LE TË HYJMË NË EVROPË ME NJË ALFABET MODERN: LE T’I HEQIM DYSHKRONJËSHAT!
nga
Aristotel Spiro
Kongresi i Manastirit (14-22 nëntor 1908) përfaqëson ngjarjen më të madhe në historinë e shkrimit shqip. Sa më shumë largohen vitet, aq më e madhe duket rëndësia e tij në jetën kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve.
Ai përbënte fundin e një epoke dhe fillimin e një tjetre. Po niste epoka e shkrimit të njësuar shqip. Deri në atë kohë shqiptarët shkruanin me alfabete të ndryshme: në veri ekzistonte një traditë e larmishme e përdorimit të shkronjave latine; në jug ekzistonte tradita e përdorimit të shkronjave greke; ndërsa ndër myslimanë përdoreshin edhe shkronjat arabe. Arbëreshët e Italisë ndiqnin kryesisht traditën shkrimore latine, por pati edhe raste të përdorimit të shkronjave greke.
Kongresi i Manastirit i dha fund një herë e përgjithmonë kësaj laryshie, madje në kushtet kur shteti i pavarur shqiptar nuk ishte formuar ende. Ky Kongres pati rëndësinë e një ngjarjeje të madhe përtej një solemniteti të nënkuptuar, sepse nuk ishte aspak e lehtë që përfaqësuesit e rretheve të ndryshme patriotike të binin dakord për të lënë mënjanë parapëlqimet partikulariste dhe të bashkoheshin nën një alfabet të ri të përbashkët.
Kjo vështirësi u duk jo vetëm gjatë punimeve të Kongresit, por edhe në vendimin e tij përfundimtar. Ndryshe nga ç’pritej, Kongresi mori vendim për miratimin e dy versioneve alfabetike: njëri dhe kryesori, ai i Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip (Shoqëria e Stambollit), ndërsa tjetri, ai i Shoqërisë «Bashkimi».
Duke vendosur kështu, Kongresi i Manastirit i hapi rrugën digrafisë: përdorimit të dy alfabeteve, prej të cilëve alfabeti i Shoqërisë së Stambollit ishte në rolin e referentit, versionit themelor (vendimi i shkrua në këtë alfabet), ndërsa alfabeti i Shoqërisë «Bashkimi» ishte në rolin e versionit alternativ.
Duke miratuar dy alfabete, Kongresi i Manastirit dha një zgjidhje digrafie, si në rastin e serbokroatishtes fqinje, e cila shkruhej dhe shkruhet me dy alfabete.
Alfabeti i Shoqërisë së Stambollit u konsiderua kryesor për shkak të autoritetit të kësaj shoqërie, por edhe për arsye se plotësonte një kusht sine qua non: kënaqte parimin «një tingull – një shkronjë». Pavarësisht zbatimit të këtij parimi, ai kishte megjithatë dy të meta kryesore: nuk ishte homogjen dhe koherent, sepse, ndërsa shumica e shkronjave të tij ishin latine, një pjesë e vogël e shkronjave ishin me bazë greke, gjë që e bënte alfabetin eklektik. Shtypja e librave bëhej më e vështirë, sepse duheshin siguruar shkronja që u takonin dy tipeve të ndryshme. Nga ana tjetër, në atë alfabet ekzistonte edhe një dyshkronjësh, dridhësja e fortë <RR>, e cila shkelte parimin «një tingull – një shkronjë».
Për arsye të një simetrie funksionale, atje ku Shoqëria e Stambollit përdorte shkronja të thjeshta me bazë greke, Shoqëria «Bashkimi» vendosi kombinime dy shkronjash.
Alfabeti i Shoqërisë «Bashkimi» nuk përgjithësonte zbatimin e parimit një shkronjë për çdo tingull të shqipes, sepse nuk përdorte shenjat diakritike (përveç <Ë>-së dhe <Ç>-së). Ai përbëhej vetëm nga shkronja latine.
Pavarësisht se nuk kënaqte plotësisht parimin «një tingull – një shkronjë», ky alfabet ishte më homogjen dhe më kompakt. Ishte më ekonomik, sepse me pak shkronja shpreheshin më shumë fonema të shqipes. Ajo që në dukje interpretohej si e metë, ishte në fakt një përparësi.
Në rastin hipotetik të miratimit vetëm të alfabetit të Shoqërisë «Bashkimi», nuk do të lindte nevoja që të numëroheshin dyshkronjëshat në alfabet. Në një rast të tillë, ne besojmë se qysh në fillim dyshkronjëshat nuk do të përfaqësoheshin në alfabet. Por edhe nëse do të ishin përfshirë, për arsye praktike, prapë kjo gjuhësisht do të përbënte gabim.
Ndryshe nga rasti i serbokroatishtes, zgjidhja e digrafisë që dha Kongresi i Manastirit, nuk e pati jetën të gjatë, sepse nga ana gramatologjike të dy alfabetet nuk kishin ndonjë ndryshim të madh, nuk përfaqësonin «skripte» të ndryshme: ishin të dy të bazuar mbi alfabetin latin, me përjashtim të disa shkronjave të huaja që përdoreshin në versionin alfabetik të Shoqërisë së Stambollit.
Ishte pikërisht ky karakter praktik, kompakt, sistematik e koherent që shumë shpejt shqiptarët e shmangën digrafinë (përdorimin paralel të dy alfabeteve) dhe zgjodhën përfundimisht alfabetin e Shoqërisë «Bashkimi», këtë alfabet që përdorim edhe sot e gjithë ditën.
Kjo e bëri të panevojshëm zhvillimin e një kongresi tjetër, siç ishte vendosur në fakt në fund të punimeve të Kongresit të Manastirit.
Për arsye praktike, kombinimet e shkronjave, dyshkronjëshat <GJ, NJ, LL, RR, TH, DH, SH, XH, ZH>, u interpretuan qysh në fillim si shkronja të veçanta të alfabetit.
Qysh atëherë u kultivua një kulturë grafematike që i ka interpretuar këto kombinime si shkronja më vete.
Ky perceptim u bë pjesë e edukatës së alfabetizmit të brezave të tërë të shqiptarëve pas Kongresit të Manastirit e deri më sot.
Fëmijët e vegjël, me të hyrë në shkollë, mësojnë se dy shkronjat duhet t’i perceptojnë si një shkronjë. Është kjo një dije që mbështetet nga operacioni empirik i barazimit të tingullit me shkronjën: nëse kombinimi i dy shkronjave paraqet një tingull, atëherë nuk prish punë që dy shkronjat llogariten si një shkronjë. Është një aritmetikë pragmatiste, që thyen rregullat e logjikës.
Mirëpo, shoqëria shqiptare tani ndodhet në një fazë tjetër të historisë së saj. Nga zgjimi kombëtar i shekullit XIX tek afirmimi kulturor i shekullit XXI shumë ujë ka rrjedhur dhe pozicioni i shqiptarëve në kulturën evropiane sot është shumë më i ndryshëm nga ai i para 114 viteve.
Renditja e dyshkronjëshave në alfabetin shqip ka shkaqe historike, por jo gjuhësore gramatologjike. Asnjë alfabeti në botë nuk i kërkohet medoemos që çdo tingulli / foneme t’i korrespondojë një shkronjë e veçantë. Një ndër shkaqet kryesore që dyshkronjëshat vazhdojnë të qëndrojnë në alfabet lidhet pikërisht me këtë koncept të gabuar, i cili e barazon shkronjën me tingullin dhe tingullin me shkronjën.
Alfabeti përbën një fakt themelor dhe provë materiale, që i inkuadron përdoruesit e tij në një zonë të caktuar kulturore. Rrjedhimisht, edhe alfabeti shqip është një fakt dhe një provë që i lidh shqiptarët në radhë të parë me popujt e Evropës Perëndimore, që e përdorën të parët këtë alfabet. Është alfabeti i romakëve të lashtë, alfabeti i Rilindjes Evropiane, alfabeti i Iluminizmit Evropian, është alfabeti më i përhapur i Evropës së Bashkuar.
Në këtë kontekst, është e nevojshme që këtë shenjë të rëndësishme kulturore, alfabetin, ta krahasojmë me sivëllezërit e tij latinë të Evropës dhe të nxjerrim përfundimet e duhura.
Nga ky krahasim shohim se:
1) alfabetet e gjuhëve të Evropës nuk përmbajnë dyshkronjësha;
2) alfabetet e gjuhëve të Evropës nuk pasqyrojnë gjithë fonemat e atyre gjuhëve;
3) fonemat që nuk pasqyrohen në alfabet jepen nëpërmjet kombinimeve të dy ose më shumë shkronjave (dyshkronjësha, trishkronjësha, por edhe katërshkronjësha).
Në Evropë (por edhe jashtë saj) ka mjaft gjuhë që përdorin dyshkronjësha, por nuk i përfshijnë në listën e alfabeteve të tyre. Ja, për shembull:
Anglishtja ka dyshkronjëshat <ai, au, aw, ay, ea, eu, cc, cn, ct, dd, dg, ee, ew, ey, ie, oa, oe, oi, oo, ou, ow, oy, ue, ye, bd, ch, ck, ff, gg, gh, gm, kn, ph, sh, th, wh, ng, ph, pn, ps, pt, rh, rr, sh, th, wh, wr>; frëngjishtja <ai, aî, aû, an, ay, eî, eu, eû, il, în, oê, oi, oî, ou, oû, ui, ym, yn, ch, dj, ph, qu, rh, sç, si>; gjermanishtja ka dyshkronjëshat (por ka edhe trishkronjësha dhe katërshkronjësha!!!) <ai, äu, ei, ee, au, eu, ie, oo, ui, ck, dt, pf, rh, sp, st, tz, >; greqishtja <αι, αυ, ει, ευ, ηυ, οι, ου, υι, γκ, γγ, μπ, ντ, τσ, τζ>; polonishtja <cz, dz, dź, dż, sz, rz, si>; portugalishtja <ãe, ãi, am, âm, an, ân, ão, em, ém, êm, en, én, ên, im, in, õe, om,on, ôn, ou, um, úm, un, ún, ch, nh, lh, qu, rr, sç, xs> ; norvegjishtja <aa, kj, øy, rn, sj, tj>; irlandishtja <ae, aí, ái, eá, éa, éi, eo, io,iu, iú, oí, ói, uí, úi, fh, mh>; islandishtja <au, hv>; finlandishtja <ii, yy>; italishtja <gl, gn, sc>; spanjishtja <cc, ch, ll, qu, rr>; hungarishtja <cs, cz, ly, ty>; madje edhe vjetnamishtja kadyshkronjësha (dhe një trishkronjësh!) <ch, gh, gi, kh, ng, ngh, nh, ph, qu, th, tr> etj. etj.
E merrni me mend se si do të ishin alfabetet e këtyre gjuhëve, nëse do të përfshinin në to gjithë dyshkronjëshat, trishkronjëshat apo edhe katërshkronjëshat!
Kjo pamje duhet të na vërë në mendime për të rishikuar statusin e dyshkronjëshave në alfabetin shqip. A justifikohet sot prania e tyre në alfabet? Në 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit ne botuam një artikull në shtypin qendror ku argumentonim domosdoshmërinë e heqjes së dyshkronjëshave nga alfabeti shqip dhe theksonim se ka ardhur koha që ata të hiqen përfundimisht. Kanë kaluar 14 vjet qysh nga botimi i atij artikulli dhe ne vazhdojmë të besojmë edhe më shumë se më parë në domosdoshmërinë e këtij akti të domosdoshëm qytetërues. Sot, pas 114 vjetësh nga Kongresi i Manastirit, kur shoqëria shqiptare është më e kulturuar, më e emancipuar, jo vetëm ka ardhur, por nuk ka arsye të shëndoshë për të nguruar në marrjen e një vendimi të tillë historik. Duhet bërë në respekt të rilindësve, në respekt të vetë Kongresit të Manastirit, që vendosi për një alfabet evropian. Duhet bërë në respekt të atij brezi përdoruesish të paskongresit që nuk e lanë shoqërinë shqiptare në dualitetin e digrafisë, por zgjodhën pa mëdyshje versionin alfabetik të Shoqërisë «Bashkimi». Shoqëria e sotme, me institucione kulturore e arsimore të pakrahasueshme me ato të para 100 e ca viteve, ka për detyrë që ta përsosë këtë zgjedhje, që kryen njerëzit më të edukuar të kombit shqiptar. Shoqëria e sotme ka për detyrë të tregojë pjekuri për të vendosur në të mirë të prezantimit të vet kulturor përpara Evropës, përpara botës. Shoqëria e sotme nuk ka përse të vuajë as nga komplekset e regjionalizmit, as nga supersticionet e konservimit të një semiologjie tradicionale që kërkon dhe duhet të ndryshojë.
Koha kur Shqipëria po përgatitet të hyjë në Bashkimin Evropian është më e përshtatshmja që ajo të mendojë të hyjë atje me një «mantel» të ri grafematik, të hyjë me një alfabet modern, me një alfabet pa dyshkronjësha. Sepse dyshkronjëshat nuk janë përfaqësimi dinjitoz i sistemit grafematik të vërtetë të shqipes. Shqipëria duhet të futet në Evropë me një alfabet evropian. Gjuhët e Evropës nuk i kanë përfshirë dyshkronjëshat në alfabetet e tyre. Edhe gjuha shqipe nuk duhet t’i ketë dyshkronjëshat në alfabetin e saj.
Po ç’do të bëjmë pa dyshkronjëshat? Me ato ne jemi mësuar, do të thonë disa. Si do të bëjmë pa ta?
Përgjigjja është: Pavarësisht se nuk do të jenë të përfaqësuar në alfabet, dyshkronjëshat do të mbeten në gjuhë, do të vazhdojnë të përdoren njësoj si më parë. Asnjë fije e sistemit shkrimor të shqipes nuk preket. Përjashtimi i dyshkronjëshave nga alfabeti nuk do ta ndikojë aspak sistemin shkrimor. Shqipfolësit do të vazhdojnë të shkruajnë në të njëjtën mënyrë si para ashtu edhe pas heqjes së dyshkronjave nga alfabeti. Dhe këtu qëndron drejtësia e propozimit dhe e qëndrimit tonë: Nëse diçka do të ndryshonte në shprehitë e shkrimit të shqipes, atëherë po, do të bëhej fjalë për cenimin e një mjeti komunikimi midis përdoruesve të gjuhës. Por nga kjo nuk ndikohet aspak mënyra e të shkruarit të gjuhës shqipe. Ky është një argument tjetër, që e përforcon idenë tonë se dyshkronjëshat janë të tepërt dhe nuk e kanë vendin në alfabet.
Arsyet teorike dhe praktike mbështeten në faktin se alfabeti përmbledh tërësinë e grafemave (shkronjave) të një gjuhe. Një shkronjë përfaqësohet vetëm një herë në alfabet. Çdo dyshkronjësh, sikundër e tregon edhe emërtimi i tij, është kombinim i dy shkronjave. Dyshkronjëshat <GJ, NJ, LL, RR, TH, DH, SH, XH, ZH> janë të analizueshëm në shkronja / grafema më të vogla prej të cilave përbëhen: <G, N, L, R, T, D, S, X, Z, J, H>. Por këto shkronja janë tashmë në listën e alfabetit, prandaj rishfaqja e tyre bie ndesh me konceptin e sistemit, në të cilin elementet përbërëse përfaqësohen vetëm një herë. Nëse dyshkronjëshat do të përmbanin qoftë edhe një shkronjë të vetme që nuk do të ekzistonte në alfabet, atëherë diskutimi do të shtrohej ndryshe.
Përveç kësaj, vërehet se edhe paraqitja grafike e dyshkronjëshave është e tillë, që duket qartë se ka dy elemente qartësisht të dallueshme e të pranëvendosura. Nuk ka asnjë shenjë grafike lidhëse, asnjë ligaturë, që t’i sjellë më afër njëra-tjetrës në një shkronjë të vetme.
Edhe analiza e vetvetishme e përdoruesve i intepreton dyshkronjëshat si dy shkronja të veçanta e qartësisht të dallueshme. Nëse fjala e parë e fjalisë fillon me dyshkronjësh, atëherë vetëm shkronja e parë e dyshkronjëshit shkruhet e madhe. Nëse vërtet do të interpretohej si një shkronjë e vetme atëherë duhej të shkruheshin me shkronjë të madhe të dyjashkronjat e dyshkronjëshit. Domethënë shkruhet:
‘Shoku shkoi në shtëpi’
dhe jo
*‘SHoku shkoi në shtëpi’.
Një pjesë, madje, këtë mënyrë të shkruari e përdorin (duke propozuar një përdorim jonormativ) edhe nëpër shkurtesa, në kundërshtim me normën: *ShBA, *KLSh, *PSSh, *PDSh etj.
Dyshkronjëshat nuk e kanë vendin në alfabet. Ky nuk është propozim, por konstatim. Duke pohuar këtë, ne nuk kemi bërë aspak një propozim, por kemi arritur në këtë përfundim pas një analize grafematike. Dyshkronjëshat objektivisht nuk e kanë vendin në alfabet.
Nga përjashtimi i dyshkronjëshave nuk ndryshojnë as dija jonë mbi shkrimin e leximin, as shprehitë tona të të shkruarit. Ne do të vazhdojmë të shkruajmë si më parë: <GJ, NJ, LL, RR, TH, DH, SH, XH, ZH>. Thjesht nuk do të themi se <GJ, NJ, LL, RR, TH, DH, SH, XH, ZH> janë shkronja të veçanta. Do të themi se tingulli /gj/ paraqitet në të shkruar nga kombinimi i shkronjave <G> dhe <J>, tingulli /nj/ paraqitet në të shkruar nga kombinimi i shkronjave <N> dhe <J>, tingulli /th/ nga kombinimi i shkronjave <T> dhe <H>, tingulli /dh/ nga kombinimi i shkronjave <D> dhe <H>, tingulli /sh/ nga kombinimi i shkronjave <S> dhe <H>, tingulli /xh/ nga kombinimi i shkronjave <X> dhe <H>, ndërsa tingulli /zh/ nga kombinimi i shkronjave <Z> dhe <H>; tingulli /ll/ paraqitet në të shkruar nga dyfishimi i shkronjës <L>, ndërsa tingulli /rr/ nga dyfishimi i shkronjës <R>.
Duke bërë këtë, do të kuptohen edhe më mirë marrëdhëniet e vërteta brenda sistemit grafematik të shqipes. Do të kuptohet se grafemat e ndryshme ndikohen nga bashkëpërdorimi me njëra tjetrën. Kështu përveç funksionit të tyre kryesor, si shënuese e një tingulli / foneme, një grafemë si <J> ose <H> luan rolin e një shenje diakritike për të shënuar së bashku me një grafemë kryesore (së bashku me <G, N, T, D, S, X, Z>) një tingull / fonemë tjetër (<GJ, NJ, TH, DH, SH, XH, ZH>). Po ashtu, dyfishimi i një grafeme është një mënyrë tjetër për të shënuar një tingull / fonemë (<LL>, <RR>) fonetikisht të ngjashme me tingullin / fonemën e shënuar vetëm me një grafemë.
Nga ana tjetër, do të kuptohen më mirë marrëdhëniet midis sistemit fonetik dhe atij grafematik, marrëdhëniet midis tingujve dhe shkronjave. Një traditë e konsoliduar shkrimore tejshekullore, siç po është përvijuar tashmë në shqipe, e thekson edhe më shumë pavarësinë relative të sistemit shkrimor. Marrëdhënia e tij me sistemin tingullor të shqipes nuk është e thjeshtëzuar në përkatësinë fonemë : grafemë. Kjo marrëdhënie është më komplekse dhe karakterizohet nga polivalenca grafematike dhe polivalenca fonematike, domethënë, një shkronjë mund të ketë disa funksione, mund të jetë shprehëse e më shumë se një tingulli, sikundër një fonemë mund të shprehet me disa grafema. Janë këto vetëm disa përfundime paraprake, në të cilat ndihmon të arrijmë konceptimi i ri dhe modern i alfabetit shqip, pa dyshkronjëshat.
Në funksionin e numërimit me alfabetin latin, do të veprohet më natyrshëm, ashtu siç bëhet në praktikën botërore, duke përjashtuar dyshkronjëshat dhe duke përdorur vetëm shkronjat e alfabetit modern shqip.
A do të ketë ndonjë vështirësi në praktikën e të shkruarit të shqipes pas heqjes së dyshkronjëshave nga alfabeti?
Asnjë vështirësi nuk do të ketë, sepse praktikisht asgjë nuk do të ndryshojë, përveç tabelës së alfabetit, e cila do të përfaqësohet vetëm me grafemat e thjeshta dhe jo me kombinimet e tyre. Shqiptarët do të vazhdojnë të shkruajnë njësoj si më parë, me të njëjtat rregulla drejtshkrimore në fuqi. Librat e botuar do të lexohen njësoj si më parë dhe nuk do të jetë nevoja e ribotimit të tyre. Nëse ribotohen, nuk do të ndryshojnë nga botimet e mëparshme. Dhe këtë tekst që po lexoni do ta shkruajmë, nëse do tashkruanim përsëri, do të përdornim të njëjtat shkronja, me pikë e me presje, sikundër këtu.
Sigurisht, ka edhe diçka që do të ndryshojë pas kësaj. Do të jenë fjalorët e shqipes dhe fjalorët shqip-gjuhë e huaj, që do të kenë pamje moderne, sepse nuk do të kenë më zëra që të fillojnë me dyshkronjësha. Zërat e deritanishëm nën dyshkronjëshat do të inkuadrohen tek shkronja e parë e dyshkronjëshit. Kështu, për shembull, ata zëra që sot konsiderohet se fillojnë me <TH>, do të kalojnë tek shkronja <T>, ata që sot konsiderohet se fillojnë me <DH>, do të kalojnë tek shkronja <D> e kështu me radhë. Fjalorët e botuar deri tani do të jenë lehtësisht të përdorshëm, por do të kenë njëkohësisht një nëntekst ndërkohësie (diakroniciteti), përderisa do të kujtojnë një epokë të kaluar të shqipes kur dyshkronjëshat llogariteshin si shkronja të veçanta.
Ne i mirëkuptojmë të gjithë ata që kundërshtojnë heqjen e dyshkronjëshave nga alfabeti dhe e dimë se kanë një obsesion kundër argumenteve të një alfabeti me grafema të thjeshta. Por ky obsesion është i pamotivueshëm. Atyre u duket sikur u preket ndonjë simbol dhe i japin alfabetit një atribut shenjtërie e misticizmi, gjëra që nuk kanë asnjë kuptim.
Alfabeti shqip nuk ka nevojë për asnjë shenjtëri; nuk ka nevojë për asnjë mistifikim. Ai është një përshtatje e alfabetit latin për shkrimin e shqipes.
Alfabeti, po ashtu, nuk është shenjë identiteti kombëtar. Shenjë e identitetit kombëtar është gjuha shqipe e shprehur nëpërmjet shkrimit, por jo alfabeti.
Alfabeti është në të vërtetë shenjë e identitetit kulturor. Kur vendosën për përdorimin e shkronjave latine, shqiptarët morën jo vetëm një vendim kulturor, por edhe një vendim politik; një vendim, i cili konfirmonte orientimin perëndimor evropian të Shqipërisë në prag të pavarësisë së vet si shtet kombëtar. Një vendim që e afronte më shumë me Evropën.
Edhe sot, nëse ka reagime negative kundër heqjes së dyshkronjëshave, ato përmbajnë në fakt një nënshtresë politike kulturore dhe jo gjuhësore. Disa mendojnë se preket vendimi historik i Kongresit të Manastirit. Mirëpo, këto janë paragjykime që nuk kanë asnjë bazë. E kundërta vlen: alfabeti si simbol nderohet dhe vlerësohet më shumë nëse paraqitet me fytyrën e vet të vërtetë grafematike. Heqja e dyshkronjëshave duhet kryer edhe si një detyrim moral ndaj Kongresit të Manastirit, një detyrim moral ndaj atyre që arritën të merreshin vesh për të hapur një faqe të re në histori.
Nëse pranojmë se shoqëria shqiptare ka arritur një nivel kulturor që e vendos ndër kombet e përparuara të Evropës, «përjashtimi» i dyshkronjëshave jo vetëm që duhet pranuar, por duhet konsideruar si një domosdoshmëri e dobishme. Popujt e Evropës që përdorin shkrimin latin nuk kanë në alfabetet e tyre shkronja dyshe, nuk kanë dyshkronjësha. Një rast të veçantë përbëjnë vetëm serbët dhe kroatët, ndër të cilët ekziston dukuria e digrafisë (përdorimi i dy alfabeteve të ndryshme).
Një shembull identik me atë të shqipes na jep historia e drejtshkrimit të spanjishtes. Spanjollët kanë pasur deri vonë në alfabetin e tyre tre dyshkronjësha: <RR>, <LL> dhe <CH>. Mirëpo, më 4 nëntor 2010 Akademia Mbretërore e Spanjës vendosi heqjen përfundimtare të dyshkronjëshave nga alfabeti spanjoll. Ky vendim u zbatua jo vetëm në Spanjë, por në të gjitha shtetet hispanofone të Amerikës Latine dhe kudo në botë. Duke vepruar kështu, Akademia Mbretërore e Spanjës rregulloi një «defekt» të alfabetit spanjoll duke lënë në të vetëm grafemat e thjeshta.
Në fakt, dyshkronjësha mund të gjenden edhe në alfabetet e disa gjuhëve të tjera të botës jashtë Evropës. Në përgjithësi, prania e dyshkronjëshave nëpër alfabete është shenjë e një tradite munguese ose e një tradite të re grafematike. Përkundrazi, mosprania e dyshkronjëshave, përjashtimi i tyre nga alfabeti është shenjë e një tradite të konsoliduar dhe e një normaliteti grafematik.
Ato shoqëri që kanë pranuar dyshkronjësha në alfabetin e gjuhëve të tyre e bëjnë për arsye praktike, sepse ekziston një paragjykim i pajustifikuar shkencërisht se, në qoftë se në alfabet përfaqësohen të gjithë tingujt e gjuhës, është më i lehtë për nxënësit mësimi i shkrimit dhe leximit. Mirëpo ky është thjesht një iluzion dhe pretendim i pambështetur.
Por cilat janë ato gjuhë që në alfabetet e tyre përdorin dyshkronjësha?
Këto gjuhë gjenden pak larg nga rrezja e përfshirjes kulturore të shqipes. Gjuha jingpo, për shembull, numëron në alfabetin e saj 46 grafema, prej të cilave 19 dyshkronjësha dhe trishkronjësha: <hp, ht, ts, zh, chy, ch, sh, hk, ng, br, pr, hpr, gr, kr, hkr, by, py, hpy, my, gy, ky, hky, ny>; kiswahili numëron në alfabetin e saj 8 dyshkronjësha: <ch, ng, sh, dh, gh, th, nj, ny>; sekti manichean përdor një alfabet prej 23 shkronjash, ndër të cilat njëra është dyshkronjësh (<wj>); disa gjuhë të Guinesë (Senegal, Gambia, Mauritani, Guinea-Bissau, Sierra Leone, Liberia, Mali, Burkina Faso, Niger, Çad, Republika e Afrikës Qendrore, Nigeri) kanë në përbërjen e alfabeteve të tyre dyshkronjësha si: <aa, ii, bv, cr, mb, nd, ee, oo, ng, nj, ny, uu>; në alfabetin e përgjithshëm të gjuhëve të Kamerunit janë përfshirë dyshkronjëshat <bv, cr, dv, gv, hv, jr, lr, nr, sl, tf, vb, xf, zl, zr, ŋg, ŋk, ŋm>; në alfabetin popullor të latinizuar të gjuhës hmong përmbahen dyshkronjëshat <dl, hl, hm, hn, ml, nc, np, nq, nr, pl, qh, xy, >; alfabeti rom dhe alfabeti çeçen përmbajnë dyshkronjëshin <čh>; alfabeti seri përmban dyshkronjëshat <jö, xö>; alfabeti uzbek dhe ai filipinez përmbajnë dyshkronjëshin <ng> etj. etj.
Përfundimi?
Tani, pyetja shtrohet: Gjuha shqipe do të klasifikohet grafematikisht dhe kulturalisht me gjuhët në dukje ekzotike të Azisë dhe Afrikës apo me gjuhët e Evropës?
Do të vazhdojë të interpretojë dyshkronjëshat si një shkronjë të vetme, apo do t’i heqë nga alfabeti duke i ruajtur në sistemin shkrimor dhe duke i përdorur normalisht ashtu si deri më sot?
Ja, këto kërkon autori i këtyre radhëve për alfabetin e gjuhës shqipe dhe është i sigurt se, po të veprohet kështu, prestigji i alfabetit dhe i kulturës shqiptare do të ngrihet në mënyrë të padiskutueshme.
Le ta bëjmë alfabetin e shqipes evropian! Le të shkojmë në Evropë pa dyshkronjëshat!
© Aristotel Spiro
© Gazeta "Dita", 7 shtator 2022
© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi vetëm në shtypin elektronik me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus" ose prej Gazetës "Dita" (https://gazetadita.al/si-te-hyjme-ne-evrope-me-nje-alfabet-modern/)