Saturday, January 17, 2026

KAKOFONIA RRETH “FJALORIT TË MADH TË GJUHËS SHQIPE”

 

nga


Aristotel Spiro 


Publikimi online i “Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe” po shoqërohet, për fat të keq, me reagime të përziera nga një pjesë e publikut, reagime që shpesh dalin përtej kritikës së arsyeshme dhe shndërrohen në ligjërata emocionale, akuzuese, joprofesionale. Në vend që kjo ngjarje të përshëndetej si një arritje e rëndësishme e leksikografisë shqiptare dhe si një hap i madh drejt demokratizimit të dijes gjuhësore, në oqeanin e komunikimit elektronik dhe më tej shfaqen dallgë dyshimi, mohimi dhe polemikash të cekëta. 

Krahas këtyre reagimeve, një numër dashamirësish të “Fjalorit”, studiues, intelektualë dhe qytetarë të ndërgjegjshëm, po mbajnë një qëndrim mbrojtës, shpeshherë apologjetik, si në shtyp ashtu edhe në rrjetet sociale. Ky qëndrim, për mendimin tim, përveçse akt dashamirës në mbrojtje të një vepre konkrete, mund të interpretohet edhe si një shenjë e pozitës gjithnjë e më të pafavorshme që është e detyruar të zërë dija në kohën e revanshit të padijes dhe mediokritetit. Sot, çdo individ, pavarësisht kompetencës së tij profesionale, ndihet i sigurt që të ketë një opinion gjykues dhe të prononcohet për çështje që shkojnë dukshëm përtej fushës së njohurive të tij. 

Kjo dukuri, që mund të etiketohej si një lloj “kundërrevolucioni leksikografik” në mediat sociale, vjen në një moment krize të thellë të shoqërisë shqiptare, ku mendimi intelektual është vënë në syrin e ciklonit. Banaliteti dhe injoranca, që kanë pushtuar jo vetëm rrjetet sociale, por edhe një pjesë të konsiderueshme studiosh televizive, kërkojnë të shfaqen si protagonistë, duke iu kundërvënë dijes dhe argumentit me zhurmë dhe insinuata.

Është vërtet e trishtueshme që, në vend të një reagimi përshëndetës ndaj publikimit online të “Fjalorit”, shfaqen ligjërata konspirative dhe akuza të pabazuara në hapësirën e turbullt të komunikimit elektronik. Për mendimin tim, kjo dukuri nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me vetë Fjalorin, por pasqyron, nga njëra anë, rrënimin e ndërgjegjes shoqërore dhe krizën e vlerave të shoqërisë shqiptare dhe, nga ana tjetër, një mosbesim të thellë ndaj institucioneve akademike dhe autoritetit shkencor.

Ky mjerim i ndërgjegjes shoqërore ka vite që manifestohet në ligjëratën publike përmes kultivimit të miteve pseudoshkencore, si ai i origjinës pellazge, ku një ushtri gjysmëanalfabetësh, të organizuar në grupe virtuale, aktivizojnë fjalorin më banal për të “mbrojtur” lashtësinë e popullit shqiptar, duke akuzuar njëkohësisht studiuesit e gjuhës shqipe për tradhti apo fshehje të së vërtetës. Në këtë proces, disa moderatorë dhe drejtues emisionesh televizive, të paaftë ose indiferentë ndaj përgjegjësisë publike, i japin hapësirë injorancës dhe e shndërrojnë atë në zbavitje mediatike, në një mënyrë që të kujton argëtimin e dikurshëm me të sëmurët mendorë në fshatrat e prapambetur.

Kjo klimë krijon një precedent të rrezikshëm dyshimi ndaj klasës intelektuale dhe studiuesve, të cilët vihen sistematikisht në shënjestër të pseudoatdhetarëve me prirje proletkultiste. Situata përkeqësohet më tej nga kriza që po përjeton sistemi universitar dhe bashkësia shkencore në përgjithësi, si pjesë e krizës së gjatë shoqërore të tranzicionit, e shoqëruar me mbështetje të pamjaftueshme nga politika dhe qeveritë e deritanishme, si dhe me nxitjen e praktikave klienteliste përmes favorizimit të arsimit privat. 

Megjithatë, pikërisht në këto kushte të pafavorshme arrin të realizohet “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe”, një projekt madhor i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Vetë ekzistenca e këtij botimi thyen narrativën dyshuese ndaj bashkësisë akademike dhe dëshmon se, me mbështetjen e duhur, kapacitetet shkencore të vendit janë të afta të përfundojnë vepra themelore jo vetëm si ky Fjalor, por edhe projekte të tjera madhore si “Enciklopedia Shqiptare” dhe “Historia e Popullit Shqiptar”, që janë aktualisht duke u përgatitur.

Në këtë kuptim, kakofonia rreth “Fjalorit” del përtej kornizave të një debati leksikografik. Ajo është një pasqyrë e qartë e betejës më të gjerë mes dijes dhe kundërdijes, mes mendimit kritik dhe zhurmës populiste, betejë që shoqëria shqiptare duhet ta përballojë me seriozitet, nëse synon të ruajë dinjitetin e saj intelektual. 

No comments: