Sunday, April 3, 2022

A DUHET TA RISHIKOJMË DREJTSHKRIMIN?

 




A DUHET TA RISHIKOJMË DREJTSHKRIMIN? 


nga 


Aristotel Spiro 


Por pengesa dhe vështirësia
është se çdo gjë e bëjnë
një histori të madhe këta
reformatorë (Lum si ata, që kurrë
nuk do t’ ua kishin nevojën). Për gjithçka
për gjënë më të vogël pyesin dhe shqyrtojnë
dhe fill u vijnë ndër mend shndërrimet rrënjësore
me kërkesën për t’i vënë në fuqi menjëherë.
K. Kavafis
Në një koloni të madhe greke, viti 200 para Krishtit


Pesëdhjetë vjet në jetën e një gjuhe nuk janë shumë, por janë të mjaftueshme për të provuar nëse drejtshkrimi i saj u përgjigjet nevojave të përdoruesve. 

Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, me «Rregullat» që miratoi, kreu një akt të rëndësishëm historik. Nëse në fillim të shekullit XX Kongresi i Manastirit (1908) njësoi shkrimin shqip, Kongresi i Drejtshkrimit (1972) hodhi hapin e fundit duke vendosur normën drejtshkrimore. 

Kongresi i Drejtshkrimit ishte shprehje dhe kurorëzim i përpjekjeve të faktorëve mbarëshqiptarë në Shqipëri e jashtë saj për të standardizuar gjuhën shqipe. Në të morën pjesë 87 delegatë, që përfaqësonin të gjithë faktorët e politikave gjuhësore: Ministria e Arsimit, Instituti i Gjuhësisë, kabinetet pedagogjike të rretheve, pedagogët e fakulteteve filologjike të Tiranës dhe të rretheve, mësuesit e gjuhës shqipe dhe të letërsisë të shkollave të mesme të përgjithshme të Shqipërisë, shkrimtarët. Prania e gjuhëtarëve dhe pedagogëve nga institucionet arsimore dhe akademike të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi dhe zbatimi i Rregullave në një entitet tjetër shtetëror (Jugosllavia), të përbërë nga disa ndarje administrative (Krahina Socialiste Autonome e Kosovës, Republika Socialiste Federative e Maqedonisë dhe Republika Socialiste Federative e Malit të Zi), autoritetet shtetërore të të cilave nuk morën pjesë në Kongres,  mund të regjistrohet si një sukses i jashtëzakonshëm. Të mirat e kësaj zgjidhjeje u bënë më të kuptueshme pas shpërbërjes së shtetit jugosllav, që i gjeti shqiptarët me një kod të përbashkët drejtshkrimor, çka do të ishte e vështirë në kohën e sotme të paragjykimeve postnacionaliste dhe sjelljeve partikulariste. 

Praktika shkrimore gjysmëshekullore konfirmoi zgjidhjet e Kongresit të Drejtshkrimit dhe Rregullave të tij. Sidoqoftë, rruga drejt ngulitjes së rregullave të drejtshkrimit nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Shteti ka luajtur një rol vendimtar në ngulitjen dhe zbatimin e tyre. Miratimi i një legjislacioni detyrues si dhe krijimi i një baze mbështetëse, nëpërmjet shkollave, organeve botuese, mediave etj. krijoi dhe përforcoi shprehitë drejtshkrimore të përdoruesve të gjuhës shqipe. 

Gjatë gjithë kësaj kohe që ka kaluar kanë ndodhur shumë ndryshime politike, shoqërore dhe kulturore. Sistemi komunist mori fund. Shqipëria u hap drejt botës, ndërsa u krijua edhe Republika e Kosovës. Shqipja është tashmë gjuhë zyrtare në tri shtete (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut). Shumë elemente të reja kulturore hynë në këto hapësira shqipfolëse. Po ashtu, ndërveprimi midis tyre u rrit. Shprehitë e konsoliduara gjuhësore filluan të tronditen dhe të ndikohen nga shprehi të reja. Të gjitha këto nuk mund ta lënë pa e ndikuar edhe drejtshkrimin. 

Gjatë periudhës pas viteve ’90 të shekullit të kaluar në bashkësinë akademike shqiptare nisi një diskutim për rishikimin e gjuhës letrare kombëtare shqipe, e cila u quajt vijimisht shqipe standarde. Një vijë e fortë revizioniste u shfaq, që synonte në thelb shfuqizimin e Kongresit të Drejtshkrimit, goditjen e standardit dhe krijimin e një standardi verior me bazë gegërishten letrare. Në qendër të këtij kontestimi u vu Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, me shkasin se ishte organizuar dhe mbështetur nga udhëheqja komuniste e kohës. Këto diskutime vijuan rreth njëzet vjet, por nuk patën ndonjë përfundim përmbysës. Gjithsesi, pjesa e ligjëratës rishikuese të drejtshkrimit mbeti. Kjo u shfajësua edhe me nevojën e natyrshme që drejtshkrimi i çdo gjuhe herë pas here i nënshtrohet një rishikimi. 

Pesëdhjetëvjetori i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe vjen si një jubile jo vetëm për të festuar, por edhe për të vlerësuar funksionimin e tij, për të nxjerrë në pah problematikat e mundshme që janë krijuar nga ndryshimi i rrethanave sociolinguistike dhe për të diskutuar rreth përditësimeve të elementeve që do ta vendosin drejtshkrimin në një bazë teorike dhe praktike moderne, për t’iu përgjigjur kërkesave dhe standardeve dhe nivelit kulturor të shoqërisë së sotme, që ndryshon në mënyrë dinamike. 

Prandaj, është e nevojshme që, para çdo diskutimi për drejtshkrimin e shqipes, të caktojmë premisat dhe kriteret e tij. Të vendosim, domethënë, se si do të kryhet, por sidomos si nuk do të kryhet, çfarë duhet përjashtuar, në mënyrë që të orientohemi drejt një perspektive të qartë dhe të kursejmë kohë dhe energji. 

Mendimi im është se diskutimi duhet filluar duke treguar respektin më të madh për «Rregullat e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe» (Tiranë 1973 - Prishtinë 1974). Çdo diskutim, çdo fjalë e nyjëtuar duhet bërë në bazë të teorive moderne të drejtshkrimit. Vetëm duke e vendosur drejtshkrimin mbi baza teorike dhe praktike moderne, do të shmangim subjektivizmin, diletantizmin dhe parapëlqimet vetjake e krahinore. Rimarrja e çështjeve të veçanta teknike dhe vendosja e tyre në të njëjtën vijë argumentuese të vitit 1972 mund të mos japë frytet e pritshme. Ne nuk diskutojmë me mendimin fillestar për të hedhur poshtë apo për të korrigjuar «Rregullat». Predispozicioni ynë është pohues, konfirmues, nuk është predispozicion korrigjues. Nuk vendosim për ndryshime, por shohim çfarë ka ndryshuar, konstatojmë dhe përkufizojmë ndryshimet. Le të mbajmë një qëndrim modest duke e parë veten tonë të pafuqishëm për të ndryshuar gjuhën, këtë ngrehinë shpirtërore që e ndërton prej shekujsh e gjithë bashkësia disamilionëshe folëse. Le t’i themi jo dëshirës së brendshme për të ndryshuar rregullat, le të ushqejmë dëshirën e shëndetshme për të pasuruar kulturën me elemente të reja që e emancipojnë shoqërinë dhe krijojnë një atmosferë respekti në komunikim. 

Këtë e them meqenëse kam parë e lexuar mjaft kumtesa e diskutime nëpër tubime shkencore ku bëhen gjithfarëlloj propozimesh për të hequr apo shtuar ë-në e patheksuar apo fundore, për të shkruar disa emra ambigjenë me -ua apo -oja e deri tek propozimet për të futur në përdorim paskajoren e parafjalëzuar me parafjalën ‘me’. 

Këto diskutime i bëjnë shpesh edhe studiues të vjetër e me përvojë dhe kontribute në gjuhësinë shqiptare, që dashur pa dashur e ngujojnë diskutimin nëpër çikërrima korrigjuese duke mobilizuar gjithë arsenalin e tyre argumentues gjuhësor e jogjuhësor vetëm e vetëm që të bëjnë një ndryshim në drejtshkrim. Ndërkohë, praktika e përdorimit të gjuhës shtron çështje krejt të ndryshme nga problematika arkaizuese që i ravijëzon këto diskutime. 

Një pikënisje shumë e sigurt për të zhvilluar një ligjëratë të shëndetshme e të frytshme për drejtshkrimin e shqipes është ripërcaktimi i parimit themelor që e përshkon atë. Ky parim, ndoshta për arsye praktike, u formulua gabim në kryereferatin e Kongresit të Drejtshkrimit (Kostallari 1973: 79-80) dhe ky gabim u përsërit edhe në Rezolutën e Kongresit edhe në «Rregullat e Drejtshkrimit» (1973: 19). Formulimi i gabuar se parimi themelor i drejtshkrimit të shqipes është ai «fonetik», solli si rrjedhim edhe formulimin tjetër të gabuar për ekzistencën një parimi dytësor drejtshkrimor të ashtuquajtur «morfologjik» në shqipe. Ndërsa tek formulimi i parë u arrit, siç duket, për shkak të ngatërrimit apo identifikimit të fonetikës me fonologjinë, formulimi i dytë, ai i parimit «morfologjik» (Rregullat 1973: 19), u përpunua për të mbuluar të gjitha ato raste që nuk gjenin shpjegim fonetik, por morfo(fo)nologjik. 

Parimi fonologjik i drejtshkrimit nuk është një propozim kompromisi, por një kërkesë e natyrshme që vjen nga teoria dhe praktika e drejtshkrimit në përgjithësi dhe e drejtshkrimeve të gjuhëve që përdorin shkrimin alfabetik. Ky parim formulohet në të gjithë doracakët përkatës si një aksiomë. Pra, çështja nuk shtrohet: ta pranojmë ose jo parimin fonologjik. Çështja shtrohet: Pa pranuar parimin fonologjik të drejtshkrimit shqip si parimin e tij themelor, asnjë diskutim tjetër nuk ka vlerë

Parimi fonetik, nëse merret si kriter udhërrëfyes, do të arrijë të shfajësojë qindra-mijëra sjellje arbitrare me gjuhën dhe shkrimin e saj, do të shfajësojë shkelje drejtshkrimore duke ushqyer anarkinë dhe duke nxitur propozime të pamotivuara. 

Formulimi i parimit themelor të drejtshkrimit të shqipes si PARIMI FONOLOGJIK do t’u sigurojë «Rregullave të drejtshkrimit të shqipes» një bazë të fuqishme moderne teorike dhe do të shmangë çdo propozim absurd që do të kryhet duke përdorur si argument parimin fonetik

Por nëse për ndonjë arsye joshkencore nuk formulohet qartë dhe në mënyrë përfundimtare se parimi themelor i drejtshkrimit të shqipes është parimi fonologjik, atëherë çdo zgjidhje e propozuar do të jetë jo vetëm e pasigurt dhe e kontestueshme, por në mënyrë të pashmangshme edhe e dëmshme. 



© Aristotel Spiro 

© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi vetëm në shtypin elektronik me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”

 

 

Saturday, April 2, 2022

NYJËS I QAN ZEMRA PËR TABELËN E LAKIMIT









NYJËS I QAN ZEMRA PËR TABELËN E LAKIMIT 


nga 

Aristotel Spiro


Në gramatikat e shqipes mund të gjeni faqe të tëra ku lakohen mbiemrat. Mirëpo asnjë gramatikë nuk na shpjegon cilat janë mbaresat rasore të mbiemrave. 

Profesori Teoricus mundohej të më qetësonte, kur i thosha se kam përshtypjen që edhe këtu na kanë ngopur me gënjeshtra shekullore. 

– Si mund të ketë lakim pa mbaresa? – e pyes i revoltuar. – Këtë nuk e marr dot vesh. 

Mundohet të më qetësojë duke më bërë një vërejtje shumë të zgjuar:

– Po nyjat e përparme nuk i sheh si ndryshojnë? Kjo nuk të mjafton? 

– Posi, zoti profesor, – i përgjigjem. – Por ne nyjat i kemi mësuar në një kapitull të posaçëm, tani na thënke që duhet t’i studiojmë prapë tek mbiemrat? 

- Nyja e përparme është pjesë e mbiemrit, - më thotë profesor Teoricus. 

- Atëherë pse i shkruajmë veç dhe jo bashkë me mbiemrat? - i them. - Po të ishte nyja pjesë e mbiemrit do ta shkruanim bashkë, si një fjalë. Ashtu si bëhet me emrat: Emërore: djali, Gjinore: djalit dhe jo djali t.

- Dëgjo ti, or djalë, - më paralajmëron profesor Teoricus. - Kështu kanë thënë koka të shkencës së gjuhës shqipe. Kush je ti që mendon ndryshe?

- Mendoj se kemi akoma demokraci në shprehjen e mendimeve, - i them.  - Si mund të themi që mbiemri  ka rasa, në një kohë kur ai nuk ndryshon, dhe nyja që thoni ju, vihet vërtet përpara mbiemrit, por ajo lakohet për hesap të vet dhe jo të mbiemrit. Gjë që do të thotë se nyja e përparme nuk është pjesë e mbiemrave. 

– Jo vetëm që është pjesë e mbiemrave, - bërtet i bindur profesor Teoricus, - por edhe është edhe pjesë e emrave. Kemi rasën gjinore, për shembull. Edhe ajo është e tillë se ka nyjën e përparme përpara. 

– Le ta lëmë më mirë rehat gjinoren, o profesor, se ajo i paska vetë mbaresat nga prapa. S’ka nevojë që t’ia vëmë edhe nga para.  

– Po mirë, i nderuar, – këmbëngul në mënyrë ironike profesori Teoricus, – me se do ta dallojmë rasën gjinore nga dhanorja? 

– Ky me gjithë mend është një problem i madh, – i përgjigjem me të njëjtin ton. – Por është problem vetëm për ata që duan të kenë patjetër sa më shumë rasa në gramatikë. 

Dhe shtoj:

- Mirë është që të mos e përmendim shpesh këtë nevojën e dallimit të gjinores nga dhanorja. Sepse, po ta marrin vesh njerëzit me mendje të shëndoshë, do të habiten duke thënë: "Vërtet gjuhëtarët merren me këto budallallëqe?"

- Nuk janë budallallëqe këto, por gjëra shumë serioze, - më tund gishtin profesor Teoricus. - Sistemi i lakimit duhet të funksionojë në mënyrë të përsosur dhe rasa gjinore duhet dalluar qartë nga rasa dhanore. 

- Për mua, - i them - rëndësi ka që njerëzit të flasin thjesht, bukur dhe qartë. Por, ta quani nyjën e përparme pjesë të mbiemrit ose pjesë të emrit në gjinore dhe nga ana tjetër ta shkruani veç, të ndarë nga mbiemri dhe emri, duhet ta pranoni se ka diçka që nuk shkon në këtë mes.  

- Dëgjo këtu! - më thotë profesor Teoricus, - nyja e përparme ka shekuj të tërë që rri përpara emrit në gjinore, që zotrote ta kesh të lehtë për ta dalluar nga dhanorja dhe të marrësh edhe notë të mirë në provim.  

- Nuk më bind fare me këto që thua, o profesor, - i them. -  Sipas teje, nyjës i vjen keq se mos prishë tabelën e lakimit dhe rri aty para emrit, që gjinorja dhe dhanorja të dallohen qartë! 

- Pikërisht! - thërret profesori i lehtësuar. 

- Tani të zura, - i them. - Po qe se nyjës i vinte pak keq, nuk do të qëndronte para mbiemrave duke na futur në belara. Kam gjithë ata shokë të huaj që mësojnë shqip dhe kur më pyesin pse gjuha shqipe ka mbiemra të nyjshëm e të panyjshëm, nuk di ç't'u them. Sipas asaj mendjes sime, nyja nuk mund të jetë e mirë nga njëra anë duke na ndihmuar të dallojmë gjinoren nga dhanorja dhe nga ana tjetër të tregohet e keqe duke u vendosur para një pjese mbiemrash dhe duke mos u vendosur para pjesës tjetër.  



Shënim:

Vetë mendoj se jo vetëm rasa dhanore, por edhe rasa rrjedhore duhen çuar sa më parë në ndonjë muzeum gjuhësor (po të ketë), ose le të mbeten nëpër gramatikat ekzistuese, të cilat për këtë arsye, meqenëse, pra, bëjnë fjalë për rasë dhanore dhe rrjedhore, mund të quhen të gjitha të vjetra. 

 


© Aristotel Spiro 

© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi vetëm në shtypin elektronik me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”

Wednesday, March 23, 2022

KUR DO TË VDESË MENDËSIA QË I NGORDH KAFSHËT?









KUR DO TË VDESË MENDËSIA QË I NGORDH KAFSHËT?

nga 

Aristotel Spiro

Një njeri që nuk është më në jetë quhet i vdekur.
Një kafshë që nuk është më në jetë quhet e ngordhur. Me këtë fjalë janë shoqëruar me dhjetëra përfytyrime negative, estetika të refuzimit shoqëror, shembuj të një etnografie bullizimi që mbijeton ngadhënjyeshëm deri në ditët tona.
E gjithë kjo psikozë po shpaloset në mënyrën më elokuente ditët e fundit, pas qindra mijëra viktimave të gripit të pulave.
Fjalët "ngordhje", "ngordhur", "ngordhën" hasen përditë në shtypin e shkruar dhe elektronik, si një normë ligjërimore e ngulitur mirë dhe e pranuar pa asnjë vërejtje.
Ato qenie fatkeqe, jeta e të cilave flijohet për orekset tona, penalizohen ndërsa epidemia e gripit të pulave po u merr jetën.
Nga mënyra se si shprehemi për gjërat që ndodhin rreth nesh, ne zbulojmë kush jemi, çfarë shoqërie përfaqësojmë.
Pulat që ikin nga kjo botë kanë qenë të destinuara për konsum. Një ditë ato do të përfundonin në fabrikën e përpunimit të mishit e mandej në pjatën tonë. Një sëmundje që prej nesh perceptohet si diçka e keqe për njerëzit, për kafshët perceptohet si diçka e padenjë deri dhe e ulët.
Fjalori i shqipes i rezervon kësaj fjale përkufizimet më të këqija:
ngordh folje jokalimtare; e kryer e thjeshtë: -a, joskajore: -ur 1. veta; III pushon së jetuari (kafsha); edhe veta; III me kuptim keqësues; vdes (njeriu); edhe folje kalimtare; mbyt, vras (kafshën): ngordhi mushka (fazani); ngordhi si qen. 2. kuptim i figurshëm; i ligjërimit bisedor; mundohem shumë, rraskapitem; vuaj shumë; edhe folje kalimtare; e mundoj shumë: ngordhi së ftohti; e ngordhi kalin në punë (FGJSH 1980).
Siç shihet, fjala sugjeron një qëndrim diskriminues ndaj kafshëve, në rastin konkret ndaj shpendëve.
Një qëndrim, i cili zbulon anën më të errët të sjelljes njerëzore jo vetëm ndaj kafshëve, por edhe ndaj njerëzve të tjerë, shndërrohet në një problem serioz të shoqërisë.
Këto qenie të pambrojtura i sakrifikojnë për t'u bërë pjesë e shprehive tona të të ushqyerit. Këto qenie të pafajshme nuk kanë mënyrë për të na thënë dhembjen e tyre.
Nuk e di se sa fajtorë duhet të ndihemi si njerëz për këtë masakër mes llojesh që po ndodh. Por ne e kemi në dorë që nëpërmjet përzgjedhjeve tona gjuhësore të vendosim një normë respekti shoqëror të denjë për një shoqëri të shëndetshme, e cila duke treguar respektin e duhur për çdo qenie të gjallë, respekton njëkohësisht edhe veten e vet.
Fjala "vdes" do të ishte jo vetëm një eufemizëm dashamirësie për kafshët, por do të shërbente njëkohësisht për të reflektuar për marrëdhëniet mes anëtarëve të shoqërisë sonë njerëzore, e cila jo rrallë përdor metaforën e kafshëve për të karakterizuar sjelljet e veta, që shpesh i kapërcejnë kufijtë e logjikës dhe të sjelljes së kafshëve.
Një rast kuptimplotë është lufta e tanishme, që ushtria e Putinit po kryen në Ukrainën martire, ku mizoritë e kalojnë çdo metaforë që do ta bënte çdo kafshë me turp.

© Aristotel Spiro 

© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi vetëm në shtypin elektronik me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”

Saturday, March 19, 2022

VERDHUSHKAT E MIA NUK I DO NJERI

 



VERDHUSHKAT E MIA NUK I DO NJERI

nga 

Aristotel Spiro

Duke kërkuar nëpër ca sende të vjetra, gjeta një qese plastike të mbushur plot me njëlekëshe, nga ato që grumbullohen pas pagesave të kryera me lekë në dorë nëpër arka. Si kursimtar që jam, thashë: «E pse të mos i përdor? Nuk do të blej ndonjë gjë të madhe, por diçka mund të blihet edhe me këto». Zura t’i numëroj dhe dolën afërsisht 100 lekë. Një shumë e vogël, por gjithsesi e përfillshme. Dhe, po të flasim sipas traditës shqiptare të numërimit të lekëve, mund t’u shtoja shumë lehtë një zero nga vetja ime dhe të deklaroja se kam 1000 lekë të vjetra. Po, po, asnjë nuk më ndalon ta bëj këtë. Përderisa këtë dhjetëfishim optimist e bëjnë deri edhe ministra e kryeministra e presidentë. Madje e kam dëgjuar jo rrallë edhe nga nëpunës bankash, kur kam shkuar për të tërhequr ndonjë lek. Më pati pyetur një herë një nëpunëse banke për t’u siguruar nëse do të tërhiqja lekë të reja apo të vjetra, dhe unë i isha përgjigjur: «Të reja dhe mundësisht të papërdorura!».

Kështu, dola shend e verë duke iu gëzuar atmosferës kryeqytetase, që i ngjan një skene gjigante me aktorë improvizues. Isha edhe unë njëri prej tyre në kërkim të skenës sime. E të kërkosh një skenë të tillë në kryeqytet nuk është aspak e vështirë. Sikundër unë, që e gjeta menjëherë. E ç’ka më të zakonshme e më të dashur se një byrektore! Me aq lekë sa kisha në xhep mund të blija jo vetëm një, po plot dy byreqe.

- Një byrek, ju lutem!

- Si e doni? – më pyeti vajza nga sporteli.

- Ç’të jetë, vetëm të jetë i ngrohtë.

Vajza mbështolli byrekun me letër dhe ma zgjati duke pritur njëkohësisht paratë.

Nxora nga xhepi dyzet njëlekëshe të numëruara dhe i zgjata dorën. Vajza menjëherë u tërhoq së bashku me byrekun, sikur të kishte përpara një të sapodiagnostikuar me Covid-19.
- Ç’patët? – e pyeta i fyer.

- Nuk i marrim ato pare, - më tha.

- Pse, sa bën byreku? 

- Dyzet lekë.

- Po edhe unë aq kam këtu.

- Ju keni të drejtë, por unë kam urdhër nga pronari që të mos i pranoj njëlekëshet.

- Të lutem, këto janë para që i ka prodhuar Banka e Shqipërisë. Këto janë baza e ekonomisë shqiptare. Këtu fillon fuqia jonë!

- Po t’i marr ato, nuk m’i quan pronari dhe unë pastaj duhet t’i vë nga xhepi im. Më vjen keq.

Ika i zhgënjyer nga dështimi im. Por unë nuk e dija se ky ishte vetëm fillimi. Sipas një thënieje të lashtë: Nuk kisha parë gjë akoma.

Thashë: Do të futem në supermarket, se atje me siguri do të m’i pranojnë.

Në supermarket ia vura syrin një byreku, që ishte sa dyfishi i byrekut të kioskës. Por unë i kisha tetëdhjetë njëlekëshe sa për ta bërë timin. Pasi punonjësja ma ngrohu mirë e mirë, e mora dhe u drejtova për nga arka. Aroma ishte shumë provokuese dhe mund të filloja ta shijoja, por sipas një rregulli të pashkruar duhej më parë të bëja pagesën dhe të procedoja vijimisht me ngrënien në një mjedis më privat. Por edhe seç kisha një parandjenjë të pakëndshme. 

Parandjenja ime u vërtetua. Nuk qe e thënë që çdo gjë të shkonte si në vaj. Kur zgjata tetëdhjetë njëlekëshet për të paguar, arkëtarja më tha me mirësjellje se paratë e mia nuk pranoheshin.

- Zonjushë, këto janë para shqiptare, nuk janë as euro, as dollarë, as rubla, as juanë, as peso, as dinarë, a leva, as lei. Janë lekë shqiptare, të prodhuara nga Banka e Shqipërisë. Shikojini mirë!

- Nuk dyshoj aspak, - ma ktheu me qetësi. – Por kam urdhër nga shefi që në asnjë mënyrë të mos pranoj njëlekëshe.

- Atëherë më jepni falas byrekun, se unë jam në rregull me ju, ndërsa ju nuk jeni në rregull me mua.

- Ju lutem shumë, se nuk është koha për të bërë shaka. Po pret klienti tjetër.

Ndërkohë byreku kishte filluar të ftohej, dhe unë e mblodha mendjen se nuk do ta haja kurrë atë.

I mërzitur arrita në fund të bulevardit dhe po kaloja në Bulevardin e Ri, kur m’u afrua një zotëri në nevojë dhe më tha:

- A ke një cigare?

- Nuk e pi duhanin, - i thashë, - por mund t’ju jap ca lekë që të bleni ndonjë.

Dhe menjëherë nxora nga xhepi një grusht me njëlekëshe.

- Me çin tallesh, o plako  - ma ktheu. – Kto s’t’i pranon kush. – Dhe iku i fyer.

Duke ecur dhe pak, u gjenda kaq larg, sa rruga e kthimit dukej mjaft e largët. Thashë me vete: «Le të marr një urban për t’u kthyer në shtëpi».

Tek stacioni i urbanit prisnin një duzinë njerëzish. Dukej që gjendeshin shumë kohë aty, se menjëherë u shfaq urbani dhe frenoi butësisht para këmbëve tona.

Kur më erdhi radha për të paguar biletën, i zgjata konduktorit dyzet njëlekëshe.

- Nuk bëjnë këto, - m’u ankua. – Nuk ke të tjera?

- Këto janë dyzet lekë shqiptare, - i thashë. – Kam ca euro të holla. Mund t’ju jap barasvlerësin e biletës në euro.

- E vlerësoj humorin tuaj, - ma ktheu konduktori, - veç më duhen lekë shqiptare, por jo njëlekëshe.

- Prit sa të shoh ç’kam me vete.

Hapa portofolin dhe nxora një kartëmonedhë dhjetëmijëlekëshe, nga ato që ka futur në qarkullim së fundi Banka e Shqipërisë.

- Ja, këto kam. Mbase të bëjnë punë.

- Tani e prishe fare! Do paguash biletë me dhjetëmijëlekëshe në urban?

- Atëherë pse s’m’i pranoni verdhushkat e mia? – i thashë. – Zgjidhni e merrni: o verdhushkat o kartëmonedhën dhjetëmijëlekëshe.

Konduktori vajti të konsultohej me shoferin për të zgjidhur problemin e krijuar. Por dukej që problemi nuk kishte zgjidhje me kushtet që ata kishin vendosur. Ndërkohë po i afroheshim stacionit tim të zbritjes.

- Tani ç’do të bëni me mua, - i thashë. – Do të më lini të paguaj biletën, se dua të zbres. 

- Zbrit, o, zbrit! – më tha. – Nuk merremi me verdhushkat e tua.

Zbrita dhe u ktheva në shtëpi i zhgënjyer. 

Vërtet dështova në blerjen e byrekut, por kisha zbuluar një mënyrë të re për të udhëtuar falas. 


© Aristotel Spiro 

© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi vetëm në shtypin elektronik me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”

Sunday, February 20, 2022

«XHIHADISTËT» E ALBANOLOGJISË

 

nga 

Aristotel Spiro 

Studimet albanologjike kanë një trashëgimi të pasur e të çmuar në disa fusha: arkeologji, gjuhësi, etnologji, muzikologji etj. Nga fillimet e saj në shekullin XVIII e deri më sot shumë hapa janë hedhur. Qendra e studimeve albanologjike nga trualli gjermanofon u zhvendos në Tiranë e Prishtinë, dy bërthama që përcaktojnë ritmin e atij rrjeti botëror që quhet bashkësi studimore albanologjike. 

Por veç kësaj, studimet albanologjike kanë trashëguar edhe një traditë studimore akademike endocentrike, ku shpeshherë synimi fillestar ka qenë vërtetimi me anë të argumenteve shkencore i autoktonisë së popullit shqiptar si dhe i vijimësisë iliro-shqiptare. Synime të ngjashme kanë pasur në përgjithësi të gjitha akademitë e vendeve të Ballkanit, të cilat u shndërruan në kështjella ideologjike të nacionalizmave. 

Dihet se teza e prejardhjes ilire të shqiptarëve, e për rrjedhojë edhe e gjuhës shqipe, është teza më e fortë dhe më autoritare në albanologji. Së bashku me të paraqitet si më e pranuar edhe teza e vijimësisë iliro-shqiptare. Autori i këtyre radhëve i beson kësaj teze, gjë që e ka konfirmuar në shkrimet e veta akademike, por edhe në prononcime publike. Sidoqoftë, kjo tezë ka objektivisht edhe mjaft pika të dobëta, të cilat janë vërejtur nga studiuesit (mungesa e dokumenteve shkrimore, mungesa e një terminologjie ujore detare, mangësi toponimike etj.). Këto kanë dhënë shkas që, krahas saj, të ekzistojnë edhe teza të tjera, si ajo e prejardhjes trake, apo teza e «përzier» e prejardhjes iliro-trake. 

Objektivi i studiuesve nuk mund të bëhet domosdoshmërisht vërtetimi i një teze, por studimi serioz i çështjes dhe ndriçimi i anëve të errëta të teorive, cilatdo qofshin ato (e prejardhjes ilire, trake, dake, apo iliro-trake etj.). Kriteri duhet të jetë mbërritja drejt së vërtetës nëpërmjet fakteve dhe argumentimeve objektive dhe jo qëmtimi dhe përzgjedhja e fakteve që çojnë në vërtetimin e tezave tona të parapëlqyera.

Ky është një parim themelor, sepse përndryshe shkenca kthehet nga një faktor i njohjes së realitetit në një vegël të politikës, ndërsa ligjërata akademike shndërrohet nga një festë e lumtur e logjikës së shëndoshë në një muhabet kafenesh. 

Si shtojcë e politikës janë konsideruar sidomos shkencat humane gjatë periudhës së komunizmit. Motoja «politika në plan të parë» nuk kishte se si të mos përfshinte edhe studimet albanologjike. 

Tek zbatimi i këtij parimi e zhvillojnë argumentimin e vet negativ edhe kundërshtuesit e një arritjeje të pakundërshtueshme të shkencës gjuhësore albanologjike, siç ishte njësimi dhe kodifikimi i gjuhës letrare kombëtare shqipe. 

Por perceptimi i shkencës si një aksion në radhë të parë politik gjen shprehjen e vet të shëmtuar sot, me gjallimin e lloj-lloj «xhihadistëve» të albanologjisë, të cilët me flamurin e albanocentrizmit nuk mëtojnë as më shumë as më pak, veç një rol protagonist në ligjëratën akademike publike! Këta «xhihadistë» të albanologjisë kanë zënë tashmë një pozicion komod nëpër studio e prodhime gjoja shkencore televizive, në faqe gazetash e revistash shkencore, ndërsa një pjesë syresh kanë krijuar edhe shoqata dhe organe botuese. 

Por ata nuk u ndodhën aty rastësisht. Mjaft syresh janë certifikuar më parë nëpërmjet doktoratave të falura prej profesorëve e komisioneve të korruptuara të organeve atestuese të vendit; së këndejmi janë ngjitur nëpër foltoret e konferencave shkencore të organizuara prej institucioneve akademike të vendit ku kanë certifikuar ligjëratën e tyre të përbindshme. Pas gjithë këtij «certifikimi» akademik zënia e një vendi si bashkëbisedues nëpër studio televizive ishte një punë e lehtë. Nëpër kanalet e sotme televizive shfaqen lirshëm «fallxhorët» e etimologjisë dhe «xhihadistët» e autoktonisë. Prodhuesit e emisioneve televizive, nën pretekstin e shprehjes demokratike, i lejojnë këta përbindësha të nyjëtojnë gjithë fantazinë e tyre halucinante. I lejojnë, për shembull, të vjellin gjithë helmin e tyre anatemues ndaj një dinjitari të gjuhësisë shqiptare dhe etimologjisë shqipe, si Eqrem Çabej, por edhe gjuhëtarëve të tjerë me emër. 

E gjithë kjo gjendje shfajësohet me referimet ndaj rrënjëve pellazge. Kompozitat dy- ose tri- ose katërgjymtyrëshe përdoren sipas qejfit (pellazgo-iliro-arbëror, pellazgo-iliro-epiroto-shqiptar, iliro-epirot etj.). Janë rrënjët e autoktonisë, pas të cilave kapen fort, duke u kthyer në një sekt të shenjtë shkencor dhe duke dënuar këdo që nuk pajtohet me programin e tyre absolut. 

Një kategori tjetër janë kontrabandistët e shkencave humane. Këta që pasi vjedhin tekstet e studiuesve të vërtetë, i referojnë dhe i botojnë si të vetat, marrin doktorata false, punësohen nëpër departamente universitare apo ministrore, zënë vende drejtuese nëpër institucione duke penguar dhe luftuar studiuesit e vërtetë. 

Shpesh të dyja kategoritë e mësipërme bashkëpunojnë duke krijuar një aleancë të heshtur me njëra-tjetrën. 

Ndërsa kontrabandistët e shkencës punojnë e përfitojnë në qetësi e pa u vërejtur, derisa zbulohet vepra e tyre plagjiariste, «xhihadistët» e albanologjisë janë të papërmbajtur në veprimin e tyre. Ata duan të marrë fund një herë e mirë stepja e studiuesit, pasiguria e tij akademike për dukuritë e studiuara. Ata shpallin definitivisht shqipen si nënën e gjithë gjuhëve të tjera, dhe shpjegojnë të gjitha fjalët e botës nëpërmjet fjalëve të gjuhës amtare. Anglishtja, gjermanishtja, italishtja, latinishtja, greqishtja etj. etj. qenkan të gjitha bija të shqipes! 

Sharlatanët e shkencës nuk janë një produkt i kohës së sotme. Ajo që ka ndryshuar në gjithë këtë histori është vulgarizimi i medias. Televizionet e sotme nuk kanë ndonjë ndryshim të madh nga vatrat e dikurshme të kulturës, ndërsa portalet internetike nuk ndryshojnë aq shumë nga shtabet e qëmotshme të aksioneve të rinisë. Sidomos televizionet po kryejnë një vepër me përmasa kriminale duke u dhënë kohë dhe zë vulgariteteve me pretendime shkencore. Me pretendimin e një «atdhedashurie»  të sëmurë parakalojnë lloj-lloj përrallëtarësh të historisë dhe xherahësh të etimologjisë, që drogojnë mendjen e njerëzve të papërgatitur. Në krye të këtyre mediave qëndrojnë njerëz injorantë të shkencës, por edhe të misionit të publicistikës së vërtetë. Në krye të medias qëndrojnë manipulatorë dhe përfitues të paligjshëm të besimit të qytetarëve. 

Përveç medias, një përgjegjësi të rëndë mbajnë edhe institucionet e arsimit të lartë dhe atestimit akademik. Janë ato që përgjigjen për diplomimin e një armate analfabetësh, plagjiatorësh, amatorësh të rrezikshëm. Janë ato që përgjigjen për krijimin e një armate të madhe impotentësh intelektualë dhe analfabetësh akademikë, që kanë pushtuar me tentakulat e padijes së tyre organizmin shkencor dhe arsimor të vendit.  

Nuk është e rastit që nëpër tubime shkencore horrat e shkencës gjithnjë e më shumë kërkojnë kohë dhe vend në tribunë, ku nxjerrin nga këneta e mendjes së tyre argumente të përbaltura dhe qëllojnë dëgjuesit e tronditur. 

Nuk është e rastit që në emisione televizive shkencëtarë të afirmuar ulen «gju më gju»  me përrallëtarë e sharlatanë, nën drejtimin e moderatorëve injorantë. 

Këto janë dukuri të një katastrofe kombëtare me pasoja të pariparueshme dhe afatgjata. Ky është një krim mbi ndërgjegjen shoqërore që kryhet përditë e nga pak. Kjo është një gjendje e sëmurë me të cilën bën kompromis e pajtohet ndërgjegjja shoqërore. 

Sharlatanë të shkencës ka pasur, ka dhe do të ketë gjithmonë. Por faktorizimi i tyre në ligjërimin publik ka qenë diçka e panjohur më parë dhe është dukuri e këtyre tre dhjetëvjeçarëve të fundit. Në kontekstin e sotëm të infantilizuar shoqëror, disa individë të quajtur manjatë dhe disa grupe politike të dyshimta, të quajtura parti kanë krijuar një sistem antimeritokratik jovlerash, ku forca e pushtetit lejon çdo mendim e idé të sëmurë, përveç asaj që rrezikon sistemin politik. Mirëpo, i dëmtuari i madh nga të gjitha këto është vetë shoqëria, e cila lëngon nga problemet e vërteta shoqërore, prej të cilave nuk e shpëton asnjë halucinacion apo delir introvers etnocentrist. 


© Aristotel Spiro 

© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi vetëm në shtypin elektronik me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus” 

HEQJA E DYSHKRONJËSHAVE NGA ALFABETI – AKT I DOMOSDOSHËM QYTETËRIMI

 


Heqja e dyshkronjëshave nga alfabeti – akt i domosdoshëm qytetërimi 

Akademitë e Shkencave duhet ta bëjnë këtë  

nga 

Aristotel Spiro

Në këmbënguljen tonë për të përcaktuar saktë sistemin grafematik të shqipes, ndeshim jo vetëm skepticizmin e pamotivuar të një shumice gjuhëtarësh, por edhe të asaj pjese përdoruesish të gjuhës, që marrin guximin të jenë përfaqësues të ndjenjës mbarëpopullore të gjuhës shqipe. 

Çështja kryesore në këtë problematikë është njohja e 27 grafemave dhe përjashtimi përfundimtar i dyshkronjëshave nga alfabeti. Kështu, do të vihet në vend një parregullsi e mbetur nga kushtet e ndërlikuara historike të miratimit fillestar të alfabetit shqip. 

Do të ishte e udhës që kolegët gjuhëtarë të ngriheshin në nivelin e atyre pionierëve të njësimit shkrimor të Kongresit të Manastirit (1908), të cilët treguan jo vetëm ndjenjë të lartë fisnikërie e konsensusi, por edhe largpamësi për të zgjidhur praktikisht çështjen e njësimit. Dyshkronjëshat në dokumentin përfundimtar të atij kongresi i shërbejnë çështjes së njësimit të shkrimit dhe këtë kuptim ka prania e tyre atje. Nuk kanë të bëjnë aspak me inventarin e shkronjave të alfabetit. 

Identifikimi i grafemave nuk është vetëm një çështje shkencore me rëndësi të padiskutueshme, por ka edhe rëndësi praktike për gjuhësinë e zbatuar (tekstet shkollore, fjalorët, përdorimi i shqipes në kompjuter). Duke kuptuar se si funksionon sistemi grafematik i shqipes, ndryshon edhe mënyra e të perceptuarit të gjërave brenda një logjike të shëndetshme faktesh të pamanipuluara. 

Kjo metaforë, e prejardhur nga gjuhësia, vjen për ta ndihmuar dhe gjallëruar shoqërinë shqiptare në këtë fazë të zhvillimit të saj. Sa më shpejt që ta kuptojmë këtë, aq më mirë do të jetë për shoqërinë, shkollën, përdoruesit e gjuhës. 

Për sa i përket një pjese komentuesish që bredhin portaleve si grerëza të ndërkryera duke lënë helmin e tyre me një drejtshkrim shqip të masakruar, atyre u themi të qetësohen. Këshilla jonë për këta njerëz është që ta tregojnë me vepra respektin e tyre për shqipen. T’i lënë klithmat e një patriotizmi vulgar të panevojshëm dhe të përpiqen për gjënë më të thjeshtë: të mësojnë të shkruajnë shqip. Të shkruajnë ë-në dhe ç-në, të shkruajnë saktë format rasore dhe të përdorin saktë kohët e foljeve. Kësaj skote të paditurish që kërcejnë prej zgafellash pellazgologe pa ua pasur haberin këtyre gjërave u themi të jenë të qetë, sepse praktika e deritanishme e përdorimit dhe vlera fonetike e dyshkronjëshave mbeten të panegociueshme dhe të pandryshueshme në shkrimin shqip. Alfabeti shqip ka 27 shkronja, ndërsa fonemat /th/, /dh/, /sh/, /zh/, /xh/, /nj/, /gj/, /ll/, /rr/ do të vazhdojnë të shkruhen ashtu si më parë me kombinimet e grafemave/shkronjave TH, DH, SH, ZH, XH, NJ, GJ, LL, RR, pikërisht ashtu siç vendosën ata burra të mençur në Kongresin e Manastirit. Asgjë nuk e ndryshon këtë. 

Nuk do të jetë e largët dita kur alfabetit të gjuhës shqipe do t’i njihet numri i saktë i 27 grafemave, sikundër i ka në të vërtetë. 

Gjuhët e tjera të kombeve të qytetëruara e kanë zgjidhur prej kohësh këtë problem. Ndonjë gjuhë shumë e njohur e kontinentit të vjetër e ka zgjidhur vitet e fundit. 

Është detyrë e Akademisë së Shkencave  të Shqipërisë dhe e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës që të shprehen qartë për alfabetin duke i dhënë fund një provizoriteti të zgjatur dhe një parregullsie shkencore: të vendosin për të hequr përfundimisht dyshkronjëshat nga alfabeti duke miratuar alfabetin e shqipes me 27 shkronja – grafema. 

Është në nderin dhe dinjitetin e tyre shkencor që ta bëjnë këtë sa më parë. 

Brezat e ardhshëm do t’u jenë mirënjohës. 



© Aristotel Spiro 

© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi vetëm në shtypin elektronik me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”


Thursday, February 3, 2022

DIXHIDJALLI "DIXHITAL"

 nga 
Aristotel Spiro 


Disa vite më parë, tek po prisja një shok pas Pallatit të Madh të Kulturës, m’u afrua një zonjë e re dhe më pyeti:

- A dini se ku niset autobusi për në Çiti Park?

- Për në Siti Park? - e korrigjova instiktivisht. – Atje tek cepi i rrugës. 

Nuk jam nga ata normativistë maniakë, që mund t’u bjerë infarkti me të dëgjuar një shkelje të normës gjuhësore. Por shqiptimi i saj me  [ç] dhe jo me [s], siç e shqiptojnë thuajse të gjithë, më vuri në mendime. M’u duk si një përpjekje e saj për të vendosur një normë tjetër të modeluar mbi një matricë huazimi më familjare. 

Po cila mund të ishte kjo matricë? Ç’gjuhë? 

Cila përveç italishtes? 

Italishtja në kohën e komunizmit ka qenë për shqiptarët çelësi magjik për të hapur portën e izolimit dhe për të marrë një shije nga era e Perëndimit: muzika e lehtë e sidomos hitparejdi, festivali i Sanremos ishin vetëm disa nga elementët kulturorë që binin në kontakt. Po, edhe filmat. Shumë filma, filma italianë dhe filma amerikanë, por gjithsesi të dubluar në italisht. Italishtja ishte bërë si gjuha e parë e huaj që mësonin të rinjtë. Mësime më së shumti autodidakte, të nxitura edhe nga fjalët e shumta italiane që kanë hyrë në shqipe, por edhe nga fonetika e përafërt me shqipen, që nuk i ndalnin para vështirësive të zgjedhimit të ndërlikuar të foljeve të italishtes. 

Të mësuarit e italishtes krijoi një modë rinore dhe një modë intelektuale, kriteri ndarës i të cilave ishin pasuria e fjalorit dhe zotërimi i zgjedhimit të foljeve. 

Italishtja arriti të mundte jo vetëm rusishten, që pavarësisht prishjes me Bashkimin Sovjetik, vazhdonte të mësohej nëpër shkolla, por edhe frëngjishten dhe anglishten. 

E gjithë kjo situatë krijoi një lloj regjionalizmi kulturor, që e përthyente semiologjinë e kulturës botërore në spektrin gjuhësor të italishtes. 

Nuk kishte rëndësi origjina e një personi historik: modeli italian ishte gati për t’i shërbyer shqipes. Ja Moxárti! Në Shqipëri është i njohur me trajtën italiane të emrit të tij. E nëse i thua shqiptarit për një Mócart, me siguri do të të shohë me mosbesim. E megjithatë Mócart është trajta e saktë e emrit të kompozitorit gjenial austriak. 

Këto më kujtuan nja dy fjalë të tjera që shqiptarët janë mësuar t’i përdorin duke vënë në veprim matricën italiane: Europë dhe dixhital. Të dyja kanë lidhje me epokën paskomuniste. 

Megjithëse «Drejtshkrimi i gjuhës shqipe» përcakton qartë se emri i kontinentit të vjetër do të shkruhet me V dhe jo me U, kjo e fundit u përdor si një armë gjuhësore për të hyrë në Evropë(!). Por kjo armë u duk se ishte e paefektshme, sepse vite shumë kaluan, por gjendemi ende jashtë Evropës. Personalisht jam i bindur se, nëse do ta thërrisnim Evropën me emrin që i kanë thirrur të parët dhe siç urdhëron edhe «Drejtshkrimi i gjuhës shqipe», Shqipëria do të ishte bërë prej kohësh vend i Bashkimit Evropian.

Ndryshimi i emrit të Evropës në «Europë» ishte edhe një shprehje e karakterit revizionist të diskutimeve mbi standardin, në vend që diskutimi të përfshinte problemet e shumta që lindnin nga hyrja e fjalëve të reja pas viteve 90 të shekullit të kaluar. 

Kështu, në vend që të merremi me problemet e reja që kanë lindur nga tronditjet e mëdha shoqërore në Shqipëri, me impaktin e tyre kulturor e gjuhësor (impakt - ja një fjalë që na paska «ndryshuar» jetën!), mbetemi në udhëkryq nëse do të vazhdojmë të përdorin ë-në në këtë apo atë fjalë. 

Mirëpo kjo mënyrë revizioniste do të ndikonte për keq edhe qëndrimin ndaj fjalëve të reja. Një fjalë karakteristike që përdoret gjerësisht, por shpeshherë gabim, është fjala «digjital», e cila dëgjohet nga një masë e madhe njerëzish më shpesh si «dixhital».

Rregulli e do dhe respekti e dinjiteti i shqipes e kërkon që kjo fjalë të shqiptohet me gj (digjital)ashtu si të gjitha fjalët e tjera me rrënjë latine e greke të lashta që përmbajnë g-në para e-së dhe i-së (§36g): agjenci, agjent, angjinë, antropologji, biologji, borgjez, dermatologji, dramaturgji, elegji, energjetikë, energji, filologji, gjenealogji, gjeneral, gjenerator, gjenetik, gjenezë, gjeometri, gjimnaz, gjinekolog, hegjemoni, heterogjen, hidrogjen, higjienë, homogjen, ideologji, kirurgji, legjendë, legjion, legjislacion, letargji, liturgji, logjikë, meteorologji, metodologji, mitologji, oksigjen, orgji, patologji, pedagogji, psikologji, regjent, regjim, regjistër, sugjestion, trilogji  etj. 

«Drejtshkrimi i gjuhës shqipe» përmend edhe disa përjashtime nga ky rregull: inxhinier, inxhinieri, xhandar, xhandarmëri, xhenier, xhirim, xhiro, xhiroj, xhirues, xhaketë, xhelatinë, xhol, që sugjerojnë situata ligjërimore ku importuesit (administrata e shtetit të sapoformuar shqiptar dhe zanatçinjtë e thjeshtë) gjëja e fundit që kanë menduar ishte prejardhja latine e rrënjëve të këtyre fjalëve. Kanë parë përdorimin e «eksportuesve» të këtij qytetërimi, të shtetit italian dhe gjuhës italiane duke u bërë kështu shprehi shqiptimi me xh. 

A po ndodh edhe me fjalën digjital e njëjta gjë? Kushtet kulturore, ekonomike, politike nuk janë më ato të para njëqind vjetëve, kur shteti shqiptar nuk kishte nga t’ia niste. Sot kemi një Akademi të Shkencave dhe rregulla të koduara drejtshkrimi, të cilave u nënshtrohen edhe fjalët që nuk përmbahen në «Fjalorin drejtshkrimor». Por me ortekun e huaj leksikor që vërshoi në shqipe gjatë 20-30 viteve të fundit të pluralizmit politik dhe me kontestimin e çdo gjëje të arritur në vitet e komunizmit, përfshirë edhe gjuhën letrare kombëtare shqipe / standardin, u krijua rreziku i një varianti të ri të Revolucioni Kulturor Proletar, ku çdo profan mund të bëjë propozimet e veta dhe të «pasurojë» sistemin semiologjik të shqipes me fjalë e shprehje e shprehi të zgjedhjes së vet. 

Një element i këtij Revolucioni Kulturor «Proletar»  është edhe shqiptimi i fjalës si «dixhital». Në këtë shqiptim u bashkuan të gjithë, njohës e mosnjohës të zgjedhimit të foljeve të italishtes. Në ndonjë medie u mbështet ky shqiptim, gjoja me shqiptimin origjinal të fjalës dhe, meqenëse parimi i drejtshkrimit të shqipes qenka ai fonetik! – kjo është një çështje tjetër e kontestueshme për të cilën jemi shprehur e do të shprehemi përsëri – atëherë edhe fjala do të shkruhet e do të shqiptohet dixhital (!)Rëndësi ka që tani jemi të lirë dhe nga «kanoçja» kaluam tek modemi dhe nga mizat e ekranit bardhezi tek një pafundësi zgjedhjesh televizive. 

Vetë këtë fjalë unë dhe bashkëmoshatarët e mi e kemi dëgjuar dhe përdorur në vitin 1981, atëherë kur pas mbarimit të shkollës së mesme kryenim stazhin në një ekspeditë sizmogravimetrike. Këtu, disa djem të rinj inxhinierë, të shkolluar në Francë, drejtonin kërkimet për naftë në Shqipëri. Nëpërmjet një aparati, që ata e quanin digital, regjistronin lëkundjet e provokuara me telekomandë. Atë aparat modern elektronik kështu e quanim të gjithë, digital: edhe ata djem që ishin shkolluar në Francë dhe që patjetër e kishin dëgjuar atje si dizhital, edhe ne që mësonim zgjedhimin e foljeve italiane. 

Por dalldia e lirisë ligjërimore këtë na ka bërë: Që të rendim drejt Çity Parkut e të mbërthehemi e të ngatërrohemi nëpër kabllot e teknologjisë digjitale duke u bërë pjesë e një sallate të improvizuar dixhitale

Dixhidjalli dixhital!   


© Aristotel Spiro 

© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi vetëm në shtypin elektronik me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”