Friday, May 13, 2022

«GËZUAR DATËLINDJEN!», «GËZUAR DITËLINDJEN!» APO «GËZUAR DITËN E LINDJES!»

 




«GËZUAR DATËLINDJEN!», 

«GËZUAR DITËLINDJEN!» 

APO «GËZUAR DITËN E LINDJES

 

nga 

Aristotel Spiro 

 

Për festën që lidhet me ardhjen tonë në jetë ekzistojnë mjaft urime. Gjithsesi, urimi më i zakonshëm është «Gëzuar ditëlindjen!». Të paktën deri para nja dy dekadash ky ka qenë urimi më formal që përdorej. Mirëpo, tani dëgjohen dhe shkruhen jo rrallë edhe dy versione të ngjashme të këtij urimi: «*Gëzuar datëlindjen!» dhe / ose «*Gëzuar ditën e lindjes!». 

Në rastin e parë kemi të bëjmë me një përpjekje saktësuese të nxitur nga një ndërgjegje gjuhësore që përpiqet të motivojë elementet vetëshprehëse. Është një lloj funksioni metagjuhe që vepron në heshtje për të saktësuar kuptimin e fjalëve, të shprehjeve, ndërtimeve. «Datëlindje» dhe «ditëlindje» mund të jenë fjalë të ngjashme dhe, në fakt, kanë një sinonimi të pjesshme: lidhen me ditën e lindjes. Por datëlindja është një fakt biografik, identifikues që përshihen në gjeneralitetet e gjendjes civile të qytetarëve. Ka një përdorim formal zyrtar. Nëpër dokumentet e identitetit (certifikata, pasaporta, vërtetime, shënime jetëshkrimi etj.) përdoret termi «datëlindje». Nuk përdoret asnjëherë fjala «ditëlindje» në këto raste. 

Përdorimi «*Gëzuar datëlindjen!» përbën shkelje të normës gjuhësore dhe një shkarje nga kultura e gjuhës. Përdorimi i tij zë fill nga fillimi i këtij shekulli dhe si një «rebelim» normativ. Ai nuk regjistrohet në asnjë fjalor normativ të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Nuk përfshihet në asnjë formulë urimi apo referencë ndaj kësaj ngjarjeje. Kështu thuhet «festa e ditëlindjes», por jo *«festa e datëlindjes», «festoj ditëlindjen», por jo *«festoj datëlindjen». 

Një pjesë njerëzish justifikojnë përdorimin e fjalës *«datëlindje» si pjesë të urimit me argumentin sipas të cilit data është e pandryshueshme, ndërsa dita (e hënë, e martë, e mërkurë, e enjte, e premte, e shtunë, e diel) mund të ndryshojë. E njëjta datë përkon me ditë të ndryshme jave çdo vit. Mirëpo, ky është një argument që nuk qëndron. Emërtimet e ditëve të javës dhe, në përgjithësi, matja e kohës janë detaje të jashtme, që nuk kanë të bëjnë me vetë rrjedhjen e kohës. Kështu, një datë shërben për të na kujtuar një ditë të caktuar të së kaluarës, në të cilën ka ndodhur një ngjarje me rëndësi. Data na shërben për të përkujtuar apo festuar ditën që ka ndodhur diçka. Një ditë nuk bëhet e rëndësishme për shkak të datës së saj, por për shkak të ngjarjeve që kanë ndodhur. Mandej, ngjarja e ndodhur në një ditë të caktuar nuk merr asnjë rëndësi nëse ajo ditë ka qenë e hënë, e enjte apo e shtunë. Rëndësi ka radha e saj në kalendarin vjetor. Por e theksojmë përsëri: data na shërben për të përkujtuar ditën dhe jo dita për të përkujtuar datën. Dita është ngjarja, ndërsa data është një shenjë, një etiketë e vendosur për të kujtuar ditën. Data është një shifër, ndërsa dita është një fragment kohe i mbushur me ngjarje, dita është thelbi i festës. Themi «Po gdhin/zbardh/vjen një ditë e re» dhe jo  *«Po gdhin/zbardh/vjen një datë e re». Në fillim të ditës urojmë «Paç një ditë të mbarë!» dhe jo  «Paç një datë të mbarë!» edhe pse jemi të ndërgjegjshëm se është një datë e re. Themi «Sa është sot data?», që fjalë për fjalë do të thotë «Ç'numër ka kjo ditë?». Me një fjalë, jetojmë ditët dhe jo datat. 

Por dita e lindjes dhe data e lindjes nuk janë e njëjta gjë. Dita e lindjes është përfundim i një historie të bukur që nis me ngjizjen e një krijese njerëzore dhe daljen e saj në dritë pas «banimit» në mitrën e nënës. Është një ngjarje e shënuar, që mbahet mend nga ata që e përjetojnë, por shënon edhe vetë jetën e atij/asaj që lind. Datëlindja është një numër, një fakt në kalendar, pjesë e një statistike zyrtare. 

Por ndërsa «datëlindja» është një e dhënë zyrtare, «ditëlindja» është një festë. Kur themi «Gëzuar ditëlindjen!», nënkuptojmë «Gëzuar festën e ditëlindjes!». Në të njëjtën mënyrë që themi «Gëzuar krishtlindjen!». Në pjesën e Shqipërisë Veriore përdoret edhe urimi «Gëzuar krishtlindjet!» (më saktë «kërshëndellat»), që do të thotë «Gëzuar tërësinë e festimeve që lidhen me lindjen e Krishtit!». Po ashtu «Gëzuar pashkët!», që do të thotë «Gëzuar festimet për pashkën/ringjalljen!». Numri shumës përdoret këtu për të shënuar një seri veprimesh që përbëjnë ritualin e një feste.   

Prandaj nuk mund të themi «*Gëzuar datëlindjen!». Tek «datëlindja» rëndësi ka elementi «datë», ndërsa tek «ditëlindja» rëndësi ka elementi «lindje». Përkatësisht, ne gëzojmë dhe festojmë për lindjen dhe jo për datën. 

Urimi tjetër (*«Gëzuar ditën e lindjes!») është në fakt një zbërthim i pjesëve të fjalës së përbërë «ditëlindje», që ngjan me një përpjekje e ekzagjeruar motivuese etimologjike të vetë urimit. Duke e shpërbërë ndoshta synohet një përpjekje maksimale për t’i dhënë një prestigj sa më lartë e një atribut ceremonial momentit të urimit. 

Shprehja «Gëzuar ditëlindjen!» është shndërruar prej kohësh në një formulë të pandryshueshme urimi. Çdo përpjekje për ta rijetësuar duke e modifikuar me logjikën e datës së saktë të lindjes dëshmon për një qasje tepruese në motivimin e komunikimit. 

Po ashtu, ajo nuk mund të «rigjallërohet» duke ndryshuar pjesë të saj. Në këtë kuptim, ajo nuk mund të zbërthehet më tej në një gjendje parafjalëformuese siç është «*Gëzuar ditën e lindjes!», sepse edhe ky motivim fjalëformues e largon kuptimin nga festa dhe e çon tek fakti kronologjik i lindjes, gjë që nuk synohet me urimin. 

Duke uruar «Gëzuar ditëlindjen!» ne urojmë për festën që lidhet me lindjen, por nuk urojmë për ngjarjen e lindjes. 

Prandaj, nuk duhet të themi «*Gëzuar datëlindjen!» as «*Gëzuar ditën e lindjes!», por thjesht dhe bukur «Gëzuar ditëlindjen!».

 

© Aristotel Spiro 

© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi vetëm në shtypin elektronik me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”  

No comments: