nga
Aristotel Spiro
Deklaratat refuzuese ndaj gjuhës së përbashkët shqipe nga një deputete e Kuvendit të Shqipërisë mund të interpretoheshin si një shpërfaqje spontane mendimesh për ligjërimin e popullit. Mirëpo, nga mënyra se si u bënë, ato janë deklarata politike në kuptimin e plotë të fjalës. Po aq politik është edhe vendimi për të folur në dialekt si një përpjekje për ta sfiduar standardin. Nëse ti bën me vetëdije një zgjedhje gjuhësore për të krijuar efekt publik dhe për të shkaktuar reagim, atëherë ke kryer një akt politik. Në të vërtetë, ligjërata publike e çdo deputeti është nga natyra politike.
Çështja është se ky pozicionim vjen me një vonesë që nuk duket aspak elegante. Është vonesa e një aktori që ka hyrë në skenë kur shfaqja ka mbaruar, dritat në sallë janë fikur dhe spektatorët janë shpërndarë. Përpjekja për të rihapur një çështje që prej kohësh konsiderohet e mbyllur prodhon një ligjëratë shterpë.
Kjo ndodh sepse argumentet nuk burojnë nga një njohje e brendshme e ligjëratës publike mbi standardin, por nga një përthithje fragmentare e bisedave në kafet e lagjes dhe e perceptimeve të mjegullta mbi dialektet. Në këtë tablo mungon koncepti thelbësor i laryshisë gjuhësore: folësi i një gjuhe nuk është i dënuar të zgjedhë vetëm një formë të saj. Ai lëviz mes regjistrave, mes varianteve, mes kodeve dhe këtë e bën me një natyrshmëri, që nuk është nevoja që të shpallet ideologjikisht.
Në këtë sfond, përpjekja për ta vënë gegërishten përballë standardit i ngjan më shumë një teatri. Kemi të bëjmë me një konflikt të sajuar, sepse në të vërtetë askush nuk ua ka mohuar vlerat dialekteve. As veriu, as jugu nuk kanë nevojë për një «mbrojtje» të tillë teatrale. Kemi gjoja një mbrojtje të dialektit gegë, por që përbën një sulm ndaj gjuhës së përbashkët. Ky agresivitet krijon probleme kur nyjëtohet prej dikujt që flet në emër të të tjerëve.
Është edhe më interesante që ky lloj debati na rikthehet me flamurin e zbulimit, sikur po thuhet diçka që nuk është thënë më parë. Në të vërtetë, shumë nga këto çështje janë diskutuar gjatë dhe gjerë, sidomos në vitet ’90, kur ligjërimi publik hoqi vargonjtë e censurës. Sot, rikthimi i këtyre çështjeve ka diçka anakronike. Është si të ngresh një pyetje që ka marrë përgjigje dhe të presësh që ajo të tingëllojë sërish si enigmë.
Në këtë kuptim, kemi të bëjmë më pak me një debat dhe më shumë me një përpjekje për të prodhuar vëmendje. Statusi i përfaqësuesit të popullit shndërrohet në një amplifikues, por për t'u fryrë çështjeve që nuk qëndrojnë më si probleme. Dhe ndërkohë që elektorati përballet me çështje konkrete, shpesh urgjente, përfaqësuesi i tij merret me polemika teorike pa përgatitjen e nevojshme. Është mënyra më e lehtë për ta zhvendosur vëmendjen.
Nëse kjo ngjan si diçka e njohur, nuk është rastësi. Ligjërimi publik ndër shqiptarë ka traditë në rigjallërimin e tezave të vjetra, sidomos kur ato shoqërohen me ngarkesa dhe emocione. Mjafton të kujtojmë historinë e «teorisë pellazgjike», e cila në shekullin XIX pati një funksion të qartë ideologjik dhe mobilizues. Figura si Johann Georg von Hahn, Nikollë Keta, Engjëll Mashi, Jeronim de Rada, Zef Krispi, Vinçens Dorsa, Naim dhe Sami Frashëri e të tjerë e përdorën atë në një kontekst ku ndërtimi i identitetit kombëtar kërkonte narrativa të fuqishme. Por çka ishte atëherë mjet ideologjik, sot është thjesht një relike. Shkenca e gjuhësisë ka ecur përpara. «Pellazgologjia» ka mbetur pas, kryesisht në shoqërinë e entuziastëve që e trajtojnë etimologjinë si sport improvizimi.
Ky paralelizëm nuk është i rastësishëm. Ligjëratat që ushqehen nga keqkuptimet, thjeshtimet dhe dëshira për efekt të menjëhershëm shpesh ecin në të njëjtin drejtim, edhe kur duket se janë të ndryshme. Ato krijojnë iluzionin e një vije të drejtë ideologjike, ndërkohë që në të vërtetë lëvizin në një trajektore të shtrembër, ku faktet dhe interpretimet ndërrojnë vendet sipas nevojave të rastit.
Çka mbetet nga kjo stuhi e vogël në një gotë uji është një keqkuptim i dyfishtë. Njëri keqkuptim lidhet mbi natyrën e gjuhës, ndërsa tjetri me rolin e përfaqësimit publik. Gjuha e përbashkët nuk është as armik për t’u rrëzuar, as monument për t’u adhuruar. Nuk ka nevojë të jetë asgjë nga këto. Ajo është një mjet i çmuar që i bashkon folësit në një hapësirë të përbashkët komunikimi. Dialektet, nga ana e tyre, nuk qëndrojnë përballë saj, por janë pjesë e të njëjtit organizëm gjuhësor, ku bën pjesë edhe vetë standardi. Në vend të kundërvënieve të sajuara, ajo që kërkohet është njohja. Ta studiojmë këtë trup, ta kuptojmë në tërësinë e tij. Ta njohim, ta flasim dhe ta shkruajmë më mirë standardin, por njëkohësisht të njohim edhe dialektet, e veçanërisht gegërishten, me gjithë pasurinë e saj dhe me traditën letrare që mbart.

No comments:
Post a Comment