Wednesday, April 13, 2022

KUR QAU NYJA

 

Kur qau Nyja

nga 

Aristotel Spiro 


Duke shëtitur mbi një tekst, kur po kaloja pranë një fraze me dy emra, më tërhoqi vëmendjen mes tyre një nyjë, që po qante me dënesë. Emrat dhe nyja e frazës ishin «mollët e sherrit».

- Çfarë ke, bukuroshe, që po qan? – e pyeta nyjën. 

- Ç’të mos qaj? – m’u përgjegj. – Ky emri pas meje, që po e ndihmoj të lidhet me emrin përpara, pretendon se jam pjesë e tij dhe më ka futur duart e nuk më lëshon. Nuk mjafton që po i shërbej kaq e kaq shekuj, por tani më dashka edhe për vete. Unë i them: «Këtu jam për të të shërbyer, nuk kam ku vete, por ama dinjitetin tim gramatikor do ta ruaj deri në fund». Nuk ka ku të vejë më kjo punë! Kur unë erdha këtu fillimisht para emrit kam qenë përemër dëftor, për hir të tij u bëra nyjë, por ky nuk është akoma i kënaqur. Nuk thonë kot:  «Jepi gishtin, të të marrë dorën». 

- Si e justifikon këtë gjë emri që ti lidh? 

- Ai më thotë se «të gjithë e dinë që ti je këtu për mua, të gjithë nuk më shqiptojnë dot mua pa shqiptuar më parë ty, dhe ty nuk të shqiptojnë kurrë vetëm por së bashku me mua, gjë që do të thotë se tani je bërë pjesë e imja». Më thotë edhe disa fjalë, që më vjen turp t’i them: «Pa ty nuk mund të rroj, dua të bëhemi një, je pjesë e trupit dhe shpirtit tim». Por të gjitha këto janë fjalë të bukura, që unë nuk i besoj. 

Emri në trajtën e «sherrit» u hodh përpjetë duke u justifikuar: 

- Këtë nuk e them unë, e thonë ata që më kanë parë e studiuar mirë. Kështu është edhe në gjuhë të tjera, kështu është edhe në shqip. 

- Nuk është kështu në gjuhë të tjera dhe mos gënje, - i them unë. 

- Ashtu, vërtet, - më miratoi nyja. – Dhe unë i them këtij: «Shiko punën tënde, unë këtu jam për të bërë punën time, fjalë shërbyese jam vërtet, por nuk mund të bashkohemi në një formë. Pa shiko emrin para meje! Ai ka më shumë të drejtë të më thotë: «Eja bashkohemi», sepse unë pas tij shkoj, atij i ngjaj. Ashtu si ai, unë jam në rasën emërore, por ti je në gjinore. Nuk mund të më bësh me zor rasë gjinore. Nuk përcaktohet prej teje asgjë imja. As numri, as gjinia. Unë jam në gjininë femërore dhe ti në mashkullore. Unë jam në numrin shumës dhe ti në njëjës. Prandaj, më lër të qetë, që ta bëj punën ashtu siç duhet! 

- Po studimet e studiuesve ç’t’i bëjmë? – pyeti emri në gjinore. 

- Nuk mendojnë të gjithë ashtu, - u përgjegj nyja.- Asnjëherë nuk kanë menduar të gjithë ashtu. Por, hapin ca libra për gjuhë të tjera, i lexojnë dhe kërcejnë duke thënë: «Le ta shpjegojmë kështu edhe në shqipe». 

- Kjo nuk më duket aspak e drejtë, - i thashë. - Lëreni nyjën të qetë, që të bëjë punën e vet! Nyja është fjalë më vete, punën e bën shumë mirë dhe emri mund të jetë në gjinore pa pasur nevojë të bëhet njësh me nyjën. 

- Unë nuk e kam problem, - u përgjegj emri në gjinore, - por më ka zënë halli, se ca studiues më kanë thënë që «Mbaje fort nyjën, se s’kemi ç’i themi dhanores pastaj».

- Ç’punë i prishet dhanores?

- Po ja, po të mos kem unë nyjën, dhanorja thotë: «Jemi njësoj dhe ti nuk mund të quhesh më gjinore, por do të quhesh dhanore». Kurse unë i them: «Meqë jemi njësoj, ti do të quhesh gjinore dhe bëje punën si e ke bërë deri tani, nuk të ndalon njeri». Dhe kështu sherri vazhdon pa mbarim. 

Aty pari ndodhej një frazë tjetër e fjalisë: «mollët e kuqe». Së andejmi, nyja që ndodhej para mbiemrit mu ankua:

- Ato vuajtje që thotë shoqka para emrit nuk janë asgjë krahasuar me vuajtjet e mia. Mua më quajnë të gjithë pjesë të mbiemrit dhe nuk e diskutojnë. Bile, ca studiues më trajtojnë sikur të jem mbaresë. Po kjo pikë e zezë! Shyqyr që sjam pas mbiemrit, se do ta kisha pësuar si nyja e prapme, që përfundoi atje ku është dhe të gjithë tani e quajnë mbaresë. Unë bëj durim, se akoma më shkruajnë veç, domethënë e pranojnë në heshtje që unë kam pavarësinë time, dinjitetin tim. Po kush më garanton mua se nuk do të vijë një ditë që nuk do të më shkruajnë bashkë me mbiemrat? Prandaj, e dashur, le ta ngremë zërin tonë, se, po ndodhi kjo, pastaj të vjen ty radha. Do ta pësojmë si me përemrat pronorë, që meqë ishin pakicë, na i ngjitën me to dhe i shkruajnë bashkë. 

- Përemrat janë fjalë si puna jonë, që u shërbejnë këtyre të tjerave, emrave, mbiemrave, me ata s’kemi problem, - tha nyja që ndodhej para gjinores. 

- Ju mos u mërzisni fare, - u thashë nyjave për t’i qetësuar. – Studiuesit janë qenie të brishta dhe të pafajshme. Nuk janë të këqinj. Por ndonjëherë harrojnë realitetin dhe gjërat e thjeshta i ndërlikojnë. Gjithë punën e prishin teoritë që merren si të gatshme, imitimet nga gjuhët e tjera. Mirëpo, shqipja, edhe pse ka shumë ngjashmëri me gjuhët e tjera, disa gjëra i thotë me mënyrën e vet. Rasti juaj, moj nyja të dashura, këtë na thotë. Prandaj, studiuesit në vend që t’ju ndryshojnë për shkak të teorive të tyre, duhet të bëjnë të kundërtën: t’i rregullojnë teoritë e tyre duke u nisur nga sjellja juaj e veçantë dhe e shkëlqyer. 

Fjalët e mia sikur i ngushëlluan nyjat, por një ndjesi shqetësimi mbeti gjithsesi brenda qenies së tyre. 

 

 

© Aristotel Spiro 

© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi vetëm në shtypin elektronik me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”

Tuesday, April 12, 2022

SA RASA KANË EMRAT NË SHQIPEN STANDARDE?

 




SA RASA KANË EMRAT 
NË SHQIPEN STANDARDE?
nga
Aristotel Spiro

Në shkollë na kanë mësuar shumë gjëra të sakta, por edhe disa gjëra të pasakta. Gjëja më e bukur që mbaj mend nga mësimet e gjuhësisë është se gjuhët ndryshojnë. Pyetjet që ti po bën, unë ia kam bërë vetes qindra herë.
Rasa e ashtuquajtur historikisht "rrjedhore" tani ka mbetur e shkërmoqur fare tek shumësi i pashquar. Shumësi i shquar ka qenë dikur me -sh edhe ai, por sot përdoret në vend të tij një formë identike si gjinorja (fushave).
Ndërkohë gjinorja shumës na dalka njësoj edhe në trajtën e pashquar edhe në të shquarën (!). Kështu që, ka diçka që nuk shkon këtu: ngjan sikur po bëjmë kompromis, meqë duhet të plotësojmë një tabelë lakimi që na e kanë vënë përpara.
Puna e rasës gjinore pa nyjë është edhe më e thjeshtë sesa puna e mbiemrit pa nyjë. Këtu duket qartë se nyja e përparme ndjek lakimin e emrit drejtues (gjymtyrës bosht) dhe jo të emrit në gjinore që i prin. Pra, s'ka të bëjë fare me gjinoren në pikëpamje morfologjike. Thjesht ndodhet aty për ta lidhur emrin në gjinore me emrin drejtues (gjymtyrën bosht).
Kështu, përderisa për gjinoren bindemi që mund të qëndrojë si rasë edhe pa nyjën, ajo që quajmë dhanore formalisht është njësoj me gjinoren. Mund t'i vësh edhe emër tjetër kësaj forme, por kjo është çështje tjetër dytësore.
Tani, meqë tek gjinorja shumës trajta e shquar dhe e pashquar dalin identike dhe gjuha nuk funksionon dot pa opozicione formash, vendin e gjinores së pashquar shumës e zë ajo që ne e quajmë sot rrjedhore e pashquar, formë që ka mbetur "jetime" në fund të tabelës së lakimit.
Në këtë mënyrë në shqip na dalin tri rasa: emërore, gjinore dhe kallëzore.
Kjo është një skemë shpjeguese e thjeshtë, e arsyeshme dhe e dobishme.
Skema që u mësojnë sot në shkollë nxënësve është e ndërlikuar, e pamotivuar dhe e paarsyeshme.
Njerëzit, sigurisht, do të vazhdojnë të flasin shqip pavarësisht se do ta shpjegojmë gjuhën me 5 X 4 = 20 forma rasore ose me 3 X 4 = 12 forma rasore.
Mund të njohësh edhe rasë thirrore ose edhe rasë vendore dhe njerëzit do të vazhdojnë të flasin po njësoj, pavarësisht nga interpretimet që u bëjmë fakteve gjuhësore.


Për më tepër rreth argumenteve të mia për rasat e shqipes shih:

https://www.researchgate.net/publication/342247297_Mbi_numrin_e_rasave_ne_gjuhen_shqipe


© Aristotel Spiro 

© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi vetëm në shtypin elektronik me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”


Thursday, April 7, 2022

JO «GRUSHT SHTETI», POR REFORMË DREJTSHKRIMORE E PËRGATITUR ME PJEKURI


 

Rruga Reforma Drejtshkrimore


JO «GRUSHT SHTETI», POR REFORMË DREJTSHKRIMORE E PËRGATITUR ME PJEKURI 

nga 

Aristotel Spiro 


Pyetja e gabuar që mund të bëhej në lidhje me rishikimin e drejtshkrimit do të ishte: Çfarë do të ndryshojmë? 

Kësaj pyetjeje duhet t’i përgjigjemi menjëherë: Asgjë! 

Ose për të qenë më realistë: Thuajse asgjë! 

Gjuha nuk është një organizëm që merr pjesë në revolucione. Ajo nuk i pranon ndryshimet e mëdha e të menjëhershme. Anëtarët e bashkësisë së gjerë folëse duan që të jenë të sigurt se kodi i komunikimit të përbashkët nuk ndryshon, në mënyrë që komunikimi midis tyre të jetë normal. 

Drejtshkrimi i gjuhës shqipe mbështetet mbi parimin fonologjik (jo fonetik!), ashtu si drejtshkrimi i gjithë gjuhëve që përdorin shkrimin alfabetik. Por si drejtshkrim shumë i ri në moshë, ai ka privilegjin që të ketë një përkatësi thuajse të dykahshme (biunivoke) midis fonemave dhe grafemave. Këtë përkatësi e kanë pasur edhe gjuhët e tjera me traditë të lashtë shkrimore. Ndërsa gjuha e tyre e folur ka ndryshuar, shkrimi ka mbetur në vija të përgjithshme po ai. Ndryshimet në shkrim dhe në drejtshkrim janë aq të vogla e të padukshme, saqë duket sikur gjuha pak ka ndryshuar. Nëse gjuha shqipe do të kishte një alfabet të përbashkët që në Mesjetë, pa dyshim që gjuha e Buzukut do të ishte shumë më e kuptueshme për shqiptarët e sotëm. 

Gjuha ndryshon vazhdimisht për shkak të përdorimit. Por jo çdo ndryshim fonetik në gjuhë pasqyrohet menjëherë në sistemin shkrimor. Marrëdhëniet midis fonemave dhe grafemave organizohen në formë tjetër. Shkrimi duke luajtur një rol ruajtës (konservativ) për gjuhën, ndihmon gjithashtu të kuptohet më mirë rrugëtimi diakronik i sistemit gjuhësor, nëpërmjet atyre ndryshimeve dhe mospërputhjeve të vogla fonetiko-grafike, të cilat për këtë arsye bëhen argumente përbashkuese të disa brezave shqipfolësish. 

Është e vërtetë se karakteri fonologjik i drejtshkrimit të shqipes do ta shoqërojë atë përgjithmonë e në jetë të jetëve. Parimi fonologjik i drejtshkrimit të shqipes është dhe do të mbetet parimi kryesor. Por shumë ortograme ose pjesë të tyre, duke respektuar parimin fonologjik, do të marrin pak nga pak veçoritë e morfogrameve. Kështu, p.sh., veta III e foljeve të së ardhmes apo lidhores së tashme mund të dalë homofone (njësoj) me vetën I (gjë që sot kryhet vetëm në një regjistër ligjërimor bisedor), por prania e zanores [ë] në fund do të funksionojë aty si një tregues diferencimi formal. P.sh., ndoshta do të vijë një ditë që tek ai do të lexojë të përgjithësohet shqiptimi [ai do të lexoj], por kjo nuk do të thotë se duhet shkruar pa -ë. E njëjta gjë mund të thuhet për gjithë ato raste kur praktika e ligjërimit të përditshëm evidenton shqiptime pa ë-në e patheksuar. I ashtuquajturi “parim  fonetik” nuk duhet të shërbejë këtu si shkas për të ndryshuar drejtshkrimin e fjalës. Përndryshe, bëhen propozime për të qeshur dhe për të qarë, si: të shkruhet i parm, i majm, i pastajm, flliq, kllas, kllëç, kllëf, kllirë, pllet, pllëmbë, brruc, brryl, krrabë etj. në vend të i parmë, i majmë, i pastajmë, fëlliq, këllas, këllëç, këllëf, këllirë, pëllet, pëllëmbë, bërruc, bërryl, kërrabë etj.

Shkrimi i fjalëve nuk duhet të kënaqë thjesht logjikën sistemore dhe etimologjike të gjuhëtarit, por të jetë në radhë të parë një mjet i qëndrueshëm në komunikimin e bashkësisë folëse. 

Nuk mund t’i hyhet ndryshimit të drejtshkrimit vetëm e vetëm duke u nisur nga aksioma aprioristike se drejtshkrimi i çdo gjuhe ndryshon herë pas here. 

Ndryshimet në drejtshkrim nuk mund të bëhen as duke u inkuadruar në ligjërimin publik të rishikimit të standardit dhe as në përpjekje gjoja “ripajtuese” me dialektin gegë. Futja e disa fjalëve me morfologji gege, nëse bëhet për të kënaqur një pjesë të pakënaqurish me standardin shqip, konsiderohet përpjekje foshnjore dhe, si e tillë, duhet hedhur poshtë me vendosmëri. 

Rishikimi i drejtshkrimit nuk do të thotë hartim rregullash drejtshkrimore nga e para. Nuk na duhet një drejtshkrim tjetër, nuk na duhen rregulla të reja. Është shumë e ekzagjeruar dhe infantiliste dëshira e disave për të ofruar ndryshime në çdo rregull drejtshkrimor ekzistues. Një element që funksionon shumë nuk është nevoja që të ndryshohet. Madje nuk na duhet as pakësimi as zhdukja e përjashtimeve. Është e vërtetë se «Rregullat e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe» kanë mjaft përjashtime nga formulimet e përgjithshme. Nuk është e drejtë që për këtë arsye të kërkohet fshirja apo heqja e rasteve të përjashtimit. Nëse do të ishte e mundur kjo, do të bëhej para 50 vjetësh nga Kongresi. Arsyet që ato raste përjashtuese u vendos që të shkruhen kështu lidhen me rrënjosjen në ndërgjegjen e përdoruesve të një tradite shqiptimore dhe logografike përkatëse. Koha që ka kaluar jo vetëm që nuk e ka dobësuar, por e ka forcuar më tej këtë traditë. 

Të kërkosh fshirjen e përjashtimeve nga rregulli i përgjithshëm i drejtshkrimit është sikur të kërkosh fshirjen e foljeve të parregullta nga lista e zgjedhimit të foljeve. 

Nuk është aspak e nevojshme që gjuhëtari të rrijë e të shqyrtojë me radhë fjalët e fjalorit dhe të përzgjedhë së andejmi një listë fjalësh për t’u ndryshuar. Një gjuhëtar i vërtetë është i matur kur bën propozime ndryshimi për drejtshkrimin. Motivimi teorik i një forme të propozuar nuk mund të shfajësojë asnjë propozim ndryshimi. Kritere të sigurta janë pajtueshmëria me «Rregullat e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe» dhe shtrirja e përdorimit të fjalës ose formës. 

Ndryshimet që mund të propozohen në drejtshkrimin e disa fjalëve nuk duhet në asnjë mënyrë të lidhen me mungesën e përpjekjeve për të nxënë drejtshkrimin. Në këtë mënyrë do t’u bëhej padrejtësi atyre njerëzve të kulturuar që shkruajnë e lexojnë duke respektuar «Rregullat e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe». Nëse ajo pjesë e madhe njerëzish kanë harxhuar energji për t’i mësuar rregullat e drejtshkrimit, është e padrejtë t’u thuhet që ta harrojnë shprehitë e të shkruarit saktë të shqipes për t’u familjarizuar me forma të reja të futura me kritere të dyshimta.

Një kongres përkujtimor për 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit mund dhe duhet të mblidhet. 

Por nëse dikush dëshiron të ndryshojë drejtshkrimin, këtë duhet ta bëjë duke i marrë lejen autoritetit më të madh të gjuhës shqipe: folësve të saj. 

Për këtë duhet të ndërmjetësojë një periudhë e mjaftueshme kohore këshillimi të çiltër mbarëkombëtar, të përgatitet një pyetësor me çështjet kryesore që duhen diskutuar dhe të tërhiqen mendimet dhe opinionet e gjithë përdoruesve të kualifikuar të gjuhës. Të ndërtohet një platformë shkencore diskutimi duke shfrytëzuar mundësitë e teknologjisë së sotme të komunikimit. Përfundimet e diskutimit mbarëkombëtar, të ndërthurura me studimet e institucioneve përkatëse kërkimore-shkencore mund të çojnë drejt një Kongresi të Reformës Drejtshkrimore. 

Përndryshe, mendimet e hedhura nga shtabet e politikës, me gjuhën e pushtetit dhe nga «pushtetarët e gjuhës» nuk çojnë asgjëkundi, përveçse hapin rrugën e një «grushti shteti» ndaj standardit.   

  

© Aristotel Spiro 

© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”

 



Sunday, April 3, 2022

A DUHET TA RISHIKOJMË DREJTSHKRIMIN?

 




A DUHET TA RISHIKOJMË DREJTSHKRIMIN? 


nga 


Aristotel Spiro 


Por pengesa dhe vështirësia
është se çdo gjë e bëjnë
një histori të madhe këta
reformatorë (Lum si ata, që kurrë
nuk do t’ ua kishin nevojën). Për gjithçka
për gjënë më të vogël pyesin dhe shqyrtojnë
dhe fill u vijnë ndër mend shndërrimet rrënjësore
me kërkesën për t’i vënë në fuqi menjëherë.
K. Kavafis
Në një koloni të madhe greke, viti 200 para Krishtit


Pesëdhjetë vjet në jetën e një gjuhe nuk janë shumë, por janë të mjaftueshme për të provuar nëse drejtshkrimi i saj u përgjigjet nevojave të përdoruesve. 

Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, me «Rregullat» që miratoi, kreu një akt të rëndësishëm historik. Nëse në fillim të shekullit XX Kongresi i Manastirit (1908) njësoi shkrimin shqip, Kongresi i Drejtshkrimit (1972) hodhi hapin e fundit duke vendosur normën drejtshkrimore. 

Kongresi i Drejtshkrimit ishte shprehje dhe kurorëzim i përpjekjeve të faktorëve mbarëshqiptarë në Shqipëri e jashtë saj për të standardizuar gjuhën shqipe. Në të morën pjesë 87 delegatë, që përfaqësonin të gjithë faktorët e politikave gjuhësore: Ministria e Arsimit, Instituti i Gjuhësisë, kabinetet pedagogjike të rretheve, pedagogët e fakulteteve filologjike të Tiranës dhe të rretheve, mësuesit e gjuhës shqipe dhe të letërsisë të shkollave të mesme të përgjithshme të Shqipërisë, shkrimtarët. Prania e gjuhëtarëve dhe pedagogëve nga institucionet arsimore dhe akademike të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi dhe zbatimi i Rregullave në një entitet tjetër shtetëror (Jugosllavia), të përbërë nga disa ndarje administrative (Krahina Socialiste Autonome e Kosovës, Republika Socialiste Federative e Maqedonisë dhe Republika Socialiste Federative e Malit të Zi), autoritetet shtetërore të të cilave nuk morën pjesë në Kongres,  mund të regjistrohet si një sukses i jashtëzakonshëm. Të mirat e kësaj zgjidhjeje u bënë më të kuptueshme pas shpërbërjes së shtetit jugosllav, që i gjeti shqiptarët me një kod të përbashkët drejtshkrimor, çka do të ishte e vështirë në kohën e sotme të paragjykimeve postnacionaliste dhe sjelljeve partikulariste. 

Praktika shkrimore gjysmëshekullore konfirmoi zgjidhjet e Kongresit të Drejtshkrimit dhe Rregullave të tij. Sidoqoftë, rruga drejt ngulitjes së rregullave të drejtshkrimit nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Shteti ka luajtur një rol vendimtar në ngulitjen dhe zbatimin e tyre. Miratimi i një legjislacioni detyrues si dhe krijimi i një baze mbështetëse, nëpërmjet shkollave, organeve botuese, mediave etj. krijoi dhe përforcoi shprehitë drejtshkrimore të përdoruesve të gjuhës shqipe. 

Gjatë gjithë kësaj kohe që ka kaluar kanë ndodhur shumë ndryshime politike, shoqërore dhe kulturore. Sistemi komunist mori fund. Shqipëria u hap drejt botës, ndërsa u krijua edhe Republika e Kosovës. Shqipja është tashmë gjuhë zyrtare në tri shtete (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut). Shumë elemente të reja kulturore hynë në këto hapësira shqipfolëse. Po ashtu, ndërveprimi midis tyre u rrit. Shprehitë e konsoliduara gjuhësore filluan të tronditen dhe të ndikohen nga shprehi të reja. Të gjitha këto nuk mund ta lënë pa e ndikuar edhe drejtshkrimin. 

Gjatë periudhës pas viteve ’90 të shekullit të kaluar në bashkësinë akademike shqiptare nisi një diskutim për rishikimin e gjuhës letrare kombëtare shqipe, e cila u quajt vijimisht shqipe standarde. Një vijë e fortë revizioniste u shfaq, që synonte në thelb shfuqizimin e Kongresit të Drejtshkrimit, goditjen e standardit dhe krijimin e një standardi verior me bazë gegërishten letrare. Në qendër të këtij kontestimi u vu Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, me shkasin se ishte organizuar dhe mbështetur nga udhëheqja komuniste e kohës. Këto diskutime vijuan rreth njëzet vjet, por nuk patën ndonjë përfundim përmbysës. Gjithsesi, pjesa e ligjëratës rishikuese të drejtshkrimit mbeti. Kjo u shfajësua edhe me nevojën e natyrshme që drejtshkrimi i çdo gjuhe herë pas here i nënshtrohet një rishikimi. 

Pesëdhjetëvjetori i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe vjen si një jubile jo vetëm për të festuar, por edhe për të vlerësuar funksionimin e tij, për të nxjerrë në pah problematikat e mundshme që janë krijuar nga ndryshimi i rrethanave sociolinguistike dhe për të diskutuar rreth përditësimeve të elementeve që do ta vendosin drejtshkrimin në një bazë teorike dhe praktike moderne, për t’iu përgjigjur kërkesave dhe standardeve dhe nivelit kulturor të shoqërisë së sotme, që ndryshon në mënyrë dinamike. 

Prandaj, është e nevojshme që, para çdo diskutimi për drejtshkrimin e shqipes, të caktojmë premisat dhe kriteret e tij. Të vendosim, domethënë, se si do të kryhet, por sidomos si nuk do të kryhet, çfarë duhet përjashtuar, në mënyrë që të orientohemi drejt një perspektive të qartë dhe të kursejmë kohë dhe energji. 

Mendimi im është se diskutimi duhet filluar duke treguar respektin më të madh për «Rregullat e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe» (Tiranë 1973 - Prishtinë 1974). Çdo diskutim, çdo fjalë e nyjëtuar duhet bërë në bazë të teorive moderne të drejtshkrimit. Vetëm duke e vendosur drejtshkrimin mbi baza teorike dhe praktike moderne, do të shmangim subjektivizmin, diletantizmin dhe parapëlqimet vetjake e krahinore. Rimarrja e çështjeve të veçanta teknike dhe vendosja e tyre në të njëjtën vijë argumentuese të vitit 1972 mund të mos japë frytet e pritshme. Ne nuk diskutojmë me mendimin fillestar për të hedhur poshtë apo për të korrigjuar «Rregullat». Predispozicioni ynë është pohues, konfirmues, nuk është predispozicion korrigjues. Nuk vendosim për ndryshime, por shohim çfarë ka ndryshuar, konstatojmë dhe përkufizojmë ndryshimet. Le të mbajmë një qëndrim modest duke e parë veten tonë të pafuqishëm për të ndryshuar gjuhën, këtë ngrehinë shpirtërore që e ndërton prej shekujsh e gjithë bashkësia disamilionëshe folëse. Le t’i themi jo dëshirës së brendshme për të ndryshuar rregullat, le të ushqejmë dëshirën e shëndetshme për të pasuruar kulturën me elemente të reja që e emancipojnë shoqërinë dhe krijojnë një atmosferë respekti në komunikim. 

Këtë e them meqenëse kam parë e lexuar mjaft kumtesa e diskutime nëpër tubime shkencore ku bëhen gjithfarëlloj propozimesh për të hequr apo shtuar ë-në e patheksuar apo fundore, për të shkruar disa emra ambigjenë me -ua apo -oja e deri tek propozimet për të futur në përdorim paskajoren e parafjalëzuar me parafjalën ‘me’. 

Këto diskutime i bëjnë shpesh edhe studiues të vjetër e me përvojë dhe kontribute në gjuhësinë shqiptare, që dashur pa dashur e ngujojnë diskutimin nëpër çikërrima korrigjuese duke mobilizuar gjithë arsenalin e tyre argumentues gjuhësor e jogjuhësor vetëm e vetëm që të bëjnë një ndryshim në drejtshkrim. Ndërkohë, praktika e përdorimit të gjuhës shtron çështje krejt të ndryshme nga problematika arkaizuese që i ravijëzon këto diskutime. 

Një pikënisje shumë e sigurt për të zhvilluar një ligjëratë të shëndetshme e të frytshme për drejtshkrimin e shqipes është ripërcaktimi i parimit themelor që e përshkon atë. Ky parim, ndoshta për arsye praktike, u formulua gabim në kryereferatin e Kongresit të Drejtshkrimit (Kostallari 1973: 79-80) dhe ky gabim u përsërit edhe në Rezolutën e Kongresit edhe në «Rregullat e Drejtshkrimit» (1973: 19). Formulimi i gabuar se parimi themelor i drejtshkrimit të shqipes është ai «fonetik», solli si rrjedhim edhe formulimin tjetër të gabuar për ekzistencën një parimi dytësor drejtshkrimor të ashtuquajtur «morfologjik» në shqipe. Ndërsa tek formulimi i parë u arrit, siç duket, për shkak të ngatërrimit apo identifikimit të fonetikës me fonologjinë, formulimi i dytë, ai i parimit «morfologjik» (Rregullat 1973: 19), u përpunua për të mbuluar të gjitha ato raste që nuk gjenin shpjegim fonetik, por morfo(fo)nologjik. 

Parimi fonologjik i drejtshkrimit nuk është një propozim kompromisi, por një kërkesë e natyrshme që vjen nga teoria dhe praktika e drejtshkrimit në përgjithësi dhe e drejtshkrimeve të gjuhëve që përdorin shkrimin alfabetik. Ky parim formulohet në të gjithë doracakët përkatës si një aksiomë. Pra, çështja nuk shtrohet: ta pranojmë ose jo parimin fonologjik. Çështja shtrohet: Pa pranuar parimin fonologjik të drejtshkrimit shqip si parimin e tij themelor, asnjë diskutim tjetër nuk ka vlerë

Parimi fonetik, nëse merret si kriter udhërrëfyes, do të arrijë të shfajësojë qindra-mijëra sjellje arbitrare me gjuhën dhe shkrimin e saj, do të shfajësojë shkelje drejtshkrimore duke ushqyer anarkinë dhe duke nxitur propozime të pamotivuara. 

Formulimi i parimit themelor të drejtshkrimit të shqipes si PARIMI FONOLOGJIK do t’u sigurojë «Rregullave të drejtshkrimit të shqipes» një bazë të fuqishme moderne teorike dhe do të shmangë çdo propozim absurd që do të kryhet duke përdorur si argument parimin fonetik

Por nëse për ndonjë arsye joshkencore nuk formulohet qartë dhe në mënyrë përfundimtare se parimi themelor i drejtshkrimit të shqipes është parimi fonologjik, atëherë çdo zgjidhje e propozuar do të jetë jo vetëm e pasigurt dhe e kontestueshme, por në mënyrë të pashmangshme edhe e dëmshme. 



© Aristotel Spiro 

© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi vetëm në shtypin elektronik me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”

 

 

Saturday, April 2, 2022

NYJËS I QAN ZEMRA PËR TABELËN E LAKIMIT









NYJËS I QAN ZEMRA PËR TABELËN E LAKIMIT 


nga 

Aristotel Spiro


Në gramatikat e shqipes mund të gjeni faqe të tëra ku lakohen mbiemrat. Mirëpo asnjë gramatikë nuk na shpjegon cilat janë mbaresat rasore të mbiemrave. 

Profesori Teoricus mundohej të më qetësonte, kur i thosha se kam përshtypjen që edhe këtu na kanë ngopur me gënjeshtra shekullore. 

– Si mund të ketë lakim pa mbaresa? – e pyes i revoltuar. – Këtë nuk e marr dot vesh. 

Mundohet të më qetësojë duke më bërë një vërejtje shumë të zgjuar:

– Po nyjat e përparme nuk i sheh si ndryshojnë? Kjo nuk të mjafton? 

– Posi, zoti profesor, – i përgjigjem. – Por ne nyjat i kemi mësuar në një kapitull të posaçëm, tani na thënke që duhet t’i studiojmë prapë tek mbiemrat? 

- Nyja e përparme është pjesë e mbiemrit, - më thotë profesor Teoricus. 

- Atëherë pse i shkruajmë veç dhe jo bashkë me mbiemrat? - i them. - Po të ishte nyja pjesë e mbiemrit do ta shkruanim bashkë, si një fjalë. Ashtu si bëhet me emrat: Emërore: djali, Gjinore: djalit dhe jo djali t.

- Dëgjo ti, or djalë, - më paralajmëron profesor Teoricus. - Kështu kanë thënë koka të shkencës së gjuhës shqipe. Kush je ti që mendon ndryshe?

- Mendoj se kemi akoma demokraci në shprehjen e mendimeve, - i them.  - Si mund të themi që mbiemri  ka rasa, në një kohë kur ai nuk ndryshon, dhe nyja që thoni ju, vihet vërtet përpara mbiemrit, por ajo lakohet për hesap të vet dhe jo të mbiemrit. Gjë që do të thotë se nyja e përparme nuk është pjesë e mbiemrave. 

– Jo vetëm që është pjesë e mbiemrave, - bërtet i bindur profesor Teoricus, - por edhe është edhe pjesë e emrave. Kemi rasën gjinore, për shembull. Edhe ajo është e tillë se ka nyjën e përparme përpara. 

– Le ta lëmë më mirë rehat gjinoren, o profesor, se ajo i paska vetë mbaresat nga prapa. S’ka nevojë që t’ia vëmë edhe nga para.  

– Po mirë, i nderuar, – këmbëngul në mënyrë ironike profesori Teoricus, – me se do ta dallojmë rasën gjinore nga dhanorja? 

– Ky me gjithë mend është një problem i madh, – i përgjigjem me të njëjtin ton. – Por është problem vetëm për ata që duan të kenë patjetër sa më shumë rasa në gramatikë. 

Dhe shtoj:

- Mirë është që të mos e përmendim shpesh këtë nevojën e dallimit të gjinores nga dhanorja. Sepse, po ta marrin vesh njerëzit me mendje të shëndoshë, do të habiten duke thënë: "Vërtet gjuhëtarët merren me këto budallallëqe?"

- Nuk janë budallallëqe këto, por gjëra shumë serioze, - më tund gishtin profesor Teoricus. - Sistemi i lakimit duhet të funksionojë në mënyrë të përsosur dhe rasa gjinore duhet dalluar qartë nga rasa dhanore. 

- Për mua, - i them - rëndësi ka që njerëzit të flasin thjesht, bukur dhe qartë. Por, ta quani nyjën e përparme pjesë të mbiemrit ose pjesë të emrit në gjinore dhe nga ana tjetër ta shkruani veç, të ndarë nga mbiemri dhe emri, duhet ta pranoni se ka diçka që nuk shkon në këtë mes.  

- Dëgjo këtu! - më thotë profesor Teoricus, - nyja e përparme ka shekuj të tërë që rri përpara emrit në gjinore, që zotrote ta kesh të lehtë për ta dalluar nga dhanorja dhe të marrësh edhe notë të mirë në provim.  

- Nuk më bind fare me këto që thua, o profesor, - i them. -  Sipas teje, nyjës i vjen keq se mos prishë tabelën e lakimit dhe rri aty para emrit, që gjinorja dhe dhanorja të dallohen qartë! 

- Pikërisht! - thërret profesori i lehtësuar. 

- Tani të zura, - i them. - Po qe se nyjës i vinte pak keq, nuk do të qëndronte para mbiemrave duke na futur në belara. Kam gjithë ata shokë të huaj që mësojnë shqip dhe kur më pyesin pse gjuha shqipe ka mbiemra të nyjshëm e të panyjshëm, nuk di ç't'u them. Sipas asaj mendjes sime, nyja nuk mund të jetë e mirë nga njëra anë duke na ndihmuar të dallojmë gjinoren nga dhanorja dhe nga ana tjetër të tregohet e keqe duke u vendosur para një pjese mbiemrash dhe duke mos u vendosur para pjesës tjetër.  



Shënim:

Vetë mendoj se jo vetëm rasa dhanore, por edhe rasa rrjedhore duhen çuar sa më parë në ndonjë muzeum gjuhësor (po të ketë), ose le të mbeten nëpër gramatikat ekzistuese, të cilat për këtë arsye, meqenëse, pra, bëjnë fjalë për rasë dhanore dhe rrjedhore, mund të quhen të gjitha të vjetra. 

 


© Aristotel Spiro 

© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi vetëm në shtypin elektronik me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”