Sunday, August 20, 2023

NJË SKENAR I RI PËR ORIGJINËN E GJUHËVE INDOEVROPIANE



Një studim i madh gjuhësor përpiqet të pajtojë dy teoritë mbizotëruese rreth gjuhës së hershme amë 


nga 
Vangjelis Pratikaqis


Nga greqishtja dhe latinishtja në anglishten dhe spanjishten, pothuajse gjysma e njerëzve të botës flasin gjuhët e të ashtuquajturës familje indoevropiane, e cila vlerësohet të jetë shfaqur diku në Euroazi gjatë epokës neolitike dhe gradualisht lindi variante që u përhapën përmes mërgimeve masive.
Kjo është të paktën tabloja e përgjithshme, pasi detajet e çështjes janë objekt debatesh këtu e shumë dekada.
Një studim i madh gjuhësor i botuar në revistën "Science" tani rreket të pajtojë dy teoritë mbizotëruese rreth origjinës së gjuhëve indoevropiane.
Njëra teori thotë se gjuha e lashtë amë u shfaq rreth 9000 vjet më parë në shoqëritë bujqësore të Gjysmëhënës Pjellore, përgjatë lumenjve Tigër dhe Eufrat, dhe u përhap përmes eksodeve mërguese.
Sipas teorisë rivale, gjuha amë u shfaq në veri të Kaukazit shumë më vonë, rreth 5000 vjet më parë, dhe u përhap nga endacakët që zotëronin kuaj dhe karroca.
Në studimin e ri, dhjetëra gjuhëtarë bashkëpunuan për të krijuar një listë të fjalëve me rrënjë të zakonshme indoevropiane, duke mbuluar 100 gjuhë moderne dhe 50 që nuk fliten më, si greqishtja e vjetër.
Baza e të dhënave i ka lejuar studiuesit të gjurmonin nëndegët evolutive të familjes së gjuhëve indoevropiane.
Pamja që rezulton është një model hibrid, i cili kombinon elemente të të dyja teorive: gjuha amë lindi në shoqëritë bujqësore në Gjysmëhënën Pjellore para 8300 vjetësh dhe u birësua nga endacakët që e përhapën atë në rajone të tjera.
Analiza u bazua në një grup të dhënash mbresëlënëse, por nuk e zgjidh përfundimisht polemikën, pjesërisht meqenëse disa nëndegë duket se nuk pajtohen me gjetjet e mëparshme arkeologjike dhe gjenetike.
Sidoqoftë, studimi konfirmon të paktën se të dyja teoritë mbizotëruese përputhen në disa të dhëna. 
Është edhe ky një hap përpara.

Burimi: 

Përktheu: Aristotel Spiro 

Tuesday, August 15, 2023

ΚΑΛΗ ΠΑΝΑΓΙΑ!

 


του 

Αριστοτέλη Σπύρου 

Καλή Παναγιά, λοιπόν! Μια ευχή που κατέκτησε τις γλωσσοεπικοινωνιακές συνήθειες των Ελλήνων σε μορφή χιονοστιβάδας. Την χρησιμοποιούν αβίαστα σχεδόν όλοι σ' αυτή την άγια ημέρα της Χριστιανοσύνης.  Όλοι; Σχεδόν, πλην μερικών υπερπροσεκτικών ανθρώπων, που βλέπουν στην ευχετήρια αυτή φράση έναν παραλογισμό. Δηλαδή, αν υπάρχει "Καλή Παναγιά", πρέπει να υπάρχει δυνητικά και μια "Κακή"  Παναγιά!!! 

Και η φράση αυτή προκύπτει επικριτέα, ως εκ τούτου σχεδόν βλάσφημη, άρα μη προτεινόμενη. 

Κι όταν την επικρίνουν μέχρι και θεολόγοι, το θέμα καθίσταται σοβαρό. 

Ποια είναι όμως η αλήθεια; 

Είναι πράγματι παράλογη η φράση αυτή; Είναι δηλαδή μια από εκείνες τις περιπτώσεις που η λογική πρόταση δεν συμφωνεί με την γραμματική πρόταση;  

Ούτε το ένα είναι, ούτε το άλλο. 

Είναι μια κανονική ευχή και μάλιστα πολύ λογική. Επειδή όταν οι άνθρωποι εύχονται "Καλή Παναγιά" δεν επιβεβαιώνουν την ποιότητα της Παναγίας, αλλά εύχονται τη γιορτή της Παναγίας. Κι επειδή ο ανθρώπινος λόγος είναι γεμάτος με σχήματα λόγου, χρησιμοποιούν κι εδώ ένα σχήμα λόγου, που ονομάζεται συνεκδοχή, δηλαδή αντί να λένε "η γιορτή της Παναγίας" λένε συνεκδοχικά "Παναγία" εννοώντας την ημέρα της γιορτής. 

Ας μην βιαζόμαστε, λοιπόν,  κι ας μην επιδιδόμαστε σε κυνήγια λαθών, επειδή στην προσπάθεια μας να σημαδέψουμε τις λανθασμένες χρήσεις, θα επιχειρήσουμε μάταια να σκοτώσουμε φράσεις που το γλωσσικό αισθητήριο τις αποδέχεται ως κανονικές.  

Monday, January 9, 2023

UNIVERSITETI NË KËRKIM TË DREJTSHKRIMIT



nga

Apóstolos Lakasás

Studentët e universitetit, madje edhe ata të filologjikut, e paskan të vështirë ta shkruajnë një tekst pa bërë gabime. Cilat janë shkaqet, sipas pedagogëve?


Të humbur në një pyll fjalësh, shenjash pikësimi dhe keqinterpretimesh me plot gabime drejtshkrimore qenkan jo vetëm nxënësit, por edhe studentët. Nxënësit e paskan të vështirë t’i përdorin saktë mbiemrat dhe ndajfoljet, mbaresat e foljeve, kohët, theksat, shenjat e pikësimit. Një faktor rëndues për studentët është përdorimi i tepruar i teknologjisë së re. Mësues, pedagogë dhe mësimdhënës universitarë flasin në gazetën “Kathimerini” për... ngjarje të skajshme, duke theksuar nevojën për veprime korrigjuese, pasi drejtshkrim nuk do të thotë vetëm të shkruash saktë fjalët, por edhe të kapësh kuptimin e tyre. Instituti i Politikave Arsimore e ka diagnostikuar problemin dhe po përgatit ndërhyrje në vitin 2023.

Vasilis Gúnaris, profesor në Fakultetin Filozofik të Universitetit Aristoteli të Selanikut, u diktoi studentëve të tij një tekst që përmban fjalën [ektimáte] («εκτιμάται» dhe «εκτιμάτε» lexohen njësoj), por pa specifikuar kryefjalën. Si duhet ta shkruajnë studentët fjalën? Kryefjala përcakton edhe drejtshkrimin e mbaresës së foljes: «Γενικά εκτιμάται» 
 (‘përgjithësisht vlerësohet’) me foljen [ektimáte] në formën pësore, mënyra dëftore, koha e tashme, veta III njëjës ose «εσείς εκτιμάτε» (‘ju vlerësoni’) me foljen [ektimate] në formën veprore, mënyra dëftore, koha e tashme, veta II shumës. Nga vazhdimi i diktimit të zotit Gúnaris kuptohej kryefjala dhe së këndejmi edhe drejtshkrimi i foljes. Por sa keq: një ndër katër studentë e paskëshin shkruar gabim fjalën. «Tashmë është e pamundur të gjesh një tekst të plotë me drejtshkrim të saktë në detyrat e studentëve», vëren zoti Gúnaris për gazetën «Kathimerini».

Ndoshta do të hamendësohej se kjo dukuri është e mprehtë në fakultetet e ​​shkencave. Megjithatë, ajo është rritur dukshëm edhe në fakultetet​​ filozofike dhe në departamentet e filologjisë, studentët e të cilave konsiderohet se e dinë gjuhën greke. Për shembull, profesoresha e Fakultetit Filozofik të Kretës Angjela Kastrinaqi hartoi për studentët e saj një listë me gabime që duhet t’i shmangin, ndërsa fakulteti ka një qendër shkrimi që merret edhe me këtë çështje. Përkatësisht, Eleni Karamolengu nga Fakulteti Filozofik i Universitetit të Athinës u flet studentëve për gabimet e rëndomta në krye të çdo semestri. Problemi nis në arsimin fillor, ku rëndësia e mësimit të drejtshkrimit dhe mënyra e kontrollit të tij ka ndryshuar. Siç vërejnë akademikët, në epokën e përdorimit të tepruar të celularëve dhe tableteve, ka rëndësi që t’i mbërrijë tjetrit mesazhi që duam të përcjellim.

«Kujdes, se pa njohur drejtshkrimin, mesazhi përcillet dhe kuptohet gabim», thonë mësuesit e shkollave fillore, të cilët kanë folur për gazetën «Kathimerini», duke sugjeruar forcimin e peshës specifike të mësimit të drejtshkrimit me metoda të reja dhe, në të njëjtën kohë, familjarizimin e fëmijëve me ligjërimin e shkruar. Siç tha për gazetën «Kathimerini» presidenti i Institutit të Politikave Arsimore (IPA) Janis Antoniu, «tash dy dekada në lëndën e gjuhës vërehet një kthesë drejt mësimit të tekstit dhe gramatika orientohet përkah qasja e tekstit. Tashmë në programet e reja të studimit që do të zbatohen nga shtatori i ardhshëm, pa e ndryshuar qasjen tekstocentriste të mësimit të gjuhës, ne kujdesemi që ta gërshetojmë atë me mësimin sistematik të gramatikës dhe sintaksës».

«Njohja e drejtshkrimit është një aftësi që zhvillohet gjatë fazave të ndryshme të arsimit fillor. Mësimi i tij në shkollë gjithashtu ka rëndësi, por është po aq e rëndësishme nëse fëmijët lexojnë libra, gazeta dhe kanë përfytyrime të teksteve të drejtshkruara. Dhe kjo sepse në moshat e reja mësimi bëhet në mënyrë fotografike», vëren për gazetën «Kathimerini» Lambros Januhos, mësues me përvojë 35-vjeçare në arsimin fillor. «Brezat e mëparshëm të nxënësve e mësonin drejtshkrimin edhe përmes të mësuarit përmendësh. Mësimi ka qenë diskret dhe kontrolli kryhej nëpërmjet kopjimit të teksteve nga ana e nxënësve. Tani, pavarësisht se lënda e gjuhës ka më shumë orë në javë, neve na intereson përpunimi i gjuhës dhe kultivimi i të menduarit kritik. Deri në klasën e katërt mësuesi është i lirë që ta shpjegojë drejtshkrimin ashtu si mendon ai», shton Aleksandër Qiparisis, mësues po ashtu me përvojë shumëvjeçare në arsimin fillor.

«Sot nxënësve nuk u jepet mundësia të shprehen me shkrim, fëmijët nuk e zhvillojnë ligjërimin e shkruar, që është shprehje e ligjërimit të folur. Përfundimi është se nuk i jepet asnjë bazë as drejtshkrimit. Në të njëjtën kohë, fëmijët kalojnë shumë orë në kompjuter dhe përdorin korrigjuesit automatikë të fjalëve. Në këtë mënyrë ata nuk fokusohen në drejtshkrimin e fjalëve dhe përdorimi i greeklish-it në rrjetet sociale i ngatërron edhe më shumë. Problemi është intensifikuar vitet e fundit», thotë Hara Buta, drejtoreshë e një shkolle fillore në Agjia Parashqevi të Atikës.

«Pyetja klasike e nxënësve tanë në çdo provim është nëse gabimet drejtshkrimore llogariten në vlerësimin me shkrim. Dhe kjo tregon ankthin e nxënësve që vijnë në arsimin e mesëm», vëren Lambrini Kufaqi, mësuese e letërsisë në gjimnaz. «Fëmijët nuk arrijnë të thellohen, nuk u intereson të thellohen. Fëmijët mësojnë edhe vizualisht. Për drejtshkrimin, ka rëndësi që të zhvillohet aftësia e vëzhgimit, e gërshetuar me njohjen e rregullave. Por kjo në shkollë bëhet në mënyrë të mangët, sepse fëmijët nuk mund të thellohen tek lënda», shton ajo.

«Për drejtshkrimin e mirë është e nevojshme edhe lënda e greqishtes së lashtë, ndërsa ndërfutja e fjalëve nga katharevusa në fjalorin tonë po e ngatërron punën. Për shembull, sot përdoruesit priren të ndryshojnë emrat me origjinë nga lakimi i tretë i lashtë. Për shembull fjala «διαφανής» [ðjafanís] ‘e tejdukshme’ ka përfunduar në «διάφανη» [ðjáfani], ndërsa «διαφανές» [ðjafanés] ‘i tejdukshëm’ (në gjininë asnjanëse) ka përfunduar në «διάφανο» [ðjáfano], vëren zonja Kastrinaqi.

«Puna kryesore kryhet në arsimin fillor dhe të mesëm. Çka kërkohet është që arsimi t’u zhvillojë fëmijëve ndjenjën drejtshkrimore në epokën moderne. Universiteti nuk mund t’i zëvendësojë dy nivelet e para», shprehet për gazetën profesori i filozofisë i Universitetit të Athinës, Vangjelis Karamanolaqis, duke theksuar se «është e qartë që fëmijët ndikohen nga përdorimi i internetit, ndërkohë që krijojnë edhe fjalë të reja. Do të më interesonte një sistem arsimor i fokusuar tek kuptimi».

«Ne kemi trupëzuar fjalë të reja nga kompjuterat, siç ka ndodhur në të kaluarën, p.sh., me fjalët nga kuzhina turke», thotë zoti Gúnaris. Siç thekson ai: «Ne duhet të vendosim nëse e konsiderojmë drejtshkrimin të rëndësishëm për arsimin ciklik. Kam përshtypjen se çështja e vlerësimit fajësues të nxënësve dhe në përgjithësi e shkrehjes së përgjithshme të shkollës ka lënë pasojat e veta. Është hipokrizi të kërkojmë mësimin e lëndës së greqishtes së lashtë në gjimnaz në një kohë kur nxënësit e shkollave fillore bëjnë gabime trashanike drejtshkrimore. Të shkruarit me gabime drejtshkrimore është problemi më i dukshëm, por kjo shoqërohet me një marrëdhënie të keqe me gjuhën. Dhe kjo është e lidhur edhe me kuptimin e teksteve. Ka për të ardhur shumë shpejt koha kur nuk do të lexojmë dot një tekst të viteve 1950!».


Kur shkollat e larta përballen me boshllëqet e gjimnazit

Kur të përdorni «πολύ» [polí] ‘shumë’ dhe kur të përdorni «πολλή» [polí] ‘shumë’ (në bashkëvajtje me emra femërorë)? Si i përdorim shenjat e pikësimit, si i përdorim mbiemrat me prejardhje nga lakimi i tretë i greqishtes së lashtë, si përdorim zyrtarisht «αρκετά» [arcetá] ‘mjaft’, kur folja «βάλλω» [válo] ka nevojë për një l (λ) dhe kur dy l (λλ)? Janë disa nga gabimet më të zakonshme që vërehen në testet e studentëve, madje edhe në degën e gjuhë - letërsisë. Për ta ilustruar, Angjela Kastrinaqi ka hartuar një listë për studentët e saj «me dhjetë gabimet më të shpeshta që duhen shmangur tani e tutje», siç thotë ajo. Në fakt, me kalimin e viteve dekalogu, për fat të keq, bëhet më i pasur! Ja disa nga udhëzimet e zonjës Kastrinaqi për studentët e saj:

Πολύ [polí] ‘shumë’ apo πολλή [polí] ‘shumë’
Kur shkruani πολύ [polí] ‘shumë’, është ndajfolje. Për shembull,

«πολύ καλή εντύπωση» [polí kalí endíposi] ‘përshtypje shumë e mirë’.

Kur shkruani πολλή [polí] ‘shumë’, atëherë është mbiemër: «πολλή ζάχαρη / αυτοπεποίθηση / ησυχία» [polí záxari/ aftopepíθisi / isiçía] ‘shumë sheqer / vetëbesim / qetësi’.

Ότι [óti] ‘se’ apo ό,τι [óti] ‘çka’
Mos harroni se ό,τι [óti] ‘çka’ është e barabartë me «οτιδήποτε» [otiðípote] ‘çfarëdo’, ndërsa ότι [óti] ‘se’ është lidhëz (që). Krahasoni dy shembuj:

«μου είπαν ότι με αγαπάς» [mu ípan óti me aγapás] ‘më thanë se më dashuron’

dhe

«αγόρασε ό,τι θέλεις» [aγórase óti θélis] ‘bli çka do’.

Προβάλλω [proválo] ‘nxjerr në pah’ apo προβάλω [proválo] ‘nxjerr në pah’ (në një çast të caktuar)
Προβάλλω [proválo], πρόβαλλα [próvala] dhe πρόβαλα [próvala], να προβάλλω [na proválo] dhe να προβάλω [na proválo]: trajta që duket se na krijon vështirësi është kryesisht e treta, sepse shpesh nuk është e lehtë të dallojmë nëse është e tashme e lidhores apo e kryer e thjeshtë e lidhores. Për të kuptuar kohën e saktë dhe për të përdorur drejtshkrimin e saktë, sugjeroj që në vend të kësaj foljeje të vendosni një folje tjetër. Për shembull:

Επιθυμώ να προβάλλω τον εαυτό μου ‘Dëshiroj të nxjerr në pah veten’

dhe

Επιθυμώ να τον αναδεικνύω διαρκώς ‘Dëshiroj që ta demonstroj vazhdimisht veten’.

Γραφόταν [γrafótan] ‘shkruhej’apo γράφονταν [γráfondan] ‘shkruheshin’
Kur përdoret mbaresa foljore –όταν [ótan]dhe kur –όνταν [ondan]? Për ta gjetur më lehtë mbani mend sa vijon: «ο ποταμός χυνόταν» [o potamós çinótan] ‘lumi derdhej’ (njëjës) dhe «τα νερά χύνονταν [ta nerá çínondan] (πληθυντικός)» ‘ujërat derdheshin’ (shumës).

Μεσ’ [mes] apo μες [mes] ‘brenda’
Μεσ’ [mes] apo μες [mes] ‘brenda’: fjala μέσα [mésa] shkruhet pa apostrof me –ς [s] fundore kur pasohet nga një fjalë që fillon më bashkëtingëllore. Për shembull, themi

«μες στα μάτια» [mes sta mátja] ‘brenda në sy’.

Por, kur ndiqet nga një fjalë që fillon më zanore, atëherë μέσ’ [mes] shkruhet me apostrof.

«Kurthi» i reve
Vini re theksin në rasën gjinore. Për shembull, a është e saktë «συννέφων» [sinéfon] apo «σύννεφων» [sínefon]? Në rastin e parë ndjekim lakimin e gramatikës së greqishtes së vjetër, që është më librore, ndërsa kur theksi bie në rrokjen tejfundore forma gjinore është më popullore (e gjuhës demotike). Një shembull tjetër: η πεταλούδα [i petalúða] των πεταλουδών [ton petaluðón] ‘i/e/të/së fluturave’: ku ndjekim rregullat e theksimit të emrave grekë të lakimit të parë, ku theksi bie në rrokjen fundore. Shembulli i tretë: fraza «του δεύτερου παγκόσμιου πολέμου» [tu ðéfteru pangózmju polému] "i/e/të/së luftës së dytë botërore": tek mbiemri theksi nuk lëviz, ndërsa tek emri lëviz nga rrokja tejfundore në atë parafundore.

Rasa «fisnike»
Vini re mbiemrat trigjinorë me dy mbaresa me theks fundor më -ής [is], -ές [es]. Këta mbiemra kanë të njëjtat trajta për gjininë mashkullore dhe femërore. Për shembull:

«ο ευγενής» [o evjenís] ‘fisniku’,

«του ευγενούς» [tu evjenús] ‘i/e/të/së fisnikut’,

«τον ευγενή» [ton evjení] ‘fisnikun’

dhe

«η ευγενής» [i evjenís] ‘fisnikja’ (jo *«η ευγενή» [i evjení],

«της ευγενούς» [tis evjenús] ‘i/e/të/së fisnikes’ (jo *«της ευγενής» [tis evjenís],

«την ευγενή» [tin evjení] ‘fisniken’.

* Por ευγενής [evjenís] ‘fisnik’, sikurse dhe συγγενής [siøïenís] ‘i afërm’, kur përdoret si emra të gjinisë mashkullore, e formojnë rasën gjinore kështu:

του συγγενή [tu siøïení] ‘i/e/të/së të afërmit’,

του ευγενή [tu evjení] ‘i/e/të/së fisnikut’.


Tradita e gabimeve
Nga ana e saj, profesoresha e Fakultetit Filozofik të Athinës, Eleni Karamolengu, e ka bërë traditë që në çdo fillim semestri u përmend studentëve gabimet që zakonisht bëjnë studentët më të vjetër. Duke folur për gazetën «Kathimerini» për këtë çështje, ajo tregon gabimet më të shpeshta të studentëve:

– E shkruajnë gabim formën e foljes së shumësit: shkruajnë *«παρουσιάζεται» [parusjázete] ‘paraqitet’ në vend të «παρουσιάζετε» [parusjázete] ‘paraqisni’).
– Përdorin gabim nyjën shquese të një gjinie në vend të një tjetre, që përbën një kokëçarje të madhe: *«ο ψήφος» [o psífos] në vend të përdorimit të saktë «η ψήφος» [o psífos] 'vota'. Nga ana tjetër, «το ύπαιθρο» [to ípeθro] ‘mjedis i hapur’ dhe «η ύπαιθρος» [i ípeθros] ‘fshati/zona rurale’ pse duhet të kenë kuptime të ndryshme dhe të na lodhin?
– Për sa i përket të pasaktës «άμεσα» [ámesa] ‘direkt’ në vend të «αμέσως» [amésos] ‘menjëherë’, tanimë është bërë rrugë dhe nuk guxojmë ta quajmë gabim.



Dy profesorët pajtohen duke i mëshuar përdorimit të gabuar që u bëhet shenjave të pikësimit ose mungesës së plotë të shenjave të pikësimit që vërejnë në testet e studentëve. Zonja Kastrinaqi u kujton nxënësve të saj vitet e shkollës fillore dhe të mesme: “Mos i harroni shenjat e pikësimit! Fjalitë kryesore i ndajmë me presje, nëse nuk janë të lidhura me lidhëzat dhe ose ose. Fjalitë kryesore i ndajmë me presje nga fjalitë e nënrenditura (përveç nëse janë ftilluese). Zakonisht e ndajmë fjalinë nga përcjellorja më –οντας (në greqishte quhet "pjesore veprore"): «Ai ishte duke ecur me biçikletë, duke admiruar natyrën». Thirrorin e ndajmë nga pjesa tjetër e tekstit: «Të thashë, o mami, se nuk kam uri».

Ja si e përshkruan zonja Karamolengu sjelljen e shumë studentëve ndaj shenjave të pikësimit: “Pikë dhe presje dhe pikëpresje, o çfarë rrëmuje dhe sa të panevojshme e të kota qenkan; le t’i heqim qafe e të biem rehat!”



Përktheu: Aristotel Spiro


Burimi:
https://www.kathimerini.gr/society/562217158/ziteitai-orthografia-sto-panepistimio/

Tuesday, December 27, 2022

I PËRBUZ ATA


JETËSHKRIM NË VETËN E PARË

 nga 

MANOS CHATZIDAKIS


Linda më 23 tetor 1925, në Ksanthi, në lagjen e vjetër dhe jo në pjesën e tmerrshme, ndërtuar më vonë prej emigrantëve të brendshëm të pasluftës.

Nënën e kisha nga Adrianopoja dhe babain nga Kreta. Më sollën në vitin '31 në Athinë, ku u mëkova me arsimin atik – atëherë kur «Atika» dhe «arsimi» gjallonin ende në vendin tonë.

Unë jam, pra, pjellë e dy njerëzve që nuk bashkëpunuan kurrë, përveç momentit kur vendosën të më sillnin në jetë. Kjo është arsyeja pse unë mbaj përbrenda vetes gjithë hallet e perëndisë dhe gjithë kundërtitë. Por ndërgjegjja ime qytetare, së bashku me përkatësinë time evropiane, prodhuan një përfundim mbresëlënës. Aq i butë u bëra, saqë njerëzit rreth meje duken si anormalë.

Okupacioni më dha të kuptoj se nuk më duheshin mësimet e muzikës, pasi ato më gjymtonin emocionalisht dhe më largonin tinëzisht nga qëllimet e mia fillestare që ishin: t’i hyja një rrjedhe, të komunikoja dhe pastaj të zhdukesha. Prandaj i ndërpreva studimet muzikore menjëherë pas okupacionit – me t’u çliruar vendi. Unë nuk kam studiuar në ndonjë konservator, prandaj nuk ngjaj me ndonjë anëtar të Shoqatës Muzikore Greke.

Kam udhëtuar shumë. Dhe kjo më ndihmoi të kuptoj se marrëzia nuk ishte produkt ekskluziv i vendit tonë, siç e demonstrojnë vazhdimisht me krenari shovinistët grekë dhe nacionalistët vendas. Kështu m’u forcua karakteri i lindur grek dhe m’u dobësua shumë entuziazmi për të huajt.

Kam shkruar muzikë për teatrin, për kinemanë dhe baletin. Njëkohësisht, kam shkruar shumë këngë – dy mijë deri tani, – ndër të cilat veçoj gjithë sa përmban ky koncert.

Më 1966 vajta në Amerikë dhe, ngaqë u kisha borxh organeve tatimore greke rreth tre milionë e gjysmë dhrahmi, u detyrova të jetoja atje derisa t’i shlyeja.

Borxhet i lava më 1972 dhe u ktheva në Athinë, për të ndërtuar kafen e quajtur «Polítropo». Por erdhi uragani i quajtur «Demokraci» me sirena stadiumesh dhe bowlingjesh dhe me mijëra luftëtarë të vonuar të rezistencës, që këndonin të indinjuar këngë kundër diktaturës dhe që më detyruan ta mbyll «Polítropon», prapë me një borxh tre milionë e gjysmë dhrahmi. Një numër fatal. 

Dhe kështu prej vitit '75 fillon «epoka ime» e famshme, siç do ta quanim për ta dalluar, epoka e nëpunësit të shtetit, e cila më bëri sërish të famshëm ndër gjithë bashkatdhetarët e mi të painformuar dhe ndër ata që besonin se isha sistemuar në çdo vend të jetës publike. Gjatë kësaj periudhe, që thoni ju, u përpoqa - pa sukses, ç’ është e vërteta - të bëja realitet «ide të shtrenjta kafeneje» herë në Radiotelevizionin Grek e herë në Ministrinë e Kulturës. Të dy këta organizma, të brejtur së thelli e të brishtë që prej lindjes së tyre, ia dolën të rezistojnë me sukses gjersa më në fund më mposhtën krejt. Gjithsesi, gjatë kësaj kohe lindi koncepti liberal i PROGRAMIT TË TRETË të televizionit, që iu imponua gjithë vendit.

Dhe esenca e jetës sime deri tani është:

Nuk ma ndien për lavdi. Lavdia më burgos brenda kufijve që ajo përcakton dhe jo unë.

I besoj këngës që na zbulon dhe jo asaj që na argëton e na lajkaton me zakonet tona të përftuara dhunshëm. 

Kam dëshirë të kem shumë pará, që të mund të çoj «në djall» - si i thonë - çdo punë që nuk më respekton. Të njëjtën gjë do ta bëja edhe me njerëzit. 

I përbuz ata që nuk kanë si qëllim të përmirësohen dhe të rinohen  shpirtërisht, politikanët dhe artistët «e mëdhenj», bashkëmoshatarët e vetëkënaqur, gazetarinë e errët e të dyshimtë dhe çdo lloj vulgariteti si dhe çdo idiot të kohës sime.

Ky recital është rezultat i një përpjekjeje shumëvjeçare të vetëdijshme dhe studimit me «shumë pasion». Prandaj ua kushtoj miqve të mi.


MANOS CHATZIDAKIS

Melburn, më 20 maj 1980

Përktheu: Aristotel Spiro 

Thursday, December 1, 2022

TVSH – TELEVIZIONI QË UA SHPJEGON NXËNËSVE GABIM GJUHËN SHQIPE


 

nga 

Aristotel Spiro 


Me faturën e energjisë elektrike në duar hyra tek zyra e shefes së ndërmarrjes elektrike. 

- Këtu më keni vënë të paguaj 100 lekë në muaj më shumë sesa më takon, - i thashë.

- Jo, zotëri, - m’u përgjegj ajo. – Asnjë gabim nuk është bërë. Kjo është taksa mujore e televizionit. 

- E cilit televizion? 

- E televizionit shqiptar, që shikon në shtëpi. 

- Më falni zonjë, por unë nuk kam televizion në shtëpi. Jam kundër televizionit për arsye personale; nuk ka nevojë t’jua shpjegoj këtu. Pse duhet të paguaj taksë televizioni kur nuk kam televizion?

- Ky është ligji i qeverisë. Ke s’ke, do të paguash. 

- Domethënë unë, që kam 20 vjet pa televizion, i bie të kem paguar 24000 lekë taksë televizioni pa parë fare asnjë emision. Me kaq para e kisha blerë një televizor! Si i bëhet të mos e paguaj më këtë taksë? Kjo nuk është e drejtë! 

- Zotëri, më duket se jeni jashtë realitetit! Nuk ka gjasa që ju të mos e paguani këtë taksë.

- Dua drejtësi, - i thashë. – Dua që, kur paguaj diçka, të ketë kuptim. Më jepni një zgjidhje. 

- Jua jap unë zgjidhjen, - tha shefja. – Blini televizor. Kështu, me kaq emisione që do të ndiqni do të jeni më i informuar dhe më i ditur, dhe taksa që do të paguani nuk do t’ju shkojë kot.

- A e dini që paskeni të drejtë? – i thashë. – Kam disa lekë mënjanë dhe me to do të blej një televizor. Tani që është edhe periudha e uljeve, mund të gjej një pajisje të mirë. Ju faleminderit!

Kaq duhej dhe ditën tjetër u drejtova tek dyqani i elektroshtëpiakeve, ku bleva një televizor shumë të mirë. 

Gëzim i madh në shtëpi! Më në fund, u bëmë edhe ne familje si gjithë të tjerat. Shtëpi me televizor! 

Si një Zot i vërtetë i telekomandës, fillova të bëj zapping duke bredhur stacion më stacion. Ooo, ç’kënaqësi! Stacione pa fund! Oqean lajmesh, filmash, emisionesh argëtimi! “Heu, ku paskemi qenë!”, thashë me vete. “Nuk qenka aq i keq televizioni!”. 

Dhe Televizioni Shqiptar nuk ishte si dikur me një kanal. Paskej gjithë ato kanale me siglën TVSH. U ndala tek njëri prej tyre: TVSH Shkolla! 
Ja, më në fund, një stacion për së mbari, thashë me vete. Këtu kam ç’të mësoj. Do të filloj të ndjek të gjitha mësimet. Kështu merr kuptim edhe taksa që paguaj. Mësime me pak lekë. Le t’ia filloj me gjuhën shqipe! Le t’i freskoj pak njohuritë gjuhësore! 

Ja mësimi i klasës së katërt: «Numri i emrit». 

Mësuesja shpjegon format e emrit shqip duke i kthyer nga njëjësi në shumës dhe nga shumësi në njëjës. 

Qëllimi i mësueses është të na tregojë se disa emra nuk ndryshojnë nga njëjësi në shumës. 

Por ajo që pashë dhe dëgjova ishte më shumë se një katastrofë. Duhet shumë talent për t’i thënë gjërat gabim sikur janë të vërteta. 

Kështu, unë mësova nga TVSH Shkolla se shumësi “trena” ka përkatësin njëjës “treni”. Sigurisht, sigurisht, kjo është gabim, zyshë! Sikundër është gabim që shumësin “ujqër” ta  vësh në përkatësi me njëjësin “ujku”, e kështu me radhë “pyje” me “pylli”, “drerë” me “dreri”. Po ashtu njëjësin “mollë” me shumësin “mollët”, “mjek” me “mjekët”, “lundër” me “lundrat”! Sepse format e njëjësit dhe shumësit kanë kuptim kur krahasohen sipas trajtës, së shquar apo të pashquar. Nuk mund të krahasohet njëjësi i pashquar me shumësin e shquar dhe anasjelltas. 

Dhe… o ,sa keq!  Vërtet del njësoj njëjësi me shumësin tek emrat “dritare”, “rrugë” dhe “tablo”, por jo tek “arkë” dhe “festë”! Dhe… o, ç’tmerr! “Dyer” u pagëzua si formë e njëjësit! 

Jo, zyshë e dashur! “Dyer” është në numrin shumës. Numri njëjës bën “derë”. 

Ky  nuk është mësim i gjuhës shqipe. Ky është ofendim i atyre mësuesve të përgatitur e të zotë, që punojnë të heshtur duke u mësuar nxënësve njohuri të sakta. 

Unë nuk e di se ku dhe si e keni marrë diplomën e mësueses së gjuhës shqipe. Kush ju ka vënë notë kaluese në lëndën e morfologjisë shqipe, por edhe në lëndët e tjera. Cili komision ka nënshkruar që ju të merrni diplomën. 

Por e keqja nuk ndalon vetëm këtu. 

Sepse unë, si teleshikues, mund të mos e dija kurrë dhe të mos besoja se në shkollat shqiptare mund të ketë mësues të gjuhës shqipe që nuk dinë të bëjnë një analizë të thjeshtë morfologjike. 

O Zot! Kur ju keni guximin të merrni përsipër t’u shpjegoni gjithë nxënësve të Shqipërisë nëpërmjet emisioneve të TVSH Shkollës njohuri që nuk i dini, dikush jua ka dhënë këtë guxim. Dhe ai dikushi është atje, në Radiotelevizionin Shqiptar, dhe ka nënshkruar që ju të bëni ato videomësimet dhe ndoshta edhe të paguheni mire për këto njohuri të gabuara që përcillni nëpërmjet ekranit. 

Unë, si një teleshikues i thjeshtë, me të drejtë mund të mendoj: Kur kjo zysha është përzgjedhur si mësues model për të regjistruar një mësim model, dhe është kaq e dobët, si vallë do të jenë qindra mësues të tjerë të gjuhës shqipe në Tiranë dhe në Shqipëri? Mendja dhe zemra ma do që gjendja të mos jetë kaq alarmante dhe skandaloze. Por këtë gjë le të ma thotë dikush nga Radiotelevizioni Shqiptar apo nga ministria e arsimit e Shqipërisë apo ndoshta edhe nga ndonjë instancë më e lartë. 

Kam të drejtë të kem një përgjigje, përderisa jam qytetar i këtij vendi dhe përderisa paguaj çdo muaj 100 lekë të reja për taksën e televizionit. 

Përndryshe, në djall të vejë televizori dhe në djall vafshin edhe 100 lekët e reja të taksës së televizionit! 


© Aristotel Spiro 

© Pronë intelektuale. 

Lejohet kopjimi me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”

 

Monday, August 29, 2022

Abetarja mbarëkombëtare: Nuk ka alibi për dijet antishkencore.

nga 

Aristotel Spiro


Lajmi për abetaren mbarëkombëtare shqipe është i mirëseardhur. Miratimi i saj është shprehje e vullnetit politik të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës për të ecur drejt një integrimi të plotë kulturor. Është një lajm i mirë edhe për shqipen standarde, e cila po mbështetet me masa administrative nga të dy shtetet.

      Kjo ngjarje e paralajmëruar mund të ishte një shkas i përshtatshëm që abetaret të paraqiteshin edhe në pikëpamje shkencore në një nivel të lartë. Duke thënë këtë, nuk duam aspak të vëmë në dyshim punën e palodhur të disa autorëve të traditës, të së kaluarës dhe të sotmes. Përkundrazi. Që nga «Evëtari» (1844, 1845) i Naum Veqilharxhit e deri tek abetaret e sotme hartuesit janë përpjekur për të paraqitur në mënyrë metodike sistemin shkrimor të shqipes duke sendërtuar e gërshetuar dijet dhe intuitën e tyre gjuhësore e pedagogjike.

      Mirëpo, ndërsa gjuhësia e zbatuar si disiplinë e veçantë përparonte me kalimin e kohës, ky përparim ka qenë pasqyruar e pasqyrohet në mënyrë të shpërpjesëtuar në abetaret e ndryshme.

      Mënyra e hartimit të lëndës së abetares shqipe përçon sistematikisht tek nxënësit dijen antishkencore se shkronja është e barabartë me tingullin, se grafema është e barabartë me fonemën.

      Në periudhat e mëparshme, kur shkolla shqiptare ndiqte një rrugë më empirike në qasjen e sistemit shkrimor, kjo mund të ishte e justifikueshme. Por në kohën e sotme, kur teoritë e shkrimit janë vendosur në baza më të forta shkencore, është e pakuptueshme që hartuesit e këtyre abetareve ta injorojnë përkatësinë jobiunivoke midis grafemës dhe fonemës. Sipas teorisë grafematike, nuk ka asnjëherë një përkatësi të plotë midis grafemës dhe fonemës. Një fonemë mund të paraqitet nga më shumë se një grafemë, ndërsa një grafemë mund të paraqesë më shumë se një fonemë.

      Këto gjëra të thjeshta, mjerisht, nuk merren parasysh nga hartuesit e abetares shqipe. Është për të ardhur keq, sepse, në dijeninë time, hartuesit e abetares janë kryesisht gjuhëtarë dhe në rend të dytë janë metodistë.

      Në këtë mënyrë, nxënësit shqiptarë «kapërdijnë» «që në vezë» një të pavërtetë shkencore, sikur shkronja qenka një me tingullin, sikur pranëvendosja e dy shkronjave është e barabartë me një shkronjë, ndërsa në të vërtetë kjo pranëvendosje dy shkronjash shërben për të shënuar një fonemë apo tingull të vetëm. Kështu, dyshkronjëshat nuk mundet kurrsesi të emërtohen një shkronjë. Kështu ndodh në të gjitha gjuhët alfabetike të botës dhe kështu nuk mund të mos ndodhë edhe me shqipen.

      Nëse për hir të një inercie diakronike dyshkronjëshat trajtohen si një shkronjë, asnjë alibi shkencore nuk i shpëton tashmë personat që duan të quhen gjuhëtarë për të mos i emërtuar më si një shkronjë.

      Nuk i shpëton asnjë alibi sidomos ata që hartojnë tekstet e abetares.

      Duke i trajtuar dy shkronjat si një shkronjë u mësohet nxënësve një dije antishkencore.

      Sa më shpejt ta kuptojmë këtë, aq më mirë do të jetë për nxënësit e klasës së parë. Aq më mirë do të jetë edhe për gjithë ata që e kanë mbaruar klasën e parë dhe tani janë nxënës të rritur apo gra e burra të pjekur.

      Një abetare mbarëkombëtare nuk duhet të përmbajë dije antishkencore.

      Një abetare mbarëkombëtare duhet të ketë edhe përmbajtje shkencore moderne.



© Aristotel Spiro 

© Pronë intelektuale. 
Lejohet kopjimi me kusht që të përmendet burimi prej blogut “Veritas et Virtus”  




Wednesday, June 29, 2022

REVANSHI I INJORANCËS KOLEKTIVE



Revanshi i injorancës kolektive 

nga 

Aristotel Spiro 


Kujdes nga injoranca kur lëvrin; hapni sytë nga papërvoja kur vepron dhe ruajuni shumicës kur është mendërisht e helmuar nga dezinformimi, sepse injoranca kolektive nuk bëhet mençuri.
William J. H. Boetcker

Një nga arritjet e teknologjisë së sotme është aftësia e komunitetit injorant për t’u socializuar. Kështu, të bashkuar injorantët bëhen më të fuqishëm.
        Nuk mund ta fsheh tronditjen që kam provuar nga reagimi agresiv i një kopeje injorantësh, disa me like e të tjerë me komente nga më vulgaret deri në rrugaçërore.
        Veçori e kësaj sjelljeje është urrejtja e verbër dhe mungesa e skajshme e logjikës.
        Dikush, që s’ka asnjë lidhje me shkencën, vetëshpallet Mesia i etimologjisë. Duke mos ditur ABC-në e kërkimit shkencor, duke e konsideruar etimologjinë një lojë me gogla fjalësh e rrokjesh, pa dijen më të vogël për gjuhësinë, duke e barazuar këtë me etimologjinë vulgare, duke shpikur terma gaztorësh («rotacion» për «rotacizmin»), duke futur mllef politik dhe përbaltur shkencën dhe shkencëtarët që i dhanë dritë Shqipërisë, duke pëgërë mbi traditën më të mirë të gjuhësisë shqiptare, bëhet protagonist i një «kryengritjeje» obskurantistësh mbi dritën e diturisë dhe shkencës.
        Paska dalë dikush e bërtet në mes të fshatit dhe paska rrëmbyer flamurin e shpëtimtarit të kombit; për të shpëtuar një komb që na u kërcënuaka nga Eqrem Çabej, Kolec Topalli e figura të tjera të ndritura të shkencës (!).
        Ngrihen kundër këtyre figurave të ndritura dikushi dhe disa, arsyeja dhe logjika e të cilëve u kanë lënë shëndenë dhe trupin e mendjen ua ka pushtuar verbëria e mllefi.
        Pra, kombi rrezikohet nga dija, shkenca, arsimi. Pra, kombin do ta shpëtojnë padija, injoranca, fëlliqësia, urrejta, të cilat përfaqësojnë këta njerëz të dalë nga llagëmet dhe strofullat e errësirës kulturore.
        Këta injorantë me një nivel të ulët kulturor kanë frikë nga shkenca, tek e cila shohin burimin e të këqijave që kalon vendi. Këta mendjetredhur nuk kanë asnjë fije ndërgjegjeje sociale për të menduar se cilat janë shkaqet që gjendja e vendit ka arritur në nivele të vajtueshme.
        Këta spurdhjakë, një pjesë e të cilëve ndoshta edhe me diplomë të shkollës së lartë, të mbërthyer nga komplekset e inferioritetit, nuk i kanë sytë nga e ardhmja, nga përparimi, por i kanë kthyer sytë prapa në kohë të errëta, ku asnjë gjuhë nuk flitej në botë përveç shqipes (!).
        Këta impotentë mendorë demonstrojnë gjenitalet e mendjes së tyre duke guxuar të bëjnë kompetentin shkencor dhe të marrin në provim shkencëtarë e akademikë duke i pyetur për koncepte shkencore që as ua kanë idenë.
        Kjo kope injorantësh dhe obskurantistësh, shpërdorues të lirisë së ndërgjegjes për fat të keq mbështetet edhe nga media televizive duke u dhënë kohë televizive për të shpalosur idiotizmat e tyre.
        Broçkullat e tyre qesharake do të ishin të denja për emisione të tëra humoristike, por puna është bërë kaq serioze, sa nuk ka më arsye për të qeshur.
        Përgjegjësi të madhe kanë edhe institucionet shkencore dhe akademike, të cilat në mënyrë penalizuese mbyllin njërin sy përpara kësaj katastrofe, ndërsa këta rrugaçë të mendimit u shkelin institucioneve njërin sy përmes studiove televizive.
        E keqja ka marrë formën e një revanshi të injorancës kolektive në përmasa kaq të mëdha, saqë po kthehet në kërcënim për të tashmen dhe të ardhmen e ndërgjegjes së kësaj shoqërie.
        Le të zgjohemi sa nuk është vonë. 


© Aristotel Spiro 

© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi me kusht që të përmendet burimi.