Sunday, April 22, 2012

NJË NISMË SHUMË E VONUAR

nga 
Aristotel Spiro 

Shumë pozitive nisma e pastrimit të plehrave. Por gjithsesi tej mase evonuar. Një vonesë 20-vjeçare. Kaq e vështirë është të kuptojë dikush se shtëpinë duhet ta mbajmë të pastër? Duhet të shkruajnë dhe të japin alarmin agjencitë e huaja? 
Në Shqipëri nuk ka ndjenjë komuniteti. Secili mendon se shtëpia e tij mbaron tek pragu i derës. Dhe përtej këtij pragu është diçka që nuk i takon atij. Diçka armiqësore që nuk ka lidhje me të ose i kundërvihet atij. Prandaj ai përdor plehrat për ta sfiduar komunitetin. Për të thënë që unë ju kam ... plehruar mu në shoqëri ... mu në komunitet! Shikoni plehrat e mi! Merruni erë! Gjithë shoqëria jemi plehra. Ky është nënteksti.
Po politikanët ç'kanë bërë gjithë këtë kohë? Kanë folur për gjëra të mëdha. Janë shfaqur nëpër ekrane televizive, pasi kanë kaluar nëpër mjedise plehrash dhe nuk u ka bërë përshtypje asgjë. Vëmendja e tyre është tek asgjësimi i kundërshtarit politik. Mendësia e tyre është krijimi i konflikeve, demonizimi i rivalit, paraqitja e tij si armik i popullit, përjashtimi nga komuniteti joekzistues. Ose më mirë padëshira për të krijuar një komunitet. 
Pranimi i plehrave si një realitet normal nënkupton pranimin e mentalitetit të rrezikshëm se të gjithë jemi plehra. Prandaj një kriter tjetër kategorizimi social bëhet arroganca, harbutëria... shkelja e ligjit prej ligjvënësit.  

No comments: