Monday, June 13, 2022

JAN BAUDOUIN DE COURTENAY: MBI KARAKTERIN E PËRZIER TË TË GJITHA GJUHËVE

 


 

MBI KARAKTERIN E PËRZIER TË TË GJITHA GJUHËVE 


nga 


JAN BAUDOUIN DE COURTENAY 

 

Konceptimi i zakonshëm i një «gramatike krahasuese të gjuhëve sllave» ose një «gramatike krahasuese të gjuhëve indoevropiane» bazohet në supozimin se gjuhët janë të pastra, se historia e gjuhëve është një zhvillim i pandërprerë dhe i patrazuar i një sistemi origjinal në drejtime të ndryshme, pa ndërhyrjen e gjuhëve të huaja. Studimet themelore gjuhësore, si «Grundriss der vergleichenden Grammatik» nga Brugmann-i dhe Delbrück-u, japin një përshtypje të tillë në fakt duke punuar me disa dhjetëra «rrënjë» ose grupe fjalësh të lidhura etimologjikisht. Megjithatë, mjafton të konsultohemi me ndonjë fjalor të një gjuhe të tillë gjoja të pastër, si indoevropianishtja ose sllavishtja, për t’u bindur se ai përmban një numër shumë më të madh fjalësh të asimiluara ose fjalësh me origjinë të errët apo të paqartë sesa fjalë të përshtatshme për «gramatikë krahasuese», në kuptimin që përdoret sot kjo fjalë. Këto të fundit, në të vërtetë, përbëjnë një numër të papërfillshëm, po të kemi parasysh se «gramatikat krahasuese» të zakonshme nuk mbulojnë gjuhë të tëra, nuk japin një pasqyrë të të gjithë strukturës së gjuhëve në fjalë. Megjithatë, shumë njerëz duket se nuk janë në dijeni të kësaj, duke e trajtuar tezën e pastërtisë absolute të gjuhës si një dogmë gjuhësore. Ata pranojnë, është e vërtetë, mundësinë e huazimit të elementeve të huaja, por në të njëjtën kohë shtojnë se karakteri bazë i një gjuhe të caktuar mbetet i pandryshuar. Kështu, p.sh., ata nuk e mohojnë që shumë elemente romane kanë hyrë në anglishte, por këmbëngulin se gjithë këto elemente të huaja janë asimiluar plotësisht pa e ndikuar aspak bazën gjermanike të gjuhës. Dhe, kur një pretendim i tillë bëhet nga një dijetar autoritar, ai është i detyruar të përsëritet nga një turmë e tërë imituesish.

Dihet mirë se mësimet e nxjerra nga gramatikat e huaja, të cilat kanë qenë të vjetruara edhe brenda zonave të tyre, kanë penguar zhvillimin e pikëpamjeve origjinale, por të vërteta për natyrën e gjuhëve të veçanta.

Se si «opinioni publik» i një vendi mund të ofendohet nga çdo përpjekje për të emancipuar një shkencë të caktuar nga pikëpamjet mbizotëruese, nga paragjykimet dhe idetë e paramenduara, mund të tregohet me një shembull nga historia e gramatikës ruse. Tridhjetë e pesë vjet më parë, N. P. Nekrasovi u përpoq ta trajtonte foljen ruse në një mënyrë të pavarur (në punimin e tij «O znacenii form russkogo glagola», Shën Petersburg, 1865). Ai u bërtit dhe u sulmua ashpër. Si guxon ai, një rus, t’i kundrojë me sytë e vet faktet e gjuhës ruse dhe të gjejë në të çka në të vërtetë ekziston, në vend të asaj që supozohet se ekziston sipas stereotipeve të gramatikës latine mesjetare! Ky lloj i veçantë «oksidentalizimi» u frymëzua nga frika se pranimi i mësimeve të Nekrasovit do ta detyronte njeriun të mendonte dhe, siç dihet, «denken ist schwer und gefährlich!»  («të menduarit është të vështirë dhe të rrezikshëm!» - shënim i përkthyesit). Nuk ka asgjë të keqe të vijojmë së përsërituri idetë e të tjerëve, por, e marrtë e mira, të mos i ngatërrojmë gjërat! 

Megjithatë, zotërinj, mos mendoni se vërejtja ime ka për qëllim të mbrojë idetë e imituesve sllavofilë të atyre filozofëve gjermanë që pretendonin origjinalitet të veçantë për mendjen ruse ose sllave. Përkundrazi, unë nuk njoh asnjë logjikë nacionale, por vetëm ligje identike mendimi për mbarë njerëzimin. Nuk ka shkencë evropiane, amerikane, franceze, angleze, gjermane, ruse apo polake - ka vetëm një shkencë, të përbashkët për të gjithë njerëzit. Për të njëjtën arsye, unë besoj se studiuesit e Evropës Perëndimore nuk kanë monopol mbi zbulimet dhe përgjithësimet shkencore, se një rus ose polak mund të ketë gjithashtu ide origjinale dhe se nuk ka nevojë të ndjekë skllavërisht të ashtuquajturën «shkencë evropiane» dhe t'u përmbahet parimeve të saj verbërisht dhe në mënyrë jokritike. 

Secili prej nesh e ka për detyrë të shikojë me sytë e vet. Dhe nëse e shqyrtojmë me sytë tanë çështjen e përzierjes ose mospërzierjes së gjuhëve, do të duhet të pranojmë se asnjë gjuhë nuk është e pastër apo e papërzier.

 (vijon...)


Përktheu: Aristotel Spiro 




No comments: