duke lënë jashtë raste
analoge, që nuk kanë të bëjnë me morfologjinë, siç është p.sh. rasti i
drejtshkrimit të diftongjeve; tek studioj,
sarandiot, mallakastriot, italian, shalian, infeksion, induksion, funksion i-ja e prapashtesave -io-,
-iot, -ian, -ion shkruhet ashtu se interpretohet si fonemë /i/ dhe jo si
fon [j]; grupet bashkëtingëllore mb, nd,
ng, ngj shkruhen të paasimiluara (DGJSH 8), pavarësisht realizimit të tyre fonetik
etj., por ky nuk mund të konsiderohet aspak si fakt morfologjik.
Ngatërrimi i termave dhe
moskuptimi i përmbajtjes së tyre ka mbajtur disa herë të mbërthyera diskutimet në
mjediset «linguistike» shqiptare, si p.sh. me dilemën «legjendare»: Koçua apo Koçoja (ku parimi fonetik, i ngatërruar me parimin fonologjik,
pengon të shohim se tek [u]-ja kemi realizimin fonetik të fonemës /o/).
Sqarimi teorik e praktik i
koncepteve bëhet më i domosdoshëm sot, kur shihen përpjekje të shfajësueshme
për rishikimin e drejtshkrimit.
Por pa sqaruar më parë se
cilat janë parimet që e përshkojnë realisht drejtshkrimin e shqipes, çdo
diskutim përkatës do të hiqet drejt një udhe pa krye dhe vendosmëria për të
ofruar receta drejtshkrimore me ortograma fjalësh do t’i ngjante një aventure të
pakëndshme.
Drejtshkrimi është një çështje
sa teorike aq edhe praktike. Gjithsesi, në gjuhët me tradita të hershme
shkrimore ai është vendosur si një zgjidhje praktike, duke analizuar faktet
gjuhësore nëpërmjet përdorimit të arsyetimit logjik dhe ndjenjës gjuhësore.
Zgjidhjet praktike e kanë lënë
në plan të dytë terminologjinë e përdorur, e cila, parë nga këndvështrimi i
sotëm teorik, mund të duket e kritikueshme.
E njëjta gjë vlen edhe për
drejtshkrimin e shqipes, i cili mund të konsiderohet shumë i ri në moshë. Parimi
«një tingull – një shkronjë», i cili u zbatua në alfabetet e Kongresit të
Manastirit (1908) ishte një zgjidhje praktike e domosdoshme.
Por sistemi shkrimor ka një
pavarësi relative nga sistemi fonetik. Kështu që shprehja «një tingull – një
shkronjë» nuk mund të interpretohet medoemos «një fonemë – një grafemë», por
«një fon/allofon – një grafemë». Një grafemë mund të përkojë me një fonemë, por
ky nuk është rregull absolut. Jo
gjithmonë ka përkatësi të dykahshme. Një grafemë mund të pasqyrojë më shumë se
një fonemë.
Përfundimi është se, për t’u
orientuar saktë, duhet të zgjedhim si pikënisje fonemën dhe jo fonet/allofonet.
Përkatësisht, na duhet të pranojmë se parimi themelor i drejtshkrimit të shqipes është
parimi fonologjik.
Parimi i dytë është ai
fonetik, ku përmblidhen gjithë rastet ku kemi mospërkim të fonemës me grafemën.
Ky parim zbatohet në raste të tilla si, fjala vjen, shkëlqim, shqep, shpëlaj, zhvendos, zhvidhos etj., ku në vend të
grafemës <Ç>, e cila i përgjigjen fonemës /tš/, përdoren grafemat <S> dhe <Z>, të
ndjekura nga grafema <H>. Në raste shkeljesh të normës drejtshkrimore mund të
realizohen grafi të tilla si liq, zoq, brek,
zok, ku grafema fundore <Q> ose <K>, shfaqet
në vend të grafemës <G>, ndjekur ose jo përkatësisht nga grafema J (ligj, zogj, breg, zok). Parimi fonetik
nuk mund të përdoret as në sensin praktik në vend të parimit fonologjik, sepse
secili ka një rol të caktuar dhe të pandërkëmbyeshëm. Në një kuptim, parimi
fonetik shfaqet si një kundërvënie ndaj parimit fonologjik. Kështu, përpjekja
për të «rehabilituar» formulimin e gabuar të Kongresit të Drejtshkrimit
(Memushaj 2014: 343) është për fat të keq e pasuksesshme.
Me pranimin nga bashkësia e
gjerë gjuhësore të trajtave drejtshkrimore normative, ato nguliten dhe
perceptohen në formë imazhesh grafike, në logograma, integriteti i të cilave
lidhet drejtpërdrejt me integritetin e shenjës gjuhësore së cilës i
«shërbejnë». Me kalimin e kohës, edhe pse mund të ndodhin ndryshime të vogla të
karakterit fonetik ose fonologjik, ortograma mbetet e pandryshuar, dhe kështu
drejtshkrimi i saj fiton një karakter historik. Këtë karakter historik e
fitojnë të gjitha ortogramat, por ai shfaqet më shumë në ato raste ku
përkatësia fonetike dhe grafematike nuk është dhe aq e motivueshme.
Kështu, edhe drejtshkrimit të
shqipes duhet vazhduar t’i njihet, ashtu si deri më sot, zbatimi i parimit
historik.
Parimet e drejtshkrimit veprojnë
së bashku. Shpeshherë drejtshkrimi i një fjale u nënshtrohet dy a më shumë parimeve:
Parimi fonologjik dhe parimi fonetik përputhen kur grafema përkon si me
realizimin fonetik ashtu edhe me fonemën,
p.sh. demokraci, klasë, mik, letër,
mësoj. Kur grafema përkon me realizimin fonetik por jo me fonemën, atëherë flasim
për zbatim të parimit fonetik. Fonologjikisht nuk shfajësohet, por përdoruesit
e gjuhës janë mësuar tashmë me këtë ideogramë të pranuar edhe si normë, prandaj
nuk del nevoja e ndryshimit të saj. Drejtshkrimi i fjalës mund të interpretohet
në këto raste si i bazuar edhe mbi parimin historik. P.sh., gjithmonë dhe jo gjithëmonë, shembëlltyrë
dhe shembulltyrë, autoqefal dhe jo autocefal
Në këtë kategori mund të
përfshiheshin edhe mjaft emra familjarë, të cilët u shmangen rregullave të
drejtshkrimit të apelativeve dhe nuk inkuadrohen në paradigma lakimi të emrave të përgjithshëm, por shkruhen ashtu për arsye të një tradite të
krijuar (khs. Çabej, Dedej, Dodmasej, Tafaj, Mustafaj etj.).
Respektimi i parimeve
drejtshkrimore të shqipes ka shumë rëndësi për të kuptuar se si funksionon
sistemi i saj. Ka mandej rëndësi për të
ndërtuar një platformë të saktë didaktike për mësimin e gjuhës në shkollë.
Më në fund, të kuptuarit e
saktë të parimeve të drejtshkrimit funksionon si një «legjislacion
vetëmbrojtës» i drejtshkrimit. Kjo vlen sidomos për parimin historik, i cili
përligj si të rregullta ato trajta që janë të ngulitura, por që motivimi
gramatikor ose fonologjik mund t’i kontestojë. Ky parim do ta mbrojë
drejtshkrimin nga ata gjuhëtarë të zellshëm që dëshirojnë ta «rregullojnë» duke
përdorur argumente të ndryshme teorike, me pretekstin e njohur se drejtshkrimi i
çdo gjuhe evoluon.
Një parim i katërt, i cili rregullon drejtshkrimin e fjalëve me prejardhje të huaj është ai të cili ne e kemi emërtuar «parimi intersemiotik / ndërsemiotik». Ky parim vendos një lidhje përkatësie grafematike me
drejtshkrimin e fjalëve në gjuhën origjinare. Ky parim, në të vërtetë, edhe pse nuk shprehet në mënyrë eksplicite, gjen zbatim në rregullat e «Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe» (1973), në fjalë me prejardhje të
huaj: khs. p.sh. drejtshkrimin e fjalëve arrestim,
irracional, karrierë, korrelacion, korridor, korrigjim, surrealizëm, ku
prania e dy rr-ve të njëpasnjëshme
nuk ka vlerën e /rr/-së së fortë dridhëse të shqipes. Me këtë parim mund të
shpjegohet edhe një prirje në kristalizim e sipër e drejtshkrimit të stilit
shkencor të shqipes për të shkruar emrat e përveçëm sipas grafisë së
origjinalit.
Për sa i përket të
ashtuquajturit «parim morfologjik», përdorimi i këtij termi nuk i përgjigjet së
vërtetës dhe del i papërligjur, së paku për gjendjen e tanishme gramatologjike të gjuhës shqipe. Si i tillë, nuk e ka
vendin në ligjëratën e drejtshkrimit shqip. Ai mund të shërbejë si shkas për të përshkruar
një çast të palumtur terminologjik të historisë së gjuhësisë shqiptare.
Parimi morfologjik i
drejtshkrimit nuk ekziston në gjuhën shqipe.
Referenca bibliografike:
Agalliu,
Fatmir. 1973. Rreth disa çështjeve të zbatimit të parimit morfologjik në
drejtshkrimin e shqipes. Kongresi i
Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (20-25 nëntor 1972). II. Tiranë: Akademia e
Shkencave e RP të Shqipërisë. Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë. 5-14.
Beci, Bahri. 1973.
Rreth parimit tradicional historik në drejtshkrimin e shqipes. Studime filologjike. 1. 155-160.
DGJSH = Drejtshkrimi i gjuhës shqipe. 1973. Tiranë:
Akademia e Shkencave e RP të Shqipërisë. Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë.
Dodi, Anastas.
1973. Drejtshkrimi dhe shqiptimi letrar. Studime
filologjike. 1. 123-129.
Dodi, Anastas.
2005. Fonetika dhe fonologjia e gjuhës
shqipe. Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Domi, Mahir. 1973.
Parimi fonetik e zbatimi i tij në drejtshkrimin e shqipes. Studime filologjike. 1. 89-96.
FESH 1985 = Fjalori Enciklopedik Shqiptar. 1985.
Tiranë: Akademia e Shkencave e RPSSH.
FESH 2008 = Fjalori Enciklopedik Shqiptar. I. 2008.
Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Kostallari,
Androkli. 1973. Gjuha e sotme letrare
shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj. Tiranë:
Akademia e Shkencave e RP të Shqipërisë. Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë.
Lyons, John. Eisagogē stēn glossologia. Athina:
Pataki (Në origjinal: Lyons, John. 1981. Language
and Linguistics. Cambridge University Press).
Memushaj, Rami.
2005. Shqipja standarde – Si ta flasim
dhe ta shkruajmë. Tiranë: Toena.
Memushaj, Rami.
2014. Sa është e mbështetur gjuhësisht reforma ndërakademike e drejtshkrimit? Albanologji. 5. I. Prishtinë: Instituti
Albanologjik. 337-359.
Samara, Miço.
2000. Histori e gjuhës letrare shqipe. Tiranë:
SHBLU.
Spiro, Aristotel.
2008. Mbi parimet e (drejt)shkrimit të shqipes standarde. Studime filologjike. 1-4. 207-215.
© Aristotel Spiro
© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi vetëm në shtypin elektronik me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”
No comments:
Post a Comment