Kur pseudonimi në mediat sociale bëhet armë dhe debati shndërrohet në gjueti
Nuk është hera e parë që më ndodh. Bëj një postim publik, shpesh mbi ndonjë çështje kulturore, dhe menjëherë ndeshem me një koment që nuk ka as lidhje me temën, as interes për të kuptuar. Ka vetëm një synim: të provokojë, të paragjykojë dhe në fund, të më detyrojë të reagoj për gjëra që nuk i kam thënë. Ky nuk mund të quhet debat, por teknikë diversioniste. Dhe shpesh vjen nga një person që nuk ka emër, nuk ka fytyrë, por e paska një pseudonim.
Këtë lloj përdoruesi e quaj hedhagurës fshehadorës. Është ai që hedh gurin e fjalës, një koment, një akuzë, një cinizëm, dhe pastaj fshihet pas një profili pa identitet. Sigurisht, me të njëjtën sjellje internetike ka edhe përdorues me emër e mbiemër që nuk e kanë për gjë të kundërshtojnë çdo gjë për gjithçka. Dhe kjo, pa paraqitur asnjë argument ose duke sajuar argumente të paqena.
E kam përjetuar këtë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por nuk mendoj se jam i vetmi. Besoj se shumëkush që komunikon me përgjegjësi në rrjetet sociale është përballur me këtë figurë të epokës digjitale.
Rasti më i fundit ndodhi pas postimit të përkthimit të një artikulli të muzikologut dhe kompozitorit të njohur shqiptar Vasil Tole për Roza Eskenazin (1895-1980), këngëtaren greke me prejardhje hebreje. Artikulli fliste për repertorin e saj dhe për faktin që ajo kishte interpretuar edhe një këngë të zhanrit tsamiko (“çame”), një term që, për ata që merren me muzikë greke, ka kuptim stilistik, jo gjeopolitik.
Por një komentues(e) me pseudonimin “Alba Queen” më kundërshtoi me një akuzë që më befasoi. “Pse nuk këndon në shqip? Apo pas gjenocidit fizik të çamëve, kërkohet tani edhe fshirja kulturore e kujtesës?”
Mbeta për një çast i shtangur. Nga një analizë muzikologjike e shihja veten papritur të zhvendosur në një diskutim për Çamërinë, politikën dhe gjuhën e këngës. Dhe jo vetëm kaq. Komenti kalonte lehtësisht në paragjykime të hapura mbi një përgjegjësi të nënkuptuar timen për një politikë përtej çdo konteksti të postimit tim. Ajo nuk ishte më një pyetje, por një akt etiketimi dhe akuzimi, paraqitur në formën e diskutimit.
Ky rast shërben për të ilustruar konkretisht mënyrën se si trollët anonimë në hapësirat shqipfolëse e përdorin identitetin si armë në ligjërimin publik.
A është ky një rast i izoluar? Jemi të gjithë përvuajtës të një dukurie të ngjashme me përdoruesin e formatit “Alba Queen”. Këta individë përfaqësojnë një dukuri më të gjerë në kulturën e rrjeteve sociale: përdorimin e anonimitetit për të goditur dhe shkatërruar debatin.
Për të kuptuar këtë dukuri, duhet bërë një analizë më e thellë e raportit midis anonimitetit, përgjegjësisë dhe devijimit ligjërimor.
Në vend që të shtrojnë pyetje apo të ndajnë pikëpamje, ata hedhin shashka problematikash dhe prodhojnë mjegulla mendimi. Në këtë mënyrë kërkojnë të shmangin vëmendjen, t’i imponojnë tjetrit një agjendë që nuk e ka, ose ta shtyjnë për të mbrojtur çështje që nuk kanë lidhje me thelbin e diskutimit.
Në teorinë e komunikimit kjo quhet “red herring” (“truk mashtrues” apo “karrem shpërqendrimi”), një teknikë për të shmangur vëmendjen nga tema që diskutohet. Por në realitetin shqiptar është bërë diçka më e rrezikshme: një format kulturor i të debatuarit pa interes për të kuptuar, pa ndershmëri dhe mbi të gjitha, pa përgjegjësi.
A bëhet fjalë këtu për një “troll”? Besoj se po. Trolluesi nuk është thjesht një përdorues që komenton keq. Ai është një aktor që vepron me ndërgjegje destabilizuese.
Truket e tij mashtruese, përpjekjet për shmangie nuk janë të pafajshme. Ato përbëjnë një formatim të rremë të temës që në thelb ka për qëllim fshirjen e kompleksitetit dhe reduktimin e çështjeve në alternativa penalizuese: “nacionalist apo tradhtar?”, “progrek apo proshqiptar?”, “shprehës i së vërtetës apo fshehës i saj?”
Në literaturën e komunikimit digjital, trolluesi (ose më thjesht “trolli”) përkufizohet si një individ që ndërhyn në diskutime për të provokuar, për të irrituar apo për të përçarë. Duke përdorur shpesh stilin e debatit si pretekst ai synon sabotimin e vetë debatit. Këto çështje i ka analizuar më gjerë studiuesi Hardaker në punimin e tij themelor mbi sjelljen “trolluese” në mjediset online dhe ndikimin e saj në komunikimin digjital: “Trolling in asynchronous computer-mediated communication: From user discussions to academic definitions. Journal of Politeness Research, 6(2) 2010, 215–242”. Këtu ai argumenton se “Trollimi në komunikimin asinkron të ndërmjetësuar nga kompjuteri (ACMC) përfshin sjellje të qëllimshme përçarëse dhe provokuese në internet, shpesh të destinuara për të shkaktuar reagime negative dhe për të krijuar konflikt. Ndërsa fillimisht kuptoheshin përmes diskutimeve të përdoruesve, përkufizimet akademike tani po evoluojnë për të përfshirë karakteristika specifike si agresioni, mashtrimi, përçarja dhe suksesi”.
Në Shqipëri, trolluesi / trolli merr përmasat e një “aktorit të padukshëm”, që ndërton një autoritet të rremë përmes stilizimit dhe gjuhës spekulative. Ai shpesh u referohet autorëve të mëdhenj, duke i përdorur ata jashtë kontekstit ose duke u atribuuar thënie që nuk i kanë thënë.
Në shembullin e përvojës sime, përdoruesi anonim përdor emrin e Claude Lévi-Strauss për të kundërshtuar idenë që “fenomenet kulturore nuk janë simetrike me fenomenet gjuhësore” – një tezë që, në fakt, është më së shumti e lidhur me Edward Sapir-in dhe Benjamin Lee Whorf-in. Kjo përbën një formë ligjërate manipulimi: përdorimi fiktiv i autoriteteve për të legjitimuar një qëndrim të pambështetur.
Një tezë të tillë kundërshtuese Claude Lévi-Strauss-i nuk e ka thënë kurrë.
Në këtë mënyrë, hedhagurësi fshehadorës ngatërron qëllimisht konceptet “tsamiko” dhe “çam” e, mbi të gjitha, përdor maskën e emrit anonim si armë për të mos mbajtur asnjë përgjegjësi.
Duke vepruar kështu ai vërteton se nuk është aty për të dëgjuar. Ai ndodhet aty për të provuar që ekziston, nëpërmjet provokimit. Dhe nëse ka tërhequr vëmendjen, atëherë ai ka fituar.
Por çfarë mund të bëjmë? Ç’duhet bërë në këtë çast kur personalja bëhet politike dhe ku përsiatja bëhet thirrje për një etikë të re në komunikimin publik?
Shoqërisë sonë dhe mjedisit tonë publik i duhen fytyra dhe jo maska. Opinionet pa autor nuk kanë asnjë vlerë. Ne kemi nevojë për mendime të nënshkruara me emër e mbiemër.
Kufiri midis mendimit dhe manipulimit shpeshherë është i padukshëm. Jo çdo koment mund të jetë ftesë për debat. Disa janë thjesht gracka për konsum të panevojshëm energjie.
Nuk ka nevojë të shpjegojmë atë që nuk kemi thënë. Duhet të qëndrojmë te thelbi. Të mbrojmë të drejtën për të mos iu shmangur thelbit të çështjes.
Unë do të vazhdoj të shkruaj, të përkthej dhe të ndaj mendime që besoj se kanë vlerë. Do të vazhdoj të jem i hapur për mendimin ndryshe. Por nuk do t’u përgjigjem më hedhagurësve fshehadorës që kërkojnë sherr dhe nuk u intereson kuptimi.
Nuk dëshiroj që kjo të interpretohet vetëm si një zgjedhje personale, por si një akt kulture.
© Aristotel Spiro
© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi dhe ribotimi me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”
No comments:
Post a Comment