SHPALLJA E PARIMEVE GJUHËSORE
nga
Jan Baudouin de Courtenay (1845-1929)
1) Nuk ka «ligje fonetike».
2) Ta trajtosh gjuhën si një «organizëm» dhe gjuhësinë si shkencë natyrore, është një gabim pa asnjë bazë shkencore.
3) Gjuha është ekskluzivisht psikologjike. Ekzistenca dhe zhvillimi i gjuhës rregullohet nga ligje thjesht psikologjike. Në të folurët apo gjuhën njerëzore, nuk ka asnjë dukuri të vetme e cila të mos jetë psikologjike.
4) Meqenëse gjuha ekziston vetëm në shoqërinë njerëzore, përveç aspektit psikologjik, gjithmonë duhet marrë parasysh edhe aspekti social. Gjuhësia duhet të bazohet jo vetëm në psikologjinë e individit, por edhe në sociologjinë (e cila, për fat të keq, ende nuk është zhvilluar aq mirë sa për të dhënë ndonjë përfundim të frytshëm).
5) Ligjet e jetës dhe të zhvillimit të gjuhës nuk janë zbuluar ende, por ato mund të arrihen vetëm përmes një kërkimi të kujdesshëm induktiv. Gjuhësia e sotme është në rrugën e duhur drejt këtij qëllimi.
6) Shkaku, shtysa për të gjitha ndryshimet gjuhësore, është një prirje drejt lehtësisë, drejt një përpjekjeje minimale në tri fusha të veprimtarisë gjuhësore: në shqiptim (fonacioni), në dëgjim dhe perceptim (dëgjimi) dhe në mendimin gjuhësor (cerebrimi).
7) Të gjitha gjuhët ekzistuese dhe të zhdukura lindën nga përzierja. Edhe të folurit individual, i cili buron dhe formohet në kontakt me individë plotësisht të zhvilluar, është produkt i përzierjes dhe ndërveprimit.
8) Shumë karakteristika të gjuhëve të formuara historikisht mund të shpjegohen po qe se supozojmë shfaqjen e mëparshme të përzierjes së popujve dhe gjuhëve në fjalë.
9) Historia e gjuhës është një proces i «humanizimit» gradual, domethënë një largim në rritje nga gjendja gjuhësore e kafshëve të një rendi më të lartë.
10) Evolucioni historik i morfologjisë së një gjuhe konsiston në zhvendosjen alternative të theksit nga fundi i fjalës në fillimin e saj dhe anasjelltas. Jeta e fjalëve dhe e fjalive mund të krahasohet me një perpetuum mobile (lëvizje e përhershme - shënim i përkthyesit), që përbëhet prej peshash vazhdimisht lëkundëse, të cilat lëvizin njëkohësisht dhe vazhdimisht në një drejtim të caktuar.
11) Nuk ka palëvizshmëri në gjuhë. Supozimi i pandryshueshmërisë së rrënjëve që hasen në të njëjtat tema të pandryshueshme lakimi dhe zgjedhimi etj., në të gjitha gjuhët e lidhura, është një sajesë shkencore, një trillim dhe, në të njëjtën kohë, një pengesë për kërkimin objektiv. Në gjuhë, sikundër në natyrë në përgjithësi, gjithçka lëviz, gjithçka është e gjallë dhe ndryshon. Pushimi, ngecja, stanjacioni janë dukuri të dukjes; por nuk janë veçse raste të veçanta të lëvizjes me ndryshim minimal. Gjendja statike e gjuhës është vetëm një rast i veçantë i dinamikës ose, më mirë, i lëvizshmërisë së saj.
12) Në gjuhë ekziston një proces i pafund i ndryshimit të vendit të kontaktit të njësive gjuhësore të pandashme përfundimtare. Një njësi e caktuar gjuhësore ose zgjerohet në dëm të një tjetre, ose i lëshon një pjesë të strukturës së saj një njësie tjetër. Një njësi zhduket dhe një tjetër formohet.
13) Thënia ex nihilo nil fit (asgjë nuk vjen prej asgjësë - shënim i përkthyesit) gjen konfirmim të plotë në gjuhësi. Njësitë gjuhësore që e kanë origjinën në dukje nga asgjëja (p.sh., fonemat ose «tingujt», morfemat) krijohen nga lënda tashmë në dispozicion, e cila merr veç një formë të re.
14) Objekti i hulumtimit duhet trajtuar sikundër është, pa i imponuar kategori të huaja.
15) Në gjuhësi, ndoshta edhe më shumë sesa në histori, duhet t’u përmbahemi rreptësisht kërkesave të gjeografisë dhe kronologjisë.
16) «Monosolabizimi i rrënjëve» në gjuhët indoevropiane është një dogmë e pavërtetuar.
17) «Rrënjët» nuk janë aspak monopoli i një periudhe të vetme të zhvillimit të një gjuhe. Çdo gjuhë ka rrënjë. Rrënjët e reja mund të krijohen pafundësisht, në çdo kohë.
18) Për gjuhësinë, si shkencë që merret me përgjithësime, studimi i gjuhëve të gjalla ekzistuese është shumë më i rëndësishëm se ai i gjuhëve që janë zhdukur dhe mund të rindërtohen vetëm në bazë të shënimeve të shkruara. Vetëm një biolog (zoolog ose botanist), që ka studiuar tërësisht florën dhe faunën e gjallë, mund të marrë përsipër studimin e mbetjeve paleontologjike. Vetëm gjuhëtari që ka studiuar tërësisht një gjuhë të gjallë mund të guxojë të bëjë supozime për veçoritë e gjuhëve të vdekura. Studimi i gjuhëve të gjalla duhet t’i paraprijë studimit të gjuhëve të zhdukura.
19) Sipas doktrinës së pranuar tani nga biologët darvinianë, embrioni pasqyron në një shkallë më të vogël ndryshimet dhe shndërrimet e specieve të tëra. E kundërta ndodh në zhvillimin gjuhësor të fëmijës. Fëmija kurrsesi nuk përsërit zhvillimin gjuhësor të një kombi të tërë në një shkallë më të vogël; përkundrazi, ai prek të ardhmen, duke i prirë me të folurët e tij gjendjes së ardhshme të gjuhës kombëtare dhe vetëm më vonë, mbetet si të thuash prapa, duke u përshtatur gjithnjë e më shumë me gjuhën e mjedisit të tij.
20) Shtysa për ndryshime thelbësore në gjuhën kombëtare vjen kryesisht nga gjuha e fëmijëve. Fëmijët paraqesin disa ndryshime thelbësore në shqiptim dhe në strukturën morfologjike. Më vonë ata mësojnë të flasin «saktë», sipas modelit të mjedisit të tyre, por prirjet origjinale lënë gjurmët e tyre. Fëmijët e këtyre fëmijëve trashëgojnë një prirje ndaj ndryshimeve të ngjashme, ndaj gjendjes së ardhshme të gjuhës, duke përsëritur nga ana e tyre të njëjtat ndryshime. Ata gjithashtu zotërojnë më pas normën gjuhësore të mjedisit, por prirja për të ndryshuar transmetohet me forcë gjithnjë e më të madhe te brezat pasardhës. Grumbullimi i gjurmëve të tilla gjatë një numri brezash çon, më në fund, në ndryshime përfundimtare në gjuhë.
21) Njerëzimi, si një grumbull individësh të pajisur me gjuhë, është shfaqur në kohë të ndryshme në vende të ndryshme. Fillimi i gjuhës nuk është monogjenetik, por poligjenetik.
22) Kur studiojmë gjuhën, duhet të bëjmë dallim të rreptë midis zhvillimit dhe historisë. Historia konsiston në vijimësinë e dukurive homogjene, por të ndryshme. Zhvillimi konsiston në vijimësinë e ndryshimeve thelbësore dhe jo thjesht fenomenologjike (në lidhje vetëm me dukurinë). Zhvillimi është veçori e gjuhës së individit; historia është veçori e gjuhës së përbashkët.
Përktheu: Aristotel Spiro
© Aristotel Spiro
© Pronë intelektuale. 2022. Lejohet kopjimi vetëm në shtypin elektronik me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus".
No comments:
Post a Comment