JETËSHKRIM NË VETËN E PARË
nga
MANOS CHATZIDAKIS
Linda më 23 tetor 1925, në Ksanthi, në lagjen e vjetër dhe jo në pjesën e tmerrshme, ndërtuar më vonë prej emigrantëve të brendshëm të pasluftës.
Nënën e kisha nga Adrianopoja dhe babain nga Kreta. Më sollën në vitin '31 në Athinë, ku u mëkova me arsimin atik – atëherë kur «Atika» dhe «arsimi» gjallonin ende në vendin tonë.
Unë jam, pra, pjellë e dy njerëzve që nuk bashkëpunuan kurrë, përveç momentit kur vendosën të më sillnin në jetë. Kjo është arsyeja pse unë mbaj përbrenda vetes gjithë hallet e perëndisë dhe gjithë kundërtitë. Por ndërgjegjja ime qytetare, së bashku me përkatësinë time evropiane, prodhuan një përfundim mbresëlënës. Aq i butë u bëra, saqë njerëzit rreth meje duken si anormalë.
Okupacioni më dha të kuptoj se nuk më duheshin mësimet e muzikës, pasi ato më gjymtonin emocionalisht dhe më largonin tinëzisht nga qëllimet e mia fillestare që ishin: t’i hyja një rrjedhe, të komunikoja dhe pastaj të zhdukesha. Prandaj i ndërpreva studimet muzikore menjëherë pas okupacionit – me t’u çliruar vendi. Unë nuk kam studiuar në ndonjë konservator, prandaj nuk ngjaj me ndonjë anëtar të Shoqatës Muzikore Greke.
Kam udhëtuar shumë. Dhe kjo më ndihmoi të kuptoj se marrëzia nuk ishte produkt ekskluziv i vendit tonë, siç e demonstrojnë vazhdimisht me krenari shovinistët grekë dhe nacionalistët vendas. Kështu m’u forcua karakteri i lindur grek dhe m’u dobësua shumë entuziazmi për të huajt.
Kam shkruar muzikë për teatrin, për kinemanë dhe baletin. Njëkohësisht, kam shkruar shumë këngë – dy mijë deri tani, – ndër të cilat veçoj gjithë sa përmban ky koncert.
Më 1966 vajta në Amerikë dhe, ngaqë u kisha borxh organeve tatimore greke rreth tre milionë e gjysmë dhrahmi, u detyrova të jetoja atje derisa t’i shlyeja.
Borxhet i lava më 1972 dhe u ktheva në Athinë, për të ndërtuar kafen e quajtur «Polítropo». Por erdhi uragani i quajtur «Demokraci» me sirena stadiumesh dhe bowlingjesh dhe me mijëra luftëtarë të vonuar të rezistencës, që këndonin të indinjuar këngë kundër diktaturës dhe që më detyruan ta mbyll «Polítropon», prapë me një borxh tre milionë e gjysmë dhrahmi. Një numër fatal.
Dhe kështu prej vitit '75 fillon «epoka ime» e famshme, siç do ta quanim për ta dalluar, epoka e nëpunësit të shtetit, e cila më bëri sërish të famshëm ndër gjithë bashkatdhetarët e mi të painformuar dhe ndër ata që besonin se isha sistemuar në çdo vend të jetës publike. Gjatë kësaj periudhe, që thoni ju, u përpoqa - pa sukses, ç’ është e vërteta - të bëja realitet «ide të shtrenjta kafeneje» herë në Radiotelevizionin Grek e herë në Ministrinë e Kulturës. Të dy këta organizma, të brejtur së thelli e të brishtë që prej lindjes së tyre, ia dolën të rezistojnë me sukses gjersa më në fund më mposhtën krejt. Gjithsesi, gjatë kësaj kohe lindi koncepti liberal i PROGRAMIT TË TRETË të televizionit, që iu imponua gjithë vendit.
Dhe esenca e jetës sime deri tani është:
Nuk ma ndien për lavdi. Lavdia më burgos brenda kufijve që ajo përcakton dhe jo unë.
I besoj këngës që na zbulon dhe jo asaj që na argëton e na lajkaton me zakonet tona të përftuara dhunshëm.
Kam dëshirë të kem shumë pará, që të mund të çoj «në djall» - si i thonë - çdo punë që nuk më respekton. Të njëjtën gjë do ta bëja edhe me njerëzit.
I përbuz ata që nuk kanë si qëllim të përmirësohen dhe të rinohen shpirtërisht, politikanët dhe artistët «e mëdhenj», bashkëmoshatarët e vetëkënaqur, gazetarinë e errët e të dyshimtë dhe çdo lloj vulgariteti si dhe çdo idiot të kohës sime.
Ky recital është rezultat i një përpjekjeje shumëvjeçare të vetëdijshme dhe studimit me «shumë pasion». Prandaj ua kushtoj miqve të mi.
MANOS CHATZIDAKIS
Melburn, më 20 maj 1980
Përktheu: Aristotel Spiro
No comments:
Post a Comment