NYJËS I QAN ZEMRA PËR TABELËN E LAKIMIT
nga
Aristotel Spiro
Në gramatikat e shqipes mund të gjeni faqe të tëra ku lakohen mbiemrat. Mirëpo asnjë gramatikë nuk na shpjegon cilat janë mbaresat rasore të mbiemrave.
Profesori Teoricus mundohej të më qetësonte, kur i thosha se kam përshtypjen që edhe këtu na kanë ngopur me gënjeshtra shekullore.
– Si mund të ketë lakim pa mbaresa? – e pyes i revoltuar. – Këtë nuk e marr dot vesh.
Mundohet të më qetësojë duke më bërë një vërejtje shumë të zgjuar:
– Po nyjat e përparme nuk i sheh si ndryshojnë? Kjo nuk të mjafton?
– Posi, zoti profesor, – i përgjigjem. – Por ne nyjat i kemi mësuar në një kapitull të posaçëm, tani na thënke që duhet t’i studiojmë prapë tek mbiemrat?
- Nyja e përparme është pjesë e mbiemrit, - më thotë profesor Teoricus.
- Atëherë pse i shkruajmë veç dhe jo bashkë me mbiemrat? - i them. - Po të ishte nyja pjesë e mbiemrit do ta shkruanim bashkë, si një fjalë. Ashtu si bëhet me emrat: Emërore: djali, Gjinore: djalit dhe jo djali t.
- Dëgjo ti, or djalë, - më paralajmëron profesor Teoricus. - Kështu kanë thënë koka të shkencës së gjuhës shqipe. Kush je ti që mendon ndryshe?
- Mendoj se kemi akoma demokraci në shprehjen e mendimeve, - i them. - Si mund të themi që mbiemri ka rasa, në një kohë kur ai nuk ndryshon, dhe nyja që thoni ju, vihet vërtet përpara mbiemrit, por ajo lakohet për hesap të vet dhe jo të mbiemrit. Gjë që do të thotë se nyja e përparme nuk është pjesë e mbiemrave.
– Jo vetëm që është pjesë e mbiemrave, - bërtet i bindur profesor Teoricus, - por edhe është edhe pjesë e emrave. Kemi rasën gjinore, për shembull. Edhe ajo është e tillë se ka nyjën e përparme përpara.
– Le ta lëmë më mirë rehat gjinoren, o profesor, se ajo i paska vetë mbaresat nga prapa. S’ka nevojë që t’ia vëmë edhe nga para.
– Po mirë, i nderuar, – këmbëngul në mënyrë ironike profesori Teoricus, – me se do ta dallojmë rasën gjinore nga dhanorja?
– Ky me gjithë mend është një problem i madh, – i përgjigjem me të njëjtin ton. – Por është problem vetëm për ata që duan të kenë patjetër sa më shumë rasa në gramatikë.
Dhe shtoj:
- Mirë është që të mos e përmendim shpesh këtë nevojën e dallimit të gjinores nga dhanorja. Sepse, po ta marrin vesh njerëzit me mendje të shëndoshë, do të habiten duke thënë: "Vërtet gjuhëtarët merren me këto budallallëqe?"
- Nuk janë budallallëqe këto, por gjëra shumë serioze, - më tund gishtin profesor Teoricus. - Sistemi i lakimit duhet të funksionojë në mënyrë të përsosur dhe rasa gjinore duhet dalluar qartë nga rasa dhanore.
- Për mua, - i them - rëndësi ka që njerëzit të flasin thjesht, bukur dhe qartë. Por, ta quani nyjën e përparme pjesë të mbiemrit ose pjesë të emrit në gjinore dhe nga ana tjetër ta shkruani veç, të ndarë nga mbiemri dhe emri, duhet ta pranoni se ka diçka që nuk shkon në këtë mes.
- Dëgjo këtu! - më thotë profesor Teoricus, - nyja e përparme ka shekuj të tërë që rri përpara emrit në gjinore, që zotrote ta kesh të lehtë për ta dalluar nga dhanorja dhe të marrësh edhe notë të mirë në provim.
- Nuk më bind fare me këto që thua, o profesor, - i them. - Sipas teje, nyjës i vjen keq se mos prishë tabelën e lakimit dhe rri aty para emrit, që gjinorja dhe dhanorja të dallohen qartë!
- Pikërisht! - thërret profesori i lehtësuar.
- Tani të zura, - i them. - Po qe se nyjës i vinte pak keq, nuk do të qëndronte para mbiemrave duke na futur në belara. Kam gjithë ata shokë të huaj që mësojnë shqip dhe kur më pyesin pse gjuha shqipe ka mbiemra të nyjshëm e të panyjshëm, nuk di ç't'u them. Sipas asaj mendjes sime, nyja nuk mund të jetë e mirë nga njëra anë duke na ndihmuar të dallojmë gjinoren nga dhanorja dhe nga ana tjetër të tregohet e keqe duke u vendosur para një pjese mbiemrash dhe duke mos u vendosur para pjesës tjetër.
-
Shënim:
Vetë mendoj se jo vetëm rasa dhanore, por edhe rasa rrjedhore duhen çuar sa më parë në ndonjë muzeum gjuhësor (po të ketë), ose le të mbeten nëpër gramatikat ekzistuese, të cilat për këtë arsye, meqenëse, pra, bëjnë fjalë për rasë dhanore dhe rrjedhore, mund të quhen të gjitha të vjetra.
© Aristotel Spiro
© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi vetëm në shtypin elektronik me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”
No comments:
Post a Comment