Wednesday, August 26, 2026

Acquis, ose gjuha me të cilën hyjmë në Evropë

 


nga Aristotel Spiro 

Para pak kohësh më erdhi një e-mail zyrtar, ku më priste një fjali që aq me kujdes dukej e ndërtuar, sa mezi munda ta kuptoja: «Nga Përafrimi i Acquis-së te Përmbushja e Kushteve për Mbylljen e Përkohshme të Kapitullit.» E lexova një herë dhe prapë e lexova dhe më mbeti ajo ndjesi e turpshme se isha me faj, meqenëse nuk qenkam aq i shkolluar për të hyrë në Evropë (apo Europë!). Shkronja e madhe nistore e çdo fjale në mes të fjalisë i ngjante një marshimi të pandalshëm brenda receptorëve të mi semantikë. E megjithatë, më dukej sikur nuk isha unë ai që s’e kuptoja fjalinë, por ishte vetë fjalia që nuk donte të kuptohej. Në zemër të saj rrinte fjala-kyç e gjithë kësaj ftohtësie: acquis.

Çdo profesion i mbyllur ka fjalëkalimin e vet. Është ajo fjalë që, sapo e shqipton saktë, të hap derën për t’u bërë pjesë e kastës, por, nëse e ngatërron, të nxjerr zbuluar dhe rri si i huaj para portës. Acquis i ngjan pikërisht këtij fjalëkalimi. Duke e ndarë botën më dysh: 

më një anë «të lëçiturit», ata pak që «e dinë», që e flasin gjuhën e brendshme të procesit; më tjetër anë gjindja, e lënë të hamendësojë së jashtmi se çfarë po vendoset mbi shpinën e saj. 

A nuk qenka e çuditshme që rrugëtimin më të madh kolektiv të këtij brezi po ua përshkruajmë qytetarëve me një fjalë që ata vetë nuk e marrin vesh?

Le ta zbulojmë, pra, misterin, sepse mister nuk paska! Acquis nuk është ndonjë koncept ezoterik i zbritur nga Brukseli si tabelat e Moisiut. Është thjesht pjesorja e foljes frënge acquérir ‘fitoj’: fjalë për fjalë, ‘e fituara’, ‘çka është arritur’. Acquis communautaire domethënë ‘e fituara komunitare’, tërësia e ligjeve, parimeve, politikave dhe detyrimeve të Bashkimit Evropian që vendet kandidate duhet të përvetësojnë. Në terma praktikë janë në fakt 35 kapitujt e negociatave të acquis communautaire, dhe jo vetë “arritjet komunitare”, pra: 

lëvizja e lirë e mallrave, lëvizja e lirë e punëtorëve, e drejta e vendosjes dhe liria e ofrimit të shërbimeve, lëvizja e lirë e kapitalit, prokurimi publik, e drejta tregtare dhe e drejta e shoqërive tregtare, mbrojtja e pronësisë intelektuale, politika e konkurrencës, shërbimet financiare, shoqëria e informacionit dhe mediat, bujqësia dhe zhvillimi rural, siguria ushqimore, politika veterinare dhe fitosanitare, peshkimi, politika e transportit, energjia, tatimet, politika ekonomike dhe monetare, statistikat, politika sociale dhe punësimi, politika e ndërmarrjeve dhe industria, rrjetet transevropiane, politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore, gjyqësori dhe të drejtat themelore, drejtësia, liria dhe siguria, shkenca dhe kërkimi shkencor, arsimi dhe kultura, mjedisi, mbrojtja e konsumatorit dhe e shëndetit publik, bashkimi doganor, marrëdhëniet e jashtme, politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes, kontrolli financiar, dispozitat financiare dhe buxhetore, institucionet dhe çështje të tjera

Ja, pra, që mbreti semantik na paska dalë lakuriq! Fjala që na paraqitet si e paprekshme dhe teknike, qenka aq e rëndomtë në prejardhje! Terri i saj semantik nuk vjen nga përmbajtja, por nga fakti i thjeshtë se nuk i kemi hyrë mundimit për ta përkthyer. 

Mund të thoshte ndokush: «E po mirë, le të mbetet kështu e papërkthyer, ç’të keqe ka?». Por këtu çështja nuk është thjesht filologjike. Gjuha nuk është zbukurim i jashtëm i një procesi. Gjuha është vetë dera prej së cilës hyn ose mbetesh jashtë. Qytetari që nuk i ka të qarta fjalët me të cilat i përvijohet e ardhmja e vet si mund të ndihet pjesë e kësaj të ardhmeje? Në vend që ta përjetojë integrimin si diçka që e bën bashkë me shtetin, e përjeton si diçka që i bëhet, si një operacion në të cilin ai është i shtrirë në tavolinë dhe nuk kupton asgjë nga fjalët që shkëmbejnë mbi kokën e tij ata që mbajnë thikën. Por a mund të quhet kjo pjesëmarrje? A mund të quhet kjo gjë pëlqim i qytetarit? Apo nuk qenka asgjë përveçse një reformë që i serviret një populli të heshtur? 

Mënyra se si një institucion e përdor gjuhën zbulon mënyrën se si e ka konceptuar punën e vet. Dhe pikërisht këtu qëndron thelbi. Kur organet shtetërore e servirin acquis-në si fjalë të huaj të pandryshuar, dashur pa dashur tradhtojnë filozofinë e tyre të vërtetë ndaj integrimit: atë të stilit të «kopjo-ngjit»-it («copy-paste»-it) legjislativ, të një liste me kutiçka që duhen markuar një nga një. Kapitujt «hapen» e «mbyllen përkohësisht» si liturgjia e një feje ku besimtari nuk e kupton latinishten e priftit. Dhe ndoshta pikërisht kjo duket e leverdisshme, meqenëse besimtari që nuk kupton nuk ka pse të pyesë. Dhe nga besimtari që nuk pyet nuk pritet ta thotë fjalën e vet. Mediumi është mesazhi. Procesin që synohet të mbetet teknik, i mbyllur, në duart e të paktëve, e tradhton një term i patejdukshëm. Në të vërtetë, e kundërta duhet synuar. Integrimi duhet të jetë përvetësim i normave dhe i vlerave nga një popull i tërë, që të jetë i vetëdijshëm dhe të ndihet i përfshirë.

«Po saktësia?», do të kundërshtonte teknokrati, i fyer që dikush guxuaka t’ia prekë zhargonin. «Ky është term ndërkombëtar! Edhe anglishtja e përdor acquis-në të papërkthyer.» Po, i themi ne, vërtet e përdor! Por vëreni hollësinë që teknokrati ynë e harron: anglishtja vërtet e mban fjalën e huazuar nga frëngjishtja, por e shpjegon në po atë fjali si «tërësia e së drejtës së BE-së». Zgjidhja, pra, nuk ka qenë kurrë mes saktësisë dhe kuptueshmërisë. Kjo është një dilemë e rreme, ose ndryshe alibia e dembelit. Termi është mirë të tingëllojë shqip, të jetë i motivuar dhe i kapshëm, me origjinalin në kllapa kur e imponon saktësia. Shqipja ia ka arritur të shqipërojë me sukses shkenca të tëra, që nga fizika e deri te mjekësia, pa e humbur saktësinë. A do të dorëzohet vallë pikërisht atje ku bëhet fjalë për fjalët e së ardhmes së vet? Jo, jo, nuk është kjo saktësia. Në rastin më të mirë do të quhej përtaci. Në rastin më të keq, komoditet i largësisë që fjala e huaj vendos mes shtetit dhe qytetarit.

Dhe ka një zgjidhje aq të thjeshtë, sa na vjen keq që duhet ta mbrojmë. 

Thuaje, pra, shqip: «arritjet»! Fjala e ka brenda vetes origjinalin acquis ‘çka është arritur’, por bën edhe diçka më shumë, diçka që teknokrati nuk e sheh dot, ngaqë fjalori i tij nuk e ka. Fjala shqipe rikthen pronësinë. Acquis-ja e origjinalit është e fituara e tjetrit, arritja e tjetrit Bashkimi Evropian e ka fituar, kandidati le të adoptojë. Fjala ngërthen njëkahësí ose marrje pa dhënie apo dorëzim. Po ta quajmë shqip «arritje», e riklasifikojmë heshturazi si arritje ku edhe ne kemi hise, ku edhe ne marrim pjesë dhe jo vetëm e pranojmë në mënyrë pasive. Nga një përvetësim pasiv në një arritje të përbashkët. Kjo është e gjithë distanca midis një populli që i nënshtrohet Evropës dhe një populli që hyn në të me dinjitet, si të ishte vërtet zot shtëpie. 

Në fund të fundit, këtu qëndron e gjithë çështja. Një populli nuk i ka hije të hyjë në Evropë duke e lënë gjuhën si një valixhe të tepërt në doganë, por hyn me gjuhën e vet. Përndryshe hyn vetëm me trup, ndërsa me mendje mbetet jashtë. 

Prandaj le t’ua kthejmë shqiptarëve fjalët me të cilat po u ndërtohet e ardhmja. Le ta shqipërojë institucioni termin e huaj dhe të pakuptueshëm, le ta shqipërojë përkthyesi, le ta ketë kujdes Akademia jonë dhe sidomos hartuesit e Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe. 

Dua të sqaroj se këtu nuk nisem nga pozitat e purizmit, sepse nuk mund të identifikohem kurrsesi si purist, por nga pozitat e lirisë dhe demokracisë. Shqipërimi i acquis-së nuk është një tekë filologësh, por një akt i vogël demokracie. Është mënyra për t’i thënë qytetarit: «Kjo e ardhme për të cilën flitet është edhe e jotja dhe çka po «arrihet», është duke u arritur edhe prej teje.» Ndoshta për të parën herë Evropa mund t’i flasë në gjuhën e tij.