Një tekst për injorancën dhe hipokrizinë
nga
Dinos Kristianopulos
Të lëçiturit janë intelektualë që i
japin më shumë rëndësi dijes dhe informacionit dhe më pak ndjenjës dhe përvojës.
Ajo që kanë mësuar apo nuk kanë mësuar ka më shumë vlerë për ta sesa të menduarit. Të lëçiturit i gjen në çdo kohë. Në Greqinë e lashtë, Aristofani i tallte
shumë keq, sepse ata përdornin gjithmonë fjalë të reja dhe të çuditshme për të
mashtruar gjindjen. Dhe sofistët ishin një
lloj të lëçiturish në kohën e vet, sepse i
kushtonin shumë rëndësi dijes dhe jo gjykimit të shëndoshë.
Por edhe më parë, kur thoshim «intelektualët» apo «njerëzit e letrave», ndienim diçka si
siklet apo bezdi, sepse e kuptonim që
këta njerëz i ishin larguar shumë realitetit në emër
të të ashtuquajturit art. Ata mendonin se, ngaqë ishin njerëz të letrave,
duhej të flisnin me një fjalor të veçantë për ta kuptuar njëri-tjetrin, edhe nëse të tjerët nuk i kuptonin.
Në analizë të fundit, të lëçiturit kanë kulturë të rreme. Vetëm një njeri me kulturë të rreme mund të përdorë një fjalor hutues dhe befasues, ose përdor fjalë e fraza të bukura për të
lënë përshtypje, ndërsa në thelb nuk e zotëron gjuhën dhe nuk e përdor siç
duhet.
Çka quajmë sot gjuhë të lëçiturish është
një përzierje fjalësh të reja, fjalësh të huaja të papërkthyera dhe fjalësh të
marra nga shkenca të ndryshme, si për shembull «permutacioni i seminomenklaturës». Me një çorbë të tillë
në fund nuk nxjerrin kuptim as ata, por as ne, sigurisht. Merrni për shembull
fjalën «strukturë» që i referohet
hapësirës, ndërsa fjala «proces» i
referohet kohës. Po sikur të lexoni papritur «proceset
strukturore» ose «strukturat proceduriale»?
U pyetën ca për ta shpjeguar, por
askush nuk ia doli. Sepse, siç e kuptoni, bëhet fjalë për broçkulla. Vërtet,
çfarë duan të thonë këta dy togfjalësha, kur në secilin prej tyre mbiemri mohon
emrin? Por ç’do të thoshit nëse ky togfjalësh do të bëhej një fjali e tërë? Lexoni,
pra: «Kur proceset strukturore funksionojnë në mënyrë inhibitore në hapësirën e postmodernizmit…». Si
mund të komentohet kjo fjali? Para së gjithash, sa njerëz e njohin termin «postmodern»? Dhe pastaj, çfarë
ndodh saktësisht brenda hapësirës së «postmodernes», nëse funksionojnë
apo jo «proceset strukturore»?
Këto shprehje janë të pakuptueshme për
atë që i shkruan dhe për atë që i lexon. Këto fjalë janë kodra pas bregut. Dhe pa mendoni që si ky togfjalësh ka me mijëra, që vërtetojnë tri veçoritë e të
lëçiturve: Së pari, që nuk i njohin mirë fjalët dhe kuptimet e tyre (dikush, për
shembull, ka shkruar fjalën «prevalon» dhe ka menduar «valon për shtatë palë
qejfe»!), së dyti, duan t'i hutojnë të tjerët me fjalë të ndryshme të
pakuptueshme dhe së treti, nuk e kanë tretur si duhet atë që thonë. Le që edhe sintaksën
e bëjnë çorap dhe ngatërrohen.
Sigurisht, konfuzioni ekziston më parë në mendjen e tyre. Sidoqoftë, me këto dhe me
të tjera gjëra arrijnë që t’i bëjnë me komplekse shumë njerëz, e ndonjëherë
edhe të gjithë, duke dhënë ndërkohë kontributin e tyre që gjuha jonë të shkojë
në djall.
Mund të pyeste dikush se, meqenëse e pranojmë
shkrimin hermetik të disa poetëve, pse të mos e pranojmë edhe mënyrën e pakuptueshme
të të shkruarit të të lëçiturve? Nga një pikëpamje, edhe poeti, pavarësisht nga
teknikat artistike që ndjek, duhet të shkruajë në një mënyrë të kuptueshme, që
lexuesi ta kuptojë. Vërtet, për çfarë na duhet një poezi, kur ura e komunikimit
është ndërprerë? Çfarë t’i bëjmë poezitë hermetike, kur askush nuk i kupton? Dhe
meqë nuk na thonë kurrgjë, si mund të na emocionojnë?
Sigurisht, poeti justifikohet me atë që
shkruan për të shprehur vetveten, por prapëseprapë dikush mund të shqetësohej
duke thënë se, nëse një poet shprehet në mungesë të lexuesit, ç’dreq poeti është?
Dhe nëse surrealizmi në fazën e parë ia futi me top, çfarë mund të themi për
surrealistët e sotëm të rumpallës, të cilët shkruajnë ç’t’u pjellë mendja? Gjithsesi,
përsijatësi, meqenëse nuk ka as justifikimin e frymëzimit dhe meqenëse synimi i
tij është të komunikojë me lexuesin, nuk duhet të jetë i papërgjegjshëm sikundër
poetët modernë.
Disa pretendojnë se kështu gjuha jonë
pasurohet, ndërsa thjeshtësia dhe qartësia e mbajnë gjuhën në stanjacion. Por
nëse pasurimi i gjuhës bëhet shkak për triumfin e pakuptueshmërisë, mos vallë
do të duhej të preferonim ca fise afrikane që komunikojnë vetëm me treqind
fjalë?
Shkaku i kësaj dukurie nuk është vetëm
dija e cunguar e shumicës së të lëçiturve, por edhe egoizmi i tyre. Këta njerëz
nuk do të jenë kurrë në gjendje të dëgjojnë më shumë sesa flasin, të mendojnë
më shumë sesa shkruajnë dhe të kalojnë çdo informacion në filtrin e arsyetimit.
Që të ndodhë kjo, ai duhet të jetë i
përulur, të mos mendojë se ai di
gjithçka dhe askush tjetër. Të mos thotë vazhdimisht «Unë mendoj», «Unë besoj», «Unë jam i mendimit» e kështu
me radhë. Në këtë qark të shkurtër të njohjes së cunguar dhe egoizmit ka vend
për të gjithë: për të majtë e të djathtë, për gazetat dhe televizionin, për ortodoksë
dhe neoortodoksë.
Përktheu: Aristotel Spiro
Dinos Kristianopoulos (Selanik, 1931-2020) ka qenë poet, shkrimtar, eseist, përkthyes, studiues, folklorist, botues dhe kritik libri. Emri i tij i vërtetë është Konstantinos Dimitriadis. Poezitë e tij janë përkthyer në disa gjuhë. Në vitin 2011 nuk pranoi Çmimin Shtetëror për Letërsinë 2011. “Nuk i dua as çmimet dhe as paratë e tyre”. Përgjigjja e tij bëri më shumë bujë sesa vetë çmimi në një shoqëri që nuk i dëgjon më poetët e saj.