Mjaft miq të mi më ankohen shpesh se gjuha shqipe nuk i ndihmon kur duan të shprehen qartë, sidomos në ato raste kur duan të ndajnë kuptime që duket hapur se ndryshojnë nga njëri-tjetri.
- Ja, p.sh., më thotë një ditë një miku im. – Tek ne e përdorin foljen «mësoj» edhe mësuesi, edhe nxënësi: «mësoj» thotë mësuesi, «mësoj» thotë edhe nxënësi.
- Po, ke të drejtë, - i përgjigjem. – Ky është një problem që gjuhët e tjera nuk e kanë. Në anglisht mësuesi thotë «I teach» dhe nxënësi «I learn», në frëngjisht mësuesi thotë «J’enseigne» dhe nxënësi «J’apprends», në italisht mësuesi thotë «insegno» dhe nxënësi «imparo», në greqisht mësuesi thotë «διδάσκω» dhe nxënësi «μαθαίνω», në rusisht përkatësisht «Я учу» dhe «Я учусь», në bullgarisht «преподавам» dhe «се уча». Por në shqip përdoret e njëjta fjalë edhe në rastin kur ti merr njohuri edhe kur jep njohuri.
- A nuk është varfëri kjo? – më pyet i zhgënjyer miku im.
- Jo! – kundërshtoj unë. – Sepse konteksti...
- Mirë, mirë – më ndërpret i pakënaqur miku im. – Kontekstin e përdorin edhe gjuhët e tjera, që më permende. Edhe shumëkuptimësinë e një fjale, apo poliseminë, siç i thoni ju gjuhëtarët. Por fjalën «mësoj» nuk mund ta përdorim për të thënë dy gjëra krejt të kundërta. Dhe, të lutem, mos m’u justifiko me kontekstin. Gjuhët e tjera përdorin dy fjalë të ndryshme për dy koncepte të ndryshme dhe nuk thërrasin për ndihmë kontekstin. Dhe mirë e kanë. Unë e dua konceptin të jetë i qartë para se ta ngjiz mendimin dhe ta formoj fjalinë.
- Por nuk është rasti i vetëm ky që më thua, vazhdoj unë. – Nëpër ca të folme në Shqipërinë e Mesme njerëzit përdorin urdhëroren «Qasu!» edhe në rastin kur duan t’i thonë «Eja!» edhe kur duan t’i thonë «Largohu!».
- As kjo nuk më pëlqen, - thotë miku im. – Por ky shembulli i dytë është punë e një zone, e disa fshatrave. Kam dëgjuar se nëpër ca fshatra të largët të Greqisë, Turqisë, Meksikës, njerëzit merren vesh midis tyre duke fishkëllyer. Po deshe ta jap edhe linkun. Por ne këtu flasim tani për një rast domethënës, ku gjuha shqipe largohet nga gjuhët e tjera.
- Në fakt, - i them, - nuk ka qenë kështu gjithmonë. Është e vërtetë që shqipja është larguar, sepse dikur edhe ajo përdorte fjalë të ndryshme, si gjuhët e tjera. Nxënësi përdorte fjalën «xâ» ose «nxë» dhe mësuesi fjalën «mpsonj».
- Ja! E shikon? – therret triumfalisht bashkëbiseduesi im. – Edhe ne e kemi pasur! Po pse nuk e kemi tani? Pse nuk e përdorim? Nxënësi të thotë «Unë nxë atë që më mëson mësuesi» dhe mësuesi të thotë «Unë mësoj dhe nxënësit e mi nxënë».
- Ke të drejtë, - i them, - por nuk funksionon kështu. Nuk është gjithmonë logjika ajo që luan rol në komunikim. Janë edhe emocionet. Në fund të fundit kur njerëzit merren vesh, nuk ka rëndësi ç’fjalë përdorin.
- Patjetër ka rëndësi! – kundërshton miku im. Si s’ka rëndësi?
- Në kuptimin që nuk shkaktohen keqkuptime, - sqaroj unë.
- Po, i dashur, por mua nuk më mjafton kjo. Unë e dua edhe elegancën, edhe ngjyrën, edhe bukurinë edhe saktësinë. A mund të më thuash pse nxënësit nuk e përdorin më këtë fjalë? «Nxë» apo «xâ» është fjalë më e përshtatshme se «mësoj».
- Në fakt, ka ndodhur një risistematizim kuptimor në shqip, - zhvilloj mendimin unë. – dhe kjo fjalë prapë diferencohet, se nxënësi tani thotë «mësoj», por mësuesi «jap mësim», «jap matematikë», «jap fizikë», «jap gjuhë»...
- Më dole prapë në shteg! Ky shpjegim yt me risistematizimin nuk më bind! Sepse vërtet mësuesi thotë «jap këtë apo atë lëndë», por edhe motra ime kur kishte sezon provimesh thoshte «dhashë matematikën», «dhashë gjuhën», «dhashë filozofinë»...
- Po, po. Por ka një ndryshim të vogël. Mësuesi përdor trajtën e pashquar dhe nxënësi apo studenti trajtën e shquar.
Miku im më sheh drejt në sy me një nëntekst mosbesues deri ironik. «Vërtet i beson këto që thua?», duket sikur më thotë.
- Mirë do të ishte të ruhej ky dallim fjalësh e kuptimesh, - shpjegoj. – Por gjuhëtarët nuk kanë shumë gjëra në dorë. Ata janë shfaqur mijëra vjet pasi gjuhët janë folur. Kështu që përgjegjës për ndryshimet në gjuhë janë vetë përdoruesit e gjuhës, folësit e saj.
- Atë dua të them edhe unë! Se jemi një shoqëri që nuk kemi respekt për gjuhën. Që e përdorim atë pa u menduar saktë. Se ti më thua se në fillim shqiptarët përdornin dy fjalë të ndryshme «nxë» dhe «mësoj», por pastaj nxënësi, pa pritur të kishte nxënë gjithë dijet, konsideroi se ishte i «mësuar» dhe nisi të mësonte edhe ai ashtu si «mësuesi» i tij. Dhe punët u ngatërruan disi nga kjo ecejake kuptimore fjalësh. Kjo për mua përmban një lloj simbolike. Tregon se çfarë shoqërie jemi. Që nxënësi mund të bëhet mësues pa nxënë dhe t’i thotë mësuesit të vet që: «Ti rri aty, sepse, ashtu sikundër ti mëson, edhe unë mësoj, kështu që mua më takon ai vendi yt, se jam më i ri se ty, unë jam e ardhmja e ti je i mbaruar».
- Është e vërtetë se gjuha pasqyron mendësinë e një shoqërie, mënyrën e saj të të menduarit. Por a nuk të duket pak e guximshme që të nxjerrësh përfundime të tilla vetëm nga një fakt gjuhësor?
- Aspak, i nderuari gjuhëtari im, - ma kthen bashkëbiseduesi. – sepse në këto përfundime mund të arrish edhe pa ndihmën e gjuhës. A nuk e sheh sot se çfarë diplomash japin shkollat tona? Kaq pak njohuri marrin sa të duket se ke të bësh me analfabetë me patentë. Po pse ndodh kjo? Sepse mësuesi është bërë mësues pa u kompletuar ende si nxënës. Sepse mëson, jep mësim, një lëndë pa e nxënë. Jep mësimin (e shikon që edhe pikërisht në këtë moment gjuha më pengon të them saktë atë që dua sipas mënyrës sime?) jep, pra, mësimin e një lënde E nxënësit i duket se është bërë mësues, edhe pse nuk ka nxënë asgjë. E në gjithë këtë histori, të humbur dalin ata mësues vërtet të zotë – sepse nuk është e vërtetë që nuk ka mësues të mirë -, të cilët nxënësit e mësuar me paditurinë që ofrojnë diplomat bachelor, mastera të falura në mënyrë të dyshimtë nga komisione mësuesish e profesorësh të korruptuar e të paditur i kanë mënjanuar si të padëshiruar. Se të gjithë e dinë tashmë që diploma doktorësh e profesorësh i mbajnë njerëz që nuk dinë mirë as drejtshkrimin e shqipes e që s’dinë të përdorin as përemrat pronorë.
- Shiko, nuk është gjendja kaq e keqe, - i them unë. – ndoshta përgjithëson disa raste jo të mira.
- E shoh që je i tronditur, - ma kthen. - Por gjendja është edhe më e keqe nga ç’mendon. Për ta shpjeguar me termat e tu, tani është kryer një risistematizim vlerash, ku padituria është bërë sistem, është bërë pushtet, që prodhon pará dhe riprodhon padituri. Ndërsa dituria, pas risistematizimit të vlerave, ka mbetur jashtë sistemit, ose në rastin më të mirë e pengon sistemin duke u penguar dhe duke u rrezikuar njëkohësisht prej tij.
Pas kësaj ra një heshtje e shkurtër.
Mendoja në ishte aq e dobishme shkenca ime e gjuhësisë përshkruese, që arrinte të siguronte pafajësinë para gjithë atyre mëkateve shoqërore që miku im me atë intuitën e vet të mprehtë arrinte të kuptonte më shumë gjëra se unë që ndodhnin në kontekstin kuptimësues e shkuptimësues të të mësuarit e të të nxënit.
© Aristotel Spiro
© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi vetëm në shtypin elektronik me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”
No comments:
Post a Comment