Wednesday, January 27, 2021

MOÇALI I INFLACIONIT INTELEKTUAL


Nga 

Aristotel Spiro

Kohët e fundit po bëhet shumë zhurmë për një emision mbi Dropullin të një gazetari të një medieje qendrore të Shqipërisë. Nuk e kam parë këtë emision, sepse nuk kam TV në shtëpinë time (edhe pse paguaj taksën e televizionit!). Megjithatë nga reagimet dhe polemikat në rrjetet elektronike shoqërore arrita të kuptoj se bëhet fjalë për përpjekjen e gazetarit mediatik për t’u prononcuar rreth karakterit origjinar kombëtar të zonës së minoritetit grek në Shqipërinë e Jugut. Kjo përpjekje, me sa kuptoj, ka një karakteristikë të veçantë, sepse mëton të vishet edhe me petkun shkencor, gjë që konfirmohet me praninë e dy studiuesve të njohur në botën akademike shqiptare. 

Nuk kam qëllim t’i bashkohem kësaj polemike. Kjo do të kërkonte që të shikoja më parë emisionin e caktuar, gjë që nuk do ta bëj. Kam parë në të kaluarën e afërt 2-3 emisione të tilla dhe kam provuar një ndjesi përdhunimi shpirtëror, të cilën nuk dua ta përjetoj përsëri. Gjithsesi, çka shkruaj vijimisht i referohet drejtpërdrejt jo vetë atij emisioni, por retorikës së prodhuar prej tij. Dhe kjo ka të bëjë kryesisht me dy dukuri shumë shqetësuese që ndodhin sot në hapësirën shqiptare:

1) Një klimë moçalore ka përfshirë sot medien në përgjithësi, që ushqen përditë një opinion publik të thyeshëm përballë dezinformimit dhe manipulimit. Kriza e thellë që përjeton media e printuar e ka bërë atë të afrohet më pranë medies elektronike, ku shtypi serioz gjendet ngjitur e ngjitur me lloj-lloj plehurishtesh e batakçinjsh internetikë. Banaliteti trondit më shumë se vlera, sharja më shumë se gjesti i mirësjelljes,  dhuna më shumë se rregulli. Lajm i mirë konsiderohet tashmë vrasja, vjedhja, mbjellja e drogës. Artikull i mirë konsiderohet ai që «zbulon» se shqiptarët janë populli më i lashtë në Ballkan e në Evropë, gjuha shqipe është nëna e gjithë gjuhëve të tjera të botës, gjithë popujt e gjuhët fqinje janë bastardë, ndërsa Evropa (dhe Amerika, sipas rastit) na e kanë me të hedhur e nuk janë të sinqertë me ne (!). Gazetari merr rolin e shkencëtarit duke u shndërruar në një diciturë arbitare të një imazhi të ndjeshëm. Në këtë mënyrë i hapet udha gënjeshtrës, dezinformimit, manipulimit.  Në këtë mënyrë largohet vëmendja nga qasja e shëndetshme e problemeve. Bishat e urrejtjes sociale, gjinore, fetare, nacionale kërcejnë në skenën e një folklorizmi banal.  Shtypi i printuar, por edhe ai elektronik, për nevojat e mbijetesës, detyrohet të pijë të vjellat e tretura me aditivët e vetëmashtrimit, shpërndarë mjeshtërisht nëpër thashethemnajat e rrjeteve shoqërore. Nga ankthi i falimentimit, mediet «peshkojnë» lajmin nëpër postime a «cicërima» llogarish private a «zyrtare» individësh të njohur a të panjohur, të (vetë)shpallur artistë, opinionistë, intelektualë, gazetarë, historianë, shkencëtarë, role që shpesh ndërkëmbehen me lehtësinë më të madhe.  Në këtë kontekst, është shumë delikat vendi i shkencëtarit, i cili  ftohet të nyjëtojë ligjëratën e vet përpara një opinioni të papërgatitur e lehtësisht të përpunueshëm. Kjo situatë e bën ligjëratën e shkencëtarit të keqkuptueshme dhe pozicioni i tij zhvendoset nga trualli shkëmbor i shkencës serioze në moçalin gëlltitës të politikës banale.  

2) Dukuria tjetër shqetësuese ka të bëjë me birësimin e standardeve dhe etikës akademike të shkencave humane. Këtu ekziston një problem i madh: inflacioni intelektual dhe hiperbola e vlerave. Në këto 30 vjet të sistemit politik demokratik është krijuar një armatë e madhe të diplomuarish, doktorësh, profesorësh të cilët riciklojnë një ligjëratë të dyshimtë akademike, të karakterizuar herë nga plagjiarizmi, herë nga fantazia e shfrenuar dhe herë nga thjeshtëzimi i tepruar  deri në ofendim. Për fat të keq, shkencëtarët seriozë po kthehen gjithnjë e më shumë në një minoritet, ndërsa mjedisi shoqëror, politik, rreth tyre, që përbën edhe objektin dhe burimin e të dhënave të studimeve të tyre, po shndërrohet në një vorbull çorientuese e mbytëse. Është shqetësuese të shohësh të mbrohen doktorata plagjiatura me dijeninë e udhëheqësve, por edhe të komisioneve të vlerësimit. Është skandaloze të mos veprohet nga drejtësia (cila drejtësi, do të pyeste dikush) kur ka akuza publike se janë dhënë tituj doktorature pa paraqitur fare punime. Është shumë shqetësuese kur nga organet drejtuese akademike nuk ka qoftë edhe një prononcim publik kundër plagjiarizmit, por u rekomandohet të dëmtuarve që ta ndjekin çështjen – çdo çështje! - në rrugë gjyqësore, sikur kjo të ishte punë individësh (!). Është shumë shqetësuese kur në tubime akademike krahas studiuesve të afirmuar e seriozë, sheh të ngjiten në foltore aventurierë e kontrabandistë të shkencës, që, me të mbaruar leximin e paçavureve të tyre plagjiariste, vrapojnë nëpër sekretari për të marrë certifikatën përkatëse, e cila do t’i shtohet dosjes, që do t’i çojë drejt marrjes së një titulli shkencor - dhe të një rroge shtesë - të pamerituar. Është shumë shqetësuese të shohësh se si shteti – cili shtet, do të pyeste dikush! – ka lënë në mëshirë të fatit arsimin shtetëror dhe shkollat shtetërore.

Për këtë arsye, është e pafalshme që shkencëtarët seriozë të bëhen pjesë e një spektakli mediatik dhe të vihen në rolin e gladiatorëve duke shqyer njëri-tjetrin me argumente të diskutueshme. Është komprometuese kur një artist paraqitet si specialist i sportit, një sportist si specialist i modës, një gjuhëtar si specialist i historisë dhe një historian si specialist i gjuhës. Po aq komprometuese është kur një morfolog paraqitet si leksikolog, një sintaksolog si etimolog, një foneticien si pragmatolog etj. etj.

Në këtë situatë shkencëtarët seriozë janë sot heronjtë e vërtetë. Janë të tillë sepse kanë kurajon të punojnë në heshtje dhe në kushte ekonomike të disfavorshme për të arritur të vërtetën shkencore. Këta shkencëtarë nuk gjunjëzohen para zhurmës së medieve, as nga projektorët verbues të publicitetit të sponsorizuar nga manjatët.

Para studiuesve të shkencave humane, historianëve, gjuhëtarëve, arkeologëve, sociologëve, psikologëve, politologëve etj. dalin probleme etike që lidhen drejtpërdrejt me besueshmërinë e ligjëratës së tyre akademike. A do të jenë në gjendje të nyjëtojnë mendimet e tyre bazuar në kritere shkencore apo do të kthehen në suplemente të politikës së ditës dhe të psikozave të sëmura shoqërore e nacionale?

Këtu shtrohet edhe një çështje tjetër e karakterit etik shkencor: A ka të drejtë studiuesi të ketë një opinion politik? A i lejohet studiuesit të shprehet për politikën? Përgjigjja ime është se ai/ajo ka të drejtë. Por do të ishte gabim po ta shprehja thjesht kështu, pa emfazën e duhur. Jo vetëm që ka të drejtë, por edhe duhet të merret. Veçse, këtu duhet bërë një vërejtje thelbësore: Udhërrëfyesi i tij nuk duhet të jetë politika, por të jetë shkencëtari. Udhërrëfyesi i tij nuk mund të jetë gazetari, por ai t’i ndriçojë rrugën gazetarit! Qëllimi i studiuesit të vërtetë, ashtu si qëllimi i gjithë njerëzve që mendojnë në mënyrë të shëndetshme,  duhet të jetë një botë ku njerëzit të jetojnë në miqësi e harmoni me njëri-tjetrin. Pishtari i tij duhet të jetë e vërteta. 

Por e vërteta ndryshon kur lëviz nga njëri kontekst në tjetrin. Prandaj, është shumë trishtuese kur manipulohet me dokumente e fakte dhe nyjëtohet një ligjëratë akademike para një publiku krejt të papërgatitur e të paspecializuar dhe shpeshherë skajërisht të paragjykuar.

Një ligjëratë e tillë nuk është më akademike, por është papastërtisht politike. Ligjërata të tilla, edhe pse mund të justifikohen me padrejtësitë historike, që në Ballkan janë të shumta, burojnë nga mendësi përjashtuese dhe kanë si synim mohimin e të drejtave të kategorive të caktuara të popullsisë, qofshin këto kombëtare, gjinore a fetare. Por këto mendësi janë trualli më i përshtatshëm që çon drejt fashistizimit shoqëror e politik të jetës.

Për këtë arsye unë e hedh poshtë këtë mendësi dhe nuk i bashkohem një diskutimi të tillë. 

© Aristotel Spiro 

© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”

3 comments:

Unknown said...

Shkrim shume i bukur dhe i sakte. Nuk mund ti heq apo ti shtoj ndonje presje.

stinmesinemes said...

Nje analize e plote dhe sakte e realitetit spekulativ mediatik dhe shkencor.

Unknown said...

OAZ ne shkretetire!!!!